SHKRIMI
e mërkurë, 18 shtator 2019

ADIL FETAHU: 7 MARSI - DITA E MËSUESIT TË SHKOLLËS SHQIPE

Prishtinë, 5 mars 2019: “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit, s’mund të maten” (Konfuçi). Mësuesi (i mirë) është si qiri; e shkrinë vetën për t’ua ndriçuar rrugën të tjerëve (anonime)

Mësonjëtorja e Parë (Laike) Shqipe e Korçës


Vendet e ndryshme të botës, në kalendaret e tyre historikë, kanë data të caktuara të kremtimit nga historia e zhvillimit të vet në fusha të ndryshme. Në fushën e arsimit, shqiptarët e kremtojnë 7 Marsin, në kujtim dhe nderim të hapjes së Mësonjëtores së Parë (Laike) Shqipe në Korçë, më 7 mars 1887, dhe atyre atdhetarëve mendjendritur të Rilindjes Kombëtare, të cilët u angazhuan, organizuan, morën lejen dhe hapën shkollën laike shqipe, gjithkombëtare, të cilën e ndoqën nxënës, djemë e vajza, të krahinave të ndryshmme të Shqipërisë, të gjitha shtresave sociale dhe përkatësive fetare. Lejen (liçencën) për hapjen asaj Shkolle e mori Pandeli Sotiri, në Stamboll, nga autoritetet e Perandorisë Osmane, kur kryetar i Pleqësisë së Arsimit në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë ishte Naim Frashëri. Mësuesit e parë të asaj Shkolle ishin Pandeli Sotiri, Thoma Sina, Thoma Avrami, etj, ndërsa drejtuesit e shquarë të saj qenë Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj. Sipas modelit të Mësonjëtores së Korçës, pas dy javësh, Koto Sotiri hapi një shkollë tjetër në Pogradec, e më vonë Petro Nini Luarasi hapi gjashtë shkolla të tilla në zonën e Kolonjës, ndëra më 1 maj 1889 Mati Logoreci hapi shkollën e këtij modeli në Prizren, dhe kështu vazhduan mëtej të hapen shkolla në tërë hapsirën shqiptare, ku mundën e si mundën, duke marrë parasysh mungesën e mësuesve, lokaleve, librave, mjeteve tjera, e veçmas presionin e pushtetit Osman dhe të kishës greke. Deri atëherë mësimi në gjuhën shqipe ose mbahej fshehurazi, ose në shkollat fetare katolike e protestane. Hapjes së Mësonjëtores së Korçës, poeti ynë Naim Frashëri ia kushtoi një poezi, nga e cila po shkëpusim këto vargje::

“Hapu, hapu errësirë, Lumja ti moj Korçë o lule,

Pa jakë tëhu o dritë, Q’i le pas shoqet e tua,

Se arriti kohë emirë, Si trimi në ball u sule,

U gëdhi nata – u bë ditë! Të paçim për jetë hua!


Hpaja e Mësonjëtores në Korçë u arrit në saje të nismës dhe punës së një grupi të rilindasve, e me përkrahjen e popullit dhe të mërgatës shqiptare. Kontribut të veçantë për këtë kanë dhënë Shoqëria “Drita” e Bukureshtit, vëllezërit Naim e Sami Frahëri, por edhe aktivistë e patriotë tjerë të shumtë. Korçari Mandi Tërpko e fali shtëpinë e tij për këtë Shkollë. Për mësim përdoreshin tekstet të cilat i kishin përgatitur Naimi e Sami Frashëri, të shtypura nga Shoqëria “Drita” e Bukureshtit.

Në vlugun e aktiviteteve të gjithanshme të lëvizjes së Rlindjes sonë kombëtare, shkolla shqipe ishte halë në sy të klerofashizmit grek dhe të administratës osmane, prandaj nuk vonoi shumë dhe Mësonjëtorja u mbyll, ndërsa drejtorin e parë të saj, Petro Nini Luarasin e helmuan në Stamboll qarqet reaksionare xhonturke në bashkëpunim me Patrikanën e Stambollit dhe kishën greke.

Dita e Mësuesit është ditë kur i kujtojmë mësuesit tanë, prej ditës së parë të shkollës, dhe mësuesit e të gjithë brezave. Në Shqipëri, 7 marsi është caktuar si Dita e Mësuesit me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor (Nr.113, dt.3 mars 1960). Ja teksti i Vendimit:

V E N D I M

mbi caktimin e datës 7 mars si Dita e Mësuesit

- Me qëllim që të ngrihën gjithnjë e më lart trditat e popullit tonë;

- Duke e çmuar rolin e madh të punonjësve të arsimit në edukimin e brezit të ri dhe në zhvillimin e gjithanshëm arsimor dhe kulturor të shoqërisë sonë socialiste;

- Duke marrë parasysh se data 7 mars 1887, dita e çeljes së shkollës së parë shqipe shënon një fakt historik me rëndësi në jetën politike e kulturore të vendit tonë,

- Me qëllim që të përkujtohet data 7 mars 1887,-

Presidiumi i Kuvendit Popullor, me propozimin e Qeverisë


V E N D O S I

1. Caktohet data 7 Mars si Dita e Mësuesit,

2. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Tiranë, më 3 mars 1960

Vemdo,o Mr/113


* * *

Në Kosovë dhe në në trojet tjera jashtë Shqipërisë dhe në mërgatën shqiptare, Dita e Mësuesit, ka filluar të festohet tek pas vitit 1990 e këndej.



Në data të ndryshme Dita e Mësuesit shënohet pothuajse në tërë botën. Shumica e vendeve Ditën e Mësuesit e shënojnë më 5 tetor. Ajo datë lidhet me rastin e nënshkrimit të Rekomandimeve të UNESCO-s për statusin e mësuesve në botë, miratuar në Mbledhjen e Jashtëzakonshme Ndërqeveritare, të mbajtur në Paris më 5 tetor 1966, ndërsa si festë e mësuesve është shpallur në vitin 1994. Këtë datë e shënojnë më se 100 shtete të botës, ndërsa shumë shtete kanë data tjera, të cilat i lidhin me ngjarje ose me personalitete të tyre të rëndësishme nga fusha e arsimit.

Shkolla shqipe ka pasur edhe shumë kohë më përpara se Mësonjëtorja e Korçës

Sa herë flasim për Mësonjëtorën e Korçës, duhet të kemi parasysh dhe të jemi të qartë, se ajo nuk ishte shkolla e parë shqipe, por ishte shkolla e parë shqipe laike dhe kombëtare, sepse shumë kohë më përpara ka pasur shkolla në të cilat mësimi është zhvilluar në gjuhën shqipe, nga mësues shqiptarë apo të huaj, por ato kanë qenë shkolla të karakterit fetar: katolik, ortodoks,mysliman, protestan. Ato duhej të ishin fetare, sepse përndryshe nuk do të lejohej puna e tyre. Një e tillë ka qenë Shkolla e Kurbinit (në rrethin e Krujës), e themeluar në vitin 1632 dhe punoi deri në vitin 1650. Sipas viteve e gjeneratave të ndryshme, kishte nga 10-12 xhakonjë, nxënës,të cilët përgatiteshin për klerikë e meshtarë, por nuk do të thotë se të gjithë bëheshin klerikë. Në atë shkollë tërë mësimi mbahej në gjuhën shqipe, sepse nxënësit as nuk dinin gjuhë tjetër. Vatikani që përhapte shkolla fetare, zbatonte parimin sipas të cilit, fjala e Zotit duhet të transmetohet te besimtarët në gjuhën amtare, prandaj mësimi mbahej në gjuhën amtare të nxënësve, në mënyrë që të mund të përvetësohej sa më mirë. Përveç shkrim-leximit, me alfabetin latin, mësohej edhe gramatikë, ndërsa si tekste mësimore përdoreshin veprat e Frang Bardhit, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit e ndonjë tjetër, në gjuhën shqipe. Në nivele më të larta të shkollimit mësonin për filozofinë dhe klasikët. Ata që kryenin shkollat fetare, nuk do të thotë se të gjithë bëheshin priftërinjë e meshtarë, por e rëndësishme ishte se ata do të bëheshin mësues për të tjerët, që të përhapnin dije e kulturë. Përveç Shkollës së Kurbinit, nisën e punonin edhe shkolla tjera të tilla në shumë vende tjera: në Korçë (1636) kishte njjë shkollë shqipe e kuvendit françeskan; në Pëdhanë (të Matit) 1638; në Blinisht të Zadrimës (1639), në Janjevë (1665) me mësues Pjetër Mazreku, dom Vinçenc Mateviq, dom Gjon Bogdani,etj.; në Velë të Mirditës (1692), në Shkodër (1699). Ka të dhëna se në Stubëll të Vitisë (në Kosovë) ka ekzistuar kolegji fetar, si shkollë e parë shqipe, prej vitit 1584. Kolegjet ishin shkolla të larta fetare.

Përveç misioneve të ndryshme të Vatkkanit, shkolla fetare me mësim në gjuhën shqipe kishin hapur edhe misione të ndryshme të Austrohungarisë. Me një marrëveshje paqeje midis Perandorisë Austrohungareze dhe Perandorisë Osmane (Marrëveshja e Karllovcit, 1699), Perandoria Austrohungareze kishte fituar statusin e protektorit për katolikët që ishin nën pushtetin e Perandorisë Osmane, dhe në bazë të asaj marrëveshje kishte hapur shumë shkolla fetare në mesin e poullsisë katolike në Shqipërinë veriore, në të cilat mësimi mbahej kryesisht në gjuhën shqipe. Ndërkaq, në Shqipërinë jugore puna qëndronte ndryshe; atje në shkollat greke nuk lejohej mësimi në gjuhën shqipe. Përkundrazi, propaganda e kishës greke mallkonte e përndiqte çdokë që përpiqej të përhapë mësimin e shqipes. Një misionar i lartë i Patrikanës së Stambollit, Kozma Elioti, gjatë një “misioni” nëpër Shqipërinë e Jugut (1775-1779), i porosiste shqiptarët e Epirit: “…Unë do t’ia falë të gjitha mëkatet e kryera që nga dita e lindjes, atij burri dhe asaj gruaje të krishterë që do të premtojë se nuk do të flasë më shqip në shtëpinë e tij”. Misionet bazilike të Vatikanit bënë përpjekje dhe hapën disa shkolla fetare në Shqipërinë e Jugut (Himarë,etj.), në të cilat mësimi mbahej në gjuhën shqipe, nga mësues – priftërinjë arbëresh të Sicilisë. Arbërshi Zef Skiroi punoi afro gjysëm shekulli në ato shkolla, por atje bënte presion dhe pengonte kisha greke, në bashkëveprim me administrtën osmane. Peshkopi i Janinës, kur kishte parë në Dhërmi se fëmijët po mësonin shqip e jo greqisht, i kishte mallkuar ata që punonin dhe ata që vijonin mësimet në gjuhën shqipe.

Në shikollat e shtetit Osman, në mejtepe e medrese, mësimi fetar për nxënësit shqiptarë të ritit mysliman zhvillohej në gjuhën turke dhe atë arabe. Shumica e mësuesve ishin klerikë myslimanë: shehlerë, hoxhallarë, hafizë, dervishë, të cilët kishin kryer arsimimin e lartë në Stamboll ose në Kairo. Ata më të shquarit me ndjenja kombëtare, jo vetëm se përmes predikimit ua mësonin popullit gjuhën shqipe, por edhe nxënësve të tyre ua mësonin gjuhën amtare, përmes futjes së gjuhës shqipe si lëndë mësimore. Ata edhe vet shkruanë vepra në gjuhën shqipe, me alfabetin arab. Baba Meleq Shembërdhenji,në një poezi të tij shkruante me admirim për gjuhën shqipe:

“Këtë gjuhë të bekuar

Kush ia dha kështu Shqipërisë,

Kjo është lule e uruar,

Qëndisur prej Perëndisë”.


Pavarësisht karakterit të tyre fetar, shkollat e hapura nga misionarë të ndryshëm, veçmas ato të misionarëve të Vatikanit dhe të Austrohungarisë, por edhe të shkollave turke, kanë luajtë rol në arsimiimin dhe edukimin moral të nxënësve e të popullatës dhe në përhapjen e gjuhës shqipe. Prandaj, nuk duhet shikuar vetëm nga prizmi fetar, në konotacion negativ, sikur janë vlerësuar nga regjimi komunist.

* * *

Sidoqoftë, 7 marsi, dita e hapjes së Mësonjëtores së Parë Laike (dhe legale) Shqipe në Korçë, është një datë e rëndësishme në historinë e arsimit tonë. Ajo shkollë shërbeu si model për shkollat tjera që u hapën pas saj. Rëndësia e saj është aq më e madhe, sepse në atë kohë në trojet shqiptare punonin më se 2500 shkolla të hueja: turke, greke, sllave, italiane, austrohungareze e të tjera, të cilat ishin në funksion të politikës së shtetit e të kishës, me qëllim të asimilimit kombëtar të shqiptarëve, sidomos shkollat greke, të cilat organizoheshin, financoheshin dhe udhëhiqeshin nga kisha greke, që ka qenë gjithmonë antishqiptare.

Në këtë datë e kujtojmë, vlerësojmë dhe nderojmë punën e të gjithë atyre mësuesve, atyre patriotëve, atyre klubeve e atyre shoqërive, po edhe të atyre kishave e xhamive që kontribuan në ruajtjen, përhapjën dhe mësimin e gjuhës shqipe, e cila ishte bërë “gjuhë e huaj në vendin e vet”, por jo e huaj për popullin e vet.


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks