Pashtriku.org, 23. 04. 2014 – Valbona Zeneli ka vendosur të emigrojë në Gjermani me një status të veçantë, atë të profesores. Pavarësisht se me një karrierë dhe një jetë të suksesshme në Shqipëri, oferta që i është bërë nga Qendra e Studimeve të Sigurisë, George C. Marshall për të punuar si profesore atje, duket se e ka tunduar. Dhe tani mbas tre vitesh Valbona flet për një eksperiencë që i ka dhënë asaj shumë pjekuri dhe përvojë, të cilën e kemi ftuar ta ndajë me ne në këtë intervistë – për “Albanian’woman” – Londër.
A.WOMAN: Vitet e fundit keni vendosur të largoheni nga Shqipëria për të ndjekur karrierën tuaj në Gjermani. Pse pikërisht zgjodhët Gjermaninë?
V.ZENELI: Prej gati tre vitesh jetoj në Gjermani. Bëra këtë zgjedhje për të ndjekur mundësinë që m’u ofrua për të punuar si profesore në Qendrën e Studimeve të Sigurisë, George C. Marshall, një institucion i qeverive të SHBA dhe Gjermanisë. Kjo është një eksperienc e paçmuar për mua, dhe në botën e globalizuar që ne jetojmë sot, nuk mendoj se kufijtë janë me barriera ndarëse për të ndjekur shkollimin, punësimin apo eksperiencat e ndryshme.
– Valbona Zeneli –
************
Valbona Zeneli, Ph.D. Professor of National Security Studies
HAPE: http://www.marshallcenter.org/mcpublicweb/en/subnav-explore-gcmc-faculty-bios-en/107-cat-english-en/cat-bios-en/cat-bios-faculty-en/595-art-bio-zeneli-valbona-en.html
**************************
A.WOMAN: A ka qenë një vendim i lehtë për ty për të nisur një jetë të re në një vend të huaj dhe sa e realizuar ndiheni tani pas 3 vitesh?
V.ZENELI: Mund të them që bilanci është absolutisht pozitiv. Kur ndjek dëshirat nuk besoj se ka vendime të gabuara. Jam me fat të jem pjesë e këtij institucioni, të punoj me kolegë me eksperienca shumë të pasura, me pjesëmarrës që vijnë nga e gjithë bota, duke mësuar e u rritur profesionalisht çdo ditë. Jam e bindur që ka qenë një vendim i mirë dhe i duhur, po si çdo vendim i këtij lloji ka anën tjetër të medaljes, largimit nga Shqipëria, nga familja, sidomos të Darios që nuk ka prezencën konstante të gjyshërve, kushërinjve.. aq të rëndësishme në këtë moshë.
A.WOMAN: Ndërkohë edhe bashkëshorti juaj me një karrierë të ngritur në Shqipëri ju ka ndjekur në realizimin e karrierës tuaj atje, si e keni menaxhuar këtë së bashku?
V.ZENELI: Suksesi nuk arrihet asnjë herë lehtë e vetëm. Për mendimin tim ekzistojnë tre faktore kryesore: puna e madhe, suporti që të japin të tjerët, dhe fati, për tu gjendur në momentin e duhur në vendin e duhur. Jam edukuar nga prindër e gjyshër të mrekullueshëm që më kanë përcjellë vlerat e edukimit dhe përkushtimit, të cilat kanë qenë bazë në rritjen time. E njeriu nuk mëson nga fjalët, aq sa mëson nga sjellja dhe shembulli i prindërve. Faktori i dytë shumë i rëndësishëm është suporti, mbështetja, ajo familjare, por edhe e shumë mentorëve gjatë edukimit e punës. Kam qenë me fat që kam pasur shumë njerëz që kanë besuar në potencialet e mija më shumë se në eksperiencën time dhe më kanë dhënë mundësitë të tregoja veten. I jam shumë mirënjohës të gjithëve, dhe ata e dinë këtë, që kanë qenë shtylla të forta në rritjen time profesionale. Pa mbështetjen e familjes nuk mund të arrihet asgjë. Mentori im më i mirë është im atë. Mendoj se janë prindërit ata që të bëjnë të besosh në vete dhe në potencialet e ëndrrat e tua. Mbështetja e Iglit ka qenë vendimtare në ngritjen time profesionale dhe në realizimin tim. Kur ke ndërtuar një familje, pa rolin mbështetës të partnerit është e pamundur të ngresh një karrierë. Ai ka edhe peshën më të rëndë, pasi është gjithnjë në lëvizje midis Shqiperisë, ku ka punën e tij, dhe Gjermanisë.
Valbona Zeneli – profesore në Qendrën e Studimeve
të Sigurisë, George C. Marshall, në Gjermani.
***
A.WOMAN: Ju kemi ndjekur në shumë aktivitete të suksesshme të cilat duken më shumë “punë të vështira burrash” – a po thyhet ndoshta miti duke treguar se gratë janë të afta të shkëlqejnë në çdo fushë?
V.ZENELI: Absolutisht që femrat janë të afta të shkëlqejnë në çdo fushë, e për këtë kemi shumë shembuj në fusha të ndryshme, edhe në ato të konsideruara “domaine” burrash. Sigurisht që ende nuk ka barazi rolesh, për shumë arsye, objektive e subjektive. Progres ka, por femrave i duhet dhënë më shumë mundësia, gjë që akoma nuk ndodh natyrshëm. I duhet dhënë mundësia jo vetëm nga punëdhënësi privat apo shtetëror qoftë, por sidomos nga një rrjet social shtetëror. Mendoj se jemi ne të parat që duhet ta besojmë që është e mundur të bëjmë karrierë e të kemi familje pa sakrifikuar asnjërën (e vështirë por jo e pamundur), dhe për më shumë duhet të përpiqemi e të kërkojmë mbështetje tek institucionet, tek ligjet dhe sidomos aplikimi i tyre. Më lejo të përmend diçka të rëndësishme. Gratë apo familjet në tërësi në Shqipëri, por edhe në botën e civilizuar kanë akoma mbështetjen e gjyshërve që vijnë nga një tjetër gjeneratë (ku punonin më pak apo shpeshherë gjyshet janë shtëpiake e ndihmojnë nipërit e mbesat). Pyetja lind nëse ne, familjet moderne (ku dy prindër punojnë, specializohen e kanë ëndrrat e tyre për karrierë), a do arrijmë vallë të ndihmojmë fëmijët/nipërit tanë, prandaj mendoj që roli i institucioneve është tepër i rëndësishëm në këtë fazë tranzicioni gjeneratash, siç do ta quaja të paktën në aspektin e punës dhe familjes. Por progresi është i dukshëm. Unë jam krenare që punoj në një ambient, që megjithëse ende është i dominuar nga kolegët meshkuj, ndjej respekt dhe mbështetje të madhe nga ata. E çdo gjë bëhet më e lehtë.
A.WOMAN: Po djali sa ka arritur të përshtatet në një vend të huaj dhe në një sistem tjetër edukimi?
V.ZENELI: Dario është me fat që të fillonte edukimin e tij këtu, në një sistem shkollor amerikan dhe në Garmisch, në një ambient të shëndetshëm për rritjen e zhvillimin. Për çdo kënd fëmija është krenaria e vet, po ashtu dhe ai për ne është një pasuri. Është fëmi gazmor, studion, është shumë i mirë me mësime.. të paktën deri tani.. (qesh), i pëlqen të shkojë në shkollë jo vetëm për ato çka mëson ditë pas dite, por dhe për aktivitetet e ndryshme që bëjnë në shkollë e për faktin që rrin me shokë.. me të cilët mban korrespondencë letrash edhe kur largohen nga Garmisch. Për mua është një shok i mirë.
A.WOMAN: Kush kujdeset më shumë për edukimin dhe argëtimin e tij? A e gjeni kohën e mjaftueshme për t’u marrë me të?
V.ZENELI: Me punën që kam është e vështirë. Gjatë javës kryesisht ai qëndron gjatë në shkollë, dhe më pas brenda ambienteve të shkollës ndjek aktivitetet sportive dhe zbavitëse. Ashtu si çdo prind dhe unë në fundjavë mundohem ti kushtoj sa më shumë kohë. Është një skiator i mirë, pasi ne jetojmë afër Alpeve gjermane e ky është edhe sporti kryesor këtu. Me këtë të fundit merret më shumë Igli, se skitë nuk bëjnë për mua….-). Gjatë pushimeve qëndron me gjyshërit të cilët i adhuron. Merita kryesore për formimin e Darios i shkon gjyshi Bashkimit, i cili e ka trajtuar si shok që kur ishte i vogël e ka punuar jashtëzakonisht shumë me të.
A.WOMAN: Duke qenë shumë e zënë me karrierën dhe familjen a gjeni kohë për t’u marrë me veten dhe pamjen tuaj të jashtme?
V.ZENELI: Kujdesi për veten (nënkuptoj estetikën dhe shëndetin) do të thotë respekt për veten. Sidomos për ne femrat është paksa më komplekse. Për mua edhe pse dita është e ngjeshur, zgjedhja e veshjes, estetika janë të rëndësishme, dhe një moment i shkurtër relaksi…
Valbona Zeneli me djalin Dario’n.
***
A.WOMAN: Cili është sekreti i rinisë dhe bukurisë tuaj (përveç geneve)?
V.ZENELI: Sot shoqëria sidomos femrat kanë përkujdesje për veten, dhe kjo është gjë e mirë. Kështu dhe unë është aspekt që nuk e neglizhoj. Gjithashtu angazhimi për të ndjekur dëshirat dhe qetësia familjare janë të rëndësishme.
A.WOMAN: A mendoni se pamja e jashtme ju ka ndihmuar në jetë?
V.ZENELI: Nuk kam një profesion apo karrierë ku ana estetike ka rëndësi, prandaj mendoj për karrierën jo. Më ka ndihmuar ndoshta në fillim për të bërë për vete Iglin..(qesh)..
A.WOMAN: Sapo ka nisur një vit i ri dhe të gjithë bëjnë plane në fillimvit – cilat janë planet tuaja?
V.ZENELI: Një nga postulatet e menaxhimit është “planet bëhen për tu ndryshuar”. Pra edhe unë bëj plane jo shumë afatgjate, por për të menduar sistematikisht…:-) Por shumë herë i ndryshoj. Sigurisht kam objektivë afatgjatë. Instikti është shumë i rëndësishëm gjithashtu. Pastaj çdo fillim viti çdo kush shpreson dhe dëshiron ndryshime të mira në jetën e tij, madje bën edhe betime me veten. Shëndeti dhe lumturia familjare janë kryesoret. Pastaj nuk ka gjë që nuk arrihet me punë, përpjekje e besim.
A.WOMAN: Ndonjë plan për një fëmijë tjetër së shpejti?
V.ZENELI: Kur të jetë momenti do jetë shumë i/e mirëpritur.
____________________
(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)