IKËN KATËR PERSONALITETET E MËDHA SHQIPTARE TË GJYSMËS SË DYTË TË SHEKULLIT XX DHE TË FILLIMIT TË SHEKULLIT XXI
I shenjtë është viti 1936 për shqiptarët, që katër viganë lindën në këtë kohë

Nga Isuf Bytyçi, Munih – maj 2026
Adem Demaçi, Bekim Fehmiu, Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja, katër personalitete të fuqishme të fushave të ndryshme, ikën për të mos u kthyer kurrë në mesin tonë. Por, unë dhe e tërë gjenerata jonë, që kemi jetuar në kohën e tyre, jemi krenarë dhe të lumtur. Këto katër personalitete të larta kombëtare e njerëzore, u rritën dhe u ngritën në kohë të vështira, që tani shkuan fizikisht. Por, thellë në zemrat dhe mendjet tona kanë mbetur, që sa të jetë jeta nuk do t’i harrojmë, por gjithmonë do t’i kujtojmë.

ADEM DEMAÇI
Adem Demaçi u lind në Prishtinë, më 26 shkurt të vitit 1936. Me prejardhje ishte nga fshati Lupq i Podujevës.
Në kohën që u lind dhe u rrit ishin rrethana tejet të varfëra, për shqiptarët e okupuar të asaj kohe. Më 1942, me dëshirën e Ademit dhe këmbënguljen e nënës së tij, babai arriti ta regjistronte atë në shkollë, gjatë pushtimit italian.
Demaçi është ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë, të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ishte bërë i njohur qysh në fëmijëri si zë revoltues në bankat e shkollës. Qyshse si i ri baca Adem, me guxim dhe vendosmëri të dënonte padrejtësitë e shumta të regjimit, mbi shqiptarët.
Në vitin 1958 është dënuar 5 vjet me burg, për shkak të shkrimeve dhe bindjeve të tij, politike e atdhetare. Në vitin 1963 ka themeluar në Prishtinë organizatën e quajtur “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me program unik kombëtar të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo Lëvizje kishte arritur të zgjerohej në shumë qendra të Kosovës, por edhe në trojet e tjera shqiptare nën pushtimin Jugosllav.
Edhe në vitin 1975, regjimi jugosllav e kishte dënuar me 15 vjet burg. Demaçi i ka mbajtur 28 vjet burg, disa prej tyre në qeli i vetmuar. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Europian me Çmimin “Saharov”.
Gjatë periudhës 1998-1999, ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së, në zyrën e tij, në Prishtinë.
Pas luftës ishte tejet aktiv në jetën qytetare, por nuk iu dha ndonjë pozitë zyrtare, në Shtetin e sapokrijuar të Kosovës.
Demaçi ishte autor i disa librave: „Fërkime“, „Gjarpijtë e gjakut“, „Libër për Vet Mohimin“, „Heli e Mimoza“,“ Nëna Shegë e pesë gocat“, „Shkrumbnajë e dashur“, „Dashuria Kuantike e Filanit“, „Alb Prometeu“, „Politika dhe Pushka“ dhe „Tung vargu im“.
Zë vend ndër figurat më të mëdha shqiptare e, hero i shekullit 20 – 21 i çështjes kombëtare.
Adem Demaçi ka vdekur më 26 korrik të vitit 2018.

BEKIM FEHMIU
Bekim Fehmiu ishte një aktor i shquar shqiptar nga Kosova, i cili arriti famë ndërkombëtare si një nga yjet më të mëdhenj të kinemasë jugosllave dhe si aktori i parë nga Europa Lindore, që luajti në Holywd gjatë Luftës së Ftohtë. U lind më 01 qershor të vitit 1936 në Sarajevë, në një familje shqiptare me origjinë nga Gjakova. Familja e tij u zhvendos në Shkodër për tre vjet dhe më pas u kthye në Prizren, ku ai kaloi fëmijërinë. Pas përfundimit të shkollës së mesme, u bë anëtar i Teatrit Popullor të Prishtinës, i vetmi teatër profesional në gjuhën shqipe në Jugosllavi. Në vitin 1960, u diplomua në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd.
Karrierën e tij e filloi në Teatrin dramatik jugosllav në Beograd, por e la atë në vitin 1967 për të ndjekur një karrierë të pavarur. Fitoi famë ndërkombëtare me rolin e tij në filmin “Mbledhësit e puplave“ në vitin“ 1967, i cili fitoi dy çmime në Festivalin e Kanës dhe u nominua për një Oscar. Në vitin 1968, luajti rolin e Odiseut në mini-serialin italian “L’Odissea“, që e bëri atë një ikonë në Europë.
Vazhdoi të luante në filma europianë dhe në teatër, duke përfshirë rolet në “Salon Kitty” (1976) dhe “Black Sunday” (1977) .
Në vitin 1987, në shenjë proteste ndaj trajtimit të shqiptarëve të Kosovës nga qeveria jugosllave, ai u largua nga skena gjatë një shfaqjeje në Teatrin Dramatik Jugosllav dhe më pas u tërhoq nga aktrimi.
Ai jetonte me familjen në Beograd dhe më 15 qershor të vitit 2010, u gjet i vdekur në apartamentin e tij. Trupi i tij u dogj dhe hiri u shpërnda në lumin Bistrica në Prizren, në qytetin e tij të fëmijërisë.
Bekim Fehmiu mbetet një figurë e rëndësishme në historinë e kinemasë jugosllave dhe shqiptare. Ai ishte një nga aktorët e parë shqiptarë që arriti sukses ndërkombëtar dhe konsiderohet si një pionier në thyerjen e barrierave kulturore dhe gjuhësore në artin e aktrimit.

ISMAIL KADARE
U lind më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor, zv. kryetar i “Frontit Demokratik” dhe autor i më shumë se 50 veprave. Si shkrimtar shquhet kryesisht në prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Filloi të shkruajë si i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë. Vepra e Kadaresë është përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës, duke qenë kështu përfaqësuesi më i madh i letërsisë shqipe në botë.
Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve: Çmimin “Man Booker International“, më 2005, çmimin “Princesa de Asturias”, për Artet (2009) dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015.
Në vitet ’50 dhe në fillim të viteve ’60 u njoh si poet, kurse nga vitet ’60 edhe si prozator. Gjenerata e re që u dallua me krijimtari artistike në Tiranë ishin: Kadare, Agolli dhe Arapi.
Në vitin 1963 e botoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që në këtë rast shihet talenti i Kadaresë dhe aty e mbrapa, arriti majat e krijimtarisë artistike.
Pastaj shkroi romanet “Kështjella” (1970) dhe “Kronikë në gur” (1971), të cilat u botuan në Francë njëra pas tjetrës. Ne vitin 1975 çoi për botim poemën “Pashallarët e kuq”, gjë që botimi i saj u pezullua nga redaksia.
Në vjeshtën e vitit 1980 vizitoi Kosovën, më rastin e botimit të parë të kompletit të veprave të tij në Prishtinë. U prit institucionalisht me nderime dhe pati takime të shumta me lexues e intelektualë të Kosovës dhe u njoh me preokupimet e shqiptarëve.
Duke e akuzuar si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut dhe përmbajtja e romanit “Pallati i ëndrrave”, qe gati për t’u dënuar, por i shpëtoi arrestimit për shkak të njohjes ndërkombëtare.
Romani i radhës “Nata me hënë” i dalë në fillim të 1985, u ndalua, që të nesërmën e vdekjes së Enver Hoxhës! Më 10 prill, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste organizuan një mbledhje për ta dënuar romanin e fundit të tij.
Në vitin 1986 botoi romanin “Krushqit janë të ngrirë”, që fliste për dhunën dhe terrorin që përdorte pushteti serb kundër shqiptarëve në Kosovë. Romani ishte frymëzuar nga demonstratat e shqiptarëve të Kosovës të vitit 1981. Kurse në vitin 1988 u bë anëtar i Institutit Francez. Në vitin 1989 ishte në listën e 12 të ftuarve personalë, të presidentit francez François Miterrand në kremtimin e 200 vjetorit të Revolucionit francez. Atje Kadare u takua me personalitete të kulturës dhe të politikës, mes të cilëve dhe me presidentin e Jugosllavisë, sllovenin Janez Dërnovshek, me të cilin bisedoi për çështjen e Kosovës.
Me rënien e sistemit komunist, Kadare dha këshillën Se: “ Vetëm duke pranuar dhe korrigjuar gabimet e mëparme mund të ecte Shqipëria përpara”. Në shkurt të vitit 1990 kërkoi një takim me Ramiz Alinë, ku i kërkoi t’i respektonte të drejtat e njeriut, të zbatonte reforma demokratike, reforma ekonomike dhe të hapej ndaj botës së jashtme.
Në fund të tetorit të vitit 1990 u lejua të ikte për mjekim në Francë, me vizë të rregullt për gjithë familjen e tij. Mërgimi i tij në Paris qe i frytshëm dhe i mundësoi sukses të mëtejshëm, si në shqip ashtu edhe në frëngjisht.
Në vitet ’90, Kadare loboi për Kosovën dhe përkrahu bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.
Në vitin 1996 u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. U bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe nga viti 2018 u bë anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Malit të Zi.
Ismail Kadarer vdiq më 01 korrik të vitit 2024.

REXHEP QOSJA
Akademik Rexhep Qosja, u lind më 25 Qershor të vitit 1936 në fshatin Vuthaj. Historian i letërsisë, kritik letrar, prozator, dramaturg, filozof, ideolog i çështjes kombëtare, autor i më shumë se 30 veprave, për më tepër se 50 vjet është aktiv në letërsi dhe çëshjen shqiptare.
Vepra e tij, kryesisht, është e orientuar në historinë e letërsisë shqiptare. Ai është marrë edhe me letërsinë bashkëkohore dhe, pasi që poezia e sotme shqipe është pjesë përbërëse e letërsisë së sotme shqipe, unë e kam pasur temën e diplomës në fakultet, „Mendimi kritik i Rexhep Qosjes për poezinë e sotme shqipe“, që mentor ishte prof. dr. Agim Vinca, që e kam botuar në mediet elektronike dhe në librin tim me ese „Autorë dhe vepra“.
Pasi i kreu studimet për Letërsisë Shqiptare në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, u pranua asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 specializoi për letërsi në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoraturës me temën “Asdreni, jeta dhe vepra e tij“. Pas doktorimit, u zgjodh bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor inordinar e profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare Jeta e Re.
Në dhjetëvjeçarin, para Luftës së Kosovës mori emër si figurë e realitetit kombëtar shqiptar. Në vitin 1998 themeloi Lëvizjen Demokratike të Bashkuar (LDB). Në këtë cilësi mori pjesë në bisedimet në Rambuje të Francës, në shkurtin e vitit 1999 si anëtar i delegacionit shqiptar.
Është autor i veprave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane, drama, publicistikë e polemikë. Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë tjera.
Në vitin 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës, botoi kompletin e veprave në 29 vëllime.Ka botuar disa romane: „Vdekja më vjen prej syve të tillë“, „Një dashuri dhe shtatë faje“, „Nata është dita jonë“, „Bijtë e askujt“ dhe „Të fshehtat e treguara“ , ka shkruar dramat, nën titullin e përbashkët “Mite të zhveshura”; „Beselam pse më flijojnë“, „Sfinga e gjallë“, „Vdekja e një mbretëreshe“ e shumë vepra tjera.
Përveçse në Prishtinë, romani „Vdekja më vjen prej syve të tillë“ është botuar në vitin 1987 edhe në Tiranë, me inisiativë të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili kishte lexuar botimin e Shtëpisë Botuese “Rilindja” të Prishtinës dhe e kishte pëlqyer. Më vonë Kadare e rekomandoi edhe në Francë dhe ai u botua atje, në vitin 1994 me parathënie të Kadaresë.
Eseja „Çështja Shqiptare“ u përkthye dhe u botua në Francë nga shtëpia botuese „Fayard“.
Në këtë vepër të përkthyer në frëngjisht, Qosja do të deklaronte: „Perandoria Osmane ka ngritur mur në mes tëshqiptarëve dhe Europës. Në radhë të parë me ideologjinë fetare islame“.
Në mes të Qosjes dhe Kadaresë u zhvillua një debat i ashpër mbi identitetin kombëtar. Qendra e mendimit të Qosjes është se identiteti mbarëshqiptar ka elemente të të dya qytetërimeve, të atij perëndimor dhe atij lindor. Kurse Kadareja, shkruan se identiteti ynë është vetëm europian dhe duhet t’u kthehemi rrënjëve, në fenë katolike. Mendoj që këtu s’ka gjë të keqe dhe që të dytë kanë të drejtë: „Jemi një komb me dy kultura e dy fe, europiane dhe aziatike“ R. Q. Dhe: „duhet t‘u kthehemi rrënjëve, në fenë e të parëve katolike, të Gjergj Kastriotit dhe të Europes“ I. K. Rexhep Qosja, për krijimtari letrare mori Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969, dhe me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, në vitin 1972.
Në vitin 2000, kryetari i Republikës së Shqipërisë Rexhep Mejdani i dha çmimin “Nderi i Kombit” edhe shumë çmime mori, profesori. Porosia e tij ishte e shkurtë dhe e qartë:
„Kombi ynë ka vetëm një betejë themelore, të mbërrijë te vetvetja e plotë“.
Rexhep Qosja vdiq më 23 prill 2026 në Prishtinë dhe u varros pa ceremoni fetare e mortore.