SHKRIMI
e mërkurë, 08 korrik 2020

PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË - MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ҪËSHTJES KOMBËTARE (I)

Pashtriku, 14 Maj 2020: Ballëhapur para historisë së lavdisë

Me synim të ndriçimit objektiv, të argumentuar, të mbështetur në fakte, në kujtesën kombëtare, të historisë së lirisë së popullit të Kosovës, me theks të veçantë, të veprimtarisë së Lëvizjes së re Kombëtare (Ilegales Atdhetare Shqiptare) është realizuar intervista hulumtuese, historike me z. Mehmet Hajrizi. Mehmet Hajrizi, bën pjesë në plejadën e ideologëve, drejtuesve, të organizatave të Ilegales Atdhetare Shqiptare, të cilat vepruan pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe deri në fillim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në intervistën, e cila do të botohet në vazhdime, z. Mehmet Hajrizi shpalos me kompetencë të plotë, me argumente, vlerësime, qëndrime, konstatime, interpretime, këndvështrimin e tij, për lindjen, rritën, luftën politike, kombëtare të Ilegales Atdhetare Shqiptare, saktësisht, siç ai e emërton vetë, të Lëvizjes së re Kombëtare. Në përmbajtjen e kësaj interviste, lexuesi do ta ketë mundësinë që nga kujtesa e Mehmet Hajrizit, ta kuptojë, përmes luftëtarëve të lirisë, rrugëtimin biblik të Epopesë së qëndresës shqiptare ndaj sundimit serb/jugosllav, rezistencë e cila nëpërmjet organizatave atdhetare në ilegalitet, ishte djepi në të cilin u lind dhe u rrit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Intervista në kërkim historik dhe shkencor me z. Mehmet Hajrizi na rikujton se nuk ka asnjë veprim pa kthimin e heshtur, të urtë e objektiv te ndodhitë, ngjarjet e kaluara, asnjë vendim i cili të mos jetë i kushtëzuar nga vendimet e mëparshme dhe rezultati i tyre për lirinë e kombit, njerëzimit. Çdo brez, sërishmi e shkruan historinë e vet. Prandaj, siç del edhe nga bashkëbisedimi me z.Hajrizi, historia e Lëvizjes tonë Kombëtare, duke qenë përherë përballje kritike me të djeshmen, ajo është e hapur drejt të ardhmes. Pikërisht, siç e thoshte Johan Gustav Droysen: “Ta njohësh të kaluarën, kjo do të thotë të përthithësh kuptimin e së ardhmes dhe t’i japësh trajtë asaj.”

Mehmet Hajrizi, në përgjigjet e tij shquhet për vlerësime objektive, të drejtpërdrejta lidhur me rrugëtimin dhe rolin historik të Lëvizjes së re Kombëtare (Ilegales Atdhetare Shqiptare) në mbijetesën, ngadhënjimin e ideologjisë së lirisë, deri në çlirimin e Kosovës, shpalljen e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës. Në shprehjen e mendimeve të tij, historike, kombëtare, për një nga periudhat më të ndritura, më krenare të historisë moderne të atdhetarisë së Kosovës, imponon, saktësia, logjika e artikulimit në perceptim dhe konstatim të situatave, të rrethanave politike, në kohë dhe në hapësirë, maturia, qasja liberale, vendosmëria në vlerësime, me përpikëri e objektivitet që i qëndrojnë gjykimit të historisë.




- Mehmet Hajrizi dhe Zeqir Hajrizi -


Demonstratat e vitit 1968, paralajmëruan çlirimin e Kosovës

Pashtriku: Demonstratat e vitit 1968 në Kosovë, fuqishëm kishin karakter nacionalçlirimtar, çlirimin e Kosovës nga sundimi serb/jugosllav...?

Hajrizi:
Reforma kushtetuese e filluar më 1967 në Jugosllavi kishte ngjallur njëfarë shprese te shqiptarët se do të barazoheshin me popujt tjerë të Federatës. Do të ishte i natyrshëm avancimi i të drejtave të shqiptarëve pas rënies së satrapit Rankoviq dhe presionit të brendshëm e ndërkombëtar për liberalizimin e jetës në Jugosllavi. Kur u bë e qartë se nëpërmjet të këtij procesi juridik statusi i shqiptarëve nuk do të ndryshonte shumë, shqiptarët u ngritën në demonstratë të përgjithshme për të kërkuar në rrugë të drejtat e veta për vetëvendosje dhe republikë. Duke pasur parasysh kontekstin historik të shqiptarëve të robëruar në Kosovë e Jugosllavi, ashtu siç thatë, demonstratat e vitit 1968 kishin karakter nacionalçlirimtar.



Pashtriku: Çfarë keni pasur parasysh kur keni deklaruar se: ”Një palë e iluzionistëve, duke fetishizuar rolin e demonstratave të vitit 1968...”?

Hajrizi:
E kam thënë këtë në kontekst të trajtimit të disa iluzioneve historike. Kishte njëfarë besimi qëllimmirë, por naiv te disa iluzionistë (jo nga radhët e organizatorëve të demonstratave, por pas tyre), se kërkesat dhe vullneti i shprehur në rrugë do të realizoheshin volens-nolens, mbasi kishin dalë nga populli i revoltuar, (vox populi, vox dei). Ata i atribuonin rol të tepruar demonstratave, të cilat nuk mund ta përmbushnin, duke pasur parasysh një regjim pushtues, si ai serb e jugosllav. Në fakt as në çerek të rrugës nuk ishte realizimi i aspiratave as për republikë as për vetëvendosje. Kjo pikëpamje topitëse kishte domethënien e pritjes, sepse të drejtat e shqiptarëve kinse do të realizoheshin pa pasur nevojë për vazhdimin e veprimtarisë dhe rezistencës, por harrohej fjala e urtë e Sami Frashërit që “... t’i kërkojnë me fjalë, po të kenë edhe pushkën plot“. Zhvillimet e mëtejme e vërtetuan shpejt këtë fakt.



Pashtriku: Megjithatë, demonstratat e vitit 1968 në Kosovë, i dhanë shtytje të re emancipimit dhe vetëdijes kombëtare, kauzës për çlirim nga sundimi serb/jugosllav. Cili do të jetë vendi në historinë kombëtare i demonstratave të vitit 1968?

Hajrizi:
Demonstratat e vitit 1968 përbënin aktin historik të fillimit të rezistencës së hapur kundër regjimit pushtues në Kosovë, në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ato hapën perspektivë të re për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe për luftën e popullit shqiptar për çlirim e bashkim kombëtar.



Grupi Revolucionar i Kosovës - GRK

Pashtriku: Në cilat rrethana politike të kohës u themelua Grupi Revolucionar i Kosovës, cila ishte baza programatike e asaj organizate atdhetare, objektivat...?

Hajrizi
: Në rrethana të vështira të përndjekjes së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e cila po përpiqej të mos shuhej, të rimëkëmbej dhe të riorganizohej për të mbajtur të ndezur flakadanin e lirisë. Grupe të vogla veprimtarësh u organizuan fill pas demonstratave, njëri prej të cilëve u arrestua në përvjetorin e parë të revoltës së vitit 1968.

Disa nga këto grupe, në pranverë të vitit 1973 u lidhën midis tyre, për t’u strukturuar në organizatën e përbashkët “Grupi Revolucionar i Kosovës” (GRK).

Për të thënë shkurt, GRK u organizua, pas shkarkimit të Aleksandër Rankoviqit (1966), pas demonstratave të vitit 1968, pas viteve 1971 dhe 1972 kur veproi lëvizja “Maspok” e Kroacisë dhe e ashtuquajtura “Lëvizje Liberale” e Serbisë, para vitit 1974 të Kushtetutës së re dhe para dokumentit revanshist serbomadh të quajtur “Libri i kaltër” më 1976.

Josip Broz Tito, me kërcënimin e ushtrisë kishte arritur t’i shuante tendencat destabilizuese të klaneve kundërshtuese në Jugosllavi dhe t’i hapte rrugë reformës kushtetuese, me të cilat tërhoqi ndihma të konsiderueshme ndërkombëtare. Evropa nëpërmjet të Konferencës së Helsinkit, përpiqej të siguronte paqen e kontinentit me ruajtjen e kufijve të saj të brendshëm, por edhe në plan ndërkombëtar kishte një shtendosje të përgjithshme. Jugosllavia kishte stabilitet të brendshëm dhe përpiqej të bëhej madje faktor i rëndësishëm i paqes ndërkombëtare, sidomos nëpërmjet të njëfarë organizimi të vendeve të ashtuquajtura të paangazhuara.

Ishte fillimi i hapjes ndaj Shqipërisë, me ç’rast u lidhën sidomos midis saj dhe Kosovës marrëdhënie kulturore, arsimore dhe tregtare. Në Kosovë, ndonëse nën kontroll dhe censurë, po hynte literaturë letrare, artistike, shkencore e historike nga Shqipëria. Valët dhe sinjali i Radiotelevizionit Shqiptar, arrinin deri në skajet e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi. Pedagogë të Universitetit Shtetëror të Tiranës mbanin ligjërata në Prishtinë, duke ndikuar në formimin kombëtar dhe intelektual të studentëve tanë. Në saje të literaturës së bollshme të lejuar dhe të ndaluar, brezi i ri i Lëvizjes Kombëtare kishte kushte shumë më të mira nga ata paraprakë për formim teorik dhe politik e kombëtar.

Që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, programi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nuk kishte ndryshuar në esencë; bashkimi dhe uniteti i tokave dhe i popullit shqiptar vazhdonte aktualitetin. Ky ishte objektivi historik edhe i GRK-së. Rruga drejt qëllimit të organizatës dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi, nuk parashihej si proces evolutiv, por revolucion nacionalçlirimtar.

Formimi i Grupit Revolucionar të Kosovës

Pashtriku: Si e vlerësonit, në udhëheqjen e Lëvizjes Atdhetare Shqiptare bashkëpunimin mbarëkombëtar midis Shqipërisë dhe Kosovës, gjithnjë në dritën e programit politik të Lëvizjes Kombëtare, por edhe të rrethanave të atëhershme ndërkombëtare ?

Hajrizi:
Duke qenë se aspiratë historike e kombit tonë ishte rrënimi i murit shqiptaro-shqiptar, hapja qoftë edhe e reduktuar e kufirit, konsiderohej fillimi fundit të këtij muri ndarës. Me gjithë se nga ky bashkëpunim pritjet jugosllave ishin krejt të kundërta me ato shqiptare, rezultatet në plan kombëtar shqiptar e lanë krejt nën hije ndikimin e pretenduar jugosllav në Shqipëri.

Pashtriku: Më 1973, në Prishtinë u formua Grupi Revolucionar i Kosovës (GRK)...

Hajrizi:
Nga përfaqësues të zgjedhur të disa celulave a grupeve të vogla, të cilat kishin vepruar më vete deri atëherë, u formua organizata, Grupi Revolucionar i Kosovës (GRK). Themelimi u bë në mars të vitit 1973, në Prishtinë (mund të jetë data 3, e shtuna e parë). Masa të veçanta sigurie nuk u ndërmorën, sepse shtëpia ku mbahej mbledhja rrethohej nga të tjera të së njëjtës familje dhe kishte mundësi tërheqjeje në rast të rrethimit policor. Mbledhja zgjati tërë natën dhe rezultoi me formimin e organizatës, e cila tashmë kishte anëtarësi prej disa dhjetëra veprimtarësh.

Organ udhëheqës i saj ishte Komiteti Drejtues, i përbërë prej pesë veprimtarëve,

- Kadri Osmani,

- Mehmet Hajrizi,

- Xhafer Shatri,

- Binak Ulaj dhe

- Feriz Seferaj.


Në krye të organizatës ishte Kadri Osmani për një vit (1973-1974) dhe pastaj Mehmet Hajrizi, tetë vjet (1974-1982). Anëtarë të Komitetit Drejtues nëpër vite, përveç atyre që u përmendën në fillim ishin edhe: Gani Sylaj, Hydajet Hyseni, Kadri Zeka, Jakup Krasniqi, Berat Luzha, Nezir Myrtaj, Bejtullah Tahiri, Basri Musmurati etj.

Ditën e themelimit u vendos që organizata ta ketë organin e vet të shtypit, të hartojë dhe të shpërndajë në vijimësi trakte politike ndër qytetarët, t’i zgjerojë dhe konsolidojë radhët e veta dhe të formojë Komitetin e Studentëve e komitetet lokale në të gjitha trojet e pushtuara shqiptare nën Jugosllavi. Komiteti i Studentëve u formua më 4 maj 1974. Në udhëheqje të tij ishte zgjedhur Xhafer Shatri, kurse zëvendës, Rexhep Malaj. Anëtarë të tjerë themelues të Komitetit të Studentëve ishin Gani Sylaj, Hydajet Hyseni dhe Ilmi Ramadani.


- VIJON -


(Ilustrimet © Pashtriku.org )


________________________


PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË - MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ҪËSHTJES KOMBËTARE (II)

http://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10040


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks