RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (24)

Nga Asllan Muharremi

Dokumentari “Shpëtimtari trenit”

Demonstratat e pranverës së vitit 1981, udhëheqja serbomadhe e Beogradit, i kishte marrë si pretekst jo vetëm për burgosjen e mijëra shqiptarëve, por edhe për heqjen edhe të atyre pak të drejtave dhe  lirive që shqiptarët e Kosovës i kishin fituar me mund e sakrifica të mëdha. UDB-ja serbe vazhdonte të organizonte komplote, kurthe, intriga dhe të inskenonte akte kriminale me qëllim të  mos zgjedhjes së çështjeve të shtruara nga shqiptarët dhe të mbajtjes së gjendjes nën tension të vazhdueshëm në Kosovë. Në këtë veprimtari kriminale ishin angazhuar edhe shumë serbë nga Kosova. Njerëzit e Beogradit i  sulmonin shtëpitë, varrezat, kishat  ortodokse dhe vetë banorët serbë të Kosovës me qëllim që pastaj t’i akuzonin shqiptarët  se gjoja ata qëndrojnë prapa këtyre akteve të shëmtuara dhe që kurrë nuk kanë qenë në traditën e shqiptarëve.

     Një akt i tillë kriminal është edhe dëmtimi i qëllimshëm i binarëve të hekurudhës së trenit në fshatin Mihaliq, në javën e parë të janarit 1983.

      Ishte një mëngjes i ftohtë dhe me mjegull kur babai dhe motra ime, Hanifja, ishin nisur në drejtim të Prelluzhës. Babai ishte nisur për në punë, ndërsa motra ime për  në shkollë. Sapo dalin nga fshati dhe arrijnë tek hekurudha, shohin se nëpër shinat e hekurudhës kishte kaluar një mjet i madh dhe për pasojë ishin dëmtuar shumë binarët e trenit.  Vinçi që ishte duke punuar në Hidro-Sistemin “Ibër-Lepenc” i  kishte kaluar binarët e trenit, diku rreth tridhjetë metra më larg vendkalimit dhe kështu i kishte shtrembëruar shinat në dy vende. Gjatë kalimit të hekurudhës, vinçi kishte lënë gjurmët e lëvizjes së tij mbi hekurudhë dhe nëpër ara gjer tek vendi ku ishte stacionuar. Çuditërisht, e gjithë kjo kishte ndodhur dhe vinçieri  nuk e kishte vërejtur se i kishte dëmtuar binarët e trenit!

      Sapo arrin tek hekurudha, im atë, vëren se binarët e trenit ishin dëmtuar rënd dhe se treni që do të vinte sapo të arrinte tek vendi i dëmtimit të shinave, do të dilte nga binaret e do të pasonte një katastrofë e madhe.  Im atë, e këshillon motrën time që të qëndronte aty dhe nëse sheh trenin duke ardhur, ta sinjalizonte e paralajmëronte me qëllim që treni të ndalej. I vetëdijshëm se treni i udhëtarëve nga Mitrovica në drejtim të Fushë Kosovës, duhej të kalonte atypari edhe 20 minutash, im atë niset me vrap në drejtim të Stacionit të Trenit  në Prelluzhë.

       Fatbardhësisht im atë arrin me kohë dhe punonjësit e Stacionit të Trenit në Druar dhe Prelluzhë, arrijnë ta ndalojnë trenin para se të nisej në drejtim të vendit ku ishin dëmtuar binarët në Mihaliq.

       Im atë ndjehej shumë krenar, që me aktin e tij human kishte arritur t’i shpëtona disa qindra jetë njerëzish. Edhe ne, e gjithë familja, ndjeheshim shumë krenar për këtë akt të tij njerëzor.

         Për tim atë dhe të gjithë ne që ishim dëshmitarë të dëmtimit të binarëve, gjithçka ishte e qartë se,  binarët ishin dëmtuar më qëllim. Gjithashtu, edhe vendi ku ishte bërë dëmtimi i binarëve ishte zgjedhur me qëllim. Aty treni do të kalonte me një shpejtësi të madhe dhe udhëtarët, sipas të gjitha gjasave, në shumicë, serbë nga Kraleva, Rashka dhe qytete tjera në kufi me Kosovën, do pësonin lëndime dhe shumë prej tyre do vdisnin!

        Sipas mendimit tim ky akt kriminal serb, po ta arrinte qëllimin e tij, botën do ta kishte “prekur” nga lotët e krokodilit që do të derdhte Beogradi për viktimat. Mirëpo, për shqiptarët dhe Kosovën do të pasonin edhe masa të egra represive, që shovinistët serbë, do t’i ndërmerrnin kundër “terrorizmit shqiptar”!

      Meqë treni dhe qindra udhëtarë në të, shpëtuan, fal heroizmit të  tim atë, komplotistët serbë dhe udhëheqja e Beogradit nuk i dha hapësirë të madhe as gjetjes së dëmtuesve të binarëve dhe as aktit heroik të babait tim! Shtypi i Beogradit, sa për ta la gojën, në të përditshmen “Politika” i shkroi dy rreshta në fund të rubrikës së lajmeve, aty ku vështirë do të shihej nga lexuesi edhe sikur të përdorej llupa.

       Për dallim nga shtypi i Beogradit një revistë nga Zagrebi e quajtur “Arena” i ka njoftuar lexuesit e saj me heroizmin e babait tim me një shkrim katër-pesë faqesh. Një gazetar i revistës “Arena” ka ardhur nga Zagrebi dhe ka qëndruar një ditë të tërë në shtëpinë tonë në Mihaliq dhe gjatë asaj dite gazetari ka zhvilluar një bisedë shumë të gjatë me tim atë dhe anëtarët tjerë të familjes.

      Edhe Radiotelevizioni i Prishtinës e bëri një emision dokumentar dhe e quajti atë “Shpëtimtari i trenit”. Komuna e Vushtrrisë i dha tim atë një orë dore dhuratë.

      Përderisa politikanët e Komunës së Vushtrrisë nuk guxonin ta përdornin aktin heroik dhe njerëzor të babait tim, “për hir të faktit se ai kishte një djalë që quhej Asllan dhe ishte nën vëzhgimin e UDB-ës”, politikanët e Kroacisë e ngritën lartë e më lartë këtë vepër të tij. Babi u ftua në Zagreb dhe atje ju dhe një mirënjohje: çmimi i dytë, si rasti më i guximshëm i bërë në territorin e Jugosllavisë! Babai së bashku me tim vëlla, Shabanin, ka qëndruar  tre ditë në Zagreb. Sipas babait ceremoninë dhe pritjen shumë të mirë që ju bë atyre nga autoritet kroate, e kishte zbehur vdekja e papritur e Vlladimir Bakariqit, politikanit kroat,  me 16 janar 1983. Futbollisti i famshëm kroat, Vlladimir Zajec, ka qenë ai që ia ka ndarë çmimin  babait tim.

      Babai më ka treguar se Burhan Prishtina, gjatë solemnitetit të dhënies së orës së dorës, i kishte thënë se “do ta kishim ngritur në qiell rastin tënd, po të mos ishte puna e Asllanit”! 

      Mirëpo unë nuk isha shumë ngushtë për “ngritjen në qiell të aktit human dhe njerëzor” të babait tim, sepse edhe unë do të kisha bërë si ai  për t’i shpëtuar jetët e njerëzve.

     Ajo që më tmerronte ishte logjika e pushtetarëve shqiptarë të Kosovës. Ata ishin shumë të mjerë në veprimet e tyre dhe nuk ishin në gjendje të bënin asgjë që nuk pëlqehej nga Serbia. Mendja më shkonte se çfarë masash do të kishte ndërmarrë Serbia kundër Kosovës dhe shqiptarëve, po të ishte rrëzuar treni në Mihaliq dhe të kishte rezultuar me qindra viktima? Bota do të kishte dëgjuar për sharjet që do të ishin dëgjuar në adresë të shqiptarëve dhe nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Në emër të luftës për zbulimin e aktorëve të këtij akti do të ishin burgosur e torturuar me qindra shqiptarë.

     Unë asnjëherë nuk kam dyshuar dhe kam qenë i sigurt se autorët e prishjes së binarëve të trenit kanë qenë serbë dhe ky akt kriminal ka qenë i inskenuar në Beograd. Këtë bindje e ka pasur edhe im atë dhe shumë njerëz që kanë folur me të për këtë rast.

Shpërndarja e organeve ilegale (1979-1983)

      Organi i Fronit të Kuq, “Bashkimi,” është organi i parë i një organizate të ndaluar që e kemi pasur në dorë, diku në vitin 1980-të. Po gjatë atij viti kemi marrë  revistën “Lajmëtari i lirisë”, organin e Organizatës Marksite-Leniniste të Kosovës “Liria” dhe në fillim të vitit 1982 organin e LNÇKVShJ-së “Zëri i Kosovës”

      Të gjitha organet i kemi shpërndarë nëpër shokë dhe shoqe. Ndonëse “Bashkimi” dhe “Liria” nuk figuronin se ishin organe të organizatës sonë, ne i konsideronim ato si organe të organizatave revolucionare dhe që luftonin për lirinë dhe çlirimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nga pushtimi serbo-sllavë.

       Gjatë kësaj periudhe kohore kemi pasur në dorë dhe i kemi shpërnda organet “Bashkimi” (katër numra), organin “Liria” (pesë numra), revistën “Lajmëtari i lirisë” (tre numra), organin “Zëri i Kosovës”(dy numra të LNÇKVShJ-së). Gjithashtu kemi pasur dhe shpërndarë dorë me dorë edhe “Këngët e lirisë”. Veç të tjerave e kemi pasur edhe një ekzemplar të librit të Enver Hoxhës, “Vetë-administrimi jugosllav – teori dhe praktikë kapitaliste”,  “Titistët” (Libri ka qenë i formatit të xhepit) etj.

Tetë ditë para rrethimit

    Nga gjumi u zgjova diku rreth orës tetë të mëngjesit.  E rregullova shtratin dhe u afrova pranë dritares. Nga aty po shikoja në drejtim të batallakut14 dhe pyllit që e kisha përballë. Ishte një ditë me diell. Papritur, e pashë një njëri që doli nga pylli dhe po zhdirgjej teposhtë drejtë shtëpisë sonë. Nuk po e njihja se kush ishte. Meqë andej vinte shpeshherë edhe Hoxha i Vogël, vazhdova ta vëzhgoja me kureshtje. Pas pak e njoha. Ishte i vëllai i Hoxhës së Vogël, Jakupi.

    “Vallë ç’e mirë e ka sjell këtë mëngjes, Jakupin?” – e pyeta vetën. Jakupi nuk vinte shpesh tek ne. Duhet të ketë një arsye që e ka shtyrë të vije tek ne, thashë vetë me vete. Një ankth i madh ma pushtoj zemrën. Mos ka ndodhur ndonjë e keqe andej nga Hoxha i Vogël, e pyeta sërish vetën? Dola nga dhoma e gjumit, mbatha këpucët dhe u nisa drejtë dyerve të oborrit për ta pritur Jakupin.

      ‒ O, mirë se erdhe! Ejani, urdhëroni! – i thashë Jakupit.

      E  vërejta se atij filluan t’i dridhen buzët.  Pas pak më tha: 

       ‒ Mirë se ju gjeta! Hoxha të bënë shumë të fala! Ai më porositi t’ju njoftoi se sot në mëngjes e kanë arrestuar, Vebën! Sot herët, erdh Rexhepi nga Gllogovci dhe na njoftoi për këtë! Nuk kam kohë të hy brenda. Kaq kisha, – më tha Jakupi.

      E falënderova për lajmin dhe u ndava me Jakupin. E  mbylla derën e oborrit dhe u nis drejtë shtëpisë.  

      Pas kthimit në shtëpi, nëna më pyeti se përse ishte Jakupi kaq herët. Ndonëse nuk e kisha ndërmend ta shqetësoja edhe atë për burgosjen e Vebës, i tregova se çka kishte ndodhur, por nuk ia bëra të madhe. Kur  e kuptoi se çfarë kishte ndodhur, ajo u mëzit shumë. Më erdhi keq, por isha i vetëdijshëm se këtë lajm nuk do të mund ta mbaja të fshehtë prej saj për një kohë të gjatë.   

     Lajmi për arrestimin e Vehbi Mujës më shqetësoi shumë. Vallë çka ndodhur, – e pyeta vetën? E dija se Vehbi Muja kishte një rreth shokët në Drenicë, por asnjërit prej tyre nuk ua mbaja mend emrat dhe nuk i njihja. Mosnjohja e tyre po më nxirrte nga loja sepse unë nuk mund t’i paralajmëroja apo së paku t’i njoftoja se është burgosur Vehbiu. Mbetja me shpresë se ndoshta ata janë të lirë dhe se burgosja e Vehbiut nuk do të ketë pasoja për shokët tjerë.

     Arrestimi i Vehbi Mujës erdhi në një kohë kur isha duke menduar t’i propozoja anëtarësimin në radhët e  LNÇKVShJ-së. Megjithëkëtë ai i plotësonte të gjitha kushtet për t’u pranuar në radhët e LNÇKVShJ-së. Kishte vite që ishim njohur dhe kishim  këmbyer me njëri-tjetrin libra, revista, trakte e organe të ndryshme të organizatave ilegale. Nga Vehbiu e kisha marrë edhe makinën  e shkrimit. Unë kisha besim në besnikërinë e tij dhe përkushtimin e tij për çështjen tonë kombëtare. 

     Meqë nuk dija se a i është gjetur ndonjë material komprometues në shtëpi apo jo, shqetësimi ishte edhe më i madh. Mos vallë ka shkelur në dërrasë të kalbur, shoku Vehbi? ‒ pyetja vetën.  

      Vehbi Muja nuk i njihte  asnjërin nga shokët e mi, përpos Hoxhës së Vogël. Prandaj, ndjehesha mjaftë i sigurt. Ky fakt më ndihmonte edhe në lokalizimin e pasojave eventuale. Edhe sikur të vendos të flas ai nuk do të mund ta thotë emrin e ndonjërit prej shokëve të mi, – i thosha vetës. Kjo e vërtetë më gëzonte shumë.

     E mbaja mend se gjatë një takimi, Vehbi Muja më ka pas pyetur për Ferki Morinën. Ndonëse, nuk e pata pëlqyer fare pyetjen që më pati bërë, nuk më ka pas shkuar mendja asnjëherë se pyetja e bërë ka pasur ndonjë qëllim të keq! Megjithëkëtë, në atë rast Vehbi Mujës i pata thënë:  “Unë e takoj Ferkiun në shkollë dhe kam lidhje familjare me te, por ai nuk merret me këto punë, që nga koha e burgut, nuk është i interesuar për këtë çështje dhe unë e respektoj vullnetin e tij.”           

     Isha i vetëdijshëm se njohja ime me Ferki Morinën nuk ishte lajm për UDB-ën, ashtu siç isha i vetëdijshëm se zbulimi i veprimtarisë sime mund ta rrezikonte seriozisht edhe Ferki Morinën. Prandaj, ndjehesha i shqetësuar për Ferkiun. Shqetësimi bëhej edhe më i madh meqë s’kisha asnjë informacion se çfarë kishte gjetur policia gjatë bastisjes së shtëpisë së Vehbiut dhe sa dinte policia për veprimtarinë e tij dhe të shokëve të tij? Në gjendjen që ndodhësha nuk më mbetej tjetër pos të prisja e të mësoja se çka kishte ndodhur.

     Punën e parë që mendoja se duhej ta bëja, duke pasur parasysh gjendjen e krijuar, ishte t’i informoja shokët për arrestimin e Vehbi Mujës. Prandaj, më duhej menjëherë t’i kontaktoja Xhemën dhe Ferkiun. Sheremeti ma merrte mendja se do të informohej nga Hoxha i Vogël dhe nëse nuk ka ndodhur kjo, atëherë unë do ta vizitoja dhe informoja sapo të binte terri.

      Ndonëse nuk ishim takuar asnjëherë publikisht  me Vehbi Mujën dhe besoja se policia nuk kishte njohuri për lidhjet tona, më  duhej të isha i kujdesshëm dhe t’i reduktoja lëvizjet. Vehbi Muja ka  pasur nëpër duar dhe i ka shpërndarë në rrethin e shokëve të tij të gjitha librat dhe të gjitha materialet tjera propagandistike që kisha pasur  nëpër duar edhe unë. Materialet e gjetura mund të jenë prova të mjaftueshme për policinë. Policia aty mund t’i gjej gjurmët e gishtërinjve të mi dhe të Ferkiut. Gjatë shkrimit të traktit “tetë kërkesat e parevokueshme të LNÇKVShJ-së” ne kishim përdorur dorëza,  si gjatë shumëzimit ashtu edhe gjatë shpërndarjes,  dhe isha i sigurt se aty nuk ishin gjurmët e gishtërinjve tonë, por dorëza nuk kemi përdorur gjatë leximit të librave dhe literaturës revolucionare. Pastaj, çështja e makinës së shkrimit më shqetësonte shumë. Mos ka qenë makina e shkrimit ndonjë kurth e UDB-ës, apo mos ka bërë ndonjë gabim tjetër, shoku Vehbi, – më ngjallej dyshimi? Vehbi Muja më ka pas njoftuar se një shok i tij e kishte makinën e Gani Sylës. Mos vallë makina ka qenë “karremi” i UDB-ës? Mirëpo, të gjitha këto pyetje, mendime e dyshime  që më silleshin  nëpër kokë  ishin vetëm spekulime dhe fantazi sepse edhe më tutje unë nuk dija se cilat materiale i ka zënë UDB-a Vehbi Mujës ditën e arrestimit?

      Brenda asaj dite i kam njoftuar Ferki Morinën dhe Shyqëri Imerin për arrestimin e Vehbi Mujës. Në këtë rast, Shyqëri Imerin e kam njoftuar se më është burgosur një shok, pa ia përmendur emrin e Vehbiut, dhe e kam këshilluar që të mos dukej nga shtëpia ime.

       Në mbrëmje kam shkuar në shtëpi të Sheremet Saraçit dhe kam fjetur aty. Me Sheremetin jemi marrë vesh që kështu të veproja çdo mbrëmje dhe  të mos flija në shtëpinë time, gjersa të kuptonim se si do të bëhet çështja e Vehbi Mujës.

      Kështu edhe kam vepruar. Çdo mëngjes herët jam kthyer përsëri në shtëpinë time. Jam kthyer gjithmonë nga drejtimi i Beçukut. Ma merrte mendja se policia, nëse ka ndonjë lajm për mua, do t’ia mësyj shtëpisë sime në mëngjes dhe kështu nuk do të më gjente në atë rast në shtëpi.

       Dy  – tre ditë pas arrestimit të Vehbi Mujës e kam takuar Hoxhën e Vogël. Ai më ka njoftuar se kishte marrë vesh  se  ishin burgosur edhe disa shokë të tjerë të Vehbi Mujës në Drenicë. Ky lajm më shqetësoj edhe më shumë.

       Diku ditën e katërt, pas arrestimit të Vehbi Mujës, isha në Prishtinë dhe aty qëndrova vetëm disa orë. Atë ditë, i takova Ferkiun dhe Mirvetën, para Bibliotekës Universitare. Mirvetja na fotografoi mua dhe Ferkiun. Me Ferkiun u morëm vesh që të takoheshim më vonë së bashku me Xhemën.

      Gjatë takimit, afër hekurudhës në mes Reznikut dhe Shtitaricës,  Xhemajl Pllanën e Ferki Morinën i kam njoftuar për burgosjen e Vehbi Mujës dhe shokëve të rrethit të tij. Shokëve u kam folur gjithashtu edhe për sjelljen e çuditshme të Rexhep Mujës, vëllait të Vehbiut, dhjetë-pesëmbëdhjetë ditë më parë, në Stacionin e Trenit në Fushë Kosovë. Në atë rast, Rexhep Muja, papritur më patë  folur  me “simpati” për regjimin në Shqipëri, që, për mua ishte një befasi edhe për faktin sepse ishte në kundërshtim me përcaktimin e tij politik, të cilin përcaktim, unë e kisha mësuar gjatë bisedave që kisha pasur me Vehbiun. “Kthesa” politike e Rexhep Mujës po më befasonte edhe për faktin sepse nga Vehbi Muja unë kisha mësuar se vjehrri i Rexhep Mujës ishte një eksponent i reaksionit shqiptar në Belgjikë. E çuditshme më dukej edhe ardhja e Rexhep Mujës nga Gllogovci në Gllavotin, për ta njoftuar kunatin e tij (Hoxhën e Vogël) se i ishte burgosur Vehbi Muja! Dyshoja se prapa këtij “mundi” të Rexhep Mujës fshihej diçka e errët!

     Gjatë atij takimi me Xhemën dhe Ferkiun, jemi pajtuar që të vazhdoja me sjelljen taktike, që gjatë ditës të dukesha nëpër fshat, ndërsa gjatë natës të flija tek ndonjë shok. Duke vepruar kështu, ne mendonim se nëse Vehbi Muja, gjatë hetimeve e pranon lidhjen e tij me mua, UDB-a do të bënë përpjekje të më kontaktonte, pra edhe të mësonte se ku ndodhesha dhe pastaj do ta planifikonte arrestimin tim.

     Ndonëse kisha besim të patundur se Vehbi Muja nuk do ta pranonte gjatë hetimeve se njiheshim me njëri-tjetrin, më duhej të llogarisja se ai nuk do ta përballoi presionin e madh që do t’i bëhej për ta pranuar lidhjen tonë para hetuesve të UDB-ës. Prandaj, duke pasur parasysh këtë mundësi, çdo ditë qëndroja në shtëpi dhe shëtisja nëpër fshat, ndërsa sapo binte terri në tokë ikja nga shtëpia dhe natën e kaloja tek ndonjë shok, sidomos tek Sheremet Saraçi.

    Natën e pestë pas arrestimit të Vebës, e kalova tek Sheremeti. Në mëngjes u ktheva në shtëpi. Nëna më njoftoi se gjatë ditës së djeshme me kishte kërkuar Xhevat H. Bajrami. Sipas nënës Xhevat H. Bajrami më kishte kërkuar me qëllim që ta ndihmoja në përpjekjet e tij për themelimin e një shoqërie muzikore!  

     Ardhja Xhevat H. Bajramit dhe kërkimi i ndihmës për çështje të krijimit të një shoqërie muzikore ishte një befasi e madhe dhe më futi në mendime e shqetësime. A thua pse është drejtuar pikërisht tek unë që nuk isha marrë kurrë me muzikë, e pyetja vetën? Menjëherë, më shkoj mendja se mos fshihet dikush tjetër prapa Xhevat H. Bajrmait? Ndoshta, i thashë vetës sime, në këtë mënyrë, policia do ta di se ku ndodhem, apo  mund të ndodh që ndonjë nga ata djajtë e UDB-ës mund të qëndroi prapa kësaj pyetje “pa të keqe” të fqinjit tim?

   Natën në mes 5-6 prillit e kalova përsëri tek Sheremet Saraçi. Me 6 prill 1983,  herët në mëngjes u ktheva në shtëpi. Edhe këtë ditë, si zakonisht, dola nëpër fshat. Bile, atë ditë, i takova edhe dy bashkëfshatarët e mi të cilët unë dyshoja se ishin spiunë të UDB-ës.  Isha shumë i pasigurt se përse ata kishin dal nëpër fshat! Xhevat H. Bajramin nuk e takova. Ai nuk shprehu dëshirën për të biseduar me mua për çështjen e shoqatës muzikore! Meqë ishte pranverë, atë ditë e ndihmova nënën time në përgatitjen dhe mbjelljen e perimeve në kopshtin tonë.

      Në mbrëmje patëm dy mysafirë për darkë: Ajet Osmanin (Buleshi) dhe Mehmet Lacin nga Mihaliqi i Poshtëm!  

      Gjatë kohës sa i kishim mysafirët, unë shkova në odë, me qëllim që “mysafirëve” t’ju tregoja se ndodhesha në shtëpi! “Nëse mysafirët janë informatorë të policisë, atëherë ata do të lajmërojnë policinë se gjendem në shtëpi dhe menjëherë pas kësaj policia do të më trokasin në derë, – thosha vetë me vete.” Mirëpo, meqë unë edhe ashtu e kisha ndërmend të largohesha nga shtëpia, shpresoja se kështu do ta vë në kurth UDB-ën!

       Mysafirët qëndruan dy-tre orë dhe unë ngela pa i shikuar lajmet e orës 19.30 që jepte RTSh-ja. Pas ikjes së mysafirëve, vazhdova ta shikoja televizionin dhe po prisja lajmet e fundit.

(VIJON)

© Pashtriku.org

___________________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (25)

Nga Asllan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura