SHKRIMI
e mërkurë, 24 prill 2019

SEVDAIL HYSENI: LUGINA E PRESHEVËS, NJË MINIERË E PASUR E TRASHËGIMISË KULTURORE SHQIPTARE

Preshevë, 9 shkurt 2019: Presheva me rrethinë, është një prej viseve më të bukura shqiptare, që shtrihet nga lindja e Kosovës e deri në jug të Serbisë, me një të kaluar të begatë të trashëgimisë kulturore shpirtërore e material.

Pavarësisht periudhave të vështira nëpër të cilat ka kaluar vendlindja e Kreshnikut të Karadakut Idriz Seferi, e nëpër të cilat po kalon edhe tani Atdheu i cunguar i albanologut të shquar Akademik Idriz Ajeti, janë ruajtur gjurmët e lavdisë, trimërisë dhe trashëgimisë kulturore rë përcjella nëpër gjenerata brez pas brezi.

Për këto vlera të trashëgimisë sonë kulturore, duket të kujdesen më shumë institucionet kompetente për ruajtjen e tyre, të cilat, mjerisht, nuk po tregojnë vullnet për të siguruar fonde për mirëmbajtjen e tyre.

Për të mos mbetur në mëshirën e kohës, këto visare të çmuara të kulturës sonë shpirtërore dhe material, kanë gjetur strehë shpëtimi te Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë, të themeluar para 9 vjetësh, pikërisht në vitin 2010.

Kjo shoqatë e vetmja e këtij lloji në Luginë të Preshevës, të cilën e drejton profesor Xhemaledin Salihu, ka për qëllimi themelor hulumtimin, gjurmimin, evidentimin, regjistrimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e Trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore, zhvillimin dhe kultivimin e krijimtarisë kulturore dhe mbrojtja e ruajtja e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë, pavarësisht mungesës së fondeve nga pushteti lokal e rajonal, ka arritur përmes donatorëve vullnetmirë, ta mbajë gjallë frymën e trashëgimisë kulturore në Luginë, duke treguar reflektuar aktivitete më shumë se sa vetë institucionet kulturore në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, të cilat kanë për themelues pushtete lokale dhe financohen nga buxhetet komunale.

Misioni



Që nga themelimi kjo shoqatë kulturore ka pasur si mision mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë dhe kultivimin e kulturës shqiptare. Ajo ka zhvilluar një varg aktivitetesh të shumta nga sfera e konferencave shkencore, botimi i librave shkencorë, organizimi i ekspozitave me fotografi të vjetra nga Lugina e Preshevës etj.

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë, gjithashtu, organizoi manifestime të ndryshme kulturor, promovime librash të autorëve preshevarë, si dhe mori pjesë aktive në shumë tryeza të rrumbullakëta, e debate televizive.

Për një periudhë 8-9 vjeçare Shoqata kulturore, ka arritur të organizojë 9 konferenca shkencore, të cilat janë zhvilluar në Luginë e Prishtinë:

1. Çështja e valles shqiptare në Preshevë me rrethinë;

2. Dasma shqiptare në Preshevë me rrethinë;

3. Lugina e Preshevës në lëvizjen kombëtare gjatë historisë;

4. Unifikimi i plan-programeve dhe teksteve mësimore për shkollat shqipe;

5. Presheva, Bujanoci, Medvegja, dje, sot dhe nesër /së bashku me Institutin Albanologjik të Prishtinës/;

6. Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve të tjera etnike në ish-jugosllavi, në mbarim të LDB;

7. Çështja e luginës së Preshevës në dimensionin rajonal dhe ndërkombëtar, të drejtat e njeriut, siguria dhe marrëdhëniet shqiptare-serbe, më 1 korrik 2017;

8. Më 7 nëntor 2017, u zhvillua konferencë shkencore për jetën dhe veprimtarinë e albanologut Idriz Ajeti;

9. Konferenca shkencore: Trashëgimia kulturore jomateriale shpirtërore e Luginës së Preshevës dhe viseve tjera shqiptare, më 6 e 7 korrik 2018.

Në sferën e botimit të librit shkencor, Shoqata Kulturore, ka arritur të publikoj tetë libra shkencorë:

1. Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2011;

2. Dasma shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur dhe sot,Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2012;

3. Lugina e Preshevës në Lëvizjen shqiptare gjatë historisë, Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2013;

4. Presheva, Bujanoci, Medvegja, dje, sot dhe nesër, Prishtinë, Instituti Albanologjik, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2015;

5. Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të trojeve etnike në ish-Jugosllavi, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, Gjilan, Kurora, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2016;

6. Bujanoc-burim i trashëgimisë kulturore dhe natyrore, Gjilan, Kurora, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2014;

7. Rainca-vendbanim i vjetër dardan shqiptar në rajonin e Preshevës/ në autorësi të Xhemaledin Salihut, kryetar i SHTKK/, Gjilan, Kurora, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2015;

8. Në nëntor të vitit 2017 doli nga botimi libri i autorit Xhemaledin Salihu: Presheva-pjesë e pandarë e Lëvizjes kombëtare nëpër shekuj /Monografi/, në botim të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore.

Afirmimi

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë mbajti Tribunën shkencore me temë bosht: “Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë” ku morën pjesë shumë studiues të trojeve shqiptare. Organizimin e Ekspozitës së Fotografive të Vjetra nga Lugina e Preshevës / 100 fotografi/ e realizuam më 07 mars 2011, në Ditën e Mësuesit. Akademi Përkujtimore me rastin e 95 vjetorit të lindjes së profesor Ibrahim Kelmendit, atdhetar dhe anëtar i devotshëm i Ballit Kombëtar u organizua, më 16 prill 2011.

Në organizim të Komisionit Zonal të Luginës së Preshevës dhe Shoqatës për Trashëgimi, 6 studiues nga Lugina e Preshevës morën pjesë në Konferencën e Parë Mbarëkombëtare në Tiranë me temën:

“Studimi i mundësive të përafrimit deri në unifikim të plan-programeve dhe teksteve mësimore në trojet arbërore dhe në diasporë”.

Më 22 tetor 2011, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë organizoi manifestimin kulturor, promovimin e librit të autorit preshevar Sami Qerimi:

”Koha e ngritjes, e krenarisë dhe e dhimbjes”.

Në tetor të vitit 2012 SHTKK organizoi Akademi përkujtimore kushtuar 40 vjetorit të Lindjes së Dëshmorit të Kombit, Bardhyl Osmanit, Komandant Delta së bashku me OVL në Preshevë.

SHTKK realizoi dy projekte të regjistrimit të Trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore në Komunën e Preshevës dhe të Bujanocit, projekti i parë:

”Trashëgimia e jonë-puna jonë, pasuria jonë” u realizua gjatë vitit 2012/13 në Preshevë dhe projekti i dytë:”Trashëgimia e Bujanocit është edhe e jona” gjatë vitit 2013/14.

Realizimi i projekteve zgjati nga 6 muaj. Më 4 dhjetor 2013 Shoqata për Trashëgimi dhe krijimtari Kulturore hapi Web faqen e saj ku mund të postohen, por edhe të lexohen aktivitetet e Shoqatës dhe veprimtaria e saj. Më 24 dhjetor 2013 Shoqata për Trashëgimi dhe krijimtari kulturore, në lokalet e saja priti një delegacion të Akademisë Ndërkombëtare Shqiptare nga Tirana, me në krye kryetarin e saj Lisen Bashkurti.

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore pati edhe takime të tjera me Shoqata, individë, personalitete e kryetarë komunash lidhur me aktivitetin dhe veprimtarinë e saj.

Në fillim të vitit 2014, në Bujanoc organizoi promovimin e librit: Lugina e Preshevës në Lëvizjen shqiptare gjatë historisë” dhe organizoi një ekspozitë me 120 fotografi nga Trashëgimia kulturore dhe natyrore e Luginës së Preshevës.

Ajo pati edhe shumë promovime librash shkencor të autorëve preshevarë e më gjerë, akademi solemne e përkujtimore, takime të ndryshme gjatë këtyre viteve të ekzistimit të saj.

Bashkëpunimi

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, gjatë kësaj periudhe pati aktivitete të shumta në drejtim të bashkëpunimit me shoqatat e tjera simotra, duke veçuar bashkëpunimin më të ngushtë me Shoqatën “Bytyçi” Tiranë dhe Shoqatën e Shkrimtarëve ”Feniks” Preshevë, me të cilën realizoi një projekt.

SHTKK, në gusht të vitit 2014, realizoi një vizitë me ftesë së Shoqatës “Bytyçi” në Tiranë. Po ashtu, në Gjilan, më 7 maj 2015, në sallën e Universitetit “Kadri Zeka”, organizoi promovimin e librit :

“Presheva, Bujanoci dhe Medvegja-dje, sot dhe nesër” në botim të Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës.

Në vitin 2015, organizoi promovimin e librit: Rainca, vendbanim i vjetër dardan shqiptar në rajonin e Preshevës, më 20 mars 2017, organizoi promovimin e librit: “Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të trojeve etnike në ish-Jugosllavi, në mbarim të LDB” , më 27 gusht 2017, mori pjesë në manifestimin mbarëkombëtar festën e plisit të bardhë, të cilin e organizoi Shoqata “Bytyçi” nga Tirana, më 12 prill, SHTKK organizon debat, në temën: Diversiteti feta dhe ndikimi i kulturave të huaja ndër Shqiptarë, me ligjërues prof.dr. Nebi Islami.

Më 19 prill 2018, SHTKK organizon debat: Faktorët e zhvillimit ekonomik të komunës së Preshevës, në bashkëpunim me Agjensionin për Zhvillim në Preshevë. Më 5 maj 2018, SHTKK organizon promovimin e librit, të autorit Xhemaledin Salihu: Presheva pjesë e pandarë e Lëvizjes kombëtare nëpër shekuj.

Më 2 qershor 2018, ne organizim te Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore dhe OJQ Kërko te drejtën Tende u mbajt Debati, me temën: Roli dhe rëndësia e shoqërisë civile ne Komunën e Preshevës, ku morën pjese shume OJQ të Komunës së Preshevës. Më 6 e 7 korrik, SHTKK organizon konferencën shkencore:

Trashëgimia kulturore jomateriale shpirtërore e LP dhe viseve të tjera shqiptare.

Më 26 gusht 2018, SHTKK merr pjesë në Festën e Plisit të Bardhë në Tiranë, me një program të Këngëve dhe Valleve burimore të Luginës së Preshevës. Më 29 shtator 2018, me rastin e Ditës së Trashëgimisë Kulturore Shqiptare, në Bujanoc, SHTKK organizon Ekspozitë arti dhe fotove të trashëgimisë kulturore dhe një program kulturor artistik.

Në vend të biografisë

Xhemaledin Salihu u lind në Preshevë, më 14 gusht 1947. Shkollën fillore dhe të mesme-Gjimnazin i mbaroi në vendlindje, në Preshevë. Studimet i mbaroi në Prishtinë, në drejtimin e Fakultetit Filozofik, Dega e Pedagogjisë, duke marrë titullin profesor i pedagogjisë. Pas studimeve, në vitin 1971/72 punoi në Gjimnazin e Preshevës- Paralelja e ndarë në Tërnoc të Bujanocit, ndërsa në vitin shkollor 1972/73 punoi në Gjimnazin e Preshevës, mësimdhënës i lëndës së psikologjisë dhe sociologjisë.

Gjatë karrierës së veprimtarisë jetësore punoi kryetar i Lidhjes së Rinisë në Preshevë nga viti 1974- 1983 ishte drejtor i Universitetit të Punëtorëve, përkatësisht i Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë.

Ndërkaq, që nga vitit 1984 u radhit bibliotekar në Bibliotekën e Qytetit “Mehmet Jusufi”, ku punoi në detyrën e Shefit të Bibliotekës, deri në pensionim, më 2012.

Gjatë viteve 2003,2004 dhe 2005 punoi bibliotekar në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, duke u deleguar anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës.

Punimet e tij bibliotekare u botuan në gazeta, revista, në revistën e Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës. Për herë të par në Bibliotekën e Preshevës përpunoi fondin librar, sipas Klasifikimit Universal Decimal dhe punova, formova dhe futa në përdorim Skedarin Alfabetik dhe ate Sistematik.

Gjatë punës shumëvjeçare drejtues i Shtëpisë së Kulturës, ka dhënë kontribut të madh në zhvillimin e veprimtarisë kulturore-artistike shqiptare në komunën e Preshevës, duke qenë ideator dhe organizues i shumë manifestimeve kulturore.

Pas viteve të 90-ta, me pluralizmin demokratik në Preshevë, u anëtarësua në Partinë për Veprim Demokratik, para saj u anëtarësua në LDK.

Në nivel qendror të PVD-së udhëhoqi Këshillin për Kulturë, Arsim dhe Informim e Shkencë, ku solli prurje dhe rezultate të bollshme, në organizimin e jetës kulturore dhe Tribunës shkencore:

”Arsimi dhe kultura në Luginë Preshevës si dhe Tribunë lidhur me Referendumin e 1 e 2 marsit 1992.

Gjatë dy mandateve të qeverisje lokale të PVD-së u zgjodha anëtar i Qeverisë lokale, ku udhëhoqa resorin e kulturës, arsimit dhe informimit.

Gjatë viteve 1970/71, si student ishte bashkëpunëtor i gazetës së Studentëve “Bota e Re” në Prishtinë, kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës ishte DR. Ibrahim Rugova, ku botoi shumë punime me tema edukative, arsimore. Shkrimet i botoi në shtypin e përditshëm dhe atë periodik: “Bota e Re”,”Rilindja”; “Bujku”; “Koha”; “Dodona”; “Shkëndija”; “Jehona”; “Zgjimi”; “Veprimi”; “Perspektiva”; “Urtia”; e tjerë. Po ashtu me punimet shkencore u përfaqësua në librat e botuara shqip e anglisht.

Për punën e tij shumëvjeçare prof. Xhemaledin Salihu u dekorua me mirënjohje e dekorata të ndryshme: Pllaketë për pjesëmarrje në Festivalin e SHKA “Kosovarja këndon”.

U nderova me Mirënjohje për pjesëmarrje në Festivalin e Dymbëdhjetë të Folklorit nga Këshilli i Festivalit për Kulturë, më 1973, në Knjazhevc.

U nderova me Diplomë nga Klubi letrar “Feniks” në Preshevë për mbështetjen e Manifestimi Tradicional “Takimet e Krijuesve Preshevas” më 1984. Më 1994, në 30 vjetorin e themelimit të Shtëpisë së Kulturës “Abdullah Krashnica” më nderuan me Mirënjohje për kontributin e dhënë në punë dhe kulturë.

Shoqata “Bytyçi” Tiranë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë më dha Titullin e Lartë Patriotik “Aristidh Kola”, për një punë të palodhshme me kurajo intelektuale dhe patriotike, në drejtim të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë, kjo në funksion të ruajtjes, pasurimit e pasimit të vlerave historike, kulturore, sociale, shpirtërore e patriotike të popullit shqiptar të Luginës së Preshevës, që është nën shtypjen shekullore nacionale të Serbisë, duke kontribuar kështu në forcimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar të popullsisë së atyre trevave dhe prosperim në vend të tyre. Jeton dhe vepron në Preshevë.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks