SHKRIMI
e mërkurë, 03 mars 2021

MEHMET HAJRIZI BIR I ATDHEUT - DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (III)

Pashtriku, 16 shkurt 2021: Gëzimi i një lindjeje

„Një familje e përbërë nga burri e gruaja që e donë njëri-tjetrin dhe me fëmijë të bindur e të edukuar, është një pikturë e gjallë e lumturisë.“ Sami Frashëri


Agu i 7 korrikut të vitit 1962 në fshatin Henc të Fushë-Kosovës paralajmëronte një ditë të nxehtë dhe me qiellin e pastër. Banorët e fshatit, meqë mbijetonin nga veprimtaria bujqësore dhe blegtorale, zgjoheshin herët për ta zënë ditën. Bujkut punëtor i prinë një fat, por ai që fillon punën qëmenatë, i prijnë dy.

Ndaras, disa qindra metra në jug të fshatit jetonte familja e Kamber Hajrizit, e ardhur nga Strofci i Vushtrrisë, para gati një dekade. Ai dhe e shoqja e tij, Nailja, kishin rritur gjashtë fëmijë; një vajzë dhe pesë djem. Tre të parët tashmë ishin martuar. Kamberi ishte një mesoburrë shpatullgjerë dhe muskuloz, prandaj e quanin me epitet, Kamber Topi. Ai mblidhte në karakterin e tij të gjitha virtytet e një burri tipik fshatar shqiptar. Për ndershmërinë dhe burrërinë e tij, për guximin, besën dhe parimësinë në jetë, respektohej në mënyrë të veçantë, jo vetëm në fshatin e tij, por në gjithë brezin e Artakollit. Kamberi ishte martuar me Nailen, një vajzë e bukur nga fshati Hade. Nailja ishte jo vetëm bashkëshorte besnike e Kamberit, por një grua e përkushtuar, nënë natyrëbutë dhe shtyllë e shtëpisë. Nëna Naile, si vitore, kishte lindur trembëdhjetë fëmijë, nga të cilët vetëm gjashtë kishte arritur t’i shpëtonte nga vdekja e hershme, sepse kushtet e jetës në robëri ishin të tmerrshme. Ajo kujtonte fëmijët e vdekur, për të cilët nuk kishte pasur as një beze për t’i mbështjellë, por si peperunë, me copa letrash, që shqyheshin dhe zbulonin trupin e tyre ende pa hyrë në dhe.

*

Ishin kosimet. Djali i madh i Kamberit, Beqiri, si ngaditë edhe atë mëngjes të 7 korrikut ishte zgjuar herët. Mori kosën në krah dhe nëpër vagëllimë shkoi në livadh, ku bari ia mbulonte gjunjët. Në agim herët, derisa lindte dielli bari mbante lagështinë e vesës së natës, prandaj kositej më mirë. Në vapullimin e mesditës kthehej në shtëpi të pushonte. Bari i njomë shtrihej nga kosa, duke liruar aromë gudulisëse në flegrat e hundës. Beqiri rrallë kthente kokën pas për ta parë vijën e drejtë të stivës së gjatë të barit dhe gjurmët që i linin këmbët mbi barin e lagësht. Livadhi i paanë kur kositej merrte pamjen e bukur me vijat paralele të barit, të cilat pas tharjes mblidheshin në kapule të renditura njëra pas tjetrës dhe veprimi i fundit ishte mbledhja e gjëllimeve. Kur bartej sana, livadhi dukej si një stadium gjigant futbolli.

Tingujt klithës dhe ritmikë që lëshonte kosa dhe bari tek pritej, e motivuan Beqirin t'ia merrte lehtë këngës: „Tek len dielli e praron hana, Zhuj Selman, s'ban ma nana...“



- Naser Hajrizi 


Pasi kishte bërë disa xhiro me kosë nëpër livadhin e gjerë, nga pas iu duk sikur dëgjoi një zë. Dielli ende nuk kishte lindur. Ktheu shikimin dhe e pa vëllain e tij. E ndali kosën i habitur, por fytyra e djalit nuk shprehte shqetësim. Mendoi se mund të kishte ardhur kot, prandaj nuk i foli, por vetëm i ngriti vetullat, sikur t'i thoshte „ç’kemi?“ Lajmësi plot solemnitet i tha se e kishte dërguar e ëma që ta njoftonte se Fatimja sapo kishte lindur djalë, prandaj duhej ta ndërpriste punën dhe të kthehej në shtëpi. Beqirin e pushtuan emocionet dhe mezi e përmbajti ngazëllimin. E mbuloi kosën me bar, pa një lule livadhi të sapoprerë dhe e mori fshehur nga vëllai që t’ia dërgonte Fatimes së tij. Zbrazi ibrikun me ujë për pije dhe u kthyen bashkë në shtëpi.

Krenaria e burrit tradicional nuk e linte Beqirin të hynte në dhomën ku ishin gruaja e tij, Fatimja dhe i sapolinduri. E ëma që e kishte kryer shërbimin e mamisë, i doli përpara për t’i dhënë lajmin e gëzimit, se nusen e kishte mirë dhe djalin si kokrra e mollës. Beqiri i mbërthyer nga ankthi, mori frymë thellë i lehtësuar. Kishte njëmbëdhjetë vjet martesë, por pa fëmijë, një dashuri e gjatë shterpe...

Fatimja ndjehej e lumtur. Gëzimi i madh, sikur edhe hidhërimi i madh, janë të heshtur, pa fjalë. I rrodhën papritur disa pika loti. Nailja ia pa lotët dhe iu njomën sytë edhe asaj. Iku jashtë. Kishte të drejtë Balzaku kur thoshte, lotët janë po aq ngjitës sa edhe të qeshurit. Fatimja e shikonte djalin dhe mendja i shkonte fluturimthi ndër vite... Për një çast e imagjinoi pamjen e djalit të rritur, burrë. Shtrëngoi duart grusht. Seç ndjeu nevojë ta kishte pranë Beqirin, por e dinte që ai në ato çaste s’duhej të vinte brenda në dhomë. Të paktën t’ia dëgjonte zërin...

Nailja dukej e lehtësuar, pas një lindjeje të vështirë të bebes me peshë, por nga një nënë me shtat të pakët. Ajo ia kishte prerë e lidhur kordonin umbilikal foshnjës, e kishte peshuar në duar dhe e kishte pastruar me ujë të vakët, duke ndjerë kënaqësinë që i jepte trupi i njomë dhe i butë i saj. Pastaj e kishte mbështjellë me shpërgënj kopanec, duke ia afruar në shtrat nënës.

Fatime, si ndjehesh bija ime?

Mirë, mirë.

Fëmija është ëmbëlsira e jetës, bija ime.

Fatimja vuri buzën në gaz...

*

Zonja e shtëpisë filloi t’i ndante detyrat, kush duhej të shkonte në gjininë e lehonës, kush në dyqan dhe kush të gatuante për të ftuarit. Vetë do të vazhdonte të merrej me lehonën dhe beben. Shumë shpejt oborri i shtëpisë u mbush me të ardhur për urime; gjinia e Fatimes nga Gradica, kushërinjtë e Beqirit nga Strofci dhe dajallarët që i kishte aty në fshat. Gëzimi shumëzohet, ndryshe nga hidhërimi që pjesëtohet. Sa më shumë pjesëmarrës, më shumë gëzim në lindje, por më pak hidhërim në mort. Kamberi i priste dhe i përshëndeste me mirëseardhje dhe bujari të ardhurit, por gëzimin e kishte të përmbajtur, se burri nuk duhej dalldisur. Dy gra drenicare po u hiqnin mbulesat tepsive ende të vakëta me ushqimin që kishin sjellë për festën. Një mace përqallej rreth tyre dhe mjaullinte, duke shikuar herë ato, herë ushqimin gjithë aromë yndyre.

Të gjithë ishin të gëzuar, sepse gjatë e kishin pritur këtë lindje. Por, gëzimi më i madh ishte në dhomën e lindjes, te Fatimja nënë, për frytin e ëndërruar, për fundin e ankthit dhe shpresën e realizuar. Ajo ndjehej e lumtur për herë të parë në jetën e saj të trishtë. Prindërit e kishin lënë shumë herët jetime, pa vëlla dhe vetëm me një motër. Ishte rritur me vaj në buzë dhe pa ndonjë shpresë rinore. Një ditë xhaxhai i saj i kishte thënë se do ta fejonte në Strofc. Gratë i kishin treguar se djali quhej Beqir. Strofci ishte një orë këmbë dhe ndonjëherë barinjtë e tij vinin deri në Gradicë me bagëtinë. Edhe kjo i ruante delet në kullosat rreth fshatit.



Shtëpia ku u rrit Naseri


Një pasmesditë u dukën dy djem tek kaluan qafalikun mbi pllajë dhe po iu afroheshin barinjve të Gradicës. Kishin ardhur nga Strofci, pa bagëti. Një bari qafarak iu afrua Fatimes dhe i tha më zë të ulët, se ai djali shpatullgjerë ishte Beqiri. Fatimes iu dridh trupi. Iu duk i bukur dhe me shtatin si qiri. Beqiri dhe shoqëruesi i tij, ndejën pak me barinjtë drenicarë dhe pastaj të gjithë bashkë, duke kapërcyer një ndërlikë, u afruan te vajzat dhe u përshëndetën në ograjë. Beqiri hodhi sytë drejt Fatimes, e cila gjithashtu ia kishte ngulur sytë e saj zhbirues. Vetëm i buzëqeshën njëri-tjetrit në shenjë të fillimit të një dashurie besnike...

*

Një javë pas lindjes së djalit, Beqiri shkoi ta regjistronte në ofiqari të Magurës. Mbasi tokën ku ishte vendosur e kishte blerë nëntë vjet më parë nga një malazias i fshatit Vrellë, kjo familje shërbimet e gjendjes civile i kryente në Komunën e Lipjanit, në Magurë. Nailja kishte propozuar që foshnja të pagëzohej me emrin Naser dhe askush nuk ia kishte prishur qejfin. Ashtu u regjistrua në librin e amëzës së të lindurve.

- VIJON -

________________________

MEHMET HAJRIZI BIR I ATDHEUT - DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (II)

http://www.pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10889


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks