SHKRIMI
e shtunë, 08 gusht 2020

DR.SADRI FETIU: FAZLI SYLA - STUDIUES I FOLKLORIT SHQIPTAR (I)

Prishtinë, 29 korrik 2020: Më 28 korrik 2020, vdiq Fazli Syla, studiues i folklorit, një prej dokumentuesve të rrallë të vargut popullor shqiptar, veprimtar shumëvjeçar i arsimit e i kulturës . Ai ishte 84 vjeç. Fazli Syla u lind në Istog në vitin 1935. Kreu studimet e larta për gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkup më 1960, kurse studimet pasuniversitare në Universitetin e Zagrebit më 1973. Tezën e disertacionit të doktoratës e mbrojti në Universitetin e Prishtinës më 1979. Punoi fillimisht në gazetari dhe në arsimin e mesëm, kurse më 1978 u zgjodh të ligjëronte për letërsi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Në vitet 1983-1991 ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, zëvendësdrejtor dhe pastaj drejtor i këtij institucioni gjatë viteve 1986-1991. Është marrë me studimin e poezisë popullore, kryesisht me këngët epike historike. Nga kjo fushë ka botuar disa vepra. Ka marrë pjesë në hartimin e projekteve afatgjate për zhvillimin e arsimit, shkencës dhe të kulturës, veçmas gjatë periudhës së autonomisë së Kosovës kur ishte sekretar krahinor për kulturë. /Editori i pashtriku.org/

***

Prof. dr. Fazli Syla është personalitet i rëndësishëm, veprimtaria e të cili ka një shtrirje të gjerë në shumë fusha të arsimit, të shkencës, të kulturës dhe të jetës shoqërore në Kosovë. Që nga mosha e rinisë, si student, ishte edukator konviktit të Shkollës Normale të Shkupit, pastaj u bë mësimëdhënës dhe drejtor i Gjimnazit në Prishtinë e më vonë edhe profesor universitar në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Në jetën shkencore dhe kulturore kreu një varg detyrash, duke filluar nga Redaksia e Kulturës në Radio Prishtinë, detyrat udhëheqëse në Bibliotekën Kombëtar dhe Universitare të Kosovës, udhëheqës i Bashkësisë së Vetëqeverisëse të Shkencës të Kosovës, zevëndës-drejtor e drejtor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, pastaj ministër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe të Kulturës në Qeverinë e Kosovës etj. Në të gjitha këto angazhime dhe detyra udhëheqese ai punoi me përkushtim të madh, dëshmoi suksese të konsiderueshme dhe la pas veti emrin e një punëtori shembullor për të mirën e përgjithshme të popullit të tij.

Prof. dr. Fazli Syla është është dalluar si studiues i folklorit dhe i aspekteve të veçanta të çështjeve të zhvillimit të arsimit, të kulturës dhe të shkencës shqiptare. Ky autor është marrë me sukses sidomos me studimin e poezisë popullore, kryesisht me këngët epike historike. Ne punën e tij të deritashme në fushën e fokloristikës shqiptare ka botuar këto vepra: »Poezia popullore shqiptare e kaçakëve«, IAP, Prishtinë, 1982, »Kënga dhe ngjarja historike«, Rilindja, Prishtinë, 1988 dhe »Çështje të folklorit shqiptar«, IAP, Prishtinë, 1997. Veprat e tij nga fusha e studimit të poezisë sonë popullore i karakterizon analiza e hollësishme e rrethanave historike-shoqërore në të cilat janë krijuar këngët, si edhe vlerësimi i saktë shkencor i vlerave poetike të këtyre krijimeve.



Fazli Syla, 1935 - 2020


Prof. dr. Fazli Syla, krahas punës organizuese si drejtor i Institutit Albanologjik dhe si kryeredaktor shumëvjeçar i revistës shkencore “Gjurmime albanologjike – seria Folklor dhe etnologji”, ka dhanë edhe ndihmesë të veçantë edhe për botimin e materialeve folklorike. Ai është bashkautor në në disa vëllimeve të makroprojektit të veçantë të Degës së Folklorit të këtij të IAP-së për botimin e lëndës folklorike, të mbledhur në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare jashtë Shqipërisë londineze., midis të cilave shquhen katër vëllimet e “Këngëve popullore historike”, anekdotat, këngët kreshnike etj.,

Duke u marrë me problematikën e arsimit, të shkencës dhe të kulturës, prof. dr. Fazli Syla ka marrë pjesë në hartimin dhe në zbatimin në praktikë të projekteve afatgjata të zhvillimit në këto fusha dhe ka hartuar edhe vepra të veçanta, siç janë: »Transformimi i arsimit dhe edukimit në Kosovë« (1978), »Veprimtaria shkencore në Kosovë« (1995) dhe përmbledhja me vështrime kulturologjike me titull”Vëzhgime dhe kumtime” (2007)

Prof. dr. Fazli Syla është një nga studiuesit e njohur të folklorit shqiptar që është marrë me studimin e këngëve historike. Rezultati më i suksesshëm i punës së tij në këtë fushë është studimi për këngët popullore të kaçakëve, që është monografia më e plotë, e cila i kushtohet kësaj problematike.

Studimi monografik i prof. dr. Fazli Sylës “Poezia popullore shqiptare e kaçakëve” është vepra e pare e folkloristikës shqiptare që trajton çështjen e një zhanri të poezisë popullore, si edhe studimi i parë nga fusha e folklorit, që e ka botuar Instituti Albanologjik I Prishtinës. Kjo vepër trajton një problematikë interesante, sepse në mënyrë të shumanshme e ndriçon reflektimin e lëvizjes së kaçakëve në poezinë tonë historike, duke e përcjellë dukurinë e kaçakërisë që nga zanafilla e deri në prag të Luftës së Dytë Botërore.

Interesimi i autorit të këtij studimi ka pikënisje të dyanshme: e para, që nëpërmjet këngës popullore t’i zbërthejë përbërësitë socialë, politikë, historicë, kombëtarë dhe moralo-etikë të dukurisë së kaçakërisë në planin e gjerë historik të tri periudhave të rendësishme të historisë së popullit shqiptar dhe, e dyta, ta studiojë strukturën poetike dhe vlerat e përgjithshme artistike të këngëve të kaçakëve. Autori e ka vështruar lëndën e studimit të vet edhe nga një aspekt shumë i rëndësishëm, në relacionin krahasimtar me këngët e popujve të tjerë të Ballkanit, të cilat u kushtohen lëvizjeve të ngjashme të popujve të tyre në periudha të caktuara të marrëdhënieve shoqërore të kushtëzuara nga rrethanat historike të kohës, që ishin të ngjashme me ato të popullit shqiptar.

Mund të thuhet me bindje se autori ka vepruar drejt kur çështjen e kaçakërisë e ka trajtuar në aspektin kronologjik, sepse tematika e këngëve, në radhë të parë, e pastaj edhe disa nga rrethanat, që i kanë shkaktuar ngjarjet që këndohen në to, janë të lidhura ngushtë me periudha të caktuara të historisë së popullit tone. Kështu, në këngët e kaçakëve të periudhës së sundimit osman deri në vitet ’30 të shekullit XIX mbizotëron tema e rebelimeve individuale të kaçakëve nga radhët e fshatarsisë kundër shfrytëzuesve të drejtpërdrejtë, feudalëve vendas dhe të huaj. Pas viteve ’30 të këtij shekulli sidomos pas reformave të Tanzimatit, kur lëvizja e kaçakëve merr hov gjithnjë e më të madh, këngët popullore pasurohen me tema dhe motive të reja, sepse pasurohet baza e motivacionit të veprimit të heronjve në rrethana të reja sociale-historike, kur pushteti osman, me anë të reformave centraliste, orvatet t’i nënshtrojë popujt dhe ta forcojë pushtetin e vet edhe në viset e Ballkanit.

Këngët e kësaj periudhe në të gjitha viset shqiptare trajtojnë kryesisht tri tema, që lidhen drejtpërdrejt me rrethanat e reja të kohës: kaçakërinë si rezultat i refuzimit për të shërbyer në radhët e ushtrisë së nizamëve, konfliktet për shkak të refuzimit të pagesës së taksave dhe detyrimeve të tjera shtetërore dhe kacafytjet e kaçakëve me tagrambledhësit dhe me përfaqësuesit e tjerë të pushtetit lokal. Siç ka konstatuar autori, këngët e kësaj periudhe i përshkon konflikt i thellë i dy palëve antagoniste në konflikt të vazhdueshëm – fshatarësisë së varfër që lufton për ekzistencën e thjeshtë fizike dhe pushtetit që me dhunë dhe brutalitet përpiqet t’i zbatojë normat e sundimit feudal.

Duke trajtuar lëvizjen e kaçakëve Brenda ngjarjeve historike të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, prof. dr.Fazli Syla, në studimin e vet, me argumente të plota bindëse, e shquan karakterin social dhe liridashës të lëvizjes kombëtare shqiptare. Ai vë në dukje se lëvizja e kaçakëve në të gjitha fazat e rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, e në mënyrë të veçantë në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shkrihej në tërësi në luftën për çlirimin kombëtar. Mirëpo, pas dështimit të kryengritjeve të përgjithshme popullore, lëvizja e kaçakëve nuk shuhej, por përkundrazi bëhej më e fuqishme, si formë e qëndresës të individëve dhe të grupeve, që nuk pranonin t’u dorëzoheshin organeve të pushtetit osman.

Në periudhën prej vitit 1912 deri më 1941 në këngët e kaçakëve, krahas qëndresës, që kishte pikënisje sociale, autori konstaton se bëhet gjithnjë e më i theksuar komponenti kombëtar e lëvisjes, e cila, në rrethanat e Luftës së Parë Botërore, inkuadrohet në tërësi në luftë kundër pushtuesve austriakë dhe bullgarë. Socialja dhe kombëtarja e përshkojnë edhe lëvisjen e kaçakëve gjatë kohës së Jugosllavisë së Vjetër, sepse kaçakët e kësaj periudhe luftojnë kundër shtypjes kombëtare, kolonizimit, çkombëtarizimit dhe shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve nga trojet e veta në Kosovë dhe në vise të tjera. Duke trajtuar tematikën e këngëve të kësaj periudhe, autori i ka kushtuar kujdesin e duhur edhe këngëve të kaçakëve në viset e Shqipërisë gjatë kohës së sundimit të regjimit të prapambetur feudal të Ahmet Zogut..

Duke e trajtuar në mënyrë të veçantë strukturën moralo-etike të këngëve të kaçakëve dr.Fazli Syla e thellon studimin e tij duke i analizuar në hollësi veçoritë karakteristike, të cilat e veçojnë këtë lloj të poezisë popullore brenda këngëve historike të popullit tonë. Në sprovat e shumta të luftës së individëve për mbrojtjen e qenies së vet, integritetit personal dhe familjar, dalin në shesh më së miri përbërësit themelorë karakteristikë të moralit tradicional, virtytet e trimërisë, të burrërisë, të qëndresës dhe të sakrificës, që janë përbërës kryesorë që e kanë kushtëzuar krijimin dhe të ruajtjen e këtyre këngëve.

Figurat e heronjve të këngëve me të gjitha karakteristikat e tyre dalin edhe më të plota, sepse në shumë raste poeti popullor i ka konceptuar sjelljet dhe veprimet e tyre edhe në mjediset e ndryshme të vendlindjes së protagonistëve të këngëve dhe në raporte të ndryshme familjare e farefisnore. Kështu, në shumë këngë manifestohet sidomos karakteri lirik i krijimeve të këtilla, që buron nga ndjeshmëria humaniste për jetën e rendë dhe plot vuajtje të luftëtarëve dhe të familjarëve të tyre. Kjo ndjeshmëri bëhet edhe më e theksuar si pasojë e pasigurisë së përhershme dhe parandjenjave për përfundimin tragjik të kaçakëve. Mirëpo, atmosfera tragjike i përket tragjikës heroike dhe është paraqitur me krejt madhështinë e vet për t’i shquar figurat e heronjve në momentin e vdekjes së tyre në fushën e nderit.

Duke trajtuar aspektet moralo-etike të këngëve të kaçakëve, prof dr.Fazli Syla sjell edhe konstatime të drejta për vlerat ideo-estetike të këngëve dhe rolin e tyre për kultivimin e ndjenjave liridashëse e humanitare me efekte afatgjata në jetën tradicionale të popullit.

Prof. dr. Fazli Syla i ka trajtuar me kujdes edhe aspektet estetiko-letrare të këngëve të kaçakëve, duke u nisur nga specifikat karakteristike të kësaj poezie brenda epikës historike shqiptare. Ai konstaton se këngët përshkohen shpeshherë edhe nga përbërës të theksuara lirikë e here-herë konflikti epik zgjidhet edhe me mjete dramatike. Kjo dëshmon se shumë nga këngët e kaçakëve kanë strukturë të theksuar baladike, në të cilën vërehet qartë transponimi artistik i fenomeneve estetike, sepse këngët i konsideron si formë e përqëndruar e përvetësimit të realitetit të kohës, si krijime të kushtëzuara nga niveli i përgjithshëm kulturor i këngëtarëve krijues, që mbartin përvojën jetësore dhe traditën e krijimtarisë artistike të popullit. Në këtë kontekst është trajtuar me sukses edhe kompozicioni të këngëve të kaçakëve. Në strukturën kompozicionale të këngëve, siç konstaton autori, ndikojnë faktorët e ndryshëm, siç janë: mënyra e të kënduarit me karakteristika të dallueshme midis zonave në relacioni veri – jug, format muzikore, përcjellja me instrumente e të tjera.

Në pjesën për metrikën e këngëve të kaçakëve, autori ndalet në veçanti në karakteristikat e vargut më të shpeshtë të këngëve, në tetërrokshin trokaik dhe paraqet tipet kryesore të skemave të theksave ritmikë, që zakonisht bien mbi rrokjet teke. Duke paraqitur skemat e rimave, që i hasim në këngët e kaçakëve, autori flet shkurtimisht edhe për efektet e tjera ritmik-melodike, që ndikojnë në muzikalitetin e vargjeve të këtyre këngëve.

Studimi i prof. dr.Fazli Sylës “Poezia popullore shqiptare e kaçakëve” është një kontribut i vlefshëm shkencor, që ndriçon në mënyrë të shumanshme problematikën e këngëve të kaçakëve dhe të vlerave të tyre ideoestetike dhe ka shërbyer zi gjedhe e duhet të shërbejë edhe në të ardhmen si përvojë pozitive për thellimin e mëtejshëm të studimeve kushtuar poezisë popullore shqiptare me tematikë historike.

Ky autor ka botuar edhe veprën “Kënga dhe ngjarja historike”, në të cilin janë trajtuar disa çështje të rëndësishme, që lidhen me tematikën e këngës historike shqiptare në raport me ngjarjet, sidomos me ato që kanë të bëjnë me historinë e re shqiptare, duke filluar nga periudha e Rilindjes Kombëtare e deri me sot.

Këngën historike ai e trajton edhe kur merret me veprat e traditës sonë folklorike, siç është ajo e Jeronim de Radës, pastaj e Thimi Mitkos, por edhe kur ka për objekt interesimi mendimet e albanologut tonë të madh, Eqrem Çabejt, për poezinë e arbëreshëve të Italisë. Me këtë rast poezia popullore me tematikë historike vështrohet edhe në planin praktik njohës dhe edukativ ose edhe nëpërmjet manifestimeve tradicionale folklorike, siç është Revista e Folklorit Burimor Kosovar e Gllogovcit etj.

Studimet e para të librit “Kënga dhe ngjarja historike” kanë objekt vështrimi këngën epike historike shqiptare nga tri aspekte të veçanta, siç janë: rëndësia e studimit, metodologjia e veçantë e trajtimit të problematikave folklorike, historiku i studimeve të deritashme dhe nevoja për thellimin e tyre të mëtejshëm. Kështu, autori angazhohet që ta trajtojë problematikën shumë të gjerë e komplekse të lindjes, të zhvillimit dhe të trnsformimit të këngës epike historike, duke u nisur që nga dëshmitë e para të periudhës së mesjetës për këngët historike shqiptare. Ai e thellon studimin e tij, duke u mbështetur në të dhëna të bollshme për këngën epike historike të fazave më të hershme mesjetare që i kanë sjellur në veprat e veta: A. Sibeliku, M. Barleti, F. Bardhi e të tjerë dhe duke paraqitur shkurtimisht edhe historikun e studimit të këtij lloji të poezisë popullore shqiptare.

Në studimin vijues “Rezistenca kundër shtypjes shoqërore e politike dhe jehona e saj në këngë” trajtohet epika historike si projeksion artistik i organizimit të qëndresës së popullit kundër shtypjes dhe i luftës së tij për liri dhe të drejta sociale e politike gjatë periudhave të historisë sonë më të re. Brenda këtij studimi vihet në spikamë roli i fshatarësisë si bartëse të qëndresës dhe të luftës, bashkë me rolin e saj si krijuese, bartëse dhe interpretuese e këngës sonë historike. Kështu, brenda një kompleksi të gjerë të problematikës së krijimtarisë epike, hetohen në hollësi edhe veçoritë karatkeristike të këngëve historike, që kanë të bëjnë me aspektin social dhe politik të jetës së popullit shqiptar gjatë dy shekujve të fundit, e sidomos që nga fillet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare e deri në kohën tonë. Autori konstaton se kënga historike është jehonë e ndjenjave të masave të gjera popullore, e zërit të tyre në të gjitha fazat e luftës, që i ka formësuar veçoritë e veta themelore që nga mesjeta, duke u ripërtëriotur në faza të ndryshme të qëndresës së popullit dhe të periudhës prodhuese të këngëve, duke marrë tipare të reja në bazë të rrethanave të ndryshuara ekonomike e shoqërore, të shkaqeve të rebelimit dhe të mënyrave të organizimit të popullit për qëndresë individuale, grupore ose edhe të tërësishme popullore. Në këtë aspekt autori i ka vështruar kryesisht krijimet poetike që u kushtohen ngjarjeve që nga Reformat e Tanzimatit, kryengritjet fshatare të Jugut e të Veriut të gjysmës së parë të shekullit XIX, atyre të periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri tek ato që trajtojnë ngjarje nga Lufta e Dytë Botërore.

Si aspekt shumë i rëndësishëm për këngën historike janë normat moralo-etike të popullit shqiptar të projektuara në artin e këngës, që autori i ka vështruar kryesisht në kontekst të marrëdhënieve ekonomiko-shoqërore. Brenda kësaj problematike janë trajtuar me kujdes normat morale të jetës familjare dhe fisnore, virtytet e shumta të popullit shqiptar të krijuara në rrethana të ndryshme ekonomiko - shoqërore në planin më të gjerë etnik e kombëtar, të cilat u kanë bërë ballë ndryshimeve të shumta gjatë shekujve, që nga fillet e hershme të epikës legjendare e deri në kohën tonë kur ende krijohen këngë për ngjarje të ndryshme me rëndësi historike. Duke trajtuar këto norma autori i ka përcaktuar qartë funksionet e besës dhe të pabesisë, traditën e ruajtjes së nderit familjar e të kultit të të parëve, rolit dhe të famës së fisit, por edhe të dinjitetit personal të individit si si në realiktetitn e përditshëm, ashtu edhe në funksion të përgjithshëm të rrëfimit epik. Në këto aspekte janë shquar në mënyrë të veçantë figurat e nënës, të motrës, të vëllait, të mikut, të shokut, të dashnores – gruas. Personazhet e këtilla në shumë kanë marrë karakter të theksuar simbolik dhe janë shndërruar në figura të veçanta, të cilat i karakterizojnë elementet e kultit. Në këto raste autori nuk i ka lënë pasdore edhe veset e liga të disa personazheve, e në mënyrë të veçantë i ka trajtuar këngët që e dëmkosin tradhtinë e individëve të caktuar, të cilët kanë marrë përmasa përgjithësuese Brenda këtyre këngëve, si antagonistë të herojve të tyre.

Tërësi të veçantë në veprën “Kënga dhe ngjarja historike” përbëjnë njësitë studimore, në të cilat interesimi i autorit shtrihet kah tradita e këngës historike në veprat e mbledhësve të parë të folklorit shqiptar, siç janë: Thimi Mitkoja e Jeronim De rada, të cilët i vunë themelet e folkloristikës së mirëfilltë shqiptare dhe e pasuruan fondin e këngëve të epikës shqiptare.

Në punimin “Rreth këngëve historike në veprën “Bëleta shqyptare” të Thimi Mitkos” autori e zgjeron interesim dhe angazhimin e vet për studim të këtij lloji të poezisë epike, duke theksuar rolin e veprës së Mitkos për ruajtjen e disa nga variantet më të mira të këngëve historike, dhe funksionin e këngëve për zgjimin e vetëdijes kombëtare gjatë periudhës së Rilindjes. Autori konstaton se pjesa dërrmuese e këngëve historike të botuara në veprën e Thimi Mitkos kanë të bëjnë me ngjarjet që kanë ndodhur në trojet shqiptare që nga fillet e krijimit të vetëdijes kombëtare. Ai pohon ë se Mitkoja si folklorist me përvojë diti ta çmojë drejtë rolin e këngës popullore historike për zgjimin e vetëdijes kombëtare të masave, prandaj këngët i përcolli me shënime të rëndësishme për ngjarjet, rrethanat në të cilat ndodhën ato dhe personazhet që përmenden në këngë si pjesëmarrës të këtyre ngjarjeve. Mu për këtë arsye vepra “Bëleta Shqypëtare” ka pasur ndikim shumë të madh në kultivimin e këngës popullore, si edhe në letërsinë e shkruar të periudhës së romantizmit shqiptar.

VIJON ... 


_____________

DR.SADRI FETIU: FAZLI SYLA - STUDIUES I FOLKLORIT SHQIPTAR (II)

http://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=10329


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks