SHKRIMI
e diel, 13 qershor 2021

SHERADIN BERISHA: NË RRUGË DREJT LIRISË (DOKUMENT ARKIVOR) Pjesa e parë

Pashtriku, 1 prill 2021: Në librin “Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981” (Botim Toena, Tiranë, 2008), autori i librit Mehmet Hajrizi duke trajtuar çështje programore të Grupit Revolucionar, të quajtur më vonë Organizata Marksiste - Leniniste e Kosovës, ka shkruar: “Organizata kishte një dokument programatik, të vitit 1977-78, i cili ndodhet diku në arkivat e gjyqësisë dhe policisë jugosllave, por edhe në Shqipëri, ku ishte dërguar zyrtarisht bashkë edhe me shumë materiale të tjera”. Për orientimet programore të Organizatës, kishte edhe materiale e dokumente të tjera, të cilat janë shfrytëzuar si burim primar, por mungesa e këtij dokumenti ndjehet në libër.

Ky material i vlefshëm historik i kësaj Organizate tashmë është gjetur. Dokumenti me titull “Në rrugë drejt lirisë” është shkruar në fund të vitit 1977 ose në fillim të vitit 1978 nga Mehmet Hajrizi, dhe është gjetur nga Hasan Mala, bashkë me disa materiale të tjera, në prill të vitit 2008 në oborrin e shtëpisë së Malajve në Gjilan. Aty do ta ketë fshehur në një enë plastike, nën pragun e derës së oborrit, Rexhep Mala, veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare të Kosovës dhe dëshmor i kombit.

Dy vite më parë janë gjetur edhe materiale të tjera, të fshehura nga Rexhep dhe Hasan Mala, thellë në pusin e familjes së tyre. Ata kishin ndërtuar edhe një bunker brenda shtëpisë, ku mbanin materiale dhe armatim të fshehur, i cili kurrë nuk është zbuluar, as gjatë bastisjeve të shpeshta që policia jugosllave i bënte familjes Mala. Kopertina me mbishkrimin “Filozofi”, brenda të cilit ndodhej dokumenti, është bërë nga vetë Rexhep Mala, për arsye maskimi gjatë përdorimit të materialit. Portali pashtriku.org sjellë për herë të parë para lexuesit këtë dokument (me disa shkurtime të parëndësishme) të shkruar nga drejtuesi i kësaj organizate, Mehmet Hajrizi,



* * *

Mehmet HAJRIZI

NË RRUGË DREJT LIRISË


I

Gjatë gjithë historisë së tij, populli ynë nuk njeh përulje e nënshtrim ndaj armiqve të shumtë, të fuqishëm e të egër. Nën udhëheqjen e Skënderbeut legjendar, shqiptarët për një çerek shekulli rresht luftuan heroikisht kundër hordhive otomane dhe mbrojtën lirinë e trojeve të veta të shtrenjta. Që nga ajo kohë populli ynë nuk e pushoi luftën për liri dhe pavarësi, duke shkruar me gjak faqe lavdie e heroizmi në historinë e tij.

Vitalitetin e tij për të mbrojtur të drejtën që të ekzistojë si komb, dashurinë e pafund për liri e pavarësi, populli ynë e tregoi me një forca të madhe gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila luftoi heroikisht për njohjen e kombit shqiptar si një e të pandarë e respektimin e parimit të kombësisë ndaj tij, për ruajtjen e paprekshmërisë së tërësisë së trojeve kombëtare dhe bashkimin e tokave të Shqipërisë në një shtet të vetëm e të lirë. Janë të njohura luftërat e përgjakshme që bëri populli ynë i udhëhequr nga Lidhja Shqiptare për mbrojtjen e krahinave të tij të Plavës e Gucisë, Hotit , Grudës e Ulqinit, të cilat me forcën e armëve donin t’i shkëpusnin fuqitë e mëdha për të kënaqur lakmitë e fqinjëve grabitqarë të Shqipërisë. Trimëri të rrallë tregoi ushtria vullnetare e udhëhequr nga Heroi i Popullit, Sulejman Vokshi, në luftë kundër ushtrisë turke, të dërguar nga Porta e Lartë për ta shkatërruar Lidhjen. Një heroizëm të shkëlqyer në historinë e popullit tonë përbëjnë betejat e përgjakshme të kosovarëve të udhëhequr nga trimat e shquar si Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Mic Sokoli, Bajram Rama, Sefë Kosharja, Smajl Hyseni etj.

Platforma politike e Lidhjes e përpunuar në zjarrin e luftës çlirimtare, mbeti si bazë e programit të lëvizjes kombëtare shqiptare, gjatë gjithë periudhës deri më 28 nëntor 1912. Pas shekujsh robërie, populli ynë, më 28 nëntor 1912 arriti fitoren e madhe historike, krijoi shtetin e pavarur kombëtar shqiptar. Baza politike, ideologjike, kulturore dhe organizative e kësaj fitoreje të madhe ishte përgatitur me durim dhe luftë për dhjetëra vjet me radhë nga rilindësit tanë të shquar. Luftëtarët tanë të shquar të pushkës e të penës, Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Naum Veçilharxhi Konstandin Kristoforidhi, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi etj., i dhanë lëvizjes për liri një platformë të qartë politike me objektiv sigurimin e lirisë së Atdheut, pavarësisë së tij të plotë e të pacunguar nga ana territoriale. Shpallja e pavarësisë ishte kurorëzim i luftërave shekullore të popullit tonë për liri, ishte rrjedhim i luftërave të popullit tonë në të katër anët e Atdheut, të udhëhequr nga trimat tanë popullorë, Themistokli Gërmenji, Spiro Ballkameni, Çerqiz Topulli, Dedë Gjo Luli, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi e shumë të tjerë. Këto luftëra çuan në kryengritjen e përgjithshme të Shqipërisë më 1912, e cila tronditi nga themeli sundimin osman dhe i hapi rrugën shpalljes së pavarësisë.

Shteti shqiptar e filloi jetën e vet në kushte historike shumë të vështira. Tokat shqiptare u bënë plaçkë në tregun imperialist. Pothuajse gjysma e tyre, me vullnetin e fuqive imperialiste u shkëput nga trungu i Shqipërisë dhe hyri nën zgjedhën e huaj. Trualli shqiptar u copëtua rëndë. Re të zeza të një robërie të re mbuluan qiellin e Kosovës së Hasan Prishtinës, Isa Boletinit e Bajram Currit dhe të krahinave tjera shqiptare që mbetën nën sundimin e huaj. Shovinistët serbë e malazezë derdhën gjithë tërbimin e tyre të egër mbi popullin tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Edhe në këto situata të rënda, populli ynë nuk u përkul e nuk u nënshtrua; ai vazhdoi rrugën e tij të luftës me armë në dorë për të fituar lirinë dhe për bashkim kombëtar. Me heroizëm të pashoq populli ynë i bëri ballë politikës së shfrenuar shkombëta- rizuese dhe shfarosëse që zbatohej ndaj tij nga shovinistët serbë e malazezë.

Fqinjët grabitqarë lakmonin të copëtonin gjithë Shqipërinë. Fuqitë imperialiste e dhndërruan Shqipërinë në shesh lufte gjatë Luftës së Parë Botërore, e pushtuan ushtarakisht dhe e rrënuan ekonomikisht. Ato nuk menduan kurrë të ndreqnin padrejtësitë që kishin bërë ndaj Shqipërisë më 1913, kur e cunguan, por përkundrazi, kishin vendosur ta copëtonin krejt atë për të kënaqur lakmitë e fqinjëve të saj grabitqarë. Këtij qëllimi i shërbente Traktati i fshehtë i fuqive imperialiste në Londër, në prill të vitit 1915.

Detyrë dite për popullin shqiptar ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, detyrë kjo që e vuri në lëvizje gjithë popullin. Lufta e vendosur e popullit shqiptar për të mbrojtur tërësinë tokësore të shtetit të tij, bëri që planet imperialiste të dështojnë. Një kontribut të madh në këtë kohë, në bashkimin, mobilizimin dhe organizimin e masave popullore shqiptare në luftë për çlirimin kombëtar të vendit, për demokratizimin e tij dhe bashkimin kombëtar, dha Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.

Ndërkohë ushtria e krajlit të Beogradit po bënte masakra të papara mbi popullin shqiptar të Kosovës dhe të krahinave tjera shqiptare të sunduara prej tij. Vetëm gjatë viteve të para të sundimit të shovinistëve, në Kosovë u shfarosën 200.000 shqiptarë, shumë të tjerë u dëbuan nga vatrat e tyre, të cilat pastaj u kolonizuan. Por populli ynë nuk epej; mbronte qenien e tij si popull, ruante gjuhën e kulturën e tij, organizonte qëndresën e armatosur kundër pushtuesve shovinistë. Kështu, nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, në malet e Kosovës kreshnike, luftonin shumë çeta trimash të udhëhequra nga Azem Galica, Musë Zeka, Ajet Çaushi, Beqir Rexha etj...

Klasat sunduese i kishin tradhtuar gjithmonë interesat e popullit dhe e kishin shitur te të huajt Shqipërinë. Edhe regjimi feudoborgjez i Ahmet Zogut e shiti te fashistët italianë Shqipërinë. Populli shqiptar, i tradhtuar nga Zogu, u robërua nga fashizmi..Nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Shqipërisë, populli shqiptar u ngrit në këmbë dhe i bashkuar në Frontin Nacionalçlirimtar, me armë në dorë, u hodh në luftën më të madhe të historisë së tij, për çlirim kombëtar e shoqëror, dëboi armiqtë fashistë nga Atdheu i tij, shkatërroi nga themelet pushtetin e vjetër dhe mbi gërmadhat e tij ndërtoi shtetin e ri të demokracisë popullore, si formë të diktaturës së proletariatit. Më 29 Nëntor 1944 Shqipëria fitoi pavarësinë e vërtetë, populli shqiptar mori në dorë fatet e tij...

Gjatë Luftës së dytë botërore, fashistët pushtuan edhe Kosovën dhe krahinat tjera shqiptare në Jugosllavi. Populli ynë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, ashtu si gjithë populli shqiptar, rroku armët dhe u ngrit në luftë për çlirimin kombëtar e shoqëror. Ai mendonte se në këtë luftë, jo vetëm do të fitonte mbi armiqtë fashistë e tradhtarë, por do të fitonte edhe të drejtën e vetëvendosjes për bashkimin me shtetin shqiptar, pasi të triumfonte revolucioni në Shqipëri e në Jugosllavi. Por batakçinjtë revizionistë në udhëheqje të PKJ, qysh gjatë Luftës, në fshehtësi, kishin thurur plane për të futur nën sundimin e tyre, jo vetëm Kosovën e krahinat tjera shqiptare që sundonin krajlët dikur, por edhe gjithë Shqipërinë. Plani i revizionistëve titistë për ta shndërruar Shqipërinë në një republikë të shtatë të Jugosllavisë, dështoi me turp...

Në tradhti, me mjete e metoda të poshtra dhe me forcën e armëve, banda e Titos arriti të ripushtojë dhe të vejë nën sundimin e saj Kosovën e krahinat tjera shqiptare që mbante të pushtuara më parë borgjezia serbe e jugosllave...Pasi vranë në tradhti shumë udhëheqës shqiptarë kosovarë të Luftës Nacionalçlirimtare, komunistë, patriotë, liridashës dhe përparimtarë, pasi bënë për vete ndonjë Fadil Hoxhë, Ali Shukri, Xhavit Niman etj., titistët organizuan mbledhje formale, si ajo në Prizren më 1945, për të deklaruar se gjoja populli ynë “vetëvendosi” të bashkohet me Jugosllavinë, me Titon, me Rankoviqin e shokët e tyre dhe jo me Shqipërinë e lirë e të pavarur.

Për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi filloi të përsëritet në një formë akoma më të egër, historia e viteve pas 1913-ës,. Ushtria e Titos u hodh si e çmendur mbi popullin tonë dhe bëri masakra të padëgjuara në analet e historisë. Burgjet jugosllave u mbushën plot shqiptarë të ndershëm, mbi të cilët bënte kërdinë UDB-ja e Rankoviqit. Mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, vazhdoi zbatimi i politikës së egër të gjenocidit, kolonizimit të trojeve shqiptare, shtypjes e shfrytëzimit të egër kolonial, dëbimit me dhunë të shqiptarëve nga trojet e veta dhe e mohimit të drejtave elementare, si e emrit, gjuhës, kulturës kombëtare etj...

Populli shqiptar i Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, nuk iu bind dhe nuk iu nënshtrua robëruesve të rinj revizionistë. Ai i rezistoi politikës barbare fashiste të bandës së Beogradit, mbrojti qenien e tij, ruajti gjuhën e kulturën e tij dhe luftoi pareshtur, në forma e me mjete të ndryshme kundër regjimit gjakatar të Titos.

Një kontribut në këtë drejtim përbëjnë grupet dhe organizatat e ndryshme patriotike të cilat i kishin vënë vetes për detyrë të luftonin për liri dhe bashkim kombëtar, por që për shkak të paqartësive, organizimit jo të shëndoshë e të shkëputjes nga masat, nuk qenë në gjendje të veprojnë në kushte tepër të rënda represive dhe të një rrjeti të dendur agjentësh policorë, prandaj zbuloheshin nga armiku, ose binin në kurthe të përgatitura prej tij dhe goditeshin pa mëshirë.

II

Rënia e vazhdueshme e prodhimit, ngritja e paparë e çmimeve, e kostos së jetesës, inflacioni i papërmbajtshëm, papunësia e madhe në vend dhe emigracioni i shfrenuar i krahut të lirë të punës jashtë, kaosi politik dhe ideologjik, grindjet e konfliktet e tërbuara për pushtet, shthurja morale etj., janë disa nga pamjet e shëmtuara të krizës së gjithanshme që ka mbërthyer Jugosllavinë prej kohësh. Karakteristikë e ekonomisë jugosllave është jo vetëm zhvillimi i dobët e disproporcional, por edhe varësia e saj nga sistemi botëror kapitalist dhe rritja e vazhdueshme e borxheve, që kanë bërë ta humbë Jugosllavia pavarësinë. Gjendja e rëndë e proletariatit dhe e masave të tjera punonjëse, mbi të cilat bien të gjitha pasojat e krizës dhe shfrytëzimi i egër kapitalist, i ka shtyrë të shpërthejnë zemërimin e papërmbajtshëm kundër regjimit revizionist, me greva të shumta, protesta, demonstrata e përleshje...

Një problem mjaft i mprehtë në Jugosllavi është edhe çështja nacionale, për shkak të shtypjes e zhvillimit të pabarabartë dhe të luftës hegjemoniste. Sistemi titist, jo vetëm nuk i zgjidhi konfliktet e vjetra midis kombeve e kombësive, por i thelloi ato akoma më shumë, duke u mohuar të drejtën sovrane kombeve e kombësive, kurse ndaj disa kombësive vazhdoi akoma më e tërbuar politika e gjenocidit e filluar nga krajlët...

Krahina e Kosovës dhe krahinat tjera shqiptare, nën sundimin e revizionistëve, janë viset më të pazhvilluara në mbretërinë e Titos. Këto krahina trajtohen si koloni të Jugosllavisë titiste. Popullsia shqiptare e këtyre krahinave jeton në skamje e mjerim, errësirë e padituri. Ndaj popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, klika gjakatare e Titos ka zbatuar dhe zbaton një politikë fashiste të shtypjes kombëtare.

Propaganda revizioniste bën zhurmë të madhe për të ashtu quajturën “autonomi” që i paskan dhënë Kosovës titistët, për zgjidhjen në mënyrë “marksiste-leniniste” të çështjes kombëtare, për “shqiptarizimin” e disa organeve shtetërore dhe partiake revizioniste në Kosovë, për të “drejtat” që i gëzuaka populli ynë i robëruar etj., etj. Popullit tonë nën robërinë revizioniste, jo vetëm iu mohua me armë e drejta për vetëvendosje, u shtyp me gjak aspirata e tij e lartë për bashkim kombëtar e u robërua, por edhe u copëtua në tri republika të Federatës jugosllave me qëllim që të sundohet më lehtë dhe të përjetësohet sundimi i revizionistëve në këto krahina. Popullsia shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, edhe pse për kah territori, ashtu edhe përkah numri i banorëve, bën më shumë se dy republika jugosllave, në fakt nuk ka shumë nga të drejtat elementare të përcaktuara me kushtetutë, e të mos flasim për “autonomi”...

Kosova shtypet e shfrytëzohet nga revizionistët ashtu si në kohën e krajlëve. Revizionistët kanë përforcuar më shumë se kurrë dhe më shumë se askund tjetër, në Kosovë, armët e dhunës fashiste, ushtrinë, policinë, shërbimin e fshehtë, kontrollin policor etj. Ata kanë mbushur burgjet e tyre të shumta me shqiptarë të ndershëm, përparimtarë, patriotë e komunistë. Kosova është kthyer në një treg të bardhë, ku krahu i lirë i punës blihet me çmim shumë të ulët, qoftë për interesat e borgjezisë së republikave jugosllave, qoftë për kapitalin imperialist botëror. Klika e Titos, Kosovën e ka një burim të madh të lëndëve të para të cilat i shfrytëzon egërsisht me çmime çfarë asaj i përgjigjen dhe të diktuara prej saj...

Për të mashtruar masat popullore, revizionistët kanë futur në organet e tyre udhëheqëse, shtypëse e shfrytëzuese në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, bile edhe në Federatë, shqiptarë renegatë të popullit tonë, të cilët s’janë tjetër, pos vegla në duart e tyre për ta shtypur e shfrytëzuar popullin tonë. Këta tradhtarë janë këmbë e kokë në shërbim të regjimit titist dhe armiq të deklaruar të popullit tonë.

Si pasojë e shtypjes e shfrytëzimit kolonial, Kosova dhe krahinat tjera shqiptare në Jugosllavi, kanë mbetur vende të prapambetura me një zhvillim të dobët ekonomik, me një industri të pazhvilluar dhe bujqësi primitive. Në vitin 1958 prodhimi industrial për frymë në Kosovë përfaqësonte vetëm 34 për qind të prodhimit për frymë të Jugosllavisë, në një kohë kur ai i Sllovenisë ishte 250, i Kroacisë 150 dhe i Maqedonisë, e cila konsiderohet ndër republikat më të pazhvilluara, 51 për qind. Në vitin 1975 të ardhurat kombëtare dhe tregues të tjerë të rëndësishëm të Kosovës ishin dy herë pas Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë e Malit të Zi, tri herë pas Serbisë, katër herë pas Kroacisë, pesë herë pas Vojvodinës, gjashtë herë pas Sllovenisë...

Kosova ka pasuri të shumta që nuk i shfrytëzon populli, por revizionistët e tradhtarët. Të marrim vetëm disa prej tyre. Në vitin 1976, p.sh., Kosova dha 3.505.000.000 kilovat orë energji elektrike, e cila kryesisht dërgohet në republikat tjera (në një kohë kur disa qindra fshatra kosovare akoma përdorin llapat e vajgurit), afër 7.000.000 tonë linjit, 1.753.000 tonë xehe plumbi e zinku, 139.000 tonë boksit, 2.022 tonë krom, 1.000 tonë koncentrat piriti, 93 tonë argjend, 29.000 tonë zink, 137.000 tonë magnezit të papërpunuar, 4.844 tonë magnezit të pjekur kaustik, 50.000 tonë sintermagnezit, 12.000 tonë akumulatorë etj.

Kriza e rëndë që ka mbërthyer ekonominë e Kosovës, ashtu si atë jugosllave, sidomos nga viti 1960, e ka bërë gjithnjë e më të vështirë jetën e masave të gjera popullore...Revizionistët i hedhin pasojat e krizës mbi kurriz të masave. Papunësia shtohet vazhdimisht duke marrë përpjesëtime të papara. Në 100 banorë në Kosovë janë vetëm 9 të zënë me punë, afro 70.000 vetë në Kosovë janë regjistruar në ente për inkuadrim, ku kërkojnë punë, por numri i të papunëve është shumë herë më i madh, sepse pjesa më e madhe e tyre nuk paraqiten në këto ente, pasi është krejt e kotë të kërkosh ndihmë prej tyre, në një kohë kur mundësitë e inkuadrimit në punë janë shumë të vogla. Kurbeti, kjo plagë e vjetër e popullit tonë, tani është hapur më shumë se kurrë në popullsinë shqiptare të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi. Vetëm nga Kosova, nëpërmjet të enteve për inkuadrim, kanë shkuar në botën kapitaliste, për të kërkuar punë mbi 50.000 vetë. Me mijëra të tjerë kanë shkuar pa ndërmjetësimin e enteve. Një ushtri tjetër po kaq e madhe e të papunëve shqiptarë është shpërndarë nëpër republikat jugosllave, ku bëjnë punët më të rënda fizike me paga sa për të siguruar kafshatën e gojës.

Aspekte tjera të krizës së rëndë ekonomike në Kosovë, janë edhe inflacioni në ngritje të vazhdueshme, rritja galopante e çmimeve, ngritja e kostos së jetesës si dhe shtimi i taksave për masat. Të gjitha këto kanë shtuar akoma më shumë varfërinë e masave popullore.

Në Kosovë dhe krahinat tjera shqiptare në Jugosllavi ekziston një prapambetje e theksuar sociale dhe kulturore. Shtypja dhe shfrytëzimi, jeta e rëndë dhe varfëria, kanë krijuar kushtet që sëmundjet të bëjnë kërdinë, të cilat kanë për pasojë shkurtimin e jetës dhe vdekjet e parakohshme. Shërbimi mjekësor në fshat pothuajse mungon fare, por edhe ai në qytet kushton aq shtrenjtë sa popullsia e varfër nuk mund ta përballojë. Numri mesatar i banorëve në Kosovë për një mjek është 2.155, sipas statistikës që kanë dhënë vetë revizionistët. Gruas i mungon në përgjithësi kontrolli mjekësor, jo vetëm gjatë shtatzënisë, por edhe gjatë lindjeve. Vetëm në vitin 1970, sipas statistikës, në Kosovë kanë lindur 340 foshnje të vdekura në spitale, kurse në çdo dhjetë foshnje të lindura gjallë, një ka vdekur. Këto të dhëna nuk mund të jenë të sakta, pasi numri i grave që shkojnë në spitale për lindje është fare i vogël.

Në pjesën më të madhe të fshatrave kosovare dhe të krahinave tjera shqiptare në Jugosllavi, mungojnë krejtësisht lidhjet e komunikacionit dhe furnizimi i popullsisë me artikuj elementarë të konsumit të përgjithshëm. Kjo e ka vështirësuar akoma më shumë jetën e masave popullore.

Analfabetizmi është më i theksuar se kudo tjetër në Jugosllavi, në popullsinë shqiptare të robëruar. Sot rreth gjysma e popullsisë shqiptare në Jugosllavi është analfabete. Analfabetizmi në Kosovë, sipas shënimeve zyrtare, jo vetëm nuk zvogëlohet, por rritet vazhdimisht. Ndodh kështu, për arsye të vështirësive të shkollimit, mungesës së shkollave etj. Edhe ato shkolla që janë hapur, nuk kanë mundësi të përfshijnë gjithë fëmijët e të rinjtë e moshës shkollore, sepse u mungojnë kushtet themelore, si lokali, mësuesit etj. Por në mungesë të shkollave dhe organizimit të jetës kulturore, revizionistët kanë hapur mejtepe, i kanë kthyer xhamitë e kishat në “shkolla” fetare dhe hoxhallarët e priftërinjtë në “mësues” për të përhapur ideologjinë fetare, sidomos te të rinjtë. Revizionistët, ashtu si të gjithë armiqtë tjerë të popullit tonë më parë, e përdorin fenë dhe ideologjinë e saj që ta përçajnë popullin tonë, ta shtypin e ta shfrytëzojnë më lehtë atë, të kultivojnë tek ai ndjenjën e pafuqishmërisë përballë vuajtjeve e mjerimit.

- VIJON -


kthehu

SHKRIMET E FUNDIT

FOTOLAJM

Adem Jashari 1955 - 1998

FOTODËSHMI

  • Deshmoret e Kombit
  • Xhemajli Berisha
  • Shaban, Adem e Hamëz Jashari
  • Mehë Uka
  • Tahir Sinani
  • Ridvan Qazimi - Komandant Lleshi
  • Xheladin Gashi - Plaku
  • Jashar Salihu
  • Xhemajl Fetahaj
  • Agim Ramadani
  • Indrit Cara - Kavaja
  • Mujë Krasniqi - Kapuçi
  • Abedin Rexha - Sandokani
  • Fehmi i Xheve Lladrovci
  • Remzi Ademaj, Xhevat e Seladin Berisha
  • Bekim Berisha - ABEja
  • Ilir Konushevci
  • Ismet Jashari - Kumanova
  • Luan Haradinaj
  • Adrian Krasniqi
  • Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
  • Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani
  • Adem Jashari
  • Ahmet Haxhiu
  • Fadil Vata
  • Ukshin Hoti
  • Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu
  • Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha
  • Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka
  • Naser Hajrizi
  • Adem Demaçi
  • Metush Krasniqi
  • Zekeria Rexha
  • Xheladin Hana
  • Musine Kokollari
  • Marije Shllaku
  • Gjon Serreçi
  • Qemal Stafa
  • Mulla Idriz Gjilani
  • Shaban Polluzha
  • Avni Rrustemi
  • Azem e Shote Galica
  • Asdreni
  • Migjeni
  • Ndre Mjeda
  • Shtjefën Gjeqovi
  • Faik Konica
  • Fan Noli
  • Gjergj Fishta
  • Bajram Curri
  • Isa Boletini
  • Idriz Seferi
  • Hasan Prishtina
  • Luigj Gurakuqi
  • Ismail Qemali
  • Dedë Gjo Luli
  • Çerqiz Topulli dhe Mihal Grameno
  • Mehmet Pashë Deralla
  • Vaso Pashë Shkodrani
  • Naum Veçilharxhi
  • Haxhi Zeka
  • Mic Sokoli
  • Naim Frashëri
  • Sami Frashëri
  • Sylejman Vokshi
  • Ymer Prizreni
  • Ali Pashë Gucia
  • Abdyl Frashëri
  • Jeronim De Rada
  • Marko Boçari
  • Bubulina
  • Pjetër Bogdani
  • Lekë Dukagjini
  • Gj.K.Skënderbeu
  • Teuta
  • Kostandini i Madh
  • Leka i Madh
  • Iliria

VIDEO

Fazli Berisha - Pashtrik

Selver Mackaj 2

Copyright © 2006 - 2012 Portali Pashtriku.org - Të gjitha të drejtat e rezervuara.     Zhvilluar nga: AlbaProject Networks