FAIK KONICA: AT GJEҪOVI – NJË NGA NJERËZIT MË TË LARTË QË KA PATUR SHQIPËRIA

Pashtriku.org, 07. 04. 2014 – At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara Luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodër dhe atje, në Kuvent të Franciskanëve, nji ditë u njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi, që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u shtuan ca më tepër që kur u poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pak si i thatë, me një palë sy të zez ku shkëlqente mendja po dhe zemërmirësia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vend. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej ndonjë pikë mbi të cilën kish dituri të veçantë – si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi çelej ca më gjatë dhe atëhere ish gëzim ta dëgjonte njeriu. Aso kohe, At Gjeçovi ish “famullitar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katunt i Mirditës në udhë nga Shkodra në Orosh.
A i vemi mysafirë At Gjeçovit ndonjë ditë të kësaj jave?
Më pyeti një herë At Fishta, me të cilin piqesha çdo ditë në Shkodër. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtu, pa humbur kohë, u nismë. Një gjë për të vënë re dhe që më mbushi me habi dhe trishtim, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtim shtatë a tetëorësh me kalë, nuk gjetëm as katund, as shtëpi, veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafe, s’pamë gjëkundi ndonjë shënjë gjallësie: një vend i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njerëzit. Po mërzia e udhëtimit na u shpërblye përtej shpresës, posa arritëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me drejt, në famulli të Gomsiqes, – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhu, një shtëpi këtu, një shtëpi nja dy milje më tej, as që dukej.

 Famullia – një bina prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysmë e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zemra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit të shtëpisë – qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë, anës një lumi. Këtu rronte At Gjeçovi. Këtu e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njerëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësi e përulur, në mund të afroj e të lidh dy fjalë aq të përkundërta; një lartësi shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Varfërit të Assisit, në pastëri e në vobësi**** të zemrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vend këshillash të mira, u jipte fëmijëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njerëzve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi ia kushtonte studimit.
Merrej ahere me institutat e vjetra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët tona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askush nuk mund t’i afrohej At Gjeçovit në diturin e këtij Kanuni. Na tregoi një dorëshkrim nja dymijë faqesh, studim i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtej Kohës së Mesme.
Në katin e sipërm të famullisë, përmbi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbuluara e të mbledhura një nga një, me një fatbardhësi të rrallë dhe me një shije të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mend, veçan, një enë të vogël, të quajtur “lacrumatorium” lotore, asosh që të vjetrit, në besim se të vdekurit qajnë të shkarit e jetës së tyre, i mbulojnë në varr bashkë me të vdekurin, që ky të kish se ku t’i mblidhte lotët. Nuk më shkonte ahere kurrë ndër mend se pas ca vjet secilit prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësi për nga një lotore, ku të mbledhim lotët tanë për At Gjeçovin…

Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një dituri pa tingëllim, po dhe shqipëtar i kthjellët, At Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësi, nuk i mungoi asnjë hidhërim, asnjë shpifje, më e çuditshmja e të cilave ndoshta është të mohuarit se ai ish shqipëtar. Sepse ishte lindur në një kufi gjërash, në një kufi ku sot mbaron shqipja dhe nis një tjetër. Ca mendje të klasës së katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdi.
Po At Gjeçovi është përmi çdo sharje. Emri i këtij njeriu të rrallë do të vejë duke u rritur dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shënjtëruar të shqiptarësisë. (Botuar në gazetën Dielli)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura