PËRPARIM DEMI: HIJA E MEMORJES SIME

Bukuresht, 26. 05. 2014 – Hija që po shëtiste para meje mu duk sikur doli prej meje, sikur doli prej toke, apo ra nga qielli papritur! Ndjeva ftohtë dhe nuk dija si të ngrohesha. Ktheva kokën dhe pashë veten mbrapa hijes. U trëmba pasi kujtova se isha i rrethuar nga hija ime dhe thashë të ndroja rrugën, se ndoshta ajo nuk më ka parë akoma dhe do vazhdontenë rrugën e saj…
Boshllëku para meje nuk mu duk shumë miqësor, prandaj u ndala pa u nisur dhe thashë të mendohesha njëherë. U kollita pak me qëllim që të pastroja fytin dhe pastaj që ti jepja zëmër vetes u kollita përsëri, veçse kësaj rradhe më zhurmshëm. Isha vetëm, vetëm me veten time se hijen s’po e llogaris. Një mëndje më thoshte se mund të bërtisja, të këndoja ose të fishkëlleja i shkujdesur përtë vendosur ekuilibrin e humbur para pak çastesh, që kush të më shihte të kujtonte se çdo gjë ishte në regull. U përpoqa të bëja diçka, diçka normale, që për situatën e krijuar, çuditërisht mu duk se kjo ishte komplet anormale, prandaj dhe hoqa dorë.
Ashtu i pavendosur, ja hodha gjithë fajin hijes time. Po po, me siguri ajo mi solli të gjitha këto. Prej saj mbeta vetëm, prandaj dhe kam ftohtë. Sikur mos ta kisha parë atë, nuk do e humbja mëndjen dhe nuk isha trëmbur kaq shumë. Vetëm ideja se ajo mund të më ndiqte nga pas më friksoi aq sa nuk dija më se ku isha dhe as ku do shkoja. Si s’kisha ndonjë degë pranë të kapesha, ose të paktën ndonjë parmak të mbështetesha, do isha shumë më i sigurt se s’do rëzohesha. Mendimet më fluturonin në fraksione të sekondës, hynin e dilnin tamam si njerëzit në dyerte metros në kohën e pikut.

Prit – thashë me vete – ngadal, haj ta marrim me rradhë.
A është hija ime, apo është e dikujt tjetër ?
Po qe se ishte e imja, çfarë dreqin kam që jam trëmbur kaq shumë?
Mirë e kisha, ashtu është, por prap s’u ndjeva i qetë. Diçka e kishte kjo hije që s’po e kuptoja, diçka të kaluar, apo mos ndoshta ishte një projeksion i një ndodhie akoma të pa ndodhur, e cila më shfaqej si shënjë paralajmëruese për atë që do më ndodhte. Kështu që vërtet ishte hija ime, por jo e tanishme, jo e kaluar, ishte parahija ime e ardhëshme, e cila qënka kthyer mbrapa në kohë, për të më tërhequr vëmëndjen, pra për të më ndihmuar që ti hapja sytë mirë.Të hapja sytë të shihja çfarë? Këtu u bllokova, si të shihja diçka e cila akoma nuk ishte shfaqur, e cila nuk egzistonte akoma, në fund të fundit.
Çfarë budallallëku, si mund të ndodhi një gjë e tillë. Unë që s’besojnë ato gjërat paranormale që kam lexuar për kuriozitet nëpër revista, bile nuk besoj as dhe në astrollogjitë që na japin radiot që në mëngjes, ku po të ndrosh postin menjëherë të ndron dhe fati i asaj dite. Njëri të thot se atë ditë do jesh i lumtur dhe do fitosh shumë para, tjetri të kundërtën. Jo po do të braktisi e dashura ose do humbish parat e fituara një ditë para. Një herë duke dëgjuar të tilla prognoza, kur hop pas një kthese ishte fshehur polici rrugor. Kështu e qava një gjobë të majme nën dorë dhe mbylla radion.
Për disa momente më kaluan nëpër mend gjithfarë skenarë filmash SF, ku disa personazhe që ndodheshin në ndonjë anije kozmike teleportohen në kohë për të penguar një ngjarrje të ndodhte, e cila kishte sjellë si pasojë ndonjë fatkeqsi të madhe, ndoshta shuarjen e njerzimit. Mos vallë dhe kjo hije që pash ishte në fakt një gjë tillë,domethënë isha po unë i kthyer në kohë, nga nja disa qindar vjet para dhe nga ndonjë anije e tillë që bridhte nëpër kozmos për të gjetur ndonjë planet të ri me klimë të përshtatëshme. Fillova të shoh ëndra me sy hapur dhe u tmerova. Kaq e paskam patur, paskam rrjedhur thashë. Ndjeva një shije të hidhur në gojë dhe desha të ngushëllohesha se gjëra të tilla u ndodhnin dhe të tjerëve. “Pandehma” siç i quante halla ime rahmet paste.
Kur isha i vogël pata dëgjuar gjithfarë historish, por nuk ua vija veshin, më dukeshin si barcaleta fshati, që tregonin njerëzit për të krijuar humor. P.sh. një plakë e cila ishte duke shkuar rrugës në një vaki, haroi emrin e vet dhe filloi të fliste me zë të lartë: “qyqja si më quajnë? Do shkoj atje dhe kur njerzit do më thërasin në emër unë s’do u përgjigjem dot”. Mbrapa saj ecte një bashkëfshatar, i cili kur e dëgjoi, nxitoi hapin, iu afrua dhe i thiri: “ si u gdhive moj Hanushe”. Plaka u ndal, ktheu kokën dhe fillojë ta falenderoi: “tu beftë dita njëmijë mor bir që ma kujtove emrin, rrofsh e qofsh.”
Kam përshtypjen se gjithë çudirat ndodhnin vetëm në fshat. Atje jo vetëm që ndodhin por dhe mbahen mend të tëra, çdo histori kujtohej here pas here, në raste dasmash apo vdekjesh. Pleqtë e fshatit, për mua, ishin si punë bibliotekash, dinin gjithshka, që kur kishte lindur jeta mbi dhe e deri më sot.Të paktën kështu kujtoja unë atëhere. Tregonin meselera të vjetra të cilave askush nuk ua dinte datën se kur kishin ndodhur, por që të gjithë ishin të bindur plotësisht se kishin ndodhur tamam ashtu dhe ishin të vërteta, gjë që se luante topi. S’më kujtohet as edhe një rast që dikush të kundërshtonte ose të hidhte sadopak hijen e dyshimit se ajo që tregohej rreth sofrës të mos kishte ndodhur. Burrat dëgjonin, dhe sipas rastit ose qeshnin (nëse ngjarja ishte komike), ose vazhdonin bisedën me ndonjë kundër-rast tjetër, me ndonjë histori të ngjashme që kishte ndodhur gjëkundi, në një tjetër katund. Zakonisht historia e dytë e përforconte të parën dhe burrat tundnin kokën, për të treguar se ashtu ishte, gjëra që ndodhin.
Sa të bukura ishin këto mbledhje burrash. Aty shoshiteshin të tëra, që nga historia e lashtë apo më pak e lashtë dhe deri tek prognozat e një të ardhme e cila do vinte së shpejti patjetër. E ardhmja shpesh vërtetohej me të kaluarën. Nëse diçka kishte ndodhur njëherë, me siguri do ndodhte prap. Kjo ishte e sigurt dhe askush nuk kishte dyshime për të. Më kujtohet Xhelua, një plak i urtë nga fshati i nënës time, i cili mbahej se kishte memorje elefanti, dinte të gjitha historit e ndodhura dhe jo vetëm të fshatit të tij, por të mbarë Kurveleshit. Kishte qënë çoban në rini dhe njihte të gjitha malet e krahinës, bile dhe ato që dukeshin mbrapa honeve të Nivicës. Për çdo gjë ai ekishte gati nga një shpjegim që lidhej me ndonjë histori të vjetër. Zakonisht e vinin në krye të sofrës se ishte kripa e muhabetit. Ai para se të fillonte, e hidhte një gotë raki, fshinte mustaqet e bardha me të mbrapmen e dorës dhe i drejtohej atij që kishte përkarshi: “dëgjo këtu ti more djalë…”. Me djalë i drejtohej dhe pleqve që ishin më pak të moshuar se ai. Askush nuk ja dinte tamam moshën, disa besonin se e kishte kaluar qindin me kohë. Ai tregonte për kohën e turkut sikur të kishte ndodhur dje. Nganjëherë ata të sofrës e ngacmonin të tregonte ndonjë mesele të vjetër, që kishte të bënte me bisedën e tyre, si punë ilustrimi, që vërtetonte katërcipërisht se kishin të drejtë. Fjala e plakut Xhelo e vendoste përfundimisht dhe i vinte kapak gjërave, askush nuk guxonte të shtonte diçka më tutje.
Mbaj mend një histori të çuditëshme që e kam dëgjuar me veshët e mi në një nga këto raste, që lidhej me një gropë të madhe, e cila ndodhej prapa malit. Ajo s’kishte emër, të gjith i thonin groapa, tek gropa ose nga gropa kur orientonin dikë se nga duhej të kalonte. E pra, ajo gropë, që mua mu duk shumë e madhe dhe e thellë kur ma treguan, sipas plakut Xhelo ishte hapur nga një guri madh që kishte rënë nga qielli. Këtë edhe mund ta besoja, pasi kisha lexuar mjaft kuriozitete dhe historira asteroidësh në vënde të ndryshme. Në literaturë, asteroidët zakonisht bien diku larg. Në Siberi, në Amerikën latine, Mongoli apo Australi, por asnjë revistë e tillë nuk e kishte përmëndur Kurveleshin si një vënd ku mund të binte ose që kishte rënë ndonjë gur i madh nga qielli. Kështu, në vëndin e gropës na paskish qënë një fshat dhe banorët e tij ishin shumë kryeneç. Hiqeshin si të parët e krejt Kurveleshit. Ata, jo që s’përfillnin mbret e sulltan por as perëndive nuk ua hapnin rrugën. Kështu erdhi lajmi i gurit, ndodhi hataja dhe katundi i tyre u zhduk sikur ta kishte fshirë dikush me dorë. Askush s’guxoi më të fliste për ta. Megjithatë gropa u bë një vënd i rëndësishëm. Thonë se aty fshiheshin kaçakët kur vinin taborët dhe u dilnin pastaj nga mbrapa sikur të kishin mbirë nga dheu. Turqit që besonin në lloj lloj bestytnish, e kishin tmer të kalonin andej. Kujtonin se gropa do i thithte brënda, se aty ishin mbledhur gjithë shpirtrat e këqinj që ruanin zonën përrreth mos kalonte asnjë këmbë e huaj. Ndërkohë që çobanët e fshatit e konsideronin si shënjë e mirë, ata besonin se gropa ua ruante dhëntë, bile dhe fshati ishte i mbrojtur prej saj. Kur binte ndonjë dele e humbur në gropë, thonin se ajo morri hakun e vet dhe do i shpërblente me ndonjë të mirë. Plaku Xhelo e tregonte me qejf këtë histori. Thoshte se e kishte dëgjuar nga të parët dhe ata nga më të parët e tyre. Askush se dinte se kur kishte ndodhur hataja, por të gjithë ishin me një mëndje si dikur kishte ndodhur me të vërtet. Fakti se turqit asnjëherë nuk arritën tek gropa e vërtetonte këtë plotësisht.
Kurveleshi, kjo krahinë malore me ato katundet e rralla, të shpërndara, ishte për mua vëndi i historive, i ndodhive nga më të çidutëshme dhe nga më të bukurat në të njëjtën kohë. Aty lindnin heronj, aty burat mateshin me malet, si në atë këngën monofoni, ku rrënia e një luftëtari tregohej sikur u këput një këmbë e malit. Në atë vënd burrat këndonin me rradhë dhe të gjithë bashkë njëkohësisht. Ai që ja merrte i pari, ftonte të tjerët pastaj ti mbanin ison. Njerëz të ashpër si malet dhe klima e tyre. Fjalë pakë që të shponin. Aty dhe gratë silleshin si burrat, bile dhe fëmijët e vegjël ndërmjet tyre imitonin të riturit. Ajo që më bënte përshtypje, ishte se çdo gjë ishte në vëndin e vet, sejcili dinte ku të rinte dhe kur të fliste. Kush nuk i njihte zakonet e tyre, ndonjë kalimtar apo mik i ardhur nga fusha, nuk mëpërkëmbej, vihej në krye dhe i lihej rradhë të thoshte diçka, qoftë edhe në dizakord me muhabetin alegorik të vëndalive. Atje burrat të vrisnin me heshtjen e tyre, vështronin lart nga qielli ose nga majat e maleve përrreth. Njerëz që të habisnin me maturinë e tyre, dinin të zgjidhnin çdo problem me mënçuri. Ishin të lidhur me njëri tjetrin permes gjakut, krushqive, miqësive, historive të vjetra dhe të reja. Sejcili kishte mëndjen etij dhe të gjithë bashkë kishin malet e tyre.
Unë si nip i një familje të njohur atje, ndjehesha mirë, i privilegjuar, mund të flisja dhe atje ku fëmijtë e tjerë të fshatit e kishin të ndaluar. Bëje hesap, gjyshi më ulte në sofër me burrat. Isha nipi nga qyteti, bile nga kryeqyteti, jo shaka. Kushërinjtë e mi moshatarë më afroheshin dhe kush e kush më shumë, më ftonte dilnim lart, të më tregonte vëndet e tij sekrete, ku ndjeheshin të lirë të luanin dhe të bënin ato gjërat e ndaluara nga të mëdhenjtë. Fëmijët aty ishin “spektatorët”, dëgjuesit më të zellshëm të bisedave të burrave. Ata uleshin mënjëanë mbrapa dhe nuk largoheshin deri vonë, ishin tërë sy e veshë. Vetëm kur kapnin ndonjë vështrim të rreptë nga i ati, ulnin kokën dhe rrëshqisnin nga dera për në dhomën tjetër ku i priste e ëma ti vinte në gjumë. Ku dija unë nga këto, kur kishim musafir dhe hapej muhabeti pas darke, isha mësuar të më fliste nëna disa herë deri sa të luaja vëndit dhe kur dilja me fytyrën e pakënaqur, hidhja vështrimin nga babai se mos ndërhynte të rrija dhe pak.
Kohë të lumtura, që tani më duken si të haruara, sikur s’kanë ndodhur kurrë. Ca kujtime intime të regjistruara diku, të cilat nuk kanë asnjë vlerë për të tjerët. Po ja që unë vazhdoj i ruaj dhe sa më tej kalon koha, aq më të shtrënjta dhe aq më me vlerë më duken. Ndoshta janë të mbuluara në mjergullën e kohës, nga e cila dalin në raste të ralla, si sot, kur pash këtë hije që më rrethoi. Në fakt ato aty kanë qënë përherë, gjithë kohës, janë si ato pikturat e galerive të cilat shihen nga vizitorët e rrallë të apasionuar. Mund ti krahasoj dhe me skulpturat antike që presin me shekuj nën dhe të zbulohen nga arkeollogët dikur. Kur dalin në dritë na flasin për kohën e tyre të ndritur, na tregojnë çfarë kemi qënë dhe çfarë kemi bërë. Gjëra qe i dinte mirë plaku Xhelo dhe nuk lodhej asnjëherë të na i tregonte. Ai ishte dëshimtari i maleve dhe kishte vetëm një detyrë – mos linte të harohej historia.
Kur u përmënda, hija ishte zhdukur. Si duket e ndjeu se misioni i saj ishte kryer dhe s’kishte pse të rrinte më. Ndërkohë unë në ato pak çaste kisha humbur rrugën dhe mu desh të kthehesha mbrapsht për të arritur atje ku isha nisur.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura