SHKRIMI
e diel, 18 nëntor 2018

GJOKË DABAJ: ARBËRIT E JONIT NË SHEKUJT XV-XVII (2)

Durrës, 23 janar 2018: Më shumë se 600 fshatra dhe disa qytete në pjesën veriore të Kosovës, pushtuar prej Sërbisë në vitet 1877-1878, boshatisur me dhunë dhe ripopulluar me sërbë e me vllehë të sërbizuar, janë dëshmi që është vështirë të përtypen pa t’u zënë fryma! Gjysma e Malit të Zi të sotmit, është tokë e Shqipërisë, e asaj Shqipërie që na e kanë lënë paragjyshërit dhe të cilën gjyshërit tanë nuk qenë gjendje ta ruanin! Manastirit, një qyteti me shumicë shqiptare deri në vitin 1912, një qendër e jona historike, sot s‘ka kush t’ia ruajë as xhamat e një shtëpie-muze! Ohrin, ka shekuj që sllavët e kanë përdorur si qendër të vetën institucionale. Si ndodhi që një Ohër, një Lihnid të Antikitetit, mu në zemër të Atdheut tonë, ta përdorë me kaq përfitim kulturo-historik dikush tjetër, ardhur që nga Mongolia dhe nga stepat e Donit, e jo ne që ishim autoktonë prej kur s’mbahet mend?! Por edhe në kohët më të reja ne mbetëm po ata që ishim: Shkupi, deri në gjysmën e dytë të shekullit XX me shumicë shqiptare, na u bë papritur, mbas një tërmeti krejt të rastësishëm, me pakicë shqiptare!

Në Republikën e Kosovës, në tetë apo nëntë komuna, e morën pushtetin lokal sërbët, të dirigjuar dhe të paguar prej Beogradit! Në pjesët jugore të Republikës së Shqipërisë, jo Italisë që i vrau, por ne po na duhet t’i bëjmë prej mermeri varret e ushtarëvet grekë, në një kohë kur, po ne, në Margëlliç, Paramithi e Filat, nuk na lejohet as një tufë lule ta vëmë mbi vendet ku janë therur fëmijët tanë, prej grekëvet! As një tufë lule, le më të hapim atje, për shqiptarët vendës, shkolla NË GJUHËN SHQIPE apo librari me libra SHQIP!

A dashkan varre grekërit për ushtarët e tyre, vrarë në tokën tonë prej ushtrisë italiane?! Le t’ua ndërtojë, more, Italia që ia vrau! Dhe, ashtu siç i solli Greqia të gjallë ushtarët e vet në tokën tonë, pa i thirrur kush, le t’i kthejë, more, të vdekur andej nga i ka prurë!

Por kush t’i dalë zot Shqipërisë?! Shqipëria ka ecur e po ecën përmes DËSHTIMESH, siç i çahet një të pafati cipa e akullit, kur kuturis të kalojë, më këmbë e pa mend në kokë, një liqen të ngrirë!

As edhe një e njëmilionta pjesë e DËSHTIMEVET që Etnia jonë, gjegjësisht Kombi ynë, i ka përjetuar, nuk u tha në këta njëqind rreshta. Megjithkëtë, një përfundim mund të nxirret: Etnia jonë, gjegjësisht Kombi ynë, në të gjithë shekujt e ekzistencës së vet nuk e ka pasur INSTITUCIONIN e vet të IMUNITETIT: një religjion të çfarëdo lloji, por që të qe shkruar në GJUHËN e tij, që të qe predikuar, qytet më qytet, fshat më fshat e faltore më faltore, në GJUHËN e tij, dhe që e gjithë kjo të qe udhëhequr nga një qendër e vetme.

Duhet të mbajmë mend që, njëri prej kuptimevet të fjalës imunitet është edhe ky: aftësia për t’i bërë ballë diçkaje të huaj e të dëmshme. Ne nuk e patëm INSTITUCIONIN që të na pajiste me aftësinë për t’i bërë ballë çdo gjëje të huaj e të dëmshme.

Në dymijëvjetëshin e fundit, INSTITUCIONE TË IMUNITETIT, po edhe të zhvillimit (sepse një trup që ka imunitet, rritet e zhvillohet në kushtet më optimalë të mundshëm), në popuj të ndryshëm kanë qenë religjionet monoteistë, të predikuar dhe celebruar në GJUHËT e atyre popujve. Le ta përsëritim: Të predikuar dhe të celebruar në GJUHËT e tyre!

Po marr vetëm disa shembuj, që janë krejt të kuptueshëm dhe që, pikërisht se janë krejt të kuptueshëm, është çudi e madhe: Si nuk i kanë kuptuar të parët tanë, të largëtit dhe të afërmit?!

Muhameti, një njeri i zgjuar dhe tepër largpamës, ua mori izraelitëvet fenë dhe ua predikoi atë arabëvet në GJUHËN arabe. Kjo ish e gjithë puna!

Kish gjashtë shekuj që edhe të krishterët ua kishin marrë po izraelitëvet të njëjtën fe dhe grekët ishin të parët që e shkruan dhe e predikuan këtë fe në GJUHËN greke. A thua nuk ishin aty ilirët, që edhe ata ta shkruanin e ta predikonin qytet më qytet, fshat më fshat dhe kishë më kishë, këtë fe në GJUHËN ilire?! Ç’bënin perandorët ilirë në atë kohë?! Ndërmerrnin ekspedita të mëdha ushtarake, për të shpëtuar Perandorinë e Romës?! U hëngërt shpirti pleh!

Është thënë që gjuha greke dhe gjuha latine kanë qenë gjuhë kulture, prandaj edhe feja monoteiste, e cila zëvendësoi politeizmin, u shkrua dhe u predikua në ato gjuhë. Por ky është një justifikim i pjesshëm, sepse ilirët, edhe në qoftë se nuk e kishin shkrimin, le ta krijonin shkrimin! Le t‘i huazonin shkronjat dhe le t’i përdornin për të shkruar GJUHËN e vet!

Pse nuk e krijuan dhe pse nuk e kultivuan ilirët SHKRIMIN e vet në GJUHËN e vet dhe, rrjedhimisht, ta kishin shkruar dhe predikuar edhe monoteizmin në GJUHËN e vet, siç bënë grekët dhe latinët?!

Në shekujt e Mesjetës, popuj të tjerë, që ishin shumë më të rinj dhe me shumë më pak kulturë se ilirët, i gjetën rrugët, e krijuan SHKRIMIN e vet dhe fenë monoteiste e predikuan në GJUHËT e veta. Bullgarët krijuan kishën autoqefale të Tërnovës, sërbët, më 1219-n, krijuan kishën autoqefale sërbe, rusët gjithashtu krijuan kishën e vet autoqefale. Që të gjithë këta popuj i morën nga të tjerët, edhe alfabetet, edhe religjionin. Por i siguruan vetes IMUNITETIN, duke e SHKRUAR dhe duke e predikuar fenë në GJUHËT e tyre, qofshin ato gjuhë edhe me 80% huazime.

Po pyesim, pra, edhe njëherë: Pse ARBËRIT e Mesjetës nuk vepruan po në atë mënyrë siç vepruan popujt që përmenda?!

S’ka aspak rëndësi ku është marrë, prej kujt është huazuar ose kujt i është rrëmbyer një sistem besimi. Rëndësi ka që ai sistem besimi t’i transmetohet popullit në GJUHËN e tij dhe ai popull bëhet IMUN, jo veç për të mbijetuar, por edhe për t’u forcuar e zhvilluar pa ndërprerë.

Arabët, duke ua marrë religjionin hebrenjvet, u morën atyre edhe një numër personazhesh: Abraham (Ibrahim), Moisi (Musa), Solomon (Sulejman), Jozef (Isuf), Mari (Mejreme), Jezus (Isa). Po ç’rëndësi ka?! Arabët nuk tjetërsohen me një grusht emrash, sepse ai Zot, ai Jehova, që ata e quajnë Allah, dhe ata personazhe të Dhjatës së Vjetër, duke u inkuadruar në sistemin e tyre gjuhësor, jetojnë në Kuran, e rrjedhimisht edhe në popull, sikur janë të tyret.

Emrat izraelitë, po edhe të popujvet të tjerë, nëpërmjet krishtërimit, kanë arritur deri në Rusi e deri në Argjentinë, por ç’punë u prish kjo kombevet, kur feja predikohet në GJUHËT e tyre?!

ARBËRIT, ndërkaq, nuk themeluan dot kurrfarë autoqefalie dhe kjo solli si pasojë: kroatizimin, sërbizimin, bullgarizimin dhe greqizimin e qindra mijë ILIRO-ARBËRVET. Kjo ndodhi, sepse që të gjithë këta popuj, themeluar shumë kohë mbas nesh, i kishin krijuar, mu këtu në trojet e ILIRO-ARBËRVET, institucionet e vet të IMUNITETIT: kishat në GJUHËT e tyre. Ndërsa ne nuk i krijuam! Pse s’e krijuan ILIRËT e në vazhdim ARBËRIT, kishën e vet autoqefale?! Ky nuk është vetëm TURP, por është edhe KRIM i paraardhësvet tanë ndaj nesh pasardhësvet të tyre!

Midis tjerëvet, moskrijimi prej të parëvet tanë i një INSTITUCIONI IMUNIZUES KOMBËTAR, është KRIM edhe ndaj banorëvet të sotëm të Artës, të Bastias, të Filatit, të Frarit, të Igumenicës, të Janinës, të Konicës, të Kosturit, të Margëlliçit, të Mazrekut, të Paramithisë, të Pargës, të Prevezës, të cilët janë, por nuk dinë ç’janë!

Në shekullin XV gjermanët e krijuan Kishën Luterane. Edhe Kisha Anglikane është një kishë kombëtare. Në të gjithë këta shekuj ne ishim këtu! Duke u rrudhur e duke u rrëgjuar! Po pyesim prapë e prapë: Pse nuk vepruam edhe ne si popujt e tjerë?!

Libri „Arbërit e Jonit“, shkruar nga Pëllumb Xhufi me një përkushtim kombëtar për t’u admiruar, pa bërë asnjëherë pohime të paargumentuar, një libër i mbështetur në dokumente të dorës së parë, na i rrëfen ARBËRIT e Jonit në të gjithë aspektet e kjetës së tyre. Ke përshtypjen sikur këta banorë të ARBËRISË SË POSHTME janë të aftë për të bërë çdo punë. I ke bijq, i ke ndërtimtarë, i ke detarë, i ke ushtarë, i ke edhe hajdutë, grabitës, i ke spiunë, i ke udhëheqës dhe komandantë të klasit të parë. Por, u rroftë zotësia që kanë! U rrofshin dhuntitë! Shko e shihi sot! Jo vetëm lavdia, por as varret s’u gjenden gjëkundi! Pasardhësit e tyre zor se do të mund ta lexojnë këtë libër të Pëllumb Xhufit, në një kohë kur në shkollat e tyre u mësohen vetëm histori të shtrembëruara në GJUHË të huaj. Në GJUHËN greke, e cila u serviret abuzivisht si „GJUHË e tyre amëtare“! A ka më keq?!

Pa provo t’ia shtrembërosh Grekut historinë, të shkruar edhe mbrapshtë, por ashtu siç e do ai?! Provo t’ia shtrembërosh Sërbit historinë, të shkruar mbrapshtë, por ashtu siç i duhet atij! Provo t’ua ligjërosh historinë fëmijëvet grekë apo sërbë, jo në GJUHËN greke a sërbe, por në GJUHËN SHQIPE! Provo edhe ta regjistrosh Grekun shqiptar! S’ke për të mundur! Në Stamboll ka edhe grekë, ka edhe shqiptarë. Shko e shih: A ka ndonjë grek të regjistruar si turk?! Dhe shko e shih: A ka ndonjë shqiptar të regjistruar si shqiptar?! Në Stamboll ka edhe hebrenj. Por shko dhe shih: a ka ndonjë hebre të regjistruar si turk?! Dhe kjo ndodh sepse grekët dhe hebrenjtë kanë në Stamboll INSTITUCIEONET e vet kombëtaro-fetarë!

Atëherë: Kush duhej të na e kish krijuar ne shqiptarëvet një INSTITUCION, të atillë që ne sot të mos bëheshim lecka për të fshirë këpucët kushdo që të kalojë këndej dhe kudo që të na mbjellë era mërgimore?!

Mos duhej ta krijonin këtë lloj INSTITUCIONI katundarët që mbillnin e korrnin elb e grurë?! Jo! Ata nuk mund ta kryenin një të atillë punë! Mos duhej ta krijonin atë INSTITUCION IMUNITETI banorët e thjeshtë të qytetevet tanë?! Jo! As ata nuk mund të krijonin kurrfarë INSTITUCIONI të përmasavet kombëtare. Madje, fshatarët dhe qytetarët tanë të atyre kohëve mjaft kanë arritur të bëjnë, duke na e ruajtur këtë GJUHË kaq të bukur dhe këto tradita dhe këto veshje që gjithë bota i ka adhuruar. Për veshjet, po edhe për GJUHËN, ka mjaft të dhëna edhe në librin „Arbërit e Jonit“, të dhëna që mjerisht sot as që ua kanë haberin shumica e banorëvet të asaj ane.

INSTITUCIONIN tonë të IMUNITETIT, të çfarëdo forme dhe në çfarëdo mënyre, qoftë edhe duke e vjedhur, duhej të na e kishin krijuar TË PASURIT TANË, që njëkohësisht kishin edhe pushtetin në dorë. Sigurisht, në bashkëpunim me INTELIGJENCËN. Mirëpo, TË PASURIT TANË, që njëkohësisht mbanin edhe pushtetin, kishin frikë prej INTELEKTUALËVET dhe u shmangeshin, sikur prej tyre do t’u ngjitej ndonjë sëmundje!

Lexoj në atë libër një dinasti të madhe sundimtarësh Bua: Dhimo Bua, Gjin Bua, Mërkur Bua, Hektor Bua, Teodor Bua. Pastaj: Gjin Bua Shpata, Sguro Bua Shpata dhe të tjerë me „shpatë“. Muriq Shpata, Pal Shpata dhe Jakup Shpata. Nuk do harruar që, kur vinte puna për të ndërruar fenë, të parët ishin TË PASURIT TANË, pinjojtë e familjevet më të mëdha, ata që ia falnin shpirtin dreqit, për poste e për para. Janë ca me pranemrin Bixhili: Kristofor Bixhili, Nikollë Bixhili, Pano Bixhili. Zenebishët bëjnë histori anembanë ARBËRISË SË POSHTME. Dy Gjon Zenebishë dhe një Simon Zenebish, për të kaluar te dy Zenebishë të tjerë të islamizuar, Hamza Zenebishi dhe Hasan Bej Zenebishi. Nuk reshtin emrat e ARBËRVET që duket se bëjnë histori në brigjet e Jonit, po edhe më gjërë: një Jeronim Kombi, një Gjin Lekë Kali, një Pjetër Lanza, një Simon Laskari e një Bejko Pasha.

Por çfarë bënë që të gjithë këta ARBËR, alias ARNAUTË, kush më i fuqishëm e kush më pak i fuqishëm, kur nuk gjetën një mënyrë për t’i siguruar racës së vet një jetëgjatësi të qëndrueshme?! Pasuria e tyre buronte kryesisht prej punës së fshatarëvet dhe qytetarëvet të këtij vendi. Të kishin bërë të paktën gjënë më të domosdoshme: T’u kishin siguruar bashkëkombësvet, fakir-fukarenjvet, një rit fetar, të përshtatshëm për atë kohë, në GJUHËN e tyre. Kaq donin ata ARBËR dhe do të mbeteshin përjetësisht i lidhur me prijësit e vet dhe emrat e atyre prijësve do t’i mësonin sot nxënësit që nga Parga gjer në Artë!

Mirëpo, SUNDIMTARËT tanë të Mesjetës zgjodhën të mbështeten vetëm te forca e armëvet dhe te lloj-lloj alencash të çastit, madje edhe të përhershme, me të huajt. Herë nën njërën ombrellë e herë nën një ombrellë tjetër. Jo vetëm ata të Jonit, por pasanikët dhe sundimtarët e krejt ARBËRISË: Muzakët, Arianitët, Gropajt, Topiajt, Kastriotët, Balshët, Dukagjinët…

Edhe ata vetë e shihnin, ose, më mirë të themi, e ndjenin që diçka nuk shkonte, dhe kjo kuptohet nga eklektizmi i tyre. Mbështetur te Kisha Lindore, kryesisht ajo greke, shumë prej tyre arrijnë deri afër perandorit, për shembull disa prej Muzakëvet, dhe madje deri pretendentë për fronin, nëse është e vërtetë që edhe Engjëllorët e Despotatit të Artës ishin ARBËR. Mirëpo, nuk i zinin dot vendet që i lakmonin. Gjë krejt e kuptueshme për cilindo që i ka dy pare mend. Përderisa as në kishë, as në shkallët e piramidës shtetërore nuk përdorej GJUHA e tyre! Le të flisnin edhe në shtëpitë e veta në GJUHËN shtetërore e kishtare greke, ata e kishin të stamposur në lëkurë se nuk ishin grekë. Duke u djegur “damka” jogreke mbi lëkurë, thuajse të gjithë këta feudalë ARBËR e kthyen të paktën nga njëherë fytyrën edhe nga Vatikani. Rast mbas rasti ata iu bënë urë Vatikanit dhe mbretërivet që gravitonin rreth tij, ose Republikës, e cila e kish pushtuar një pjesë jo të pakët të tokës sonë, por prapë s’u doli gjë. Brezi i parë e i dytë i Balshëvet, nga ortodoksë u kthyen në katolikë, kurse brezi i tretë, i shpërndarë tashmë, ose u shkri e u tret si kripa në ujë, në botën e Perendimit, ose iu mbështet Kishës Pravosllave Sërbe, për t’u zhdukur e për të mos lënë kurrfarë emri në histori. Përkundrazi, duke lënë njolla, që as sot nuk na hiqen në hapësirat rreth Liqenit të Shkodrës!

I vetmi që e la të pashlyeshme gjurmën e vet në historinë, po edhe në jetën e përditshme të Kombit të vet, ishte GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU. Dhe, a e dimë ne shqiptarët pse ndodhi që Gjergj Kastrioti Skënderbeu bëri epokë në historinë e Kombit tonë?! Ndodhi, pra, sepse ai i dha rëndësi, veç tjerash, edhe GJUHËS së popullit të vet. Dëshmitë e shkruara janë të pakta, por gjithsesi ato janë të spikatshme, siç është i spikatshëm një qiri në mes të një terri të zi. Është Formula e Pagëzimit një hap i qartë, sado i vogël, drejt një lloj autoqefalie, dhe është ajo thirrja e Lekë Dukagjinit “Ëmbë tah!”, shenjë që edhe komanda në ushtrinë skënderbejane jepej në GJUHËN e vendit. Dëshmi që Gjergj Kastrioti Skënderbeu është mbështetur fort te energjitë e popullit të vet, është edhe lidhja e tij me INTELIGJENCËN e vendit. Janë disa emra klerikësh të shquar, të cilët i dhanë sukses asaj epoke, jo më pak se shpatat dhe heshtat e kalorësvet: Pal Engjëlli, Gjergj Pelini, vëllezërit Gazulli…

Mirëpo, me gjithë këtë dritë që solli në historinë tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dritë, pa mëdyshje në frymën e Renesansës e të Humanizmit Evropian, papëseprapë, të pasurit tanë, feudalët tanë, pushtetarët tanë të asaj epoke, nuk e kuptuan dot, nuk e gjetën dot rrugën që u duhej e që na duhej.

Në shekullin XV një Martin Luter e konsideronte Vatikanin fole gjarpërinjsh dhe shkëputej prej Vatikanit, duke krijuar Kishën Gjermane, ku liturgjia do të thuhej në GJUHËN gjermane. Ky ish shpëtimi! S’kish nevojë për asgjë tjetër më të madhe, që të krijohej një komb i madh!

Elita feudale e Kombit tonë, po në atë shekull, nga një anë nuk reshti së kërkuari ndihmë nga po ai Vatikan, prej të cilit ishte distancuar elita feudale gjermane, nga ana tjetër, nuk reshti së islamizuari, duke u puthur këmbët sulltanëvet!

Sllavët e Jugut e kishin kuptuar ndërkohë se si duhej të silleshin me Vatikanin. Ata u laheshin e u lyheshin papëvet, sa të siguronin një kurorë mbreti (kujto Tomisllavin dhe Tvërtkon e kroato-boshnjakëvet, Mihal Vojisllavleviqin, Vukan Nemanjiqin), pastaj shikonin punët e veta, midis të cilavet kryesorja ishte t’u siguronin shtetasvet të vet liturgjinë në GJUHËN sllave. Dhe kjo ndodhte kur një shumicë e shtetasvet të tyre nuk ishin sllavë, por ose iliro-arbër, ose vllehë. Liturgjia në gjuhët sllavojugore bëri që qindra mijë ARBËR të ktheheshin në sllavë. Që nga lumenjtë Sava e Drava e deri te Moraça e Morava!

Të gjithë TË PASURIT e mençur të botës mbështeten te populli i vet, sepse prej popullit të vet i sigurojnë edhe paret, edhe ushtarët, edhe postin, edhe gradat, edhe shtëpitë, edhe çfarë hanë. E shfrytëzojnë popullin e vet, por ia japin të paktën kënaqësinë e IDENTITETIT dhe kjo nuk mund të arrihet kurrsesi ndryshe, veçse nëpërmjet një INSTITUCIONI kulturor gjithkombëtar. Vetëm TË PASURIT tanë, trima e të shkathët, të zotë për të grumbulluar para e pushtet, por të trashë, budallenj dhe hajvanërisht moskokëçarës sa i përket së ardhshmes etno-kulturore qoftë edhe të nipërvet të vet! Të shitur vetë te djalli dhe te i biri i djallit, shitur edhe pasardhësit e vet, „me paradhënie“, rrënjëdalë, bimëtharë e farëshuar brez pas brezi!

...Por, ç’është një INSTITUCION KULTUROR KOMBËTAR AFATGJATË?!

Mund të mendohet se është SHTETI, por nuk është ashtu, qoftë edhe sepse një komb mund të mbetet një ditë, qoftë edhe përkohësisht, pa shtetin e vet. Atëherë, kush do ta mbajë gjallë atë komb? Izraelitët, të mbrapshtë në shumë cilësi të vetat, e lanë veten pa shtet për gati dy mijë vjet! Por ç’e mbajti gjallë atë komb?! E mbajti INSTITUCIONI i tyre kombëtar, e mbajtën sinagogat dhe ritet në GJUHËN e tyre!

Mund të mendohet se është SISTEMI ARSIMOR, por as sistemi arsimor nuk e garanton dot përjetësinë e një kombi. Sepse sistemi arsimor nënkupton shtet e shteti mund të mos jetë i yti. Shqiptarëvet që jetojnë në shtetin grek, sistemi arsomor grek do t’u japë njohuri e kulturë greke dhe ata shqiptarë, në pikëpamje kulturore, do të rriten si një kafshë barngrënëse që e ushqejnë me mish ose si një kafshë mishngrënëse që e ushqejnë me bar. Jepi lopës mish në vend të barit dhe prit të të bëjë viç! Ushqeje qenin me bar dhe prit të ta ruajë shtëpinë! Shqiptarëvet që jetojnë në shtetin turk, sistemi arsimor turk do t’u japë njohuri dhe kulturë turke, ndërsa shqiptarëvet që jetojnë në shtetin malazias, sistemi arsimor i Malit të Zi do t’u japë njohuri dhe kulturë malaziase, aq sa mundet, sepse Mali i Zi edhe kulturën e vet e ka të huazuar, të shartuar e të arnuar.

Mund të mendohet që mungesën e shtetit dhe të një sistemi të vet arsimor, njerëzit mund ta zëvendësojnë me SHOQATA e me organizata të ndryshme, në të cilat të kultivojnë GJUHËN, folklorin dhe traditat e tjera. Por as kjo nuk është një rrugë shpëtimtare. Në shoqata nuk mund të përfshihen të gjithë pjesëtarët e një kombi dhe, veç kësaj, shoqatat, pa një udhëheqje qendrore, e parcelizojnë kombin. Atyre, shpeshherë, u përshtatet shprehja: njëri thoit, tjetri patkoit.

Mund të mendohet që IMUNIZIMIN dhe KOMPAKTËSIMIN e kombit, në kohën e sotme, e kryejnë MEDIAT: televizionet, radiot, interneti, gazetat apo edhe librat që botohen në GJUHËN e kombit, në rastin tonë në GJUHËN shqipe.



Është e pamohueshme që, që të gjitha këto luajnë rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen dhe zhvillimin e një kombi. Shteti kombëtar është i pazëvendësueshëm. Kur një komb nuk e ka shtetin e vet, që të organizohet e veprojë në GJUHËN e tij, mund të thuhet me siguri që ai komb është i rrëzikuar për t’u zhdukur. Nuk bëjnë kot kurdët luftë të madhe, për të krijuar një shtet të vetin. Pa sistemin arsimor, që perhap dhe ruan GJUHËN, dijet dhe krejt kulturën e një kombi, ai komb nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrfarë zhvillimi dhe as perspektivë për të mbijetuar. Plasën shqiptarët e sotëm duke mësuar anglishten, gjermanishten, italishten, greqishten! Por unë u them atyre: Nëse nuk e mësojnë e nëse nuk e adhurojnë deri në shenjtëri GJUHËN SHQIPE, karriera e tyre, jeta e tyre, personaliteti i tyre dhe e ardhshmja e tyre, do të ngjajnë me flakën e kashtës! Po kështu, natyrisht, duhen kuptuar si të domosdoshme edhe mediat, objektet dhe veprimtaritë kulturore, librat, muzeumet, teatrot, kinematë, institutet shkencorë, akademitë. Por asnjëra nga këto dhe as të gjitha të marra së bashku, nuk arrijnë ta plotësojnë as përafërsisht punën që kryen një INSTITUCION gjithpërfshirës kulturor, edukues dhe kompaktësues i një kombi.

Struktura e një të tillë INSTITUCIONI AFATGJATË, siç është thënë tashmë shumë herë, është fare e thjeshtë. Kombi, në rastin tonë Kombi Shqiptar, ka një teori e platformë kombëtare të shkruar, ka një udhëheqje qendrore dhe ka një rrjet sa më të gjërë qelizash vendore, në të cilat predikohen dhe zbatohen praktikisht teoria dhe platforma përkatëse, e udhëhequr nga qendra, pa i pasur si pengesë kufijtë shtetërorë.

Pikërisht një INSTITUCION i tillë i ka munguar Kombit Shqiptar në të gjithë shekujt e ekzistencës së tij dhe për këtë ka qenë dhe mbetet fajtore KLASA E PASUR e këtij Kombi. I hëngërt shpirti pleh!

Bëri kryengritje Dionis Filozofi në fillim të shekullit XVII. (Shih gjërësisht te vepra “Arbërit e Jonit“.) Kryengritja që ai organizoi, ishte e përmasavet mjaft të mëdha. Mirëpo, ai bëri luftë me ARMË, para se të hartonte e ta vinte në jetë, në GJUHËN arbërishte, një IDEOLOGJI KOMBËTARE. E pra, Dionis Filozofi ishte klerik dhe ish aq i ditur, sa në histori i mbeti pranemri Filozofi. Ne nuk dimë tash, a ka tentuar ai njeri i yni, i ditur, të krijojë një kishë në GJUHËN tonë, por dimë të themi, mbi bazën e ngjarjevet të mëparshme e të mëvonshme, se, në qoftë se do t’u mbetej në derë TË PASURVET ARBËR, duke u thënë që ne na duhet më parë një ARMË PREJ FJALËSH, në GJUHËN tonë, e pastaj edhe ARMËT PREJ HEKURI, ata Bua e ata Zenebishë, do ta kishin emërtuar atë njeri, jo Filozof, por Filofyell.

Në po ato hapësira kemi edhe një prift tjetër, i cili la emër, por emër të mbrapshtë. Ai ishte Kozma Etoli, i cili u konsiderua shenjtor dhe mbërriti në ditët tona me emrin Shën Kozmai. Duke qenë gojëtar shumë i zoti, ai mblidhte mbas vetes me mijëra njerëz dhe shkonte krahinë më krahinë e qytet më qytet. Po çfarë u thoshte ai turmavet tashmë SHQIPTARE që e ndiqnin?! U thoshte që të mos flisnin SHQIP as në shtëpitë e veta, sepse Zoti nuk di SHQIP! Zoti di vetëm greqisht!

Ishte v iti 1775. Po citoj një fragment nga libri i Pëllumb Xhufit: “Udhëtimi i dytë i gjatë e çoi në shumë vende të SHQIPËRISË, në fshatrat e Korçës, Konicës, Pramithisë, Sulit, Frarit, Margëlliçit, Filatit, Delvinës, Gjirokastrës, Himarës, Vlorës, Beratit, Kavajës e deri në Krujë. Thelbi i aksionit të tij në të gjithë këta vende, përmblidhet në predikën e tij të famshme, e cila ishte refreni i fjalimevet që ai mbajti mes popullsivet SHQIPTARE të Epirit: “Kisha jonë është në gjuhën greke. Dhe, nëse nuk e meson gjuhën greke, vëllai im, nuk do të mund të kuptosh atë çka thotë kisha jonë… Më mirë të keni një shkollë greke në fshatin tuaj, se sa të keni përrenj e lumenj.” Dhe përfundon: “Ai burrë, apo ajo grua e krishterë, që do të më japë fjalën se nuk do të flasë SHQIP në shtëpinë e tij, të ngrihet e të ma thotë, dhe unë do t‘i fal atij të gjithë mëkatet e bërë që nga dita kur ka lindur.” (f.1345)

Absurdi është i pagëlltitshëm! Një Zot i izraelitëvet, izraelit edhe i biri, Jezusi, edhe nëna e tij, “e virgjëra” Mari, izraelite, ndërsa kisha u dashka të jetë doemos greke EDHE NDËR SHQIPTARËT, që nga Kruja e Korça deri në Frar e Paramithi! Kozma Etoli është kokë e këmbë e mjekërr, një mashtrues, i cili, megjithatë, për shkak se SHQIPTARËT nuk e kanë një INSTITUCION IMUNIZUES, do ta ketë një shok si veten edhe në shekullin XXI: Anastas Janullatosin!.. Ali Pashë Tepelena, një ndër MË TË PASURIT e kombit tonë (nëse ish vërtet SHQIPTAR), i ngre manastir “Shën” Kozmait mu në Myzeqe! Në vend që të hapte një gropë të madhe dhe ta varroste njëqind pash nën dhe atë farë mashtruesi, PASANIKU ynë, Ali Tepelena, për më tepër mysliman, i ndërton një manastir satanait. Hormovën e krishterë dhe shqiptare, e djeg! Kardhiqin e krishterë dhe shqiptar, e detyron të shkelë mbi driza këmbëzbathur! Gratë e Sulit, të krishtera dhe shqiptare, i shtyn të hidhen nga shkëmbinjtë me gjithë foshnja! Kozma Etolit i ngre manastir në Myzeqe! Tepelanasit i bëjnë monument Ali Tepelenës dhe i këndojnë këngë mbas kënge!

Unë nuk po mund të rri pa folur, sado që ndoshta nuk më takon. Përse duhej një Ali Pasha me nargjile mu në hyrje të Tepelenës?! Apo për t’i eklipsuar, për t’u bërë hije, një Selam Musai, një Tafil Buzi, një Çelo Picari, një Abaz Shehu, një Asim Zeneli, një Mustafa Matohiti e dhjetëra të tjerëvet, yje nën qiellin e këtij gjiri shekullor të Arbërisë së Poshtme?! Se dogji shtëpitë e Hormovës me gjithë njerëz brenda?! Se u tall me veliqotasit?! Apo se murosi Memetin nga Përmeti në urën që nuk i qëndronte, duke e poshtëruar dinjitetin e tij në jetë të jetëvet?! Në hyrje të Tepelenës duhej të vihej një bazorelief sa një faqe pallati, me hormovitët e prerë në besë nga Ali Pashai e jo Aliu me nargjile! Për mua, kjo është një nga qindra lajthitjet tona historiko-nacionale.

Dhe, për t’i vënë vulën më të freskët kësaj lajthitjeje, një Ilir Metë dhe një Ed Ramë i japin shtetësi shqiptare një Kozma Etoli të shekullit XXI, Anastas Janullatosit, kokë e këmbë e mjekërr një antishqiptar! Deri në varr i pandryshueshëm! Atyre, pra grekëvet dhe sërbëvet dhe bullgarëvet, u lumtë! Ne, na dhëntë Zoti ynë mend të tjera!

Por le të kthehemi te koha e shkuar. Në dhjetëvjetëshat e mëvonshëm, SHQIPTARËT, që tashmë nuk quheshin ARBËR, bënë përpjekje për t’i dhënë GJUHËS SHQIPE vendin e duhur në jetën tonë. Një Papa Kristo Negovan, një Petro Nin. I tillë, madje ngjashëm me Dionis Filozofin, qe edhe Atë Stath Melani i Përmetit. Por ç’ndodhi me këta korifej të Kombit tonë, me këta heronj të GJUHËS SHQIPE?! Këta i vrau Greku!.. Pyetja shtrohet në mënyrën më seroize dhe indinjuese të mundshme: Në qoftë se TË PASURIT e Kombit tonë ose të paktën TË PASURIT e atyre anëve, do t’ua kishin kuptuar rëndësinë këtyre intelektualëve të vet martirë, a do të mund të gjendej qoftë edhe një grek që t’ua merrte jetën?!

E tash të vendosemi sa më qëndrueshëm me këmbët në tokën e shekullit të njëzetenjëtë, duke parë që këndej të njëzetedytin, të njëzetetretin e me radhë. Nuk duhet menduar që kombet në të ardhshmen do të mbështeten shumë te monoteizmi mistik. Madje as kombet që, me këtë monoteizëm kanë bërë epokë. E vetmja gjë që këta kombe do të mund të shfrytëzojnë edhe në të ardhshmen, do të jenë faltoret, të cilat gradualisht do ta braktisin misticizmin dhe do të shndërrohen në tempuj adhurimi për GJUHËT dhe për traditat përkatëse kombëtare, në kuadër të një kulti jomistik. Për mendimin tim, kulti i së ardhshmes do të jetë KULTI I KOMBEVET, sepse njerëzimi pa një kult nuk mund të mbahet më këmbë dhe nuk mund të përparojë. Nuk duhet të çuditemi kur themi që tempujt mistikë do të shndërrohen në tempuj kombëtarë, sepse nuk janë të pakët rastet kur tempujt dhe festat e politeizmit janë shndërruar në kisha dhe festa monoteiste, apo kisha në xhami. Kujto Shën Sofinë në Stamboll.

Vështruar në shkallë gjithnjerëzore, funksioni i religjionevet ka qenë gjithmonë në shërbim të KLASAVET TË PASURA dhe të pushtetarëvet sundimtarë. Ata sundimtarë që e kanë lidhur religjionin me kombin e vet, përgjithësisht ia kanë arritur që edhe kombet e tyre të bëhen sundimtarë të kombevet të tjerë. Religjionet kanë lindur nga shpirti dhe mendja e popujvet, janë ngjizur në prehër të turmavet, por, në rrjedhë të kohës, u kanë shërbyer KLASAVET SUNDUESE, si për të kompaktësuar kombet e vet, ashtu edhe për të përfshirë nën pushtetin e vet dhe për të asimiluar kombe të tjerë.

Cila KLASË E PASUR ka qenë e mençur, është mbështetur te kombi i vet, te INTELIGJENCA e kombit të vet, dhe ia ka zgjatur jetën edhe vetes dhe kombit të vet. Cila klasë e pasur ka qenë shkurtpamëse, egoiste dhe servile ndaj të pasurvet të huaj, duke mos e përfillur kombin që e kish lindur, është hedhur herë më një krah e herë më një tjetër, ku të rrëmbente copën më të madhe, dhe jeta e asaj klase, krejt kuptueshëm, ka rrjedhur dhe ka përfunduar si jeta e qenvet rrugeçër.

Për fat të keq, kësaj kategorie i kanë takuar edhe TË PASURIT TANË, thuajse në të gjitha kohët. Duhen përjashtuar dhe duhen adhuruar, siç edhe i adhurojmë me gjithë shpirt, Epoka e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Epoka e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si dhe individë e grupe individësh që në Kombin tonë janë pa numër… Ndërkaq, Enver Hoxha i shpartalloi TË PASURIT, me qëllim për t’i shërbyer Kombit të vet.

Në ditët e sotme të gjithë religjionet i shërbejnë PLUTOKRACISË BOTËRORE. Në të gjithë kontinentet po ndodh një fryrje e paparë më parë e rolit të klerikëvet, shoqëruar me një shtim të ethshëm të objektevet të kultit. Po shpenzohen miliarda për ndërtimin e sa më shumë faltoreve budiste, kishave, xhamive, teqeve, sinagogave, shenjë kjo që besimi monoteist mistik është në krizë. Cilit të sëmurë i aplikohet terapi intensive?! Atij që është duke vdekur.

Po krijohen përditë sekte fetarë dhe puna e parë e tyre është të ngrejnë faltoret e veta sa më impozante, në mënyrë që atje të mblidhen sa më shumë ithtarë e besimtarë, nga ata që nuk u besojnë më formavet tradicionale. Kush nuk i beson më priftit, hoxhës apo babait të teqesë, le të shkojë te predikuesi jehova, te bahaj apo te ndonjë tjetër. Vetëm të besojë te një perendi të sipërnatyrshme! Në mos besoftë te prendia e sipërnatyrshme, le të besojë te horoskopi! Mjetet mediatikë, gazetat, librat, televizionet, po financohen pa kursim, vetëm e vetëm që „fjala e Zotit“ të mbërrijë te njerëzit, mundësisht te secili banor i këtij planeti, dhe njerëzit të mos dinë nga po u vijnë: inondata, katastrofa, kataklizma, rrokullisja, rrënimi, shfarosja!

Është gjithanësisht evidente se besimi te një fuqi e mbinatyrshme, e sipërnatyrshme, sa vjen e po zbehet dhe po pakësohet. Besimtarë të bindur e të përkushtuar mendërisht e shpirtërisht, në kohën tonë ka gjithnjë e më pak, aq pak sa klasa e të pasurvet, veçanërisht PLUTOKRACIA (ai trepërqindësh i kapitalistëvet që zotëron 60% të kapitalit botëror), është shumë e shqetësuar. Është aq e shqetësuar PLUTOKRACIA, sa që asaj nuk i dhimben paratë për të ngritur nga një faltore qoftë edhe atje ku s’ka më shumë se tre frekuentues. Terapi intensive! Vetëkuptohet, plutokracia s’i jep të gjitha prej vetes, por i nxjerr prej turmavet, si dikur Shën Kozmai ynë. Atë e kishin dërguar në SHQIPËRI Sulltani dhe Patriarkana, i kishin dhënë para sa për t’i filluar procesionet, pastaj turma që e ndiqte, ia mbushte edhe thasët me para. Shihni, në ditët tona, veshjet e klerikëvet, procesionet, tubimet në ditë „të shenjta“, haxhet, pelegrinët!

Një tipar tjetër i kohës sonë, sa u përket religjionevet, është kontradikta midis kërkesës për t’i mbajtur më këmbë të gjithë religjionet dhe armiqësisë tradicionale përherë e më të egër ndërmjet po atyre religjioneve. Islamizmi është kundër krishtërimit. Po sulmohen besimtarët dhe po vriten brenda në kisha. Brenda islamizmit ka një luftë për jetë a vdekje midis sunitëvet dhe shiitëvet. Në Irak po vriten përditë njëri me tjetrin. Brenda krishtërimit ka kontradiktë të madhe midis katolicizmit dhe ortodoksisë, por edhe midis dhjetëra grupimeve të tjerë. Secili deklaron me bindje mendjemadhe dhe me këmbëngulje: Feja ime është feja e vërtetë! PLUTOKRACISË, doemos që i përshtatet krejt kjo rrëmujë besimesh. Zoti i vërtetë i krejt kësaj katrahure janë ATA: Trepërqindëshi!

Ka ardhur kështu koha që kombet duhet të mendojnë seriozisht për të sotmen, por veçanërisht për të ardhshmen e tyre. Për ne shqiptarët ka shekuj që të parët tanë është dashur të mendonin seriozisht për Kombin e vet. Por kuk kanë menduar seriozisht. KLASA JONË E PASUR ka qenë tragjikisht miope, prandaj edhe Kombi ynë ka ardhur gjithnjë duke u rrudhur e rrëgjuar.

Tani, siç mund të shihet edhe nga sa u tha pak më parë, asnjëra nga fetë ekzistuese që praktikohen ndër shqiptarët, nuk është në gjendje as ta kompaktësojë KOMBIN SHQIPTAR dhe as ta çojë përpara. Të krishterët tanë ortodoksë kanë rënë sërish nën manipulimin e Kishës Greke. Puna arrin deri aty, sa të mendohet se, duke i dhënë shtetësinë shqiptare një kleriku antishqiptar, të gjitha punët e ortodoksisë shqiptare po u rregullokan si me magji. Përse po i duhet shtetësia shqiptare Anastas Janullatosit? Nëse Anastas Janullatosi do të ish vërtet një dashamirës i shqiptarëvet, ai duhej të kish ndërhyrë prej kohësh te eprorët e vet që mesha në kishat e Artës, Bastias, Filatit, Frarit, Igumenicës, Janinës, Konicës, Kosturit, Margëlliçit, Mazrekut, Paramithisë, Pargës, Prevezës, të thuhej SHQIP. Them, nëse do të ish vërtet dashamirës i shqiptarëvet. Por e vërteta është krejt ndryshe: Anastas Janullatosi dhe një „Shën“ Kozma i dikurshëm, ngjajnë njëri me tjerin si dy pika helmi mbi lëkurën e trashë të e Kombit Shqiptar.

Një pjesë e klerikëvet myslimanë shqiptarë janë patriotë, janë atdhedashës, por ata i kanë duar e këmbë të lidhura nga veprimtaria subversive e një lloj islamizmi universal, i cili nuk njeh as kombe, as gjuhë kombëtare. Islamizmi sot ka marrë një dallgë të atillë që synon të vërë mbi çdo gjë vetëm besimin te Allahu dhe të mbytë çdo adhurim të ndonjë GJUHE kombëtare, përveç asaj arabe. Unë nuk e di si qëndron kjo punë për shembull në Persi, në Turqi apo në Algjeri, por në terrenin tonë arrin puna deri atje, sa, me qindra djem tanë shkojnë për të luftuar në Siri e në Irak (s’di se kundër kujt), ndërsa Mitrovicën e Veriut ia lënë Sërbit të bëjë ç’të dojë me të. Më bëri pështypje një nip hoxhe pikërisht nga Mitrovica e Veriut, i cili kish shkuar në Siri për të luftuar. ...Shikoni çfarë predikimesh bëjnë hoxhët nëpër xhamitë tona! A i përmendin ndonjëherë KOMBIN SHQIPTAR dhe GJUHËN SHQIPE? Shihni kur varroset ndonjë shqiptar, qoftë i zakonshëm, qoftë i dëshmuar si patriot! A i përmend hoxha meritat e tija në shërbim të Atdheut e të Kombit?! Thoshin në vitet e Rilindjes: Ai që bie sheit për Vatanin, shkon në xhenet. Po sot?! Sigurisht, s’e kam fjalën për të gjithë klerikët myslimanë, por për atë pjesë që është e tillë.

Për Kishën Katolike në raport me Kombin Shqiptar, nuk mund të themi që ka qenë në të gjitha kohët në mënyrë taksative kundër këtij Kombi. Në shekullin XV kemi një Formulë Pagëzimi në gjuhën ARBËRISHTE. Dihet që ajo nuk është as përafërsisht e mjaftueshme, por megjithatë, nuk mund të mohohet se ka ekzistuar, ashtu siç ka ekzistuar edhe një Perikope e Ungjillit në krahun tjetër, por atje kurrsesi me miratim të ndonjë graduati kishtar. Në shekullin XVI kemi një libër meshe në gjuhën ARBËRISHTE. Nuk dimë ç’qëndrim ka mbajtur Papati ndaj atij libri, por dimë që është përdorur nëpër kisha dhe këtë e dëshmon ksombla e vetme që ruhet në bibliotekën e Propaganda Fides. Ajo i ka të dukshëm shenjat e përdorimit. Në shekullin XVII kemi tre autorë që veprat e tyre në gjuhën ARBËRISHTE i shtypnin me miratimin e Vatikanit: Pjetër Budin, Fran Bardhin, Pjetër Bogdanin. Në fillim të shekullit XVIII në Mërqinjë të Lezhës mbahet një kuvend me emërtimin shumë domethënës KUVENDI I ARBËNIT dhe materialet e atij kuvendi botohen edhe në GJUHËN tonë. Sot, thuajse kudo ku ka kisha katolike të shqiptarëvet, mesha thuhet në GJUHËN SHQIPE dhe pagëzimet, krezmimet, martesat dhe varrimet bëhen SHQIP, me disa përjashtime vërtet të pavend, të pamoralshëm dhe të papranueshëm, për shembull në Tivar apo në Zarë. Megjithkëto, është krejt e kuptueshme që në kohën tonë as Kisha Katolike nuk mund ta realizojë KOHEZIONIN e krejt Kombit Shqiptar. Do të ish anakronike të pretendohej diçka e tillë. Ajo nuk ka mundur të jetë mirëfilli kombëtare as para pushtimit osman, sepse të paktën që nga gjysma e parë e shekullit VII është stigmatizuar prej Kishës Ortodokse Greke, ndërsa prej shekullit XI e këndej, i janë prerë gjymtyrët edhe prej kishavet autoqefale sllave dhe e gjithë kjo ka ndodhur kryekëput për mungesë vizioni të KLASËS FEUDALE ARBËRORE.

Rrjedhimisht, para shqiptarëvet të sotëm, në shekullin XXI, del e domosdoshme për të krijuar një INSTITUCION ORIGJINAL KOMBËTAR, i cili, pa mohuar, domethënë pa i penguar ato veprimtari të religjionevet monoteistë, që nuk synojnë asgjësimin apo rrëgjimin e Kombit Shqiptar, do të synojë KOMPAKTËSIMIN e këtij kombi mbi baza LAIKE.

Kjo është e vetmja rrugëdalje për Kombin Shqiptar. Përndryshe, ka rrëzik t’i ndodhë edhe pjesës së mbetur po ajo mynxyrë që i ka ndodhur në shekullin XX një pjese të madhe të Shqipërisë së Poshtme: Artës, Bastias, Filatit, Frarit, Igumenicës, Janinës, Konicës, Kosturit, Margëlliçit, Mazrekut, Paramithisë, Pargës, Prevezës.

Nuk është aspak fantazi ndjellakeqe. Është rrëzik i dukshëm dhe qartësisht i kuptueshëm për këdo që i ka mendtë në kokë. Dhe këtë INSTITUCION, të cilin unë e kam quajtur Përkujdesja Gjithshqiptare, kanë për detyrë ta financojnë pikërisht SUBJEKTET SHQIPTARË MAKROEKONOMIKË. Kjo është thirrja e shekujvet për KLASËN E RE KAPITALISTE SDHQIPTARE! Ai I PASUR SHQIPTAR që i përgjigjet kësaj thirrjeje, do të mbetet përjetësisht emblemë lavdie në historinë e këtij Kombi, e cila këndej e tutje do të shkruhet ndryshe. Ai I PASUR SHQIPTAR që nuk do t’i përgjigjet kësaj thirrjeje, jo me fjalë, por me kontribute konkretë në para, do të mbetet i mallkuar dhe i anatemuar brez pas brezit, siç edhe po i mallkojmë e anatemojmë ata paraardhës tanë që e lanë këtë Komb të mrekullueshëm të katandiset një grusht njerëz. /FUND/

Gjokë Dabaj, dhjetor-janar 2018


__________________


GJOKË DABAJ: ARBËRIT E JONIT NË SHEKUJT XV-XVII (1)

http://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=7201

***

GJOKË DABAJ: ARBËRIT E JONIT NË SHEKUJT XV-XVII (2)

http://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=7202


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Selver Mackaj 2

Selver Mackaj 1

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks