SHKRIMI
e premte, 19 korrik 2019

DR. AGIM ZOGAJ: MARRËDHËNIET SHQIPTARO - JUGOSLLAVE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1945-1948 (1)

Prishtinë, 22 mars 2019: Në vitin 2016 'Kosova PEN Center' në Prishtinë, botoi librin e studiuesit Agim Zogaj "MARRËDHËNIET SHQIPTARO - JUGOSLLAVE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1945-1948". Redaktorë të librit janë: Prof. Dr. Arsim Bajrami, Akademik Pajazit Nushi dhe Prof. dr. Selim Daci. Recenzentë: Mr. Uran Butka, Prof.dr. Bujar Dugolli dhe Prof. dr. Jahja Drançolli. Përgatitjen grafike dhe ballinën e punoi, Ma. Lejla Ibrahimi, ndërsa korrektore e librit është Vjollca Zogaj. Libri i ka 366 faqe. Në vazhdim portali 'Pashtriku.org' boton pjesë të këtij libri të rëndësishëm historik.

***

STUDIM ARGUMENTUES

Prof. Dr. Agim Zogaj që moti merret me studimin e marrëdhënieve shqiptaro - jugosllave. Rezultat i angazhimit sistematik të këtij studiuesi është vepra sintetike e karakterit historiografik e përpiluar në formë dorëshkrimi, që autori e ka emërtuar, Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe çështja e Kosovës 1945-1948. Dorëshkrimi, përpos parathënies, fjalës përmbyllëse dhe literaturës, është i mbarështruar në pesë kapituj. Referencat dhe treguesit e tjerë, dëshmojnë për masën e madhe të burimeve politikologjike, historike e sociologjike, që autori ka konsultuar duke u thirrur, natyrisht, në dokumente autentike dhe duke mos lënë anash as përmbajtjen e shtypit të kohës të Tiranës, të Beogradit dhe të Prishtinës në ndriçimin e shtrirjes dhe të karakterit dhe të qëllimeve politike të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave të viteve 1945-1948.



Beograd, më 23 qershor 1946: Në aeroportin e Zemunit në Beograd, Kryetari i RSFJ-së, J.B.Tito duke pritur Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Enver Hoxha. (Ilustrimi © Pashtriku.org)


Duhet theksuar se periudha tri vjeçare e raporteve shqiptaro jugosllave në kuptimin formal është e shkurtër për një vlerësim të përgjithshëm të këtyre marrëdhënieve studiuese; por pikërisht proceset politike, ushtarake dhe ekonomike të karakterit bilateral përpjesëtimesh të ndryshme si edhe raporti i këtyre marrëdhënieve në arenën ndërkombëtare, sidomos të asaj të Evropës Jug - Lindore, gjatë procesit fillestar të konsolidimit të pozicioneve të reja politike, ekonomike dhe sociale të vendeve pjesëmarrëse në Luftën e Dytë Botërore, kanë rëndësi të jashtëzakonshme për kuptimin e zhvillimeve politike të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë menjëherë pas përfundimit të Luftës Dytë Botërore si edhe më pas.

Rëndësia e posaçme e njohjes së këtyre marrëdhënieve të viteve 1945-1948 qëndron në vetëdijësimin e lexuesve për të mësuar si është kërcënuar pavarësia e shtetit shqiptar, e zhvilluar dhe e përforcuar gjatë tridhjetë e gjashtë vjetëve nga shpallja e pavarësisë më 1912 dhe si është mbrojtur mëvetësia e shtetit shqiptar. Lidhur me këtë të kujtojmë fjalët e Liri Belishovës, pjesëmarrëse në Luftën Nacionalçlirimtare dhe e plagosur, udhëheqëse e lartë e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe pas vrasjes së burrit të saj Nako Spiros u përndoq dhe ndaj Lirie Belishovës dhe familjes së saj së bashku me të afërmit e burrit të dytë Maqo Çomonin, është ushtruar me dhjeta vite krim i rëndë, kur ka pohuar “...Byroja Politike vendosi të bënte de facto, “bashkimin” (gëlltitjen) e Shqipërisë me Jugosllavinë, në të gjitha fushat, por shpallja të bëhej kur të ishin konjukturat ndërkombëtare më të përshtatshme”.

Autori i këtyre rreshtave i ka përjetuar drejtpërdrejtë proceset e këtilla, sepse në proceset e vrullshme politike të asaj kohe i kam kaluar tri vitet e rinisë së paharrueshme dhe për këto procese gjatë zhvillimeve të mëvonshme kam shfletuar literaturë të gjerë. Por, kjo është më pak e rëndësishme. Studiuesi dhe eksperti i marrëdhënieve shqiptaro - jugosllave / serbe, Prof. Zogaj ka vë vetes dy detyra kryesore, siç ka përmendur drejtpërdrejtë dhe tërthorazi në përmbajtjen e parathënies së kësaj vepre:

1. interpretimin objektiv të fakteve e të dhënave politiko - sociale dhe ekonomike si edhe të raporteve ndërmjet syresh në dritën e synimeve gllabëruese, siç i ka quajtur autori raportet e përgjithshme shqiptaro - jugosllave të tri viteve të para të pas përfundimit të Luftës Dytë Botërore, dhe

2. Argumentimin e hipotezës bashkëkohore perëndimore, sipas së cilës “Aleanca me Jugosllavinë (në vitet 1945-1948 P. N.) u shndërrua në një bashkësi detyrimi”.

Sa i përket detyrës së parë, mbledhja dhe interpretimi objektiv i fakteve dhe i të dhënave historike është baza e qasjes së mirëfilltë të studimeve të secilës çështje të gjitha disiplinave të shkencave sociale e humaniste, si edhe e disiplinave të tjera. Këtë detyrë, Zogaj e ka pasur pikënisje në studimin e kësaj periudhe të raporteve shqiptaro-jugosllave dhe kësaj detyre autori i është përmbajtur. Këtë e konstatojmë në mbështetje të krahasimeve që u ka bërë studimeve të kësaj teme nga autorët e mëhershëm me materialet burimore, në rend të parë me ato të Arkivit Qendror të Shqipërisë, të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, të Arkivit të KQ të PKJ në Beograd, të Arkivit të Sekretariatit të Punëve të Jashtme të Jugosllavisë në Beograd, të Arkivit të Kosovës dhe të Arkivit të Institutit të Historisë së Prishtinës.

Vështruar nga kjo pikëpamje në këtë tudim hasim lëndë të pashfrytëzuar më parë dhe kjo risi e ka begatuar historiografinë e kësaj kohe të marrëdhënieve shumë të ndërlikuara shqiptaro - jugosllave të viteve të para pas përfundimit të Luftës Dytë Botërore deri në shpalljen e Rezolutës së Informbiros në qershor të vitit 1948.

Ndërkaq, shfrytëzimi i materialeve arkivore të botuara, të literaturës së gjerë të botuar në gjuhën shqipe, serbishte dhe anglishte, duke përfshirë edhe disa nga botimet e rëndësishme të përkthyera në shqipe, si edhe shfrytëzim i lëndës së materialeve të botuara në revista shkencore dhe në shtypin e ditës autorit ia ka mundësuar hedhjen e dritës së re në marrëdhëniet e trajtuara në këtë studim si edhe hapjen e shtigjeve të reja për mundësin e gjetjes së disa materialeve sekrete të marrëdhënieve shqiptarojugosllave. Por, pavarësisht nga ajo se çfarë mund të gjendet më vonë, nëpër arkiva, mund të thuhet se studiuesi Zogaj e ka verifikuar hipotezën, sipas së cilës aleanca e Shqipërisë me Jugosllavinë e viteve 1945-1948 ka pas përmasë të theksueshme detyrimi të diktuar nga koncepcioni i përpiluar nga krerët e udhëheqjes së atëhershme jugosllave, ku janë spikatur krerët udhëheqëse të Republikës së Serbisë, dhe të përkrahur nga disa forca udhëheqëse të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe të organeve shtetërore të Shqipërisë së atyre viteve.

Argumentimit të kësaj hipoteze i kanë kontribuar dokumentet burimore dhe ato të shpalosura në veprat e botuara më herët. Por, kuptohet, kontributi i këtyre burimeve ka qenë i përmasave të ndryshme, ndër të cilat më së paku argumentimit të kësaj hipoteze i kanë kontribuar burimet e shtypit ditor të Beogradit, të gazetës “Borba” në rend të parë, si edhe ato të Shqipërisë, siç ishte gazeta “Bashkimi”. Megjithatë, autori i librit, Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe çështja e Kosovës 1945-1948 edhe këtu ka bërë një punë të mirë duke vë në spikamë dallimet dhe ngjashmëritë e përmbajtjeve të tyre dhe duke vë në dijeni lexuesit se sa pak është shkruar për “diplomacinë e fshehtë”, për trazirat dhe përplasjet e brendshme të përfaqësuesve të PKSH deri në përcaktimin përfundimtar të PKSH për ndarje nga bashkëpunimi ndërmjet PKSH dhe PKJ, sepse PKSH përkrahu Rezolutën e Informbirosë dhe pikëpamjet e Stalinit për PKJ. Këto dyndje politike, trazira, përplasje dhe ndarje përfundimtare janë reflektuar rëndë në zhvillimin e shqiptarëve në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi.

Prof. Zogaj e ka quajtur studimin e bërë për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe çështjen e Kosovës, 1945-1948 “Studim sprovë”. Mendoj, se studimi më i ri i prof. Zogaj ka kaluar caqet e “studimit sprovë”, sepse është më tepër studim argumentues i marrëdhënieve të studiuara, sidomos kur merret në shqyrtim pjesa e bashkëpunimit që ka të bëjme kapitullin e katërt të emërtuar “Bashkëpunimi nën diktat, Konferenca e Paqes në Paris dhe çështja e Shqipërisë”. Fjala përmbyllëse e këtij studimi është një sintezë korrekte e përmbajtjes së gjerë të pesë kapitujve të sistematizuar në këtë studim. Parafjala e shtruar në fillim, fjala përmbyllës edhe literatura e gjerë, si edhe referencat e duhura të vëra në faqet e pesë kapitujve janë të ndërlidhura përmbajtësisht dhe formojnë një tërësi të vlefshme për historiografinë e politikologjinë shqiptare, si edhe për psikologjinë sociale.

Prishtinë, 11.11.2011 - Akademik, Pajazit Nushi

VIJON…


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks