Tiranë, 27. 04. 2014 – Jeronim De Rada (1814-1903) është një kryeemër i kombit shqiptar. Për një rastësi që ndoshta mund të mos jetë rastësi, ai quhet Jeronim, çka të kujton dijetarin e qëmotshëm ilir Euseb Jeronimin të shekullit të IV, dijetarin dhe filologun gjenial, të parin në historinë kulturore të Europës, që përktheu Biblën e Shenjtë në latinisht. Emri Jeronim, mund të shqipërohet si Emërshenjti. Përtej mistikës, përtej mbretërisë ngulmuese dhe xheloze të etimologjisë, një nga rrafshet më të pazëvendësueshme të simbolizmit, emri i Jeronim De Radës, është vërtet emri i një Emërshenjti të poezisë të gjuhës shqipe, që lidhet me një epokë të jashtëzakonshme të modernitetit të saj.
Përpara De Radës, poezia shqipe njihte disa dëshmi gati testamentale. Ca fragmente të shqipëruara mrekullisht nga Kënga e Këngëve prej Gjon Buzukut, lëvrimi i poezisë profetike, i Cliklit të Sibilave nga Pjetër Bogdani, një epos gati i llojit të Miltonit, në shqip prej Pjetër Budit, nuk janë një paradhomë e zymtë dhe e parëndësishme për të hyrë në tempullin e një poezie të re.
Jeronim De Rada i lindur në Makja të Kalabrisë ka patur në të vërtetë një lindje të njëkohëshme në mijëvjeçarët dhe shekujt e kulturës së lashtë shqiptare. Lindja e një njeriu të vetëm mund të bëhet lindja e një epoke, këtu s’ka paradoks, as apologji, as sforcim mendor dhe ekstazë pa kuptim. De Rada u bë poeti i parë i madh, para gjithë të tjerëve, ai qe pishtarmbajtës i disa kryeveprave poetike, që ndriçojnë tërë atë që quhet universi i modernitetit poetik shqiptar.
De Rada u ngjiz nga thelbi i thelbeve të gjuhës shqipe, ndonëse ai paraqitet megjithatë në një paradoks që nuk kishte të ardhme, por që nuk mund të mos përmendet dhe të admirohet nga e ardhmja. De Rada shkruajti formën arbëreshe të gjuhës shqipe, gati një gjuhë arkaike, që të kujton shqipen para Skënderbejane. Kjo koine arbëreshe ku ndërthurren dialektet e lashta të së njejtës gjuhë amtare, gjithsesi qe një koine që mbijetonte me vështirësi, patjetër e ngurtësuar në shumë elementë të saj, por jo nga ajo që quhet energjia e brendshme semanike dhe e vetëgjuhës në përgjithësi. De Rada nuk e pati fatin e Dante Aligerit. Dante Aligeri duke shkruar dialektin e Toskanës, krijoi kështu gjuhën letrare moderne të Italisë. De Rada duke shkruajtur një cikël mrekullisht letrare në gjuhën arbëreshe (padyshim që nuk duhet të mos e kuptojmë konvencionin, konvencion që s’duhet të na turbulojë logjikën dhe të mos harrojmë atë më kryesoren dhe më përfundimtaren, gjuhën e vetme shqipe), por arbërishtja për shumë arsye që nuk është vendi këtu të zgjatemi, nuk arriti dhe nuk u bë gjuha letrare, moderne e kombit shqiptar. Fati i buzëqeshi një gjeniu tjetër të letrave shqipe, më të pazëvendësueshmit nga të gjithë shkrimtarët shqiptarë të gjallë apo të vdekur; Naim Frashërit.
Është një ëndërr e vjetër të ravizojë diçka, për krijimtarinë e Jeronim De Radës. Këto rrjeshta në formën e një parafjale modeste për kryeveprën e parë të madhe poetike të të gjithë kohërave, të quajtur “Milosao”, ose “Këngë të Milosaut”, të botuar për herë të parë në vitin 1836, më japin mundësinë të shpreh disa mendime jo aq entuziaste se sa të menduara gjatë dhe jo pa vështirësi në brendësinë e mendjes time.
De Rada bën pjesë tek ata krijues botërorë, që në moshë fare të re, guxon pa mëdyshje tek projekti i madh i një kryevepre. Padyshim që vetitë e tij janë vetitë që e përngjasojnë me gjeniun, ndonëse një gjeni i vetmuar, që shkruan në një variant gjuhësor, gjithashtu të vetmuar. Duket sikur ka shumë elementë të pakapërcyeshëm kundër vetvetes. Duket sikur De Rada në të gjithë kuptimet është një Hirushe mashkull i poezisë, një Hirushe tepër e thjeshtë, e gati e leckosur, këmbëzbathur, por me një bukuri fizike dhe shpirtërore magjepëse.
Kemi disa variante të Milosaos. Një variant i hershëm i cili të bën përshtypje për lakonizmin dhe shumë detaje të lëna përgjysëm. Një variant më të përpunuar dhe së fundi një variant të tretë, i cili përshin 40 këngë, që fillojnë të datuara që nga 27 korrik 1435 deri më 7 nëntor 1443.
Siç shihet De Rada synon të bëjë një histori të shkruar në vargje pa qenë homerik apo virgjilian. De Rada nuk e respekton formën madhështore dhe marramendëse të eposit. Por De Rada, synon gjithsesi të bëjë një roman poetik, krejt të ndryshëm nga “Eugjen Onjegini” i Pushkinit, apo “Pan Tedeush” i Miskijeviçit.
O Medaur sa i ndryshëm që është De Rada prej tyre dhe sa e çuditshme është kryevepra e tij prej kryeveprave të tjera!
Duke lexuar përsëri me vemendje “Milosaon” kam ndjerë atë që quhet epshi i zbulimeve, përjetimi për të parë një botë akoma të pazbuluar, të lashtë dhe njëkohësisht të re. Instikti im, i arkeologut, tashmë më është bërë një ndërgjegje torturuese. Po unë nuk mund të veproj dot ndryshe, nuk mundem, që të mos gëzohem, kur shikoj që midis “Këngëve të Milosaos” poeti ka përfshirë edhe disa vjersha me rimë madje dhe me distik, që quhen “graxeta”. Ky term krejt origjinal lidhet me këngët e grave, ndaj arbëreshi Bernard Bilota e shpjegon etimologjinë e fjalës Graceta me emrin “gra”.
Zbulimi që më duket sikur e shijoj për herë të parë është fakti se vetë De Rada i quan të 40 këngët që u ka vënë gati në mënyrë misterioze për të na shqetësuar vëmendjen deri në fund, data të përcaktuara qartë, duke na kumtuar që nuk është thënë deri më sot në studimet shqiptare, se kemi të bëjme me një ditar poetik të Heroit, pra të vetë Milosaos, i cili është vetë poet. Pra kryevepra e De Radës është e subjektuar nga një personazh poet, Kips i poetit De Rada, por ama një Kips i shekullit të XV, i cili ashtu siç është një jetë reale ka një datë të saktë të vdekjes, siç kanë njerëzit fizikë. Kënga e Fundit e shpreh qartë që Milosao ka vdekur në 7 nëntor të vitit 1443, pra afërsisht në lakun kohor kur sipas Marin Barletit rikthehet në Krujë dhe në Arbëri Gjergj Kastriot Skënderbeu për të përflakur horizontet e tërë Europës me eposin e tij të lirisë.
Ditari i Milosaos është forma më e çuditshme e një ditari sepse këtu De Rada bën diçka të re, që nuk ka ndodhur më parë, në atë që quhet logjike e ditarit. Ditari përgjithësisht shkruhet në vetën e parë ose janë të famshme shënimet në formë ditari të Jul Cezarit, ku ai shkruan historinë po në vetën e tretë. Kurse ditari i Milosaos, është shkruar duke alternuar “unë” me ‘ai” . Kjo ndërthurje që nuk tingëllon aspak absurde dhe pa kuptim, të kujton një nga risitë më të mëdha të Xhejm Xhojsit dhe të shkrimtarëve moderne të të ashtuquajturit “Përroi i ndërgjegjes”.
Të habit guximi i De Radës për ta bërë një gjë të tillë, por ende mund të zbulosh prap diçka tjetër te kjo kryevepër. De Rada gërsheton subjektin ose atë që quhet narracion poetik me dialogët e shkurtër, që burojnë drejtëpërdrejtë nga tragjeditë e mëdha greke të antikitetit. Por vepra, jo vetëm nuk merr një karakter të rëndë epik, por çuditërisht ka një formë të tillë të lirizmit, që të trondit, t’i mpreh shqisat dhe të krijon një kthjelltësi të pamasë, siç të krijon meditimi i hollë shpirtëror i teksteve të Zen Budizmit, apo të poezisë së shkurtër dhe më të çuditshme të botës, që janë hajkutë japoneze. Që De Rada e ka njohur poezinë e madhe, të lashtë të Lindjes kjo nuk ka asnjë dyshim. Është meritë e Eqrem Çabejt, që ka vërtetuar egzistencën e emrave indianë të lashtë, ndikime nga vedat sanskrite në krijimtarinë deradiane.
Kam vite, një jetë të tërë, që gjithmonë kam bërë pyetje për De Radën, shumë pyetje. Por asnjëherë nuk i jam shmangur pyetjes: Nga buron kjo magji kaq e veçantë, kaq e plotpushtetshme, kaq pakufi e artit poetik të De Radës? Ky është një nga misteret më të përjetshme, nga ato që merren ekzegjetët, do të jetë përherë zanafilla e pashtershme e meditimeve në mijëvjeçarin e tretë, ndoshta dhe më tej për De Radën.
Historia e Milosaos, është gjithsesi një histori shekspiriane në kuptimin më të plotë të fjalës. Ky fakt nuk është vënë në dukje gjithashtu në studimet mbi De Radën. Është harruar pikërisht kontradikta që u kapërcye në formën e një tërmeti pra të një Deus Ex Mashina për të bashkuar Rinën Xhuljetë me Romeon Milosao.
Padyshim që ky thelb i tragjikës së Shekspirit është kapërcyer në një formë elegante në një tragjedi paksa më të zgjatur nga De Rada. Edhe Rina vdes, por më e rëndësishme është vdekja pranë një lumi në vjeshtë, kur era rrëzon hijen e lisit, të heroit luftëtar dhe njëkohësisht poet, që është Milosao. E mahnitshme është kjo strukturë, që nis me ekuinoksin pranveror dhe me botën që kishte ndërruar lisa dhe detin, që kish ndërruar ujin dhe përfundon me vjeshtën kaq të parapëlqyer nga poetët romantike por gjithsesi tashmë nën një lis, pra, nn obeliskun mbivarror të vetvetes, duke parakuptuar ndoshta një gjethësim të ri të tij në një stinë tjetër, por në brigjet e atij lumi lëvizës heraklitian, ku gjithësesi rrjedh diçka e pamohueshme nga uji i lumit të Letës, dmth të harrimit. Vdes Milosao siç vdes njeriu fizik. Por Milosao është në të vërtetë një Hero imagjinar, çdo gjë është fantazi e De Radës, është trill, është stisje e De Radës, që e bën Milosaon, birin e dhespotit të Shkodrës, krijon pra një kips poetik të Shkodrës, të asaj Shkodre, që me anë të Marin Barletit ringjalli vetë Krujën, të asaj Shkodre, që i mjaftojnë vetëm dy rrjeshta të Migjenit, poetit që ka sensin më të lartë, ndoshta më sublim edhe nga peotët tragjikë grekë, kur e quan gati gati sikur Migjeni të ishte brenda lëkurës së Milosaos, sikur Migjeni të ishte vetë Milosao, që vdes për herë të dytë, kur klith në mënyrë apoteoze “Shkodra, Shkodra dashnorja e shekujve”.
De Rada i Makjes së Kalabrisë i kushton kryeveprën e tij Shkodrës që nuk e pa kurrë, ndoshta Shkodrës që i ngjan Trojës së Homerit, Shkodrës, që e vuan ende mallkimin që nuk i është përgjigjur asaj dashurie të njeriut tashmë me varr të thyer dhe gati të anatemuar, që mund ta quajmë Migjen, ose edhe Milosao.
…………………………………………
———————————————–
**********************************************
(Ilustrimet i bëri pashtriku.org, sh.b)