Mehmet Hajrizi: Shenime për veprimtarinë e Fehmi Plakut, Halil Malajt, Haqif Krasniqit, Nexhmedin Ahmetajt, Shaqir Selajt, Niazi Idrizit, Sheqir Zenelit dhe Xhevat Ajvazit (59)

Pashtriku, 3 korrik 2020:
7.22 Fehmi Plaku
U lind më 10.5.1959 në fshatin Nikoc të Drenasit.
Ka mbaruar shkollën e mesme dhe ka studiuar në Fakultetin Xehetari-Metalurgji (1977/1980) dhe me korrespodencë (1980/81) në Fakultetin Filologjik, dega Letërsi dhe Gjuhë në Universitetin e Prishtinës.
Anëtar i GMLK-së është bërë në prill të vitit 1979, me propozimin e mësuesit dhe shokut të tij shumë të respektuar, Gani Sylës. Detyra kryesore e tij në fillim të anëtarësimit ishte ngritja teorike e politike dhe përgatitja kombëtare për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë
.
Takimet me Ganiun kanë zgjatur deri në fundin e vitit 1979, kur ai arrestohet, për të vazhduar me Azem Sylën dhe Jakup Krasniqin. Në vitin 1980, ai bashkë me Jakup Krasniqin dhe Hysni Hotin formojnë një celulë tjetër në gjirin e klasës punëtore në Obiliq (sot Kastriot). Ai, sikur edhe shokët e tij kishte vepruar për rritjen e vetëdijes te masat popullore për të shpërthyer në kryengritje të përgjithshme kundër Serbisë, për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Në pranverën vitit 1981 shpërthejnë demonstratat. Pas këtyre demonstratave, për shkak të pjesëmarrjes në to, arrestohet Jakup Krasniqi e Hysni Hoti. Në lidhje mbetet me Azem Sylën dhe ndaras me Ismail Sylën, por në fund të vitit 1981, arrestohet edhe Azem Syla. Në fillim të vitit, më 3 janar 1982 arrestohet edhe Fehmiu dhe dënohet me pesë vjet burg.
Pas shpalljes së “Tezave për Frontin e Republikës” më 1981, Fehmiu dhe bashkëveprimtarët e tij në rrethinë kishin përgatitur kandidatë dhe simpatizantë të Frontit, si një organizatë e gjerë masash e Lëvizjes Kombëtare, si Musli Haxhiu, drejtor i Shkollës së Mesme “Skënderbeu” në Gllogoc, një nga propaganduesit e zjarrtë të çështjes kombëtare, Ramadan Elshani, drejtor i energjetikës në Gllogoc, Hajdin Morina, magjistër i letërsisë dhe gjuhës shqipe, Kadri Gashi, profesor i letërsisë, Mustafë Hoxha, profesor i letërsisë, Hysni Sylaj, Naser Zymberi, Faik Veseli, Ilaz Plaku, punëdrejtues në ndërmarrjen “Ramiz Sadiku“, Habib Plaku, punëtor, Maksut Plaku, punëtor, Bislim Plaku, arsimtar, Elmije Plaku, profesoreshë e letërsisë dhe drejtoreshë e Shkollës Fillore, gjatë luftës komandante për moral në UÇK, Milaim Plaku, punëtor, Rashit Plaku, ish i burgosur politik (1952-1962), Qazim Ibriqi, arsimtar, Vahide Ibriqi, profesoreshë në Gjimnazin “Skënderbeu”, Nurije Miftari, profesoreshë, Fatime Konjufca, profesoreshë, Hatixhe …, studente, Zymrije …, studente, Sinan Hajdari, punëtor, Tahir Lastrani, punëtor, Islam Miftari, mjek dhe profesor i letërsisë, Sabit Tahiri, inxhinier, Sanije Tahiri, studente, Florije Muçaku, Hamdi Syla, student, Tafil Syla, bujk, Enver Gara, profesor, Ragip Gjoshi, profesor dhe drejtor i shkollës fillore, Enver Dugolli, nxënës, tash toger në TMK, Naser Dugolli, punëtor, Adil Dugolli, mësues i vjetër, Elez Qerimi, pleqnar dhe orator popullor, Shukrije Koci, magjistër, Arsim Haxhiu, specialist i sëmundjeve interne, Nexhmedin Haxhiu, profesor etj. Me këta njerëz, janë shkëmbyer, jo vetëm mendime e ide rreth organizimit të Frontit, por edhe shumë vepra e literaturë e ndaluar.
7.23 Xhevat Ajvazi (1947-1991)
U lind më 7.4. 1947 në Konçul të Bujanocit. Në Preshevë mbaroi gjimnazin, kurse Shkollën e Lartë Pedagogjike, dega Biologji-Kimi, në Shkup.
Punoi si arsimtar në Gjilan, ku u shqua si pedagog i respektueshëm.
Nga torturat çnjerëzore që kishte përjetuar në burgjet jugosllave, iu dëmtua rëndë boshti kurrizor, prandaj vdiq më 26 maj 1991 në moshën 44 vjeçare, duke lënë pas gruan dhe katër fëmijët.
Familja e Xhevatit kishte prejardhjen nga Ostrogallava e Leskocit, prej nga e kishte ndjekur me dhunë regjimi pushtues serb më 1887, duke vrarë disa anëtarë të saj. Pasi ishte vendosur një kohë në Konçul, pas LDB babai i Xhevatit, Sadiku e shpërngul përsëri familjen për të gjetur strehë në Vaksincë të Kumanovës, kurse në vitet ’60 të shekullit të kaluar kthehet sërish në Bujanoc, kësaj radhe në fshatin Bilaç.
Gjatë studimeve Xhevati, mori pjesë në demonstratën e Tetovës më 1968, kurse në Gjilan, si arsimtar zgjeroi rrethin shoqëror dhe filloi jetën prej militanti të organizuar të çështjes kombëtare në radhët e GRK-së. Xhevati bashkëveproi në celula me veprimtarët, Rexhep Malaj, Ilmi Ramadani, Basri Musmurati, Reshat Avdiu, Avni Dehari, Bajram Aliu, Hydajet Hyseni, Shaip Ismaili, Nazmi Hoxha, Shemsedin Hoxha, Naim Salihu etj. Si veprimtar i palodhshëm dhe organizator i kujdesshëm, Xhevati edukonte brezat e rinj të Lëvizjes me literaturë të shumtë ilegale, por edhe në aksione konkrete, duke ngritur në greva arsimtarët, duke shpërndarë trakte, sidomos në rajonin i Preshevës e Bujanocit, siç ishte trakti me rastin e fillimit të demonstratave të mëdha në Kosovë më 1981, duke siguruar mjete teknike dhe armë për Organizatën etj.
Në kryengritjen e vitit 1981, Xhevati ishte në krye të detyrës, por pas shuarjes së saj me gjak, regjimi ndërmori fushatë pas fushate për arrestimin e veprimtarëve të Lëvizjes, duke kapur edhe Xhevatin me shokë për ta dënuar me gjashtë vjet burg. Gjatë hetimeve dhe nëpër kazamate, ai nuk ngurronte t’ua thoshte troç autoriteteve pushtuese dhe hetuesve mizorë pikëpamjet e veta, të cilët hakmerreshin mbi trupin e tij.

7.24 Sheqir Zeneli

Është lindur më 1946 në Prapashticë të Prishtinës.
Ka mbaruar Shkollën Normale dhe Fakultetin e Filologjisë, dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare.
Ka punuar në arsim, në Dabishevc e Gllogovicë, në Gjimnazin e Gjilanit, në Gjimnazin e Ferizajt, në Fushë-Kosovë, në Shkollën Teknike në Prishtnë dhe në Radion “Kosova e Lirë”.
Është i martuar dhe ka tre fëmijë.
Jeton në Prishtinë.
Normalja e Prishtinës, që ishte çerdhe e atdhetarizmit, veçanërisht ligjëratat e profesorëve Rexhep Hoxha e Hazir Shala, bënë ndikim të fuqishën në formimin e personalitetit dhe në ngritjen e edukimin patriotik të Sheqirit të ri.
Gjatë ushtrimit të profesionit prej mësimdhënësi, ai u njoh për së afërmi me Meriman Brahën, Ahmet Qeriqin dhe më vonë me Nezir Myrtën, i cili po vepronte i organizuar në radhët e GMLK-së. Nëpërmjet Nezirit u njoh edhe me veprimtarin tjetër të organizuar, kolegun e tij të fizikës, Xhevdet Sylën, me të cilët u bashkua në celulë të organizuar. Nezir Myrtaj, udhëheqësi i celulës, por edhe udhëheqësi shpirtëror i Sheqirit, i furnizonte ata me literaturë të ndaluar dhe me shtypin klandestin të Organizatës.
Në zbatim të porosive të Komitetit Drejtues për zgjerimin e radhëve të organizuara, Sheqiri kishte punuar sidomos me Mustafë Hajdinin (1936) nga Majanci, punëtor depoist, i cili kishte marrë pjesë në disa aksione dhe e kishte ndihmuar Organizatën, me Zenel Zenelin (1942) nga Prapashtica, xehetar, i cili kishte shpërndarë trakte në Minierën e Kishnicës dhe propagandonte gjerësisht idetë e lirisë, me Ahmet Osmanin (1961), mësues nga Besia, që me guxim shpërndante shtypin klandestin dhe me Qazim Gashin (1958), nga Hajkobilla, shofer në Minierën e Hajvalisë, propagandist dhe ndihmës i Organizatës.
Në demonstratat e vitit 1981 mori pjesë bashkë me nxënësit e tij.
Ai ishte duke përfunduar pranimin e kandidatëve në Organizatë të kolegëve të tij të punës, si Remzije Hyseni, Meriman Braha, Ahmet Qeriqi, Selami Reçica dhe Sylë Tahirsylaj, por ia pamundësuan arrestimet e fundvitit 1981.
Më 18 dhjetor 1981 arrestohet dhe dënohet me katër vjet heqje lirie.
Pas lirimit nga burgu e ka vazhduar veprimtarinë atdhetare në LPK dhe në LDK.
Në vitin 1999 bashkë me Nezir Myrtën shkon në malet e Berishës dhe vepron në Radion “Kosova e Lirë”.

7.25 Niazi Idrizi

I lindur më 9.6.1959 në Zhegër të Gjilanit.
Ka mbaruar Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë dhe ka magjistruar në Fakultetin Ekonomik, është magjistër i menaxhimit.
I martuar, baba i dy fëmijëve.
Aktualisht është menaxher i marketingut në gazetën e përditshme “Infopress”.
Jeton në Prishtinë
Si fëmijë dhe i ri është edukuar në gjirin e familjes, e cila ka traditë të bujshme patriotike. I ati, Shefkiu ishte njëri nga njëzet e katër fëmijët e Idriz Seferit, udhëheqës e drejtues i operacioneve në kryengritjet e mëdha shqiptare të viteve 1910 – 1912 për liri e pavarësi të Shqipërisë, kurse e ëma, Fatimja ishte bija e Sallah Depcës, liridashës nga një shtëpi e njohur për bujari në tërë malësinë e Karadakut.
Tek ai kishte ndikuar edhe Kadri Zeka e familja e tij, me të cilën kishte lidhje miqësie familjare, por edhe qëndresa e Adem Demaçit në burgjet jugosllave.
Veprimtarinë e organizuar e ka filluar më 1978, duke vepruar me anëtarë të Organizatës, si Nazmi Hoxha, Xhymshit Osmani, Farush Mjaku, Hysen Demelezi,Tahir Lubishtani, Atip Sela nga Dibra e Maqedonisë. Ndërkaq po punonte edhe me disa kandidatë në përgatitje për anëtarësim, si Sokol Goqi, Hevzi Ramadani, Emrush Limani, Sabri Rexhepi, Ymer Avdiu, Nuhi Ismajli, Hajredin Hajdini (Strugë), Mefit Rizvani (Strugë), Skënder Halimi, Nexhmie Limani dhe Nehat Baftiu (Komogllavë).
Në celula shpërndahej literaturë e ndaluar patriotike e kohës. Ato vepronin për krijim të rrjetit të organizimit në të gjithë hapësirën shqiptare, siguronin armatim dhe e shpërndanin te njerëzit e besueshëm, angazhoheshin për themelimin e grupeve letrare, dramatike, sportive etj. të orientuara për rezistencë dhe ndihmonin materialisht familjet e veprimtarëve të burgosur.
Mori pjesë dhe qe ndër organizatorët e demonstratave të pranverës shqiptare të vitit 1981. Në këto demonstrata si shumë të tjerë lëndohet rëndë nga policia dhe arrin t’i shmanget arrestimit me ndihmën e mjekëve të cilët e shëruan fshehtas.
Është arrestuar më 25. 2. 1982 dhe është dënuar me 7 vjet burg.
Pas lirimit nga burgu ishte pjesëmarrës aktiv në pajtimin e gjaqeve në rajonin e Gjilanit. Në periudhën kohore 1988-1990 zhvilloi dhe koordinoi aktivitetin e organizatave të protestave të përgjithshme popullore në Kosovë. Duke qenë thellësisht i bindur që nga veprimtaria ilegale se vetëm lufta e armatosur ia siguron Kosovës lirinë, lavdinë, krenarinë dhe mirëqenien kombëtare, që në fillim të viteve ‘90, së bashku me Ahmet Demirin organizoi rrjetin e fshehtë për armatosje dhe përgatitje për njësitë e armatosura. Nga arratisja (më 1995) e deri në fillim të Luftës çlirimtare të UÇK-së punoi pa ndërprerë në armatosjen e popullatës në zonat e Anamoravës, Gallapit e Karadakut. Me rastin e themelimit të Zonës së UÇK-së për Karadak (Gallap e Anamoravë), më 08.11.1998 nga Komanda e ZO të UÇK-së për Karadak, emërohet shef i Sektorit të Logjistikës dhe koordinator (zv. shef i Sektorit të Personelit) për mobilizim të kuadrit në ZO të Karadakut në Tiranë, për vullnetarët që vinin nga Perëndimi. Në Tiranë duke qenë koordinator për mobilizim të kuadrit në ZO të UÇK-së qe njëri ndër faktorët kohezivë të Zonës për unifikim dhe luftë të përbashkët të të dy shtabeve: të UÇK-së dhe të Ministrisë së Mbrojtjes të Qeverisë së Kosovës.
Nga 15. 6. 1999 e deri më 31.12.1999 ishte këshilltar i kryetarit të Këshillit Komunal të Gjilanit për çështje të pushtetit lokal.
Nga 21 qershori e deri më 19 shtator 1999 ishte anëtar i Grupit Koordinues për bashkim-integrimin dhe transformimin e Zonave të UÇK-së të Karadakut e Nerodimes në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK).
Nga 5 qershor 1999 -31 dhjetor 1999 ishte anëtar i Grupit të lartë të punues për zhvillim dhe transformim të strukturave të qeverisë së përkohshme të Kosovës.

7.26 Shaqir Sela

I lindur më 13.2.1952 në fshatin Livadhi të Strugës në Maqedoni. Ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë dhe specializimin, mjek specialist i ORL-së.
I martuar, tre fëmijë.
Jeton me familjen në Prishtinë.
Ka punuar në Klinë, Shtëpia e Shëndetit gjatë viteve 1977-1982 dhe në Prishtinë, Shtëpia e Shëndetit (1985- vijon).
Është organizuar në GMLK në nëntor 1977 dhe ka bashkëvepruar në celula me anëtarët, Azem Syla, Kizharekë, Gani Veseli, Klinë, Mehmet Kryeziu, arsimtar ( 1951), Bubavec.
Ka përgatitur si kandidatë për anëtarësim, por nuk arriti për shkak të arrestimit, Haxhi Shalën (1958), Laborant, Mleqan, Asllan Krasniqin (1949), historian, magjistër, Llashkadrenoc, Hamit Krasniqin (1949), Gjeograf, Ramadan Krasniqin, Klinë, Martin Berishën nga Klina etj.
Është arrestuar më 1 mars 1982 për t’u dënuar me një vit e gjysmë burg.
Pas lirimit nga burgu ishte i angazhuar në Komisionin e shëndetësisë në Prishtinë (1990-1994), në LBD etj.
Pas luftës ishte i angazhuar në strukturat e UNMIK-ut për shëndetësinë, para formimit të Departamentit të Shëndetësisë.
Ka shkruar disa artikuj publicistikë

7.27 Nexhmedin Ahmetaj

Nexhmedin Ahmetaj u lind më 15.5.1947, në fshatin Hogosht të Dardanës.
Më 1969 shpërngulet në Gjilan. Nga viti 1992 jeton në Zvicër.
Ka mbaruar shkollimin tetëvjeçar.
I martuar dhe baba i katër fëmijëve.
I papunë për shkaqe shëndetësore.
Në moshë të njomë ka emigruar në vende të ndryshme të ish-Jugosllavisë (Beograd, Vojvodinë e Kroaci) për të siguruar mbijetesën e vet dhe të familjes me punët e rënda fizike që bënte.
Në Gjilan shkëmbenin vizita me familjen e Rexhep Malajt, ku për herë të parë dëgjon Radio Tiranën. Rexhep Malaj, kthente shpesh te babai i Nexhmedinit, Hajrushi i cili i strehonte në shtëpi materiale, teknikë dhe literaturë ilegale.
Me Rexhep Malën më 1972 shkojnë për punë në Split ku qëndrojnë bashkë rreth një muaj. Nexhmedini përfiton shumë nga Rexhepi në edukimin e tij patriotik. Me t’u ndarë, Rexhepi i kishte dhuruar një transistor duke i thënë: “Po ta jap këtë transistor me kusht që ta dëgjosh Radio Tiranën. Ti duke dëgjuar atë e mëson të vërtetën”.
Më 1978 në Zvicër takohet me Hasan Malajn, më të cilin mbante lidhje, kurse më 1980 fillon të bashkëveprojë me të dhe me Kadri Zekën në radhët e Organizatës. Në banesë të Kadri Zekës, në tetor të vitit 1980 bën betimin para flamurit kombëtar.
Pak më vonë, në banesën e Kadri Zekës është shtypur numri i parë i gazetës “Liria”, të cilën financiarisht e kanë mbështetur ai, Kadri Zeka, Hasan Malaj, Halil Malaj dhe Kadri Abdullahu. Gazeta është shpërndarë më tutje ndër mërgimtarë nga anëtarët e lëvizjes: Nexhmedin Ahmetaj, Hasan Malaj, Halil Malaj, Ramiz Avdyli, Shaban Klaiqi, Kadri Avdullahu, Zija Shemsiu, Haqif Krasniqi e Zejdi Ismajli.
Ai merr pjesë në të gjitha demonstratat e organizuara nga mërgata pas Kryengritjes në Kosovë më 1981. Ahmeti shumë herë vinte fshehurazi në Kosovë, për të mbajtur lidhjet me shokët, për të sjellë “Liria”-n dhe materiale të tjera, të cilat kryesisht ia dorëzonte Mehmet Malajt, babait të Hasanit dhe Rexhepit. Më 1981 bashkë me Nexhat Kamberin sjellin në Kosovë një shaptilograf të cilin fillimisht e kishin lënë në Bujanoc te miku i tyre, Bajram Avdiu. Nga aty babai i tij, Hajrush Ahmeti, e sjell në shtëpinë e vet dhe ua dorëzon Selim Ahmetit e Taip Zekës.
Në dhjetor të vitit 1981 me Hasan Ahmetin, nga Zvicra në Kosovë e sjellin një makinë shtypi të cilën ia dorëzojnë, si gjithnjë Mehmet Malajt në bazën e tij.
Në mars të vitit 1982 sjell nga Zvicra disa pasaporta të falsifikuara, për Rafi Halilin dhe shokët e tij në Tetovë, por me gjithë përpjekjet dhe kontaktin me dajë Shabanin e Rafiut në Gjepqisht, nuk arrin t’ua dorëzojë, sepse kishin humbur lidhjet.
Nexhmedini kishte kontribuuar shumë bashkë me veprimtarët Sami Kurteshi, Zejdi Ismajli, Vehmi Kastrati, Ramiz Avdyli, Kadri Avdullahu, Zija Shemsiu, Halil e Hasan Malaj dhe Xhafer Shatri për ndarjen e klubeve shqiptare nga tutela e ambasadave jugosllave.
Më 1 tetor 1983 shkon në Kosovë për të dërguar materiale për Rexhep Malajn, që ishte liruar nga burgu, por nuk mundi të kthehet sepse më 10 tetor e arrestuan dhe e dënuan me tri vite burg.
Pas lirimit nga burgu sëmuret dhe më 1992 shkon në Zvicër të gjejë shërim.
Atje u anëtarësua në Shoqatën e të Burgosurve Politikë dhe më pas e ka ndihmuar fondin “Vendlindja thërret”.

7.28 Haqif Krasniqi

Është i lindur më 12. 12.1942 në fshatin Dajlovc të Dardanës.
Jeton në Gjilan.
Ka shkollimin fillor, punëtor.
Që nga viti 1968 njihej me familjen Malaj, prandaj mbante kontakte të vazhdueshme me Hasanin dhe më vonë me Rexhepin, për të cilin e dinte se vepronte i organizuar, prandaj e ndihmonte ku arrinte.
Më 1978 shkon në Zvicër ku aktivizohet në organizimin e atjeshëm të drejtuar nga Kadri Zeka, Hasan Malaj etj. Ka marrë pjesë në demonstrata jashtë dhe ka shpërndarë materiale propagandistike të Organizatës.
Me Rexhep Malajn shihet për të fundit herë më 1983, kur ai kaloi në ilegalitet të thellë dhe kur bashkë me Bajram Krasniqin, që gjithashtu ishte në krah të veprimtarisë së Rexhep Malajt, i kishin ndihmuar në sigurimin e një sasie të konsiderueshme armatimi. Kur policia ia kishin rrethuar shtëpinë Rexhepit për ta arrestuar, Bajrami i shkon në ndihmë, e merr në kamion dhe e dërgon të sigurt në Prishtinë.

7.29 Halil Malaj

Është i lindur në Hogosht të Daradanës në një familje me traditë patriotike.
Më 1969 ndiqte një kurs për aftësim, prandaj banonte në familjen e Mehmet Malajt në Gjilan, ku pati rastin të shoqërohet më gjatë me Rexhep Malajn, nga i cili, edhe pse ishte shumë më i ri se ai, mësoi shumë për gjendjen e Kosovës dhe nevojën për të vepruar për çlirimin e saj. Më 1970 shkon në Mynih të Gjermanisë për të qëndruar mbi tridhjetë vjet në kurbet. Nga atje sipas porosisë së Rexhepit ai për nevojat e Lëvizjes sillte shpesh në Kosovë materiale dhe literaturë të ndaluar.
Më 1974 i dërgon me makinën e vet Rexhepin dhe Ilmi Ramadanin për të shpërndarë trakte në rajonin e Dardanës.
Pas burgosjes se Rexhepit, më 1975, lidhjet me Organizatën i mban nëpërmjet Hasan Malajt.
Në vjeshtë të vitit 1977, kur kishte sjellë materiale për Organizatën, takohet në Prishtinë me anëtarin e Komitetit Drejtues, Gani Sylajn. Më vonë kishte kontakte edhe me Kadri Zekën e Hydajet Hysenin.
Pas shkuarjes së Kadri Zekës në Zvicër, Organizata në Evropë e intensifikon veprimtarinë, prandaj edhe Halil Malaj, që tashmë ishte betuar para flamurit si anëtar i saj, vepronte me gjithë forcën në celulë bashkë me Hasan Malajn dhe Kadri Abdullahun.
Me fillimin e botimit të “Liria”-s Halili ishte njëri ndër aktivistët që e sillnin atë rregullisht në Kosovë. Shtëpia e tij ishte bërë bazë e shpërndarjes së materialeve propagandistike, veprimtari kjo në të cilën gruaja e vet i ishte bërë krah i djathtë. Më vonë do të bëhen militantë të Lëvizjes edhe fëmijët e tyre, Qefserja, Salihu e Shyhretja.
Në gusht të vitit 1981, derisa ndodhej në shtëpinë e tij, vijnë policia ta arrestojnë, por me kujdesin e së shoqes, e cila kishte arritur t’i çorientonte, Halili arrin të iki dhe t’u shpëtojë prangave.
Në Mynih, gjatë punës dhe veprimtarisë së gjatë, Halili arriti të krijonte një rreth të gjerë veprimtarësh, si Rrahim Xhaviti nga Konçuli, Elezi nga Smira, Ajdini, Sadriu e Kurdiu nga Çerkezi i Kumanovës, Reshati e Hakiu nga Përlepnica, Bajram Idrizi, Shaban Hasani e Azizi nga Pograxha etj. Simpatizantë të Organizatës, nëpërmjet tij ishin: Hajrizi nga Malisheva, Idrizi nga Bukoviku, Haziri nga Përlepnica, Ramizi nga Begunca, Bajram Gashi nga Begraca, Skënderi nga Vakajt etj.
VIJON…
_________________

MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARINË E HIDAJETE OSMANI (58)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10227

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura