SHKRIMI
e diel, 19 nëntor 2017

RAIF GASHI: SHKAS PËR TË SHKRUAR!

Prishtinë, 12 nëntor 2017: Të shkruash për figura të mëdha të kombit, nuk mjafton vetëm të lexosh ndonjë libër për të, ndonjë artikull gazete ose, larg qoftë, ndonjë referat të ndonjë politikani të sotëm, të cilët pa fije turpi përvetësojnë gati çdo gjë nga ajo figurë, dëshmor apo hero i kombit, duke folur vetëm në vetën e parë, thuase pa këta nuk do të kishim as heronj e dëshmorë të kombit, se këta bile ishin "udhërrëfyesit" e tyre. Pak a shumë këtë e ndjeja derisa isha ulur në sallën e teatrit në Gjilan, më 30 shtator 2017, në të ashtuquajturën "Tribunë shkencore për jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Nuhi Berishës". Kjo edhe u bë shkas që të shkruaj diç, sikur një pikë uji në detin e pafund, për militantin e atdhetarin e devotshëm e të palodhshëm Nuhi Berisha. 


Në të ashtuquajtërën "Tribunë shkencore..." nuk e thanë apo nuk deshën ta thonë, se kush ishte familja e Nuhiut.

Nuhi Rexhep Berisha u lind me datë të shkruar 03/10/1961 në fshatin Sfircë, nga prindërit Rexhep Sylë Berisha dhe nëna Hajrije Rexhep Rafuna nga Meshina. Ishte fëmia i fundit i Rexhepit dhe Hajrijes dhe pjesëtari më i vogël i vëllezërisë nëntë anëtarëshe të familjes së re. Rexhepi ishte një bujk i vyeshëm dhe një mjeshtër druri i njohur, pra ishte mjeshtër i tuneseve dhe kacave të drurit, që pothuajse nuk kishte familje në këtë pjesë të Gollakut dhe më gjerë që nuk kishte në shtëpinë e tij një kacë druri apo një tunese qumështi që e kishte punuar dora e Rexhepit. Mjeshtria e tij dhe përkushtimi i tij i mosnënshtrimit e kaliti Rexhepin në një shqiptar të devotshëm që t’mos i dorëzohet as kohës historike e as moteve kalimtare.

Nuk e thanë apo nuk deshën ta thonë se nga ishin dajtë e Nuhiut!?

Nuhiu ishte nip i familjes Rafuna nga Meshina, që nuk i dallonte dajallarët e vet pasi që të shtatë shtëpitë e Rafunëve në Meshinë ishin sikur një shtëpi. Ai si fëmi kishte gjetur shtëpinë e dytë te dajallarët e tij. Kemi fjetur shpeshherë edhe bashkë si fëmijë pasi që ishim edhe moshatarë dhe që të dy ishim më të parahatshmit ndër fëmijët. "Dy gurë bashkë nuk i kemi lënë", siç thotë populli. Nuhiu mësimet e para i filloi në shkollën e fshatit të tij të lindjes, pra, në Sfircë, e që ishte paralele e ndarë e shkollës "7 Korriku" e Tyxhecit. Aty mësohej nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë, pastaj vazhdohej në Tyxhec. Por Nuhiu nuk pati rastin të vazhdojë fare për të mësuar në Tyxhec, meqenëse familja e tij u shpërngul në Gjilan.



Lirisht mund të them se ishte nipi më i dashur i familjes sonë, familjes Rafuna, tani Gashi në Meshinë. Dajë, vëlla të nënës kishte Hamdi Rafunën, që njihej në këto anë me menqurinë e tij dhe urtësinë e një burri. Oda e tij ishte një shkollë ku ne si fëmijë uleshim dhe dëgjonim kuvendimin e burrave. Aty flitej për atdheun dhe dashurinë për atdheun. Aty kishin gjetur strehë e mësime edhe atdhetarët e hershëm dhe të më vonshëm. Aty kishin vendtakimet e tyre Kadri Zeka me shokë. Aty mblidheshin mësuesit e rrethit nga e tërë malësia. Aty frymonte vetëm shqip. Pra, e tërë familja Rafuna ishte një bazë e shëndoshë atdhedashurie dhe një vend jo i këndshëm për armikun. Mos të harrojmë se nga kjo familje, Rafuna, kemi atdhetarët si Ramë Halim Rafuna me të bijtë, Salihun dhe Kadriun, që të gjithë halë në sy për armikun dhe të dënuar të kohës së sundimit sllav, Shaban Rexhep Rafuna, ai i cili kurrë nuk pranoi Serbinë. Mësuesi në vitet e 60-70-ta të shekullit të kaluar, Rexhep Hamdi Gashi, një i akuzuar dhe i dënuar i viteve të flamurit, derisa ishte si student në Prishtinë. Këto i dëgjonte Nuhiu te dajallarët. Këto e ngacmonin shpirtërisht Nuhiun, i cili rritej e burrërohej para rritjes dhe para burrërisë. Piqej shqiptarisht, merrte urrejtjen e bollshme për armikun. Gjilani e kaliti edhe më tepër dhe e edukoi Nuhiun, duke e bërë një burrë trim dhe të guximshëm. Për Nuhiun fjala frikë nuk kishte vend në fjalorin dhe shprehjen së tij. Në Gjilan e rritën dhe e kalitën para kohe sidomos padrejtësitë që i shihte në shkollë dhe dallimet që bënin të përgëdhelurit e sistemit sundues jugosllav në mes nxënësve, të cilët, mjerisht, i ndanin në fëmijë fshati dhe qyteti, fëmijë të komitetlinjëve dhe fëmijë të rëndomtë e të dorës së dytë. Kjo dukuri ishte thuase çdokund, ishte edhe në Kamenicë, ku unë mbarova shkollën e mesme. Nuhiu këto nuk i duronte, gjithnjë i kundërshtonte hapur dhe me këmbëngulësinë e tij prej një kryengritësi edhe në Gjilan. Këto ai i shprehte hapur dhe me guxim.

Nuk e thanë, apo edhe nuk deshën ta thonë referuesit në "Tribunë ..." se edhe pranë asaj që Nuhiu u shpërngul në Gjilan ai nuk ndërpreu kurrë lidhjet e tij me Sfircën dhe Meshinën, vende të cilat për të ishin si dy vendlindje, si dy shtëpi të tij të lindjes. Edhe pse u shpërngul në Gjilan, ai nuk e harroi as Sfircën e as Meshinën.

Nuk e thanë, apo nuk deshën ta thonë në "Tribunë..." se Nuhiu kishte edhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tij, të cilët i mbetën besnikë deri në rënien e tij heroike. Ndërsa njërës nga këta bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë e më besnikë, të fejuarës dhe bashkërrugëtueses së tij të ngushtë, Shukrije Gashi, shoqe e cila Nuhiut nuk iu nda për asnjë çast, nuk ia dhanë rastin asnjëherë, ama bash asnjëherë të marr fjalën në këso organizimesh, ndërsa në këtë të ashtuquajtur "Tribunë..." ishte hera e parë që asaj i jepej fjala, pas hiç më pak se 33 vite nga rënia e Nuhiut!

Nuk e thanë, apo nuk deshën ta thonë shumëkush nga ata që kishin ardhur në këtë "Tribunë shkencore...", e ku vetëm shkencë nuk dëgjova e nuk pashë gjë shkencore, siç ishte edhe rasti i "kumtesve" të tilla ku thirrej për jetën dhe veprimtarinë e Nuhiut, ndërsa Nuhiu nuk përmendej fare; si u brumos Nuhiu në rininë e tij?

Dalja në ilegalitet e Kadri Zekës dhe Hydajet Hysenit, na ka ndihmuar shumë në rritjen e atdhedashurisë dhe këmbëngulësisë tonë që të mos nënshtrohemi dhe që hapur të flasim e veprojmë. Këtë ne e kishim biseduar bashkë me të shumë herë, si nip e dajë dhe si shokë e gjeneratë. Kështu Nuhiu bëhej një urrejtës i robërisë dhe armikut dhe shndërrohej në një shkëndi drite për liri. Edhe pse i ri në moshë, ai ishte ndër ata që nuk donte të fliste për vajza. "Që të jetojmë, duhet të jemi më parë të lirë!", thoshte dhe këtë ai e shpërndante te shokët, por ishte tejet i kujdeshëm kujt i thonte shok. Nuk bënte shumë shokë. Kishte humor të lindur, ishte artist i madh që formohej e rritej çdo ditë. Nuk kishte çmim që mund ta blente Nuhiun e as këmbënguljen e tij për të dënuar të keqen.

Nuhiu i studimeve në Prishtinë është një burrë trim dhe idealist tanimë i pjekur. Ideali i tij ishte liria dhe çlirimi i Kosovës nga thundra e huaj pushtuese. Kushtet dhe rrethanat e krijuara dhe sidomos pjekuria e tij e kishin bërë shumë konspirativ në veprimtari, kështuqë emrat e veprimtarëve nuk i përmendte kurrë dhe para askujt. Ai s'kishte aq shumë shokë atëherë, sa trumbetojnë ca sot si "shokë" të Nuhiut. Ai kishte rreth vetes vetëm shokë të veprimtarisë atdhetare. Siç e thashë edhe më heret, nuk iu besonte lehtë njerëzve pa i sprovuar. Ishte student me inteligjencë të lartë. Studionte dy drejtime njëkohësisht, Fakultetin e Drejtësisë dhe atë të Edukatës Fizike.

Koncertet që shfaqnin ansamblet nga Shqipëria nëpër Kosovë në fillimin e viteve të ’80-ta Nuhiun e gjejnë kuqezi, si në veshje ashtu edhe në shpirt. Në Gjilan ai arriti të përqafojë rapsodin Sali Mani dhe me paraqitjen e tij ndezi atmosferën në sallën përplot me shikues. Këtu ka zanafillën ndjekja dhe survejimi nga UDB-ja, për të mos e lënë më të qetë në mësimet e tij.

Unë banoja si student në vitet 1979-'80-'81 në rrugën "Llapi" nr. 151/a, në Prishtinë. Nuhiu edhe pse nuk banonte aty, kjo banesë ishte sikur të ishte e tij, sepse të shumtën e kohës ai strehohej aty. Nga këtu unë kam kujtime të shumta dhe të pashlyera të asaj kohe. Bisedonim për studime, për kushtet, por ai dinte si ta drejtonte bisedën tek politika dhe gjendja e shqiptarëve në përgjithësi. Edhe pse ishim në moshën më të mirë rinore, kurrë nuk kemi nxënë biseda për ndonjë vajzë. "Ka kohë për këtë..." thoshte gjithnjë Nuhiu si një vërejtje. Në banesë ka ardhur disa herë me Qamil Isufin, një aktivist të atyre viteve. Aty ka banuar edhe Latif Ilaz Ismajli nga Tyxheci, një jurist tejet i zoti i asaj kohe dhe një atdhetar e idealist i madh. Ai gjithnjë na sugjeronte që të kemi kujdes nga kurthet që mund të na ngriste UDB-ja përmes "shokëve" të porositur prej tyre. Se si duhej ruajtur na UDB-ja na mësoi Latifi dhe na dha një shkollë të mirë për këtë. Ne bënim takime të shpeshta me të. Na tregonte edhe për të bëmat e këqija të armikut, sidomos të Serbisë. Ai kishte një dhunti të dallonte njerëzit. I mjaftonte vetëm të shikonte dikë në sy dhe të jepte vlerësimin se a bën apo nuk bën të ishte shok i yni. Këtë mësim e mori edhe Nuhiu, i cili të gjithëve që mendonte se nuk kanë ideal lirinë ua thoshte drejtepërdrejt: "Nuk të besoj, merre rrugën tënde!". Falë inteligjencës së lartë dhe njohjes së kriminalistikës Nuhiu i shpëtoi shumëherë UDB-së në ato vite.

Nuhiu ishte pjesëmarrës aktiv i demonstratave dhe kryengritësi më i zëshëm. Në vitin 1981 mua më burgosën dhe më akuzuan sipas kodit penal jugosllav. Gjatë qëndrimit tim në burg, Nuhiu ka qenë në Meshinë te babai im, Hysen Gashi, duke kërkuar që t’më vizitojë në burg. Edhe pse babai im ka këmbëngulë që të mos vinte, megjithate në njërën nga vizitat që kam pasë nga babai im, më ka vizituar edhe Nuhiu me ndihmën e një polici (J.K.) të asaj kohe në Gjilan.

Nuk e dinin apo nuk deshën ta dinë në "Tribunën..." se pas kësaj kësaj vizite në burg Nuhiu kalon në veprimtari të fshehtë, në ilegalitet të thellë? Nuk e dinin apo nuk deshën ta dinë se në atë kohë Nuhiu nuk kishte aq shumë shokë sa ka sot pas gati katër dekadave!? Këtyre "shokëve" të sotëm të tij duhet t'iu tregohet se nuk e kanë pasë shok Nuhiun, edhe nëse e kanë parë ndonjëherë rastësisht në ndonjë çoshe të rrugës, e kanë takuar apo njohur vetëm me emër, por jo edhe për veprimarinë e tij.

Nuhi Berishën e ka prekur thellë vrasja e Kadri Zekës (e kishte djalë të hallës së tij) dhe pas kësaj vrasje ai është betuar se do hakmerret për të dhe nuk do të dorëzohet i gjallë në duart e UDB-së. Këtë betim ai e ka përmbushur. Nuhiu intensifikoi veprimtarinë e tij, edhe pse në ilegalitet të thellë, duke u bërë kështu njeriu më i kërkuar i UDB-së, e cila filloi të rekrutojë njerëz që e njihnin për ta përcjellur dhe për ta denoncuar atë. Por Nuhiu, edhe pse shumë i ri në moshë, dinte të përdorte zgjuarësinë, të cilën e kombinonte me njohjen e mirë të udbashëve dhe kështu u shpëtonte kurtheve të tyre.

E dinin ata, apo nuk deshën ta dinin, që Nuhiu e ngrehu këmbëzën e pushkës shumë heret në Meshinë? E dinin, apo nuk deshën ta dinin, apo nuk deshën ta thonin fare se nuk ishte rastësi që Nuhiu rroku armën? Nuk deshën apo nuk e ditën...?!

Mos t'ju mbetem borxh për t'ju treguar edhe këtë hollësi për Nuhiun, e që duhet ditur edhe nga të tjerët. Krismën e parë dhe këmbëzën e parë të armës Nuhiu e ka ngrehur dhe shkrepur nga pushka e Hysen Shaban Gashit (babait tim), dhe atë në Meshinë, te ara e jonë rrëzë kodrës së Jallaqes. Shumë herë ia kemi marrë pushkën fshehurazi Hysenit, sidomos kur ai nuk ishte në shtëpi. Ajo pushkë është ende në pronësinë tonë.

Nuhiut shumëkush nuk kanë pasë guxim as bukë e as ujë me i dhënë gjatë qëndrimit në ilegalitet, e që sot po flasin sikur ... Shumëkush e ka kërcënuar edhe me thirrje të policisë dhe lajmërim në polici. Në një rast që është strehuar në një pleme në një familje, i zoti i asaj shtëpie e ka ndjekur duke e kërcënuar (disa prej tyre i pashë dje në Gjilan, ishin ulur në rreshtat e parë në "Tribunën ..." për Nuhiun)!

Nuk e thanë, apo nuk deshën ta thonë se ai kishte bashkëpunëtorët e vet të cilët e njihnin mirë, e të cilët nuk ishin ftuar apo nuk deshën që ata të vinin!?

Një kohë Nuhiu shkoi në Zvicër. Por, për këtë kohë duhet të flasin ata që e njohën atë drejtpërdrejt derisa qëndroi në Zvicër, e jo ata që kanë dëgjuar për të. Kjo ka domethënie të madhe, pasi kështu nderojmë Nuhiun dhe jetëveprën e tij. Çuditërisht në sallë nuk arrita të shoh askend nga ata që ishin pranë Nuhiut e me Nuhiun derisa ai qëndroi në Zvicër. Nuk e pashë as Hasan Malajn, as Saime Isufin e as Qamil Isufin. Nuk i ftuan apo nuk deshën t'i ftojnë, apo ndoshta dikush nuk deshi që të vinin ata?!

Nuk erdhi apo nuk e ftuan Hasan Malajn, vëllaun e heroit Rexhep Malaj? E dinin apo nuk deshën që të jetë prezent edhe Hasan Malaj në tubim? A ka mundësi që të mos e kenë ftuar fare? Nuk erdhi apo nuk e ftuan Saime Isufin? Ata që më së miri dinin për Nuhiun?!

Nuk deshën ta ftonin apo nuk e ftuan fare edhe Qamil Isufin, i cili pos që ishin të afërt, ishte edhe bashkëpunëtor dhe punuan bashkë me Nuhiun? Nuk e ftuan apo vërtetë nuk deshën ta ftojnë asnjë bashkëpunëtor e bashkëveprimtar të vetëm të Nuhiut? Nuk deshën apo nuk e ftuan fare as Ilaz Kadollin apo Gafurr Elshanin, shokë këta të celulës së Nuhiut? Të paktën, ata nuk u panë në sallë. I pau kush? Sepse syri im nuk i zuri.

Njohja me Rexhepin dhe kush e njohu? Me Rexhep Malajn e njohu ideali, e afroi zgjuarësia dhe pjekuria kombëtare si dhe betimi për të luftuar për çlirimin e atdheut deri në vdekje. Që nga njohja me Rexhep Malajn, nuk kemi të bëjmë më me emrin e tij. Ai dhe Rexhepi u shkrinë në një emër, dhe atë në MALBER (Mal-aj-Ber-isha). Në këtë kohë UDB-ja shtoi çmimin për zënien e tyre dhe këtë çmim ua shpërndau gjithandej zagarëve të vetë në Zvicër, në Kosovë dhe Gjermani, u mobilizua edhe kreu shtetëror jugosllav për kapjen e tyre. Këta zagarë, të UDB-ës pra, ua ndërprenë kalimin e kufirit në Slloveni për të dalë jashtë në vendet perëndimore. Në atë dimër të acart të vitit 1984, të atij janari të datës 11 natën, u vranë në shkrepje armësh e luftën e madhe që u bë në Prishtinë. Pushteti i asaj kohe shpërndau lajmin se vrau dy armiqtë më të mëdhenj të Jugosllavisë. Shumë "shokë" të tyre që sot po thirren dhe po trumbetojnë se e kanë njohur dhe e kanë pasë shok Nuhiun, atëherë patën duartrokitur. Po ju them hapur se, as nuk e keni njohur, as nuk e keni dashur e as nuk e keni ndihmuar, as Nuhiun e as Rexhepin!

E dinin apo nuk donin ta dinin se Nuhi Berisha nuk ishte i familjes dhe një grupi njerëzish, por ishte i gjithë Kosovës, ishte i Shqipërisë!?

E dinin apo nuk deshën ta dinin se ai më nuk i takon vetëm familjes, por i takon shoqërisë që të merret me organizimin e manifestimeve të tilla?

E dinin ata që në organizimet e tilla për figura kaq të mëdha të kombit duhet të mbushet salla e të mos i zë as korridori e shkallët e teatrit në Gjilan? Ndërsa në Gjilan organizojnë një të ashtuquajtur "Tribunë shkencore për jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Nuhi Berishës", njërën nga figurat më emblematike të organizimit ilegal në Kosovë, njërën nga figurat kyçe të organizimit të themelit të Ushtrisë së mëvonshme Çlirimtare të Kosovës, Nuhi Berisha. Për figura të tilla organizohen manifestime madhështore, sepse vepra e tyre është madhështore. Për tubime të tilla njoftohet opinioni me kohë. E jo që në sallë të vinë një numër kaq i vogël njerëzish, e në mesin e tyre më tepër kishte familjarë e të afërm.

E dinin këtë apo nuk donin të dinin ata që ishin marrë me organizimin e këtij aktiviteti? Se me aktivitete të tilla nuk ngritet figura e Nuhiut, por zvogëlohet apo zbehet në sytë e atyre që ishin në sallë. E dinin apo kështu donte dikush që për figura të tilla të mëdha të kombit, figura të cilat lindin një herë në njëqind vite, mos deshën që pikërisht me një tubim të tillë të quajtur "shkencor", aq të zbehtë, ta zbehin edhe figurën e Nuhiut? Por, Nuhiun, figurën e Nuhiut, jetën dhe veprimtarinë e tij nuk e zbehin dot edhe ata më gjakprishurit. Nuhiu është një figurë e madhe, të cilën s'e zbehë dot edhe ai me qëllimet më ogurzeza, më të këqija të mundshme.

E dinin ata, apo nuk deshën të dinin se në sallë ishte edhe bashkëshortja e atij me të cilin Nuhiu ra heroikisht në epopenë e madhe të Kodrës së Trimave, Hanife Malaj? Si nuk iu shkonte mendja që të paktën t'i jepej fjala që t'i përshëndeste të pranishmit?

Është apo nuk është e mundur që duke organizuar një tubim të tillë i japin një shembull të keq dhe për të keq se për dëshmorët duhet të merret familja dhe një rreth i ngushtë shoqëror? Ka shumë pyetje e pikëpyetje, të cilat duhet të parashtrohen dhe të shqyrtohen, të gjindet edhe përgjigja e duhur. Apo ndoshta jemi në kohën kur në pushtet, në të gjitha institucionet e mundshme dhe në vendet më kyçe të një sistemi të tillë çfarë është sot në Kosovë, të gjenden pikërisht pinjollët e atyre që në atë kohë ishin dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë, pikërisht në atë kohë kur edhe vritet Nuhiu me Rexhepin. Apo ndoshta pinjollët e tyre dhe dorë e zgjatur e tyre e bënë që të nxisin një aktivitet të tillë? Si u bëka që të flitet për Nuhiun duke eliminuar fare Rexhepin, ose të flitet tërthorazi për të, ndërsa fotografia e Rexhepit të mos jetë afër Nuhiut? Ka shumë pyetje e pikëpyetje, ka shumë gjëra për të cilat dikush duhet të jap përgjigje. Një tribunë e ashtuquajtur "shkencore" e cila duhet mbajtur në mend për të keq, tribunë e cila nuk duhet të përsëritet më, ku askush nga ata referuesit "shkencor" nuk u mor me atë se çfarë deshën Nuhiu me shokë, çfarë ishin kërkesat e tyre, dhe askush nuk mori mundin të pyes ose të shtrojë pyetje përse u vra Nuhiu, e me të edhe Rexhepi? Për një Kosovë të tillë? Për një Kosovë kur do të kthehej koha që pinjollët e atyre që vrisnin shqiptarë liridashës të jenë përsëri në pushtet? Ku Serbia ta ketë bërë Kosovën më shesh se sa në kohën e Millosheviqit?... E shumë e shumë pyetje tjera pa mbarim.

U vranë ata dhe derdhën gjakun që të vie një kohë që të burgosen sërish shqiptarët që kërkojnë bashkim kombëtar? I njëjti fjalor përdoret edhe sot nga pushtetmbajtësit, sikur para dyzet vitesh. Pushteti aktual në Kosovë po kopjon fjalë për fjalë fjalimet e KQ të Jugosllavisë dhe atij Komiteti Krahinor të Kosovës, i cili ishte bërë një altoparlant besnik dhe i shërbente me besnikëri qeni padronëve të tyre në Beograd. Sot ka ndryshuar vetëm terminologjia. Në kohën kur na quanin iredentistë, nacionalistë, marksistë-leninistë, dogmatikë, enveristë, sa e sa emra të tjerë. Ndërsa sot mjafton që i quajnë tradhtarë, njerëz që gjoja po veprokan për interesa të Serbisë, anise ata i ka ndjekur tërë jetën Serbia, duke shkuar deri në ekstremin më polar të mundshëm dhe anakronik me kohën, se gjoja qenkan edhe terroristë! Akoma sot mbushen burgjet e Kosovës sikur në kohën kur vepronte Nuhiu me shokët e tij!



Nuhi Berisha, 1961 - 1984


Athua sikur të ketë mundësi njeriu ta pyes sot Nuhiun, për mendimin e tij, se "Si t'u duk sot kjo "Tribunë shkencore..." për ty, për jetën dhe veprimtarinë tënde?" Athua çfarë do të thoshte?! Do të turpërohej gjë... apo?

Ajo që më bëri përshtypje që në fillim, se pos sallës gjysmë të zbrazur, ishin edhe kamerat televizive, ca gazetarë me aparate në duar, dhe pa u bërë 10-15 Minuta ata mblodhën aparatet, i futën nëpër çanta dhe dualën jashtë. Në sallë ngeli vetëm një kamerë televizive, e që unë nuk e mora vesh e kujt ishte dhe e cilit televizion ishte. Gazetarët tjerë sikur me një sustë, apo buton i dirigjoi dikush të dilnin nga salla që të mos regjistronin "Tribunën...". Edhe pse është e qartë se gazetarët do të referonin dhe raportonin për një tubim të quajtur "Tribunë shkencore...", do të raportonin se kjo tribunë është mbajtur, pa pasur nevojë të nxirrnin të gjitha fjalimet dhe referimet e referuesve, por të paktën ato të regjistrohen dhe të ngelen si arkivë. Apo ndoshta dikush nuk e deshi as këtë? E dinin këtë ata që ishin marrë me këtë organizim, apo kështu e deshën ata? Apo kështu e planifikuan? Ka sërish pyetje, pyetje pa mbarim.

Fillimisht nga salla filluan të dilnin një nga një, akoma pa kaluar gjysmë ore e kësaj "Tribune shkencore...". Dikush gjoja për të shkuar për nevoja fiziologjike, ndonjë tjetër gjoja për të pirë një cigare, e meqë nuk është ramazan, helebete, i duhet ta ndezë patjetër një cigare, ndoshta kishte "shumë kohë" që nuk kishte ndezur apo ndoshta i shkonin në nerva ata që flisnin e që referonin!? Apo nuk donin të rrinin në sallë për shkak të temës që trajtohej? Por, ajo që mua më bëri përshtypje, ishte kurreshtja ime që t'i shihja këta njerëz që dilnin jashtë dhe sikur pa qëllim nuk futeshin më brenda, ku janë dhe ç'bëjnë këta njerëz? Dola edhe unë pas tyre, gjoja për nevoja të mia, dhe, ç'të shoh!? Ata bënin "politikën" e ditës dhe thuase kishin harruar fare pse kishin ardhur aty, thuase ishte një tubim në korridor në kuadër të fushatës zgjedhore, meqë tanimë fushata elektorale për zgjedhjet lokale sapo kishte filluar.

Nga pyetjet qendrore që mund të parashtrohet për këtë rast është: A u arrit qëllimi për çfarë ishte thirrur kjo "Tribunë ..." e ashtuquajtur "shkencore" për jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Nuhi Berishës? Apo, sa është arritur nga qëllimi i asaj që kanë parashtruar organizatorët? Në mjetet e informimit mua nuk ma zuri syri gjëkundi ndonjë refereat i lexuar nga referuesit. Athua pse është organizuar kjo "Tribunë shkencore..."? Kjo për mua ngelet peng dhe pres përgjigje nga ata që e organizuan këtë "Tribunë...".... (tetor 2017)


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

LOBI SHQIPTAR NË EUROPË!

DOKUMENTAR

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks