PROF.DR.BRIKENA KADZADEJ – ZAVALANI: RRUGËTIM I GJUHËS GJERMANE, NËPËR SHQIPËRI

Tiranë, 21. 05. 2014 – Kur, kohë më parë, bëja kërkime në një bibliotekë të Gjermanisë, midis të tjerash, hasa një fragment të albanologut të madh N. Jokli, i cili shprehej: „Gjuha e shqipëtarëve ose skipëtarëve, deri sot, ka mbetur një thjeshtër e gjuhësisë indogjermane“. (Die Sprache der Albaner oder Skipetaren ist bis heute ein Stiefkind der indogermanischen Sprachëissenschaft geblieben…“ -Norbert Jokl: Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des – Sprach- und Kulturëissenschaft, Leipzig 1923, fq. 109.)
Në atë sallë të ngrohtë, plot libra, sikur ndjeva „të ftohtë“, nga ndjesia për vendin e popullin tim. Kjo zgjati pak, sepse menjëherë solla në kujtesë rendin e gjatë të albanologëve shqiptarë dhe të huaj dashamirës, që punuan për shqipen dhe se tani ajo qëndron me dinjitet ndërmjet motrave të saj indoevropiane.
Rreth një shekull e gjysmë më parë, Johann Georg von Hahn, konsull gjerman në Greqi, zgjati dorën tej punëve konsullore dhe u mor me gjuhën shqipe. Pra, gramatika e parë për gjuhën shqipe është hartuar nga një gjerman. Pa dyshim që për ne, në ato rrethana kur ende s`kish një shkollë shqipe dhe ku rilindësit po luftonin për gjuhën e tyre, kjo qe një mrekulli.

Johann Georg von Hahn (1811 – 1869)

Më vonë, të tjerë studiues nga hapësira gjermanofolëse: Jokli, Majer, Lamberc, Vajgand, Fidler, Ulrish, Buholc e Këderiç dhe albanologët tanë më të shquar: Çabej, Domi, Riza e Demiraj bënë studime të rëndësishme për shqipen, duke iu drejtuar edhe gjuhës gjermane.
Ndoshta, dikush do të mendojë që pse e bëra këtë hyrje me shqipen. Sepse, desha të theksoj se studiues të hershëm, nga hapësira gjermanfolëse, e kanë kthyer vëmendjen ndaj popullit shqiptar dhe gjuhës së tij. Dhe jo vetëm kaq, ata kanë dhënë ndihmesën e tyre për këtë gjuhë, siç përmendëm Hanin.
Pavarësisht historisë së rënduar të shqiptarëve, lidhjet me Gjermaninë kanë qenë të hershme, si ato shpirtërore, po ashtu edhe ato kulturore. Jo më kot kemi përkthime nga letërsia gjermane ose studiues shqiptarë, që shkruanin për gramatikën shqipe në gjuhën gjermane, si Gj.Pekmezi, më 1908.
Mësimi i gjuhës gjermane në vendin tonë të vogël ka një traditë relativisht të gjatë. Në vitet `20-të dhe `30-trë, të shekullit të kaluar, jo pak familje shqiptare i dërgonin fëmijët e tyre për studime në Evropë, ndër të tjera, edhe në Austri e Gjermani. Mbas mbarimit të studimeve, këta sillnin me vete në atdhe kulturën dhe mendësinë gjermane, megjithëse natyrisht ishin pak. Kështu, në atë kohë, kemi përkthime nga letërsia gjermane, në gazeta ose revista të kohës.
Në vitet `50-të dhe ´60-të, të shekullit të kaluar, në kuadrin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Republikës Demokratike Gjermane, shumë të rinj shqiptarë u dërguan për studime atje, me mbështetjen e Qeverisë Gjermane. Në atë periudhë, pati përpjekje për të futur gjuhën gjermane në shkolla të mesme, si p.sh., në atë „Sami Frashëri“ ose edhe në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, të Universitetit të Tiranës. Po, për fat të keq, ato ishin jetëshkurtra edhe për shkak të mungesës së kuadrove dhe librave e materialeve tjera mësimore.
Në vitin 1961, siç dihet, me ndërprerjen e marrëdhënieve të vendit tonë me vendet e Evropës Lindore, studentët tanë u kthyen në Shqipëri. Por ata u bënë edhe një herë transmetuesit e kulturës gjermane dhe të vetë gjermanishtes. Ishin pikërisht ata, që drejtuan disa kurse të vogla të gjermanishtes, qoftë edhe private.
Në Universitetin e Tiranës, themeluar në 1957, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, mësohej vetëm gjuhën ruse, e cila ishte vazhdimësi e degës së asaj gjuhe, në Shkollën Pedagogjike të Tiranës. Në vitet 1960-1961, gjithashtu, u hap dega e anglishtes dhe, më pas e frengjishtes.
Në vitin 1979, në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja, në Tiranë, u hapën tri gjuhë të paofruara më parë, ndërmjet tyre edhe gjermanishtja. Kjo u shtri vetëm për katër vjet, me nga 10 nxënës në vit, pra gjithsej rreth 40. Këtyre nxënësve të gjuhës gjermane nuk iu dha mundësia që ta kishin degën e tyre në shkollën e lartë. Prandaj u ndanë në dy grupe, me një program të veçantë, në gjuhë-letërsi shqipe dhe histori. Sipas programit të hartuar, krahas lëndëve shqip, ata bënin gjuhësi dhe letërsi gjermane, për katër vjet. Si përfundim, diploma e tyre ishte e dyfishtë, për shqip dhe gjermanisht. Qoftë në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja, si dhe në grupet e lartpërmendura në Fakultet, kanë qenë pedagogë gjermanë, por krahas tyre edhe pedagogë shqiptarë, që kanë studiuar në Gjermani.
***
Pas një izolimi shumëvjeçar, në fillim të viteve ´90-të të shekullit të kaluar, Shqipëria u hap ndaj Perëndimit, me domosdoshmërinë për bashkëpunim dhe integrim në fqinjësinë evropiane. Erëra të reja po frynin edhe për gjuhët e huaja. Kështu, ato morën një vend të veçantë, përfshi edhe gjermanishten. Mund të përmendim se, deri në këtë periudhë, anglishtja, frengjishta e rusishtja (tashmë e tkurrur) ishin gjuhët që mësoheshin si në Universitet, po ashtu edhe në arsimin parauniversitar. Interesi i shqiptarëve u rrit, veëanërisht për gjuhë si gjermanishtja. Kjo bëri që, në vitin 1991, mësimi i gjermanishtes u rikthye në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja, “Asim Vokshi” të Tiranës.
Në vitin 1992, gjermanishtja u hap, degë më vete, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, tashmë, e shkëputur nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë.
Departamenti, asokohe, përbëhej vetëm nga dy pedagogë, pra drejtuesi i departamentit dhe përfaqësuesi i parë i DAAD-së (Shërbimi Gjerman për Shkëmbime Akademike).
Në vitet pasuese, 1992-1993, gjuha gjermane u shtri edhe në shkollat e mesme të gjuhëve të huaja, pra në Elbasan, Shkodër e Korcë, si dhe në Universitetin e Elbasanit e të Shkodrës, si degë. Për herë të parë, gjermanishtja u programua gjuhë e huaj në gjimnazet “Ismail Qemali” dhe “Sami Frashëri” (1992), në këtë të fundit më vonë u eksperimentua një projekt austriak, i quajtur pilot, për një mësim të përforcuar të gjuhës së huaj gjermane, pra 4-5 orë në javë. Në këto gjashtë vitet e fundit, falë punës shumë dashamirëse të shtetit gjerman, në shkollën „Sami Frashëri“ gjermanishtja është futur jo thjesht gjuhë, por me program të plotë . Pjesë e këtij projekti është edhe mësimi i gjuhës gjermane në tri shkolla 9-vjeçare të Tiranës („Fan S. Noli“, „Avni Rustemi“ e „Jeronim de Rada“). Nxënësit e tyre kalojnë direkt në gjimnazin „S.Frashëri“, ku testohet niveli gjuhësor. Gjatë dy viteve të fundit, gjithnjë falë kësaj mbështetje, diploma e shkollës së mesme nga Gjimnazi „Sami Frashëri“ njihet në Gjermani dhe çdo vit, dy nga gjimnazistët më të mirë, dërgohen atje për studime.
Po ashtu, gjuha e huaj gjermane ka hyrë prej vitesh në programin e shkollave të mesme të Tiranës (“Petro Nini Luarasi”, “Shkolla e Mesme Hoteleri e Turizëm”, “Shkolla e Mesme Teknike dhe Ekonomike”) dhe të Durrësit, Shkodrës e Korcës.
Në vitin 1993, mësimi i gjermanishtes ka nisur edhe në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku vazhdon të jepet. Në mënyrë jo të rregullt jepet edhe në Fakultetin Ekonomik, Akademinë e Arteve dhe Akademinë Ushtarake.
Aktualisht, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në Universitetin e Tiranës, numri i studentëve për gjuhën gjermane është më i madhi (Bachelor, gjithsej 370 studentë dhe Master 115), në krahasim me gjermanistikën e Elbasanit dhe të Shkodrës. Është e rëndësishme që ajo jepet në Fakultetin tonë jo vetëm në degë, por edhe gjuhë e dytë ose e tretë. Është për t`u vlerësuar fakti që gjermanishtja jepet edhe në shkollat jopublike, pra në arsimin privat.
A mund të realizoheshin të gjitha këto arritje, vetëm me dashurinë për gjuhën gjermane dhe me dëshirën për ta mësuar atë, pa një mbështetje të vazhdueshme e bujare të Qeverisë Gjermane?!
Ja, që këtë mbështje dhe ndihmë e patëm që në fillim të viteve të Demokracisë, me DAAD-në (Shërbimi Gjerman për Shkëmbime Akademike), me qendër në Bonn, një institucion i njohur për shtrirjen e tij në shumë vende të botës, jo vetëm për Evropën por edhe në të tjera kontinente. Ai mbështet shkencëtarët e rinj për kërkime dhe studime të mëtejshme, deri në doktoraturë. Kështu, nëpërmjet përfaqësuesve të vet në vende të ndryshme, zhvillon projekte të lidhura me zhvillimin e arsimit të lartë. Po ashtu, ai ndihmon edhe me bazë materiale. Në Shqipëri, ne e kemi ndier këtë ndihmë jo vetëm në gjermanistikë, por edhe në të tjera degë, si në për ekonomi, inxhinjeri, mjekësi, arte etj. Me dhjetëra shkencëtarë të rinj shqipëtarë marrin bursa të përvitshme, afatshkurtra dhe afatgjata, për në Gjermani. Përsa i përket degës së gjuhës gjermane, DAAD ka dhënë një ndihmesë të jashtzakonshme, duke nisur që para hapjes së degës së gjuhës gjermane. Ata dërguan këtu përfaqësuesin e tyre, i cili ndonëse në rrethana shumë të vështira të asaj kohe, bëri një punë të jashtëzakonshme për departamentin. Ambasada Gjermane në Tiranë, në bashkëpunim me DAAD-në, ka dhuruar bibliotekën e parë për gjermanistikën, e cila falë kësaj mbështetjeje, vazhdimisht është pasuruar. DAAD-ja nuk ka rreshtur së dërguari lektorët gjermanë dhe, madje në 5 vitet e fundit, e ka përforcuar me një assitent, po gjerman. Veç këtyre, në bashkëpunim me Shërbimin e mësipërm, Fondacioni „Herder“ e ka mbështetur për disa vjet shkencërisht gjermanistikën, me profesorë të shquar gjermanë (si, p.sh., Prof. dr. Mario de Matteis, tepër i përkushtuar), si në Tiranë dhe Elbasan.
Por, a mund të mos theksohet fort ndihma në vazhdim e Institutit famëmadh Goethe?! I njohur si institucion për përhapjen dhe mbështetjen e gjuhës gjermane në të gjithë botën, ai ka qenë i pranishëm edhe në Shqipëri, që pas viteve `90-të të shekullit të kaluar. Fillimisht, ka specializuar mësuesit e rinj të gjermanishtes, pothuajse të gjithë. Sot është më shumë se kurrë i pranishëm me organizimin e kurseve, sipas niveleve dhe provimeve përkatëse, me grupmosha të ndryshme. Ai, gjithashtu, ka qenë i pranishëm me zbatime projektesh metodike-didaktike, për shkëmbim përvoje. Kështu, dita-ditës, numri i kursantëve është në rritje.
„Sami Frashëri“ nuk po e lë gjermanishten. ZFA (Enti Qendror për Sistemin Arsimor jashtë Gjermanisë) është i pranishëm te ne, që pas viteve ´90-të të shekullit të kaluar, me përfaqësuesit e saj, në fillim në shkollën e mesme “Asim Vokshi”. Ndërsa tani vazhdon me projektin, që përfshin 3 shkollat nëntëvjeçare të sipërpërmendura dhe Gjimnazin “Sami Frashëri”. Ky institucion, krahas kualifikimit të stafit mësimor, ofron bursa për nxënësit e shkollave të mesme.
Të rinjtë tanë mund të jenë edhe politikanët e ardhshëm, prandaj për këtë gjë ka menduar Bundestagu Gjerman. Që prej vitesh, ai mbështet studentë aktivë dhe me njohuri të mira të gjuhës gjermane, me bursa për praktikë disamujore në Parlamentin Gjerman.
Shtetet gjermanofolëse, në bllok, e kanë ndihmuar përzemërsisht dhe sinqerisht mësimin e gjuhës gjermane në Shqipëri. Që në vitet `90-të të shekullit të kaluar, si në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe më pas në degën e historisë, u dërguan lektorë austriakë. Ndërsa Qeveria Austriake dha bursa të shumta kualifikimi për stafin e studentët dhe tani kjo mbështetje është përqendruar në Shkodër, në arsimin e lartë dhe në atë të mesëm. Pjesë e fuqishme e kësaj ndihme, padyshim, është „Kulturkontakt Austria“, e njohur në mbarë Shqipërinë, me ndihmesën që jep për arsimin e mesëm profesional, si me bazë materiale dhe me projekte e bursa studimi. Siç dihet, pjesa më e madhe e Zvicrës shprehet në gjermanisht, kështu që dashamirësia dhe ndihma e Ambasadës Zvicerane në Tiranë është mjaft e njohur dhe e pranishme.
Sigurisht, në këtë shkrim nuk mund ta shprehim tërë mirënjohjen tonë për mbështetjen, që na është dhënë për mësimin e gjuhës gjermane në Shqipëri, jo vetëm materialisht, por edhe për faktin se studentët e të rinjtë shqiptarë po tërhiqen ndaj mësimit të kësaj gjuhe, gjithnjë e më shumë. Natyrisht, kjo na gëzon ne si popull, pjesë e Evropës. Prandaj dhe e ndjeva për detyrë, si shqiptare dhe pedagoge e gjuhës gjermane, për të cilën kam investuar, ta bëj të njohur sadopak këtë rrugëtim të gjuhës gjermane në vendin tonë, deri në ditët e sotme.
– Autorja është drejtuese e Departamentit të Gjermanishtes, në Universitetin e Tiranës.

……………………………………………………………

Mëso Gjermanisht:

:::::::::::::::::::::::::::::::::::

(…)

:::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::

(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

BARSOLETA

BARSOLETA Nga Beqir Elshani 1.ÇOHUNI BURRA! – Unë nuk e kuptoj fjalën demolim në shtypin tonë? – u…