SHKRIMI
e hënë, 09 dhjetor 2019

MARSELA KOҪI: LËVIZJA 'KRAHËT E SHQIPES'

Mynih, 18 nëntor 2019: Bashkëbisedim me Marsela Koçin, veprimtare e çështjes kombëtare dhe kryetare e „Lëvizjës KRAHËT E SHQIPES“

Bashkëbisedon: Isuf Bytyçi

⁃ Kush është zonja Marsela Koçi dhe cila është veprimtaria e saj kombëtare?

Marsela Koçi: Kam lindur në Beratin romantik të një mijë e një dritareve, një qytet i vogël me njerëz të dashur dhe bujarë. Në një familje, që gjyshi i im kishte ardhur me fëmijët nga fshati i Kapinovës, vajza e parë e djalit të madh të familjes Koçi. Stërgjyshi ynë ka qenë kryetar i fshatit, një i moshuar i ditur dhe i dëgjohej fjala shumë, Fejzo Koçi. Stërgjyshja jonë ka qenë një grua shumë e nderuar si atje, ku ishte gati fëmijë, kur u martua në lagjen Uznovë të Beratit erdhi me të birin, gjyshin tim Jakup me të shoqen Zyra dhe femijët e tyre! Gjyshi kishte qenë një ndër të parët e ardhur në Berat, aty te zona ku ndërtoi shtëpinë e tij, rreth vitit 1960, e mëpas duke u populluar vendi me të ardhur të tjerë! Ai u jepte terren atyre dhe i ndihmonte, që t’i ndërtonin shtëpite e tyre.

Jemi rritur në një familje gati të gjithë sëbashku, sepse ishim në një shtëpi të gjithë me gjyshërit tanë. Unë e kam kaluar fëmijërinë time gjithmonë duke iu qëndruar pranë gjyshërve te mi, hallave e prindërve! Kam qenë shumë lozonjare, shumë e shkathët dhe, në adoleshencë me gjyshin flisnim gjithëmonë për kulturë, pë politikë e për histori! Ka qenë i drejtë me të gjithë, vizionar dhe i patundur, në vendimet e tij. Na qortonte, por në menyrë edukative, na rrinte gjithmonë pranë dhe me mua kishte shumë kujdes në veçanti, sepse e ndiente dhe besonte se një ditë do të mund të bëhesha dikushi në aspektin social-humanitar! Të rriteshe me një stërgjyshe, që e respektonin dhe e donin të gjithë njerëzit, për fjalët e ëmbla që i dilnin nga shpirti i saj, për menaxhimin e një familje të madhe, për fjalët e urta që i buronin nga shpirti dhe humanitetin e saj që nuk u kursya për askë, ishte një obligim të silleshe mirë me te. Por, e tillë ishte edhe nëna ime.



Kur ika nga Shqipëria, në moshën 20 vjeçare, dy nga imazhet më mbresëlënës, që më kanë mbetur në mendje, ishte figura e gjyshit tim, i cili më erdhi mbrapa dhe më përshëndeti, më puthi në ballë dhe m’i futi në xhep 30 mijë lekë e më tha:“sillu mirë Marsela mos na turpëro asnjëherë”! Iku me lotë në sy, me kapelen e tij republikane në kokë dhe me gjyshen time për krahu, duke u larguar nën muzgun e mbrëmjes! Sa nuk më ra pika nga trishtimi i ndarjes me ta! Atë gjyshin e urtë e simpatik, që më donte, nuk e pashë të gjalle, kurrë më! I dyti imazh, ishte ai i gjyshes sime nga Kukësi, që pata nderin të rrija me të afër 10 ditë gjatë periudhës që u semurë, e ndihmoja të ngrihej nga dyshemeja ku rrinte shtrirë mbi lëkurat e deleve, që i kishte sjellur nga veriu i saj i dashur! “Mos i turpero asnjëherë dajët“, më tha para se të shkoja në mërgim! Edhe atë, nuk e pashë më, kurrë të gjalle.

Emigrimi të lodhë nga malli, ta këput shpirtin dhe, jeton me dy këmbë në një të tashme që s’mund të jetë kurrë e shkëputur nga e shkuara, të cilën e ke lënë pas. Me atë të shkuar, emigranti e mban shpirtin gjallë! Me atë ballafaqohet në çdo vendim, që do ta zgjedhë më pas.

I mbarova studimet në Universitetin e Milanos, në Fakultetin e Shkencave politike dhe atë të gjuheve të huaja, me vështirësitë që ka çdo emigrant, që e detyron jeta të jetojë me forcat e veta, por edhe me dëshirën që të arrijë për t’i realizuar objektivat e mia. Gjatë viteve të studimeve dhe punës në Milano, jam aktivizuar në shumë shoqata kulturore të komuniteteve të huaja, dhe jam afruar shumë me komunitetin latin, sepse e njoh gjuhnë dhe historinë e tyre politike e kulturore.

Kam ndihmuar në krijimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore-artistike dhe krijimit të shumë aktiviteteve, për të drejtat në përgjthësi të gruas emigrante! Dhënien e mundësisë së komunikimit në fillim me një Ueb tv, All-tv, që u krijua nga një grup të rinjësh emigrantë, mes tyre edhe unë për t’i dhënë zë më shumë dhe, të drejtën e fjalës komuniteteve emigrantë që popullonin Lombardinë, si edhe krijimin e një imazhi ndryshe të të huajve që merrnin nga kronika e zezë e mediave nacionale apo lokale në Itali! Kam bashkëpunuar me gazeta të ndryshme, një nga kryesoret është International Ueb post me të cilën akoma bashkëpunoj! Gjithashtu, me radiodirittozero në programin Volo d’Aquila, me shoqata kundër trafikimit të qenieve njerëzore si shoqata Ebano, Senza Veli sulla lingua, kundër dhunës ndaj gruas, me shoqatën e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në promovimin e tyre në Festivalin Internacional të poezisë. Jam pjesë aktive e organizatës Lobi Euro-Atlantik shqiptar, si kryetare e degës së Italisë, pjesë aktive e Forumit të shqatës Citta Mondo në Milano që përmbledh të 150 shoqata të huaja nën vete, me presidente e së cilës është Zonja e Nderuar Dava Gjoka, shqiptare nga Mirdita, e shumë e shumë inisiativave politike me Partinë Demokratike, degën Milano në mbështetje të politikave të inkluzionit të emigrantëve në Itali. Bashkëpunuese me rrjete sociale të ndryshme në favorizimin e përcjelljes së kulturës, si një urë bashkëpunimi mes komuniteteve të huaja, promovuese e shumë iniciativave në favor të të drejtave të njeriut për komunitetin mysliman, me anë të rrjetit social ëëë.theshukran.com, ku promovohen traditat dhe vlerat e vërteta të myslimanëve, e krijuar nga një grup të rinjësh emigrantë dhe avokati i njohur i të drejtave të njeriut, Luca Bauccio. Kam qenë aktive edhe në projekt për të drejtat e qytetarëve shqiptarë, në emigrim.

Kështu filloi edhe bashkëpunimi me Lëvizjen “Krahët e Shqipes“, si rrjedhojë e shumë artikujve të mia, asnjanës ku kërkohej gjithmonë e vërteta pa manipulime dhe ku çështja shqiptare mbrohej pa mbajtur anën e asnjë force politike që ofendon dinjitetin e shqiptareve. E lajmëruar nga atdhetari Altin Disha, u gëzova tejet mase kur degjova se më në fund dikush mendon si unë, dhe se ka ardhur koha që sot në Shqipërinë tonë emigrantët shqiptarë të kontribojnë, jo vetëm ekonomikisht por edhe në ndryshimin e sistemit duke ndihmuar që të lobojnë në parlament intelektualisht, për të bërë një shtet ligjor, social e demokratik. Ne emigrantët shqiptarë, kudo në botë, mbas tri gjeneratsh në emigrim, jemi gati që të kthehemi dhe të bëjmë e të kontribojmë diçka për Atdheun.

⁃ Na thuani diçka, zonjë e nderuar, me pak fjalë, në lidhje me Lëvizjen “KRAHËT E SHQIPES”, kur u themelua dhe kush ishin themeluesit e saj? Çka ju shtyri ta themeloni një organizatë të tillë, kur shumë të tilla i kemi dhe mbase mos ndoshta vetëm sa për dekor, janë?

Marsela Koçi: Themeluesi i kësaj levizje është Z. Altin Disha, që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, i cili ka qenë aktiv qysh me levizjen e dhjetorit 2018, por edhe më parë në 2014 kur tentoi të investonte me kompaninë Concordia International në Shqipëri, në fushën farmaceutike. Z. Disha, solli në Shqipëri një projekt nga i cili fitimet vjetore do të ishin 6 milioni paund në vit dhe do të ndaheshin në tre kategori benefitesh: për të rinjtë ekselentë, për fëmijët me nevojë dhe për moshën e tretë. Projekti u bllokua nga qeveria shqiptare për motive paradoksale!

Altini, është një Atdhetar i vërtetë, që s’mund të rrinte indiferent ndaj pushtetarëve për të mos u dhënë përparësi të rinjëve dhe ideve të tyre! Nga ana tjetër nuk i duron padrejtësitë që bashkëqytetarët e tij në Shqipëri trajtohen përmes pushtetarëve të korruptuar e faqezi, që kërkojnë të riciklojnë në vazhdimsi pushtetin e grabitur me votat e vjedhura. Z. Altin përballet me fakte ndaj pushtetarëve, ashtu si thamë më sipër.

Aktiviteti i paepur i tij për çështjen kombëtare, është i pafund! Ka qenë Ai bashkë me një grup pune të krijuar në diasporë, nga vende të ndryshme me të cilët kanë punuar për këtë lëvizje me konotacione politike dhe me idenë se mërgata shqiptare e pjekur tashmë edhe mbas tri gjeneratsh në emigrim është e gatshme për të ndërhyrë politikisht dhe ekonomikisht në ndërtimin e shteteti ligjor e demokratik, ashtu siç ka qenë gjithmonë i parë emigranti deri më sot. Shqipëria s’ka ndryshuar, klasa dirigjente e së kaluarës vazhdon nëpërmjet trashëgimtarëve, nga të cilët, nuk është parë për afro 30 vjet asnjë e mirë për shqiptarët. Partitë, të cilat po e udhëheqin Shqipërinë mbas rënies së komunizmit, sikur po bëjnë gara se cila po e vjedh më tepër shtetin tone e të tyre! Ata, pra, politikanët shqiptarë, kudo që janë po tallen me qenien shqiptare,

Varfërimi i pasurive natyrale dhe nëntokësore të Shqipërisë, janë shfrytëzuar barbarisht nga multinacionalet e huaja në dobi të tyre dhe të personave me të cilët kanë lidhje koprruptive, me anë kontratash nga njerëz fantazmë. Rrënimi i sistemit arsimor, shëndetësor dhe i drejtësisë në Shqipëri, zbrazja e vendit nga të rinjtë, japin përshtypje se nuk shkon mirë asgjë në këtë vend, ku rilindasit tanë dhe të parët tanë kanë dhënë jetën ndër shekuj për ta mbrojtur dhe për ta parë të lirë e të pavarur. Kjo ide e një lëvizje politike në diasporë ndryshe nga të gjitha organizatat, me të cilat unë vetë kisha bashkëpunuar ndër vite, por që s’të jepnin asnjëherë mundësinë e shkuarjes më tej dëshirës për të kontribuar në një ndryshim rrënjësor, pasi të gjitha proklamohen apolitike, ma hapi një dritare që kishte qenë e mbyllur për mua! Altini më dha mundësinë që të shprehesha, jo vetëm nëpër artikujt, që deri më sot shkruaja, por që të gjeja dikë me të cilin t’i ndaja shqetësimet e mia dhe të personave, që dalëngadalë fillova t’i njoh falë bashkëpunimit me këtë lëvizje.

- Pse “KRAHËT E SHQIPES” dhe cili është qëllimi i Lëvizjes suaj?

Marsela Koçi: “Krahët e Shqipes”, simbolizojnë si jashtë dhe brenda atdheut, ngrohtësirën që i japin bijëve dhe bijave më të mire e më të mira të shqipërisë! Për sa i përket pyetjes suaj mbi qëllimin e Lëvizjes sonë është: kryesori; ai i dhënijes së mundësisë të të rinjëve shqiptarë në diasporë, që të bashkëpunojnë ngushtë me të rinjtë shqiptarë kudo në trojet tona etnike, pa u shkëputur nga intelektualët shqiptarë që punojnë në dobi të çështjes kombëtare! Sigurisht ndryshimi duhet të fillojë në tërë hapsirën shqiptare kudo në botë. Pas viteve ’90-ta klasa politike e pamerituar, në vend që t’u jepej përparësi, të rinjëve të diasporës, të cilët janë rritur me frymë perëndimore, por nga ana tjetër dhe rinisë së Shqipërisë e trojeve etnike të cilët e kanë përballuar jetën duke luftuar kundër përbuzjeve dhe sistemeve që krijuan stalinizmi, titizmi dhe enverizmi! Përkundrazi, rininë e hodhën tej në rrugët e varfërisë. Megjithatë, rinia shqiptare, sidomos ajo e diasporës ia kanë dalë me forcat e tyre që të sjellin po atë frymë perëndimore në Shqipëri. Si rinia e hershme në Shqipërinë e cunguar e të coptuar nga të huajt, si ajo rini që iku pas viteve 1945 të përndjekur nga regjimi diktatorial stalinist dhe, sidomos shpërdorimit të rinisë, që mbeti në kthetrat e rregjimit në fjalë qe më e rënda e ndodhur ndonjëherë për rininë shqiptare.

Qëllimi tjetër është, që t’i bashkojmë shoqatat e organizatat, të cilat duan ta ruajnë pavarësinë e tyre, që të bashkohen në një linjë të vetëme, në luftën kundër politikave të korruptuara që e kanë çuar vendin në rrënim të përgjithshëm, në këto tridhjetë vite, gjoja, të ndryshimit të kësaj fallso demokracie!

Pra, nëse Shqipëria do të bekohet nga Zoti për një qeveri demokratike, do ta shpëtojë vetëm Lëvizja atdhetare e të rinjëve shqiptarë, sidomos rinia e diasporës.

- Na tregoni, zonja Koçi, se a keni përkrahje nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët, sepse nuk mund të ketë Lëvizja suksese, pa një përkrahje të përgjithshme?

Marsela Koçi: Po, Kemi komunikuar pothuaj se me të gjitha shoqatat, organizatat veprimtare, deputetë të forcave të ndryshme politike, kemi bërë takime të njëpasnjëshme me intelektualë, akademikë, punëtorë të thjeshtë, përfaqësues të studentëve, atdhetarë të çështjes kombëtare edhe me shoqërinë civile në përgjithësi, që këtë shoqëri të pafajshme, konspiracionet po e coptojnë, dita dites! Është normale dhe shumë e vështirë të përpiqesh në një vend, ku në të cilin lind çdo ditë një shoqatë apo lëvizje e re, një fondacion apo një organizatë e re, por duke insistuar, duke bërë thirrje të vazhdueshme, duke qenë gjithmonë prezentë në Tiranë, Prishtinë e Shkup, kemi arritur të mbledhim pas vetes shumë njerëz që e duan dhe e kanë vërtetë për zemër, ta shpëtojnë vendin e tyre, nga oligarkia, e cila e kan zënë për fyti Shqipërinë! Kemi komunikuar me organizma dhe përfaqësues të huaj në Shqipëri! Përparësia është që të krijohet me bindje një lëvizje politike me frymë demokratike dhe këtë ndryshim mund ta sjellë në veçanti mërgata shqiptare.

Në Kuvendin Kombëtar, që do të mbahet më datën 28 Nëntor 2019, aderojnë Akademikë nga Shkenca Alternative, rrënjët tona, Akademia e Prishtinës, e Maqedonisë së Veriut (Ilirida) me Akademikun Pr. Dr. Milaim Fejziu, Akademia e Shkencave në SHBA e profesor Skënder Kodrës, Levizja Bashkimi Kombëtar dhe Lidhja Shqiptare në Botë. Do të marrin pjesë shoqata të ndryshme, si nga vendi dhe mërgata. Referenti ynë kryesor në Tiranë është Profesor Frederik Ruço, një intelektual i papërlyer, një person i nderuar dhe aktivist i çështjes kombëtare prej vitesh, i cili është angazhuar çdo ditë në takime e mbledhje të njëpasnjëshme në çdo qytet të Shqipërisë dhe të trojeve etnike, për të informuar mbi lëvizjen tonë. Unë si njëra nga përfaqësueset e kësaj Lëvizje iu bëj thirrje si një zë i vërtetë atdhetari e theksoj atdhetari; jo si individ, është e vetmja zgjidhje për t’u bashkuar shqiptarët në një eveniment të tillë. Shqiptarëve nuk do t’u vijë më, një rast i tillë për shpëtimin kombëtar nga konspiracionet e jashtme e të brendshme. Me këtë rast, të gjithë së bashku që e ndjejnë veten se i përkasin nocionit komb të bëjnë një shtet të lirë, të pavarur dhe demokratik vetëm me shqiptarë. Shqipëria s’ka pasur asnjëhërë shtet të pavarur defakto! Qeveritë, ia kanë bërë të tjerët.

Sikurse e thash dhe më lart, është rast unik për të bërë shtetin që i ka munguar shqiptarëve! Prandaj, mos ta humbim rastin përballë kësaj thirrje, pavarësisht kush e bën! Të gjithë të mendojmë njëherë dhe vetëm njëherë për ta shpëtuar Shqipërinë, e cila është në buzë të greminës pak pa rënë poshtë, janë gati çakejt ta coptojnë!

Gjithashtu falenderojmë pa kufi mbështetësen e parë të kësaj levizjeje qysh në krijimin e saj, Artisten e njohur Zonjën Elsa Trebicka për këshillat dhe mbështetjen pa kufi edhe tani.

- Zonja Koçi, a mendoni se nuk do ta keni edhe aq të lehtë, ta zhvilloni veprimtarinë dhe të thelloheni në trojet shqiptare, si lëvizje kombëtare, sepse ndër ne është duke u zhvilluar një luftë e egër partiake e ideologjike? Prandaj, edhe shërbimet informative të huaja, kanë ndikim të fuqishëm me para dhe njerëzit e tyre!

Marsela Koçi: normalisht që e mendoj dhe këtë e pame shumë mirë gjatë zhvillimit të Senatit të bashkimit dhe pajtimit kombëtar, më datën 15 shtator në Tiranë! Kërkuam bashkëpunim me Unionin civil dhe mbas muajë të tërë pune me një nga përfaqësuesët e tyre, një javë para Senatit na bojkotuan! Kemi pasur telefonata nga persona të ndryshëm, që kërkonin të na përçanin, apo të na kërcënonin! Në Tiranë u përhapën lajme nga më të ndryshmet kundër meje, personalisht, kundër z. Altin Disha, po ashtu dhe kundër personave tjerë të rëndësishëm të levizjes.

Nga ana tjetër, kemi kërkuar bashkëpunim me Fondaconin “Alban”, por pa asnjë përgjegjie prej tyre edhe pse ne i respektuam në mbledhjen e tyre të parë me 20 korrik në Tiranë ku, dhe prezantuam programin tone. Megjithatë, mendoj se nëse je konstant, nëse diçka e bën që nga fillimi me forcat e tua dhe nuk dorëzohesh para asnjë tentative për tërheqje nga kjo Lëvizje, njerëzve u mbetet të shohin, të studiojnë dhe le të afrohen! Kjo lëvizje nuk është individuale, nuk bëhet për të zërë karrikën e pushtetit si individi! Kjo lëvizje bëhet për të gjithë ata që kanë forca intelektuale e vullnet kombëtar për të udhëhequr me shtetin për të cilën shqiptarët kanë kohë të gjatë që e presin. Qytetarët shqiptarë, nëse të shohin se je i drejtë dhe i bind se gjithçka bëhet për një të ardhme më të mirë, besoj se do të na mbështesin të gjithë dhe, këtë e kam vënë re te persona të shumtë me të cilët kam biseduar, të cilët janë aktivistë dhe intelektualë që rrinin në heshtje se s’dinin me kë të flisnin që me lotë në sy më thonë: ju na keni dhënë një shpresë për të vazhduar të ëndërrojmë e të veprojmë.

-Çfar mendoni, zonja Koçi, për asimilimin e qetë të disa shqiptarëve me fe muslimane, në turq dhe atyre me fe ortodokse në grekë? A i keni këto informata dhe a keni strategji për ndikim dhe pengim?

Marsela Koçi: Në Shqipëri, nëse njerezit kanë mundësi punësimi, të drejtën për t’u gjykuar në mënyrë te drejtë, për t’u arsimuar në menyrë të drejtë dhe për t’u kuruar nga mjekë që nuk mendojnë se si të pasurohen, jam e sigurtë se financimet që bëhen nga lobet e ndryshme fetare, nuk do të ekzistojnë më. Mendoj se gjithë secili, duhet të besojë në çka mendon se është më e drejtë për të! Edhe mua më lind dyshimi nëse duhet ta çoj vajzën në katekizëm në shkollën që frekuenton apo jo, dhe besoj se edhe mund ta bëjë. Mendoj se të gjithë duhet të kemi të drejtë të njohim si kulturën edhe dallimet e ndryshme fetare dhe feja të jetë thjesht një kulturë më shumë per ne. Por, të mos jetë mbi kombin.

Nëpër shkolla duhet të mësohet si kulturë se çfarë është, përse shërben ajo në edukimin shpirtëror tek njerëzit dhe, si dallohen ato nga njëra tjetra. Jam e sigurtë dhe mëse e bindur se ai femijë apo të rinjtë, do të gjejnë shumë pika të përbashkëta mes tyre, të cilat do të shërbejnë si një urë lidhëse mes kulturave të ndryshme që kanë ato dhe, se si vazhdojnë të ndikojnë njëra-tjetrën t’i sensibilizojnë njerëzit kudo nëpër botë, nga veshjet, ushqimi, muzika, vallet dhe vlerave më të mira që i kanë popujt në botë.

- Zonja Koçi, a e besoni se shqiptarët, më të organizuar janë në aspektin partiak, fetar dhe grupor, sikur që janë në atë kombëtar dhe si do t!ia dalim ta ndryshojmë mendësinë, pa ua cenuar të drejtën e tyre partiake e ideologjike?

Marsela Koçi: mendoj se shqiptarët janë shumë të bashkuar atdhetarisht, por më shumë se sa në praktikë janë në mënyrë alegorike. Të jesh një atdhetar i denjë dhe i besuar në kauzën që ke marrë përsipër, do të thotë që t’u japësh bindje e të drejtë të gjithëve për ta thënë atë që mendojnë për Ty. Në këtë kauzë, duhet të jesh vigjilent kundrejt çdo manipulimi dhe konspiracioni që kërkon të na përçajë, kombtarisht! Të mos jesh gjaknxehtë dhe të veprosh bashkarisht me masën, që ty të jepet mundësia t’i drejtosh, të mos e ofendosh kurrë vendin tënd apo bashkëkombësit tu, sidomos para të huajve. Ta promovosh traditën dhe kulturën tënde, të mos të vijë turp ta flasësh gjuhën e nënës, në prezencën e të huajve. Të hulumtosh për çështjen kombëtare, t’i quash vëllezër e motra shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut (Iliridën), Çamerisë si edhe ata mes veriut dhe jugut të Shqipërisë. Të mos mendosh për emër apo për karrikë pushteti me qëllimin e përvetësimit pasuror, sikurse kanë bërë e po bëjnë pushtetarët paraardhës e pasardhës. T’i hedhësh hapat me kurajo dhe të mos i harrosh veprat e parardhësve tanë, historinë e gjyshërve t’u, të mos jesh kurrë indiferent. T’i nderosh me respekt dhe t’i përkujtosh figurat e ndritura të kombit shqiptar, të hedhësh dritë mbi të vertetën dhe t’u çjerrësh maskën me kurajo hipokritëve dhe të paudhëve. “Urreni indiferentet”, thoshte i madhi filozof me origjinë arbëreshe, Antonio Gramshi dhe shkrimtari i madh italian Dante Aligeri, në librin “Komedia Hyjnore”.

- Ju faleminderit zonja Koçi, për kohën që e keni gjetur për bashkëbisedim dhe uroj që sa më shumë të arrini suksese në veprimtarinë e juaj kombëtare e familjare.



Bashkëbisedoi: Isuf Bytyçi


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Gëzuar 28 Nëntorin 1912!

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks