RRUGЁTIMI IM NЁ LЁVIZJEN KOMBЁTARE

Jetëshkrimi historik i veprimtarit të Lëvizjes – Gafurr Qalaj

RRUGЁTIMI IM NЁ LЁVIZJEN KOMBЁTARE

Demonstratat e Marsit e Prillit të vitit 1981, ndikuan fuqishëm në zgjimin e ndjenjave kombëtare te shumica e shqiptarëve që e ndjenin peshën e robërisë. Edhe shqiptarët që ndodheshin në vendet e Evropës Perendimore u mobilizuan për t’u solidarizuar me kërkesat e demonstruesve në Kosovë. Ata nën drejtimin e heronjëve të kombit Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka gjatë vitit 1981, organizuan demonstratat e para në disa qytete në Zvicër, Gjermani, Belgjikë dhe Austri.

Shërbimet sekrete jugosllave synonin t’i mbajnë nën kontrollë bashkatdhetarët për të mos i lejuar që të sensibilizojnë opinionin ndërkombëtarë për gjendjen në Kosovë dhe ndiqnin çdo veprimtar që fliste për pozitën e rëndë të popullit shqiptar në Jugosllavi, apo angazhohej për mobilizimin e shqiptarëve kundër sistemit jugosllav.

Në prag të 45 vjetorti të organzimit të demonstratave të vitit 1981, në qytetet e Evropës Perendimore, kemi zhvilluar intervista me veprimtarët e asaj kohe Shyqëri Ukshini dhe Gafurr Qalaj, dy prej bshkëatdhetarëve të parë që jenë angazhuar për organizim të demonstratave jashtë Kosovës dhe si pasojë e aktiviteteve atdhetare ata nuk kanë mundur të kthehen në Kosovë dhe pranë familjeve të tyre për  afër dy dekada.

Gafurr Çalaj

Asnjëherë nuk kam pasur qëllim të jem i veçantë apo të dallohem nga të tjerët

R. A: I nderuar Gafurr jeni rritur në Ferizaj, mund të na tregoni pak për familjen Tuaj, pastaj sa ju kujtohet fëmijëria dhe si e keni parë në atë kohë  gjendjen në Ferizaj dhe rrethinë ?

Gafurr Qalaj: Familja ime ka qenë gjithmonë e lidhur ngushtë me ngjarjet që janë zhvilluar në periudha të ndryshme historike. Stërgjyshi dhe gjyshi im kanë qenë pjesë e kryengritjeve shqiptare kundër okupatorëve turq më 1908, 1910 dhe 1912. Kanë qenë kryengritës dhe kanë marrë pjesë në të gjitha betejat e zhvilluara kundër turqve si bashkëluftëtarë të Idriz Seferit.

Edhe pas pushtimit të Kosovës nga serbët më 1912, me pushkë në dorë iu kanë kundërvënë bandave vrastare serbe të cilat kanë bërë krime të llahtarshme gjithëandej Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare.

Në vitin 1918, stërgjyshi im me familje është larguar nga vendlindja e tij në Kishnapole, për shkak të përndjekjeve që ka pasur qysh para luftës së parë botërore.

Familja ndonëse ka lëvizur nga një vend në tjetrin kryesishtështë mbajtur nga bujqësia dhe blegtoria. Kanë gjetur strehë dhe janë vendosur në Mirash ku janë pritur mirë nga banorët vendas dhe janë integruar shumë shpejt në mjedis të ri. Në Mirash familja jonë ka jetuar e fshehur nga pushtuesit deri pas luftës së dytë botërore.

Mirashi ka qenë dhe mbetet një qendër me tradita atdhetare.  Fshati ka psur shkollën më të vjetër në rrethinë, nga viti 1937… Për Mirashin fshat në lindje të komunës së Ferizajit, flitet se është shumë i vjetër. Ka histori të jashtëzakonshme që nga  koha ilire. Ka gjetje arkeologjike që dëshmojnë për kulturat ilire, romake e bizantine… Thuhet se fshati nuk është nënshtruar asnjëherë ndaj pushtuesve.  Turqit për pesë shekuj nuk mundën të ia ndërrojnë emrin fshatit. Të gjitha toponimet për rreth Mirashit, përfshirë edhe emrin e fshatit janë në gjuhën shqipe. Ai veçohet për këtë dhe të rralla janë fshatrat në Kosovës me toponime kuptimplotë në gjuhën shqipe sikur fshati Mirash, si Lugu i Kishës Guri i Gjatë, Guri i Bardhë, Lugu i Bunjakut etj…

Në këtë fshat kam lindur më 7 korrik 1954. Shkollën fillore e kam kryer në Mirash një pjesë, kurse një pjesë tjetër në Babush. Shkollimin e mesëm e kam kryer në Ferizaj drejtimin për ekonomi.

R. A. : Si ka qenë gjendja në fshatin tuaj dhe rrethinë gjatë kohës sa ishe nxënës ?

Gafurr Qalaj: Ka qenë fukarallëk i madh. Familja ime ka vuajtur shumë. Nuk kemi pasur as ushqim të mjaftueshëm. Është dashur të organizohemi të punojmë e tërë familja, për të siguruar bukën e gojës dhe pak mjete për shkollim. Gjatë shkollës së mesme unë kam qëndraur tek xhaxhai në Ferizaj nga viti 1969. Këtë kohë kam pasur shkëputje nga fshati dhe nga shoqëria në fshat, por kam krijuar shoqëri të re në Ferizaj. Në shkollë të mesme kam pasur shoqëri  shumë të mirë….Kryesisht djem të mirë dhe patriotë me të cilët kemi ndarë momente të shumta gëzimi por edhe momente hidhërimi.

Edhe Ferizaj në fund të viteve të ‘60-ta të shekullit të kaluar ka qenë një vendbanim që nuk mund ta quaje qytet. Ka pasur pak punëtori dhe stacionin e trenit në mes të qytetit. Gjendja ekonomike  ishte  tepër e rëndë. Atëbotë e gjithë Kosova karakterizohej si zona më e prapambetur jo vetëm në Jugosllavi. Serbët për më shumë se 20 vite pas luftës së dytë botërore, kishin ushtruar dhunë e terror mbi shqiptarët. Familjet ekonomikisht ishin shkatërruar, shumë prej tyre ishin përgjysmuar. Si pasojë e përndjekjeve, paperspektivës dhe varfërisë një pjesë e madhe e popullsisë ishte shpërngulur në Turqi. Kjo e kishte rënduar gjendjen dhe një pjesë e konsiderueshme e popullit akoma jetonte me dilemë ; të tentojnë të ndërtojnë jetën në Kosovë apo të shpërngulen kah të munden vetëm për të ruajtur familjen dhe siguruar ekzistencën. Në këtë kohë shqiptarët filluan përveq Turqisë të shpërngulen edhe në drejtim të Evropes Perendimore…

Drejtuesit e organizatave: Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Kadri Halimi dhe Ali Aliu

R.A.: Sigurisht ajo gjendja e rëndë ka preokupuar si të gjithë të tjerët edhe familjen Tuaj, dhe është biseduar edhe në prezencën tuaj, si i përjetonit bisedat kur evokoheshin kujtime nga njerëz që kishin përjetuar situata të rënda ?

Gafurr Çalaj : Natyrisht tema të bisedave si nëpër oda të fshatit ashtu edhe në shtëpinë tonë ishte trajektorja historike nepër të cilën kishin kaluar shqiptarët. Më kujtohen rrëfimet e njërëzve për përjetimet në  luftra. Kam pasur fatin të dëgjoj biseda nga familjarë dhe nga  bashkëfshatarë të cilët kanë luftuar përkrah Hasan Prishtinës, Idriz Seferit, Sefë Koshares e Isa Buletinit. Sidomos bisedohej për luftën e Gjilanit të drejtuar nga mulla Idrizi dhe atë të  Ferizajit në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945, kundër rregjimit të ri komunist, i cili sapo ishte instaluar kishte filluar keqtrajtimin, vrasjen dhe  maltretimet e shqiptarëve. Të pashmangshme ishin edhe bisedat për kohën e «otkupit» dhe sidomos për të ashtuquajturin aksion i armëve, gjatë viteve 1955-1957, kur nuk kishte mbetur burrë në fshat që nuk e kishin maltretuar dhe rrahur deri në alivanosje. Babai im ruhej dhe nuk fliste në praninë tonë për maltretimet që i kishte pasur.

Nuk ka pasur burrë të një familjeje të fshatit që nuk është rrahur për vdekje. ..Duke qenë fshat i madh në shkollën e Mirashit ka pasur tortura të mëdha gjatë aksionit të armëve, jo vetëm ndaj banorëve të  fshatit tonë, por janë maltretuar e rrahur edhe shqiptarë nga fshatrat përreth.  Thuhej shpesh ata që ishin torturuar në shkollë i shmangeshin shkuarjes afër shkollës dhe sa herë kalonin përrreth saj e kujtonin  ambientin e frikës dhe tmerrit që kohë të gjatë kishte mbretëruar në fshat, si pasojë e traumave të rënda që kishin pësuar njerëzit…

Pas luftës së dytë botërore ndonëse proklamohej çlirimi nga okupatorët nazifashitë, për shqiptarët ishte rikthyer periudha e errët  e mbretërisë jugosllave. Ata vazhduan të diskriminohen të shtypen, të vritetn, të burgosen, të dëbohen dhe të rrihen brutalisht nga policia deri në vitin 1966, kur pas ngatrresave dhe qërimit të hesapeve mes drejtuesve të LKJ-së,  Titos dhe Rankoviçit, u krijua një situatë paksa më qetë, apo më pak e dhunshme për shqiptarët. Titoja ndër të tjera e kishte marrë si pretekst edhe përdorimin e dhunës së tepërt ndaj shqiptarëve për ta spostuar Rankoviçin. Pas demonstratave të vitit 1968, sikur u krijua një klimë pak më e përshtatshme edhe për shqiptarët që deri atëherë kishin vuajtur vërtetë shumë.

R. A.: A ju kujtohen demonstratat e vitit 1968…. ?

Gafurr Qalaj : Po si nuk më kujtohen. Atëbotë kam qenë në klasën e shtatë. Më kujtohen mirë, por nuk kam marrë pjesë në to. Demonstratat janë zhvilluar nëpër qytete. Për demonstrata flitej në çdo shtëpi dhe çdo ditë. Edhe në shkollë flisnim për demonstrata. Atëbotë vijoja mësimin në shkollën e fshatit Babush. I kishim disa mësimdhënës patriot  të cilët patën ndikuar shumë tek të gjithë nxënësit në formimin tonë patriotik që nga ajo kohë.  Na thonin që kaherë është dashur të bëjmë demonstrata dhe të ngrisim zërin për padrejtësitë e mëdha që iu bënë shqiptarëve që nga mosrespektimi i rezolutës së Konferencës së Bujanit. Atëherë për herë të parë jashtë familjes e kam dëgjuar se Kosova është dashur të jetë pjesë e Shqipërisë e jo e Jugosllavisë.

Në familje flisinim, sepse të parët e familjes sonë kishin luftuar për Shqipërinë e bashkaur,  por nuk kishin arritur ta bënin. Flisnin edhe për Ramiz Cërnicen, Kadri Halimin, Metush Krasniqin,  Adem Demaçin e shumë shqiptarë të tjerë që regjimi i kishte arrestuar sepse donin ta bashkojnë Kosovën me  Shqiperinë. Jashtë familjes temat e bashkimit me Shqipërinë deri atëherë ishin tabu.

Në vitin 1969, e kam kryer shkollën fillore. Më kujtohet në këtë vit për herë të parë ka ardhur filmi i metrazhit të gjatë Skënderbeu dhe është shfaqur nëpër kinematë e Kosovës. Kur erdhi premiera në Ferizaj, nga Babushi deri në shtëpinë e kulturës në Ferizaj kemi shkuar në këmbë  të organizuar 12 shokë nga klasa ime, duke kënduar këngët për mëmëdhenë dhe frynë murlani me stuhi. Kur na pa një bashkëfshatar i yni nga Mirashi, na pyeti ku po shkoni kështu,  a po shkoni ma ba demonstrata ?! Ne iu përgjigjem nëse na bashkohesh edhe demonstrata bëjmë….

R.A.: Shkollën e mesme e keni bërë në Ferizaj, a udhëtonit për çdo ditë apo u vendosët në Ferizaj !

Gafurr Çalaj: Një vit pas demonstratave, pra më 1969, jam regjistruar në shkollë të mesme në Ferizaj. Kam qëndruar tek xhaxhai deri në përfundim të shkollës.

Në vitin 1973 e kam kryer shkollën e mesme. Menjëherë kam gjetur punë në fabrikën e vajit, si zavendësues i një gruaje që kishte shkuar në pushimin e lehonisë. Kam punuar afër një vit. Pas kësaj kontrate të shkurtër në Kosovë më  asnjëherë nuk kam mundur të gjejë punë.

Pastaj u regjistrova në fakultetin ekonomik. Për të mundur që t’i financoj studimet dhe qëndrimin në Prishtinë kam bërë punë të ndryshme në fshat dhe në qytet.

R. A.: Si të rinjë a bisedonit me shokë për situatën e shqiptarëve nën Jugosllavi ?

Gafurr Çalaj: Fisi Bytyqi është karakterizuar si familja progresiste që e ka mbajtur koherencën patriotike në fshat. Ata kanë ndikuar shumë edhe tek mësuesit e fshtatit që ta ruajnë traditën e shqiptarizmës që është kultivuar si thuhet denbabaden.

Dua ta veçoj bashkëfshatarin Rifat Bytyqi, patriot i madh autodidakt që ka ndikuar shumë tek ne për të kuptuar situatën se jemi të okupuar, të shtypur dhe  të diskriminuar si komb. Eshtë botuar një libër monografi për të, i shkruar nga nipi i tij Gazmend Bytyqi- «Pushka e gjyshit».  Ka qenë personalitet i jashtëzakonshëm.  Burrë me nam dhe me shumë influencë. Ai i ka mbajtur shumë afër mësimdhënësit dhe ka qenë arsimdashës, ndonëse vetë nuk ka qenë i shkolluar… Ne shpesh shkonim në shtepinë e tij e dëgjonim dhe historitë që na i tregonte, shkaqet e mbetjes së gjysmës së kombit jashtë Shqipërisë, ne i komentonim me shokë në shkollë por edhe nepër ndeja të ndryshme, madje edhe në punë kur punonim në bujqësi, kryesisht bisedat i bënim rreth historive të dëgjuara nga Rifati dhe luftëtarë të tjerë që shpalosnin kujtimet nepër odat tona,  sepse libra në atë kohë kishim shumë pak.

Edhe djali i Rifatit, Muhamedi ka qenë patriot dhe veprimtar i njohur. Për shakak të qëndrimeve të tij ai nuk ka mundur asnjëherë të gjejë punë në Ferizaj. Ka punuar si mësues në Ujmirë të Klinës,  ku nuk e kanë njohur shumë dhe atje ka arritur të punësohet. Ai ka ndikuar dhe përhapur idetë liridashëse tek rinia jonë, kur u largua nga Ferizaj ne jemi ndier të hendikepuar. Më vonë  ka tentuar të ikë në Shqipëri, por nuk arriti sepse e arrestuan…

Gafurr Qalaj 

R. A. : Si të rinjë si e keni parë pozitën e shqiptarëve. Cili ka qenë perokupimi i juaj. Argëtimi, shetitjet apo formimi revolucionar ?

Gafurr Qalaj : Kam qenë me fat, e kam pasur rrethin e mirë. Jam njohur me njerëz që kanë pasur vlera. Djali i hallës sime Qazim Leci nga Talinoci ka qenë i arrestuar dhe i dënuar si kundërshtarë i regjimit që rëndom i quanin armiq të klasës punëtore dhe të socializmit, qysh në vitet e ‘50-ta… Jemi familje që kemi pasur ndikim edhe pse kemi jetuar në kushte jo të mira.

Preokupim yni nuk ka qenë argëtimi, më shumë kemi qenë të orientuar të sigurojmë mbijetesën dhe të iu flasim sa më shumë të rinjëve për gjendjen e robëruar  dhe për padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar…

Kam qenë shumë i shoqërueshëm dhe shumë shpejt krijoja lidhje te reja. Kështu krijova shumë shokë e miq. Me profesorët kam pasur raporte të mira me të cilët kemi biseduar sikur të ishm shokë e bashkëveprimtarë. Jo rrallë ata më sillnin libra,  por edhe unë u siguroja libra atyre.

R. A. Po me veprimtarë që angazhoheshin në mënyrë fshehtë dhe të organizuar për rezistencë dhe për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve në jugosllavi si krijove kontaktet ?

Gafurr Qalaj : Vajza e hallës ka qenë e fejuar për z.Sadik Balajn nga Jezerci, veprimtar i vjetër dhe patriot i vendosur. Ai ka qenë autodidakt.  Nga viti 1977, ai na ka furnizuar me libra dhe na ka inspiruar për të lexuar. Na ka furnizuar me libra të cilat nuk e di se nga i siguronte. Me gjasë pat dalur jashtë Kosovës dhe ka vendosur kontakte me ambasadat e Shqipërisë. Ka pasur guxim të jashtzakonshëm. Unë u lidha me të dhe përmes tij u njoha me plejadën e veprimtarëve në Ferizaj, si Hajdin Abazin, Xhabir Morinën, Bajrush Xhemajlin, Beqir Beqën, Ibrahim Xhemajlin etj.

Po ashtu edhe me Ymer Graincën kam pasur miqësi të hershme dhe kemi qenë afër edhe në fshat. Imeri dhe familja e tij Grainca kanë  qenë sinonim i patriotizmit. Unë kam qenë shok i afërt me Imerin dhe shpesh kemi komunikuar bashkë edhe për pozitën e shqiptarëve dhe domosdoshmërinë e ndërmarrjes së veprimeve për të përmirësuar gjendjen…

Veprimtari Ymer Grainca

Në moshën 23 Vjeçare më thirrën për ta kryer shërbimin ushtarak. Ushtrinë e kam kryer në Osjek me 1977-‘79. Në kazermën ku kam qenë ka pasur shumë ushtarë shqiptarë dhe jemi shoqëruar shumë mes vete. Kemi pasur një afërsi mes vete. Edhe gjatë shërbimit në ushtrinë jugosllave kam njohur shumë burra të mirë dhe të shkolluar me të cilët kemi vazhuar shoqërimin edhe pas përfundimit të shërbimit ushtarak. Ka pasur edhe njerëz të lidhur me pushtetin dhe ata vëreheshin menjëherë sepse i avanconin. Sidodoqoftë atje kam krijuar miqësi me disa shokë të cilën miqësi e kam ruajtur edhe e kemi vazhduar edhe përmes organizimit antipushtues. Unë pas përfundimit të ushtrisë kam qenë shumë i kujdesshëm sepse filluam të organizohemi përmes Sadik Balës me të cilin kemi pasur raporte të ngushta bashkëpunimi.

R.A. Me sa di unë në Ferizaj dhe Suharekë ka pasur arrestime në vitin 1979. A jeni zbuluar Ju?

Gafurr Çalaj: Po ka pasur të arrestuar në Ferizaj. Është arrestuar Sadik Balaj dhe grupi i njohur si grupi i nxënësve të Ferizajit. Ka pasur të arrestuar edhe nxënës të shkollës Jeta e Re në Suharekë.  Sadiku ka qenë i pandalshëm. Ai në atë kohë fare nuk kishte kujdes dhe thuajse hapur manifestohej si kundërshtar i sistemit dhe angazhohej publikisht kundër Jugosllavisë. Për këtë shpesh herë kisha mospajtime me të, sepse konsideroja se po rrezikon duke u ekspozuar. Për veten time kurrë nuk kam menduar se do të jem një prej veprimtarëve që do të mund të përndiqem por edhe se do të mund të kontribuoj për çështjen kombëtare. Në njëfarë mënyre e kam nënçmuar veten dhe nuk e kisha dert edhe nëse arrestohem sepse pandehja se nuk jam i rëndësishëm.

Sadiku më dërgoi porosi nëpërmes vëllait të tij Mehmet Balaj duke më thënë se je i rrezikuar dhe më sygjeroj të largohem për një kohë. Nuk është e thënë se duhet me ra në burg ishte porosia e tij…

R.A. Do të thotë se shkaku i këtyre arrestimeve je larguar nga Kosova ?

Gafurr Çala : Mund të them se po. Pasi kisha marrë porosi nga Sadiku që të largohem dhe të mos bien në dorë të UDB-së, vendosa të largohem përkohësisht. Në vjeshtë të vitit 1979, jam larguar nga Kosova. Fillimisht kam qëndruar në Shkup tek disa familjarë të mi. Gati një vit qëndrova në Shkup. Në vitin 1980 me ndihmën nipit tim Isak Elezi djalit të Qazim Elezit kam dalur në Zvicër. U vendosa në qytetin e Lausanne-s. Atje pata fat sepse shumë shpejt e gjeta një punë. Atëherë pa pasur pretendime që do të gjejë shokë, ata më gjetën mua. Kur dola në Lozanë në një ndejë u njoha me Muharrem Shahinin, i cili i kishte disa kusherinjë në Lozanë, pastaj takova një vendas timin Halit Sahiti ish i burgosur politik nga fshati Balaj, të cilin e kisha njohur edhe në Ferizaj.

Aty unë menjëherë fillova të flas për gjendjen në Kosovë. Duke potencuar jetën e vështirë të shqiptarëve. Theksoja se të rinjët e Kosovës po vuajnë nuk po kanë punë, në vend se të kryejnë shkolla e studime për të kontribuar për zhvillimin e Kosovës, që është pjesa më e prapambetur në Jugosllavi, pushtuesit po na detyrojnë të largohemi nga vendi, të jetojmë në kushte mizerie dhe të bëjmë punë të rënda larg familjes….

E përsërisja vazhdimisht se në Kosovë populli ynë ka vuajtur dhe po vuan nën çizmen e pushtuesve serbo-jugosllav, pa të drejta politike, kulturore, ekonomik e sociale, bënë jetë të vështirë e të mundimshme në Kosovë, por edhe këtu në Zvicer po jetojmë keq. Atëherë punëtorët jetonin nepër kontenjerë dhe kampe në kushte shumë të rënda. Disa veta e ndanin një dhomë. Të gjithë synonin të punonin të kursenin pak dhe të ndihmojnë familjet në Kosovë. Të gjithë mendonin të punojnë një sezonë dhe të kthehen në vendlindje, por shumica dërmuese e tyre me kalimin e kohës nuk u kthyen kurrë ngelën këtu dhe gradualisht ata filluan të tërheqin familjet dhe u integruan në sistemin dhe shoqërinë zvicerane…

Flisnja edhe për Shqipërinë sepse unë atëherë kryesisht e dëgjoja Radio Tiranën dhe Radio Kukësin, edhe në shtëpi nuk dëgjonim stacione të tjera… Atyre u pëlqente biseda sepse spara kishin pasur biseda të tilla… Gjeta shumë shokë që më integruan në rrethin e tyre.

R. A.: A ka pasur shumë shqiptarë atë kohë në Lausanne ?

Gafurr Çalaj: Ka pasur. Mund të them se ka pasur shumë,  kryesisht kanë qenë  të rinjë që kanë shkuar në Zvicër për shkak të situatës ekonomike. Shumicën që i njihja  kanë qenë nga rrethi i Ferizajit ishin të varfër.

Pas ca kohe u ktheva në Ferizaj. Atje ishte përkeqësuar situata. Deshën të më arrestojnë. Vëllai i Sadik Balës erdhi dhe më tha se të ka dërgu fjalë baci Sadik se duhet të largohesh. Pastaj u arrestua Avdullah Lohaj dhe disa veprimtarë në fshat dhe Ferizaj. Kjo bëri që unë të largohem sërish.

Sërish shkova në Zvicër, nuk munda të gjejë punë dhe strehim në Lausanne, kalova në Gjenevë. Në Gjenevë u takova me disa bashkatdhetarë Milaim Shabanin dhe Halim Shabanin, ishin fqinjë të mij,  ata kanë qenë të organizuar me Hajdin Abazin. Ata më ndihmuan dhe u sistemova shpejtë gjeta strehim dhe punë.

Në Gjenevë kam qenë kur kanë shpërthyer demonstratat e vitit 1981.

R.A.: Si e përjetuat shpërthimin e demonstratave, a kishi mundësi të informoheni ?

Gafurr Çalaj : Në Gjenevë kam qenë dhe kam qëndruar si në ferra sepse kisha dëshirë të jem në Kosovë. Dëgjonim për demostrata nga Radio Tirana dhe ato pak mjete të informimit që kishim mundësi t’i përcillnim. Lajmet na vinin me disa ditë vonesë, edhe telefonat atëbotë ishin të rrallë kështu që nuk mund të informoheshim shpejt.

R.A.: Edhe në vendet e Evropës ku kishte shqiptarë, ata u mobilizuan dhe organizuan demonstrata në Zvicër e Gjermani. Si i gjete ata veprimtarë që u morrën me këto organizime ?

Gafurr Çalaj : Sapo u sistemova në Gjenevë rrija në vendet ku qëndronin shqiptarët dhe fillova të flas hapur për padresjtësitë, shtypjen dhe diskriminimin që i bëhej popullit tonë. Tashmë nuk u ruaja shpesh mendoja se jam bërë si Sadik Bala që nuk po kujdesem fare se me kë po flas dhe çka po flas. Nuk ngurroja të theksoj se Jugosllavia dhe Serbia janë okupator në Kosovë dhe se ata siç ka thënë Adem Demaçi nëse nuk ua japin të drejtat kombëtare e politike shqiptarëve dhe nëse nuk i rrspektojnë shqiptarët si komb, ne duhet të mobilizohemi, jo vetëm t’i kërkojmë, por edhe t’i marrim të drejtat tona që na takojnë. 

Zürich, 18 prill 1981: Demonstratë e organizuar nga Kadri Zeka me aktivistë tjerë dhe atdhedashës të çështjes Kombëtare

Numri i punëtorëve që merrnin pjesë në debate filloi duke u shtuar dhe u bëra i njohur në mesin e bashkatdhetarëve si një djal i ri që po flet kundër shtetit dhe po shpejgon për histori të popullit shqiptar…. Veçënarisht rashë në sy kur vdiq Titoja. Atëbotë Jugosllavia kishte raporte të  mira bashkëpunimi me Zvciren. Për shkak të vdekjes së tij Zvicra i kishte liruar nga puna të gjithë shtetasit e Jugosllavisë. Disa shqiptarë mbase të nxitur nga konsullata jugosllave në Gjenevë, e kishin bërë një foto të madhe të Titos dhe i kishin ftuar shqiptarë të tubohen për të nderuar Titon. Unë e shava dhe me cigare e shpova foton tek pjesa e syve. Disa reaguan duke thënë; “kuku a po e shihni që e qorroi Titon”!

Kështu dikush nga pjesmarrësit e kishte njoftuar Kadri Avdullahun se një djali i ri nga Ferizaj po flet kundër shtetit, dhe e ka djegur foton e Titos… Kadriu me të dëgjuar ka ardhur më ka takuar dhe kemi biseduar. Më vonë kam kuptuar se Qamil Salihu i kishte thënë Kadri Abdullahut se duhet të më kontaktojë se e kisha sharë Titon dhe ia kish djegur foton e tij. Pasi jam takuar me Kadriun e vura re se në njëfarë mënyre jemi njohur nga ditët studentore në Fakultetin ekonomik, të cilin unë nuk pata mundësi ta përfudnoj, sa për shkak të kushteve ekonomike aq edhe për shkak të përndjekjeve.

Më nuk jemi ndarë dhe në të gjitha aktivitetet kemi qenë bashkë me Kadriun. Në njëfarë mënyre mund të them se u gjetëm jo që kemi qenë të organizuar, por mendimet i kishim të  njejta.

Kadri Zeka – flet para demonstruesve në Cyrih, më 18 prill 1981

R.A. Si ratë në kontak me veprimtarë që i organizuan demonstrat ?

Gafurr Çala: Pas demonstratave të vitit 1981, në Kosovë,  Kadri Avdullahu  më njoftoi se do të organizohet një demonstratë në Bern dhe unë shfaqa interesimin jo vetëm për të marrë pjesë por edhe për të ndihmuar në organizimin e saj.

Në demonstratën e Bernit u takova edhe me Kadri Zekën. Fillimisht ai mu prezentua si Zeça. Patëm mundësi të bisedojmë për disa orë para dhe pas demonstratës. Ai edhe mbajti fjalim në demonstratë. Nga entuziazmi fare nuk  kam mundur ta kem vëmendjen se çka po thot. Ishte oratorë i rrallë që me tre katër fjalë e zgjonte kërshërinë edhe të atyre që nuk e kuptonin… Ai i kishte sygjeruar Kadri Avdullahut që të më mbajë afër sepse e kishte parë që unë kisha njohuri  për organizimin e fshehtë në Kosovë dhe isha i intersuar për të shtuar aktivitetet edhe këtu.

R. A.: Si je ndier në demonstratën e parë që merrje pjesë në Bern ?

Gafurr Çalaj: Besomë se ndihesha sikur të isha ushtarë në luftë… Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën. Kishim bindje se po bëjmë dicka shumë të madhe. Fundja edhe nuk ishte punë e vogel. Por fakti se për herë të parë po organzinim dhe po merrnja pjesë në një manifestim të tillë ishte një entuziazëm madje mund të them edhe njëfarë krenarie e jashtëzakonshëme. Në demonstratë nuk ka pasur edhe aq shumë pjesmarrës, jo më shumë se 200 veta. Shumica kanë qenë të maskuar. Unë dhe Kadriu nuk kemi shkuar të maskuar, por meqë ishte e para demonstratë që merrja pjesë,  mund të them se ishte e veçantë.

R.A. Pas kësaj demostrate keni vazhduar aktivitetet dhe përveç me organizim të protestave dhe demonstratave keni filluar të veproni në mënyrë të organizuar apo jo ?

Gafurr Çalaj : Pas kësaj demonstrate kemi vazhduar aktivitetet për organizimin e demonstratave të tjera. Çdo ditë bënim ndonjë aktivitet, gradualisht erdhi duke marrë formë të organizuar angazhimi ynë. 

Filluam të njihemi mes veti të gjithë ata që ishim në demonstratë nga Gjeneva. Kështu unë mund të them se kam filluar të organizohem dhe t’i nënshtrohem disciplinës organizative në Gjenevë bashkë me Kadri Avdullahun, Shyqëri Ukshinin, Hasan Kadriun, Jakup Halimin, Ilaz Bajramin, Jup Ahmetin, Adem Islamin, Qamil Salihun etj. Me sa di  dhe siç e di unë, me këta patriotë kemi qenë bërthama e parë organizative në Gjenevë.

R.A.: Si ju pritnin bashkatdetarët kur u kërkonit që të dalin në demosntrata, a ju refuzonin ?

Gafurr Çalaj : Në njëfarë mënyre kemi pas vendosur kritere se me kë mund të bisedojmë edhe për pjesmarrje në demonstrata, e të mos flasim për t’i përfshirë në organizim.

Pas demonstratës në Bern organizuam demonstratë në Zurich, në Gjenevë  në Munich e kështu me radhë edhe nepër vende të tjera të Evropës. Pas rënies së Kadri Zekës dhe Jusuf Gërvallës kemi mbajtur një varg demonstratash nëpër të njejtat qendra. Kam pasur njëfarë lloj privilegji sepse më kanë dashur si Kadriu ashtu edhe Jusufi. Ata na këshillonin se si të komunikojmë me bashkatdhetarë, si të ju ofrojmë literaturë dhe si t’i ofrojmë me organizimin tonë.

R. A.: Me Jusufin je njohur në demonstratën e Zurihut apo Gjenevës ?

Gafurr Çalaj : Jusufi nuk ka pasur dokumente udhëtimi dhe nuk ka mund të merr pjesë në demonstrata në Bern, Zurich e Gjenevë. Për herë të parë e kam takuar në Bazel në një demonstratë për të drejtat e njeriut. Aty na thirrën kurdët në një manifestim. Ne shkuam bashkë me Kadri Avdullahun, Kadri Zeken,  Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën (Bardhoshi ka qenë punëtor social dhe nëpër manifestime kishte një shkallë inferioriteti ai nuk përzihej shumë).  E thirrën Jusufin për të ia dhënë fjalën. Por Jusufi meqë nuk e fliste mirë gjermanishtën sygjeroi të flas Kadriu.  Kadriu fliste gjermanisht më  mirë dhe më kujtohen ovacionet gjatë fjalimit të tij thuajse i bëri për vete të  gjithë pjesmarrësit e atij takimi…

R.A. Me heronjët dhe inspiruesit e Lëvizjes për liri e pavarësi Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka jeni njohur që në vitin 1981, shihet se i mban të freskëta kujtimet për ta !

Gafurr Çalaj: Me Kadri Zeken jam njohur para se ta takojë Jusufin dhe jemi takuar shpesh bashkë edhe me shokë të tjerë. Ka qenë një personalitet polivalent, shumë i përkushtuar për të rritur shkallën e organizimit antipushtues. Ai atëherë na thoshte se për liri duhet të luftohet edhe me armë në dorë, siç kanë luftuar të parët tanë. Një ditë  kemi ndejtur gjithë ditën bashkë. Ai kishte ardhur mysafir në Gjenevë te Kadri  Avdullahu. Pasi biseduam gjatë për organizimin, demonstratat dhe domosdoshmërinë e shtrirjes së ndikimit tek mërgimtarët, shkuam bashkë tek babai i Kadri Abdullahut i cili punonte në një fshat jo larg Gjenevës. Deri atje kemi shkuar duke kënduar në veturë dhe duke brohoritur Kosova Republikë.

Kadriu thoshte, do të hapim rrugën ku duhet të futen fillimisht patriotë e veprimtarë, e pastaj i tërë populli do ta gjejë veten në këtë rrugë të lirisë.

Jusufin siç ju thashë për herë të parë e kam takuar në Bazel, ku u njohëm dhe patëm mundësi të bisedojmë për disa orë. Më vonë e kam takuar edhe në Mynih të Gjermnaisë. Në demonstratë derisa po marshoja erdhi Jusufi, më përqafoi dhe më shtrëngonte krahun fort duke më thënë : ku je more Ferizajas duke më pyetur se si po të duket organizimi i demonstratës. Ai tha se Ferizaji prodhon vaj për tërë ushtrinë pushtuese që na vret, kurse nënat tona nuk kanë vaj në kuzhinë. Edhe sot e ndjejë shtrëngimin e tij. Ai donte të më çliroj dhe të jem i lirë me të …. Më vjen keq që nuk i kam shkruar përjetimet nga këto takime. Besoj se do të kishte dalë një vepër e mirë.

Pas këtyre demonstratave kemi filluar edhe shkëmbimin e literaturës. Literaturë kemi dërguar edhe në Kosovë. Atë punë që e kishte bërë Sadik Bala, tanimë  fillova ta bëjë edhe unë.

R.A.: Nëpër manifestime jeni njohur edhe me veprimtarë e patriotë të tjerë kush iu bëri përshtypje më shumë ?

Gafurr Çalaj: E vërtetë. Në demonstrata u njohëm me shumë patriotë nga vende të ndryshme jo vetëm të Kosovës por nga të gjitha trevat e pushtuara shqiptare. Meqë në demonstratat e para nuk kishte shumë pjesmarrës i njoha dhe i ruajta kontaktet me shumicën prej tyre. Shumica prej tyre nuk janë ndalur së vepruari deri në çlirimin e vendit. Kanë qenë bartësit e aktiviteteve antipushtuese dhe e kanë shtrirë ndikimin jo vetëm ku kanë jetuar e vepruar,  por nepërmes familjarëve dhe shokëve të fëmijërisë edhe në Kosovë. Nga shumë veprimtarë patriot që kam njohur po e veçoj veprimtarin dhe patriotin e madh Ibush Bytyqin i cili ka vepruar në Paris.

Ibush Bytyçi me shoqen e tij dhe Xhevat Bislimin

Për herë të parë këtë veprimtarë të jashtëzakonshëm bashkë me bashkëshorten e tij Sadijen i takova në demonstratë në Strasbourg. Ibush Bytyqi ishte i lindur në Sllovi, prej nga familja e tij ishte nisur të shpërngulet për në Turqi por kishin ngelur të bllokuar në Shkup dhe Ibushi si i ri nuk kishte shkuar në Turqi por kishte emigruar në Paris.

Atëbotë nuk kishim shumë përvojë dhe nuk kemi ditur t’i gjurmojmë veprimtarët që atëherë kanë pasur shumë gatishmëri për tu angazhuar. I tillë ka qenë Ibush Bytyqi. Ai ishte shumë entuzisatë dhe shumë i etur për të lexuar dhe për të ditur historinë  popullit tonë. Një patriot i vërtetë i cili nuk kishte pasur mundësi të kishte literaturë dhe libra shqip. Ibushi kur na pa na u afrua dhe kërkonte libra e çka të keni në gjuhën shqipe.  Prej atëherë baca Ibush kurrë nuk është ndalur. Ishte shumë konsekuent në luftë deri në çlirimin e vendit. Pas luftës e ka braktisur Parisin dhe është kthyer tek rrënjët e tij. Ai ka vazhduar të jetojë në Lipjan dhe në të gjitha hapsirat e Shqipërisë andej e këndej Drinit deri në frymën e fundit të tij.

Në Mynhen e kam takuar edhe Nebi Selmanin një djalë llapjan intelegjent i cili erdhi në demonstratë. Pas demonstratës ndejtëm në një banesë dhe duke biseduar ne i kishim disa ekzemplarë të gazetave Liria. Ai ishte njohur me veprimtarë që tashmë ishin burgosur si Ali Lajçi, Hamdi Hajdini etj. Aty për aty na lindi ideja t’i propozojmë që ai t’i dërgoj gazetat në Kosovë. Ai nuk hezitoi aspak. Ne i treguam emrin e persononave Halit Sahitit dhe Nazmi Zenelit dhe adresen në Ferizaj se se ku mund t’i dorëzoj. Ai i ka dërguar gazetat pa asnjë problem. Kjo ishte uvertyrë për ne,  që atë veprimtarë ta përfshijmë në organizim. 

R. A.: Pasi që i keni intensifikuar aktivitetet ju gradualisht keni filluar të shtrini ndikimin tek bashkatdhetarët të cilët në masë të konsiderueshme ishin në kontrollin e misioneve diplomatike jugosllave, si e shikonin ato angazhimin tuaj, ju keni filluar të konfrontoheni me ta ?

Gafurr Çalaj: Po natyrisht ata ishin të alarmuar se nuk e kishin kontrollin e plotë mbi bashkëatdhetarët tanë. Përmes njerëzve të tyre dhe spiunëve që kishin regrutuar përpiqeshin të shantazhojnë bashkatdhetarët që dalin në protesta dhe të ndikojn tek ata që të mos marrin pjesë në atkivitetet që i organizonim. Edhe ata u përpoqen të organizojnë takime me bashkatdhetarë por ne shkonim dhe i kthenim tubimet në favorin tonë. Nuk i lejonim të mbajnë tubime dhe të shpifin kundër veprimtarëve dhe organizatorëve të demonstratave të cilët i quanin nacionalist, irridentistë, kontrarevolucionarë dhe armiq të popullit.

Misionet diplomatike dhe konsullore jugosllave kishin hapur klube të punëtorëve dhe përmes tyre synonin ti mbajnë nën kontrollë bashkatdhetarët tanë. Edhe ne menduam dhe filluam të formojmë klube jashtë ndikimit të konsullatave. I pari klub në Zvicer, i pa ndikuar nga misioni jugosllav ka qenë klubi Igballe Prishtina në Gjenevë.

 Kadri Zeka ka propozuar që të krijojmë një Shoqatë kulturore. Ne vendosëm që ajo të mos jetë e ndikuar nga misioni diplomatik jugosllav. Vendosëm që të ia vemë emrin Igballe Prishtina. U përcaktuam për këtë emër sepse ajo ishte bashkëshortja e Hasan Prishtinës dhe ishte grua patriote që mendonim se është zgjidhje më e mirë. Bile unë e pata gjetur foton e Igballe Prishtinës dhe ajo foto ka qëndruar gjithmonë në lokalet e Shoqatës Kluturore. Lokalet na i ofruan sindikatat në Gjenevë ku ne ishim anëtarë kurse Kadri Avdullahu punonte aty. Për disa vite selia e Shoqatës ka qenë në lokalet e Sindikatës….

Gafurr Qalaj – nderon Dëshmorët e Kombit: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla në Bad Canstadt të Shtutgartit

Më vonë e kemi krijuar klubin Ganimete Terbeshi në Eagle, Asim Vokshi në Lausanne, Shote Galica në Bulle, pastaj më vonë unë e kam krijuar klubin Kadri Zeka në Sion e pastaj kanë lindë shumë klube e shoqata. Edhe në Sibnnen e kemi kthyer klubin i cili ishte formuar nga konsullata jugosllave në Bern, ia ndrruam statusin dhe nuk i lejonim të marrin pjesë  në aktivitetert e klubeve përfaqsuesit e sistemit jugosllav.

R.A.: Domethënë menjëherë pas demonstratave filluat hapur konfronitimin me diplomatë jugosllavë.

Gafurr Çalaj : Jo vetëm me ta por edhe me satelitët e tyre. Mund të them se ne për më pak se një vit ia kemi fshirë ndikimin konsullatës dhe gradualisht filluam të organizojmë klubet tona.

Në Gjenevë ua kemi prishur tubimin dhe i kemi bërë të dalin nga salla  një delegacin nga Kosova, ambasadorin dhe konsullin  jugosllav nuk i kemi lënë të flasin. Sapo kanë filluar ata të flasin për demonstratat u ngritëm ne dhe të pranishmit iu duartrokisnin fjalëve tona. Pastaj edhe në Lausanne e di se ka qenë Kaqusha Jashari kemi shkuar të organizuar me Zijah Shemsiun, Shyqëri Ukshinin, Hysen Bujën, Nuhi Muhadrin etj… dhe e kemi kthyer tubimin ne favorin tonë sa që të prnishmit filluan të brohorasin Kosova Republikë.

Unë pata folur për elektrifikimnin e fshatrave. Ne prodhojmë rrymë për Jugosllavinë e 250 fshatra në Kosovë akoma nuk kanë rrymë, nuk janë elektrifikuar. (Shihni se në çfarë gjendje ka qenë Kosova në vitin 1981 mbi 250 fshatra nuk kanë qenë të elektrifikuara). Nuk i lam të flasin u bënim pyetje që nuk kishin mundësi të përgjigjeshin. E kualifikonim Jugosllavinë si burg i popullit shqiptar, kurse Kosovën të okupuar nga Serbia e Jugosllavia…

Pastaj klubi Emin Durku në Dyseldorf ka qenë i krijuar më herët por pas demostratës në Dyseldorf ata e deklaruan Klubin të pa ndikuar nga konsullata jugosllave bile në njoftimin e dërguar konsullatës iu është thënë diplomatëve jugosllavë se jeni të padëshiruar në lokalet e klubit shqiptar Emin Duraku….

Unë zakonisht ku ishte më së keqi dhe më së vështiri synoja të shkoj. Në vitin 1982 më kaloi kontrata e punës, ngela pa punë dhe u detyrova të shkoj drejt Lozanës ku gjeta punë për çka më ndihmoj Shahin Hajdini shok i organizuar nga Kumanova një mësues e patriot i jashtëzakonshëm. Ai më propozoi të shkojmë për të punuar në vjelje të rrushit në Pully. Kur shkuam atje në punë ishim bashkë me një serb. Filluam bisedën dhe unë nuk e dija se është serb. Shahini më tregoi. Ai në bisedë e sipër më tha Ju do të fitoni.

R. A. : E tha këtë nga frika apo që ishte i bindur ?

Gafurr Çalaj: Ai edhe vetë e tha se është i bindur sepse ai kishte qenë në tubimin në Lausanne dhe i kishte parë zyrtarët e shtetit jugosllav të mundur. Prandaj më tha ju do të fitoni sepse i keni bërë me qajtë dhe i keni turpëruar udhëheqëst e shtetit në tubim. Ai kishte qenë në atë tubim dhe kishte krijuar binjden se shqiptarët më nuk ndalen deri sa të realizojnë qëllimet e tyre. Unë ia ktheva që ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se që keni ju. Kjo më pati bërë përshtypje.

Deri në vitin 1985 kam qëndruar në Gjenevë pastaj jam shpërngulur në Sion.

Si në Gjenevë ashtu edhe në vendet tjera nuk jam ndalur. Në vitin 1982 në Demonstratën në Bruksel unë kam lexuar fjalimin para demonstruesve.  Kur shkova në demonstratë mu afrua Ibrahim Kelmendi dhe më tha Gafurr ti duhet ta lexosh fjalën. Unë insistova që të gjejë dikë tjetër, por ata nuk pranuan dhe unë e morra fjalën në gjuhën shqipe, kurse Behare Rexhepi ka folur në gjuhën frenge. Duke lexuar fjalën me shkonte mendja tek fjalimet e Kadri Zekës e Jusuf Gërvallës, dhe e kisha një ndjenjë krenarie se po e vazhdojmë me besnikëri rrugën e lirisë që e kishin trasuar ata.

Behare Rexhepi … në demonstratën e Brukselit

R.A. Pas vrasjes së Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla u formua Lëvizja për Republiken Shqiptare në Jugosllavi,  a u anëtarësuat në Lëvizje ?

Gafurr Çalaj : Po kemi vepruar në kuadër të Lëvizjes deri në vitin 1986. Pastaj pas disa problemeve të brendshme kam vendosur të tërhiqem nga Lëvizja por jo edhe nga rruga e lirisë.

R. A : Kur e keni kuptuar se po ndiqeni nga policia pushtuese ?

Gafurr Çalaj : Po siç e theksova më lart nga koha kur janë arrestuar veprimtarët në Ferizaj në vitin 1979 e kam ditur që po më kërkonin policia edhe Sadik Balaj më pat paralajmëruar.

Përkundër faktit se u largova në Zvicër. Pas një kohe jam kthyer,  kam shkuar disa herë në Kosovë dhe atje kam qëndruar fshehtë.

Në vitin 1983 ka pasur tentativë të më arrestojnë pikërisht ditën kur jam martuar. Ditën e dasmës sime, edhe një familje fqinje e jona në fshat ka pasur dasmë. Shtëpitë thuajse i kishim përballë. Në shtëpinë time ishte flamuri kombëtarë kurse ata fqinjët e kishin flamurin kombëtar por edhe flamurin jugosllav. Ata nuk kanë pasur raporte të kqija me pushtetitn. Atij  fqinjit një ispektor i sigurimit shtetëore i kishte treguar se do të veprojnë dhe do të më arrestojnë ditën e martesës. Ai shkon dhe i tregon babait tim duke i thënë le të largohet Gafurri se do t’a arrestojnë ditën e  dasmës.

E shihnja babain si të humbur, ndonëse kishim dasëm ai ishte krejtësisht i hutuar. Kur e pyeta se përse je i shqetësuar ai më tha, duhet të largohesh se do të të arrestojnë. E takova fqinjin të cilit i jam mirënjohës që më tregoj se si e kanë planifikuar arrestimin tim.

U detyrova të largohem pa e marrë nusen me vete. Ajo nuk kishte dokumete udhëtimi.  Disa fqinjë e kishin shpërndarë lajmin se e kanë arrestuar Gafurrin,  djalin e Ilmiut  në kufi. Babi im ishte mërzitur sepse u kishte besuar. Shpejt u morr vesh nga familjarët se unë kisha arritur të largohem pa ndonjë problem.

R.A.: Dmth dita e dasmës sate ka qenë dita e fundit e qëndrimit në Kosovë dhe më nuk ke mundur të kthehesh deri në pas luftës çlirimatre ?

Gafurr Çalaj : Po. Atë ditë u largova. Fillimisht në Shkup e pastaj arrita të kthehem në Zvicër. Pas një kohe e kam tërhequr edhe bashkëshorten ku kemi krijuar familje.

Gjatë gjithë kohës së qëndrimit tim në Zvicër jam mundur të jem në raporte të mira me të gjithë shqiptarët patriot. Kam qenë i hapur për të gjithë. Deri në vitin 1986, kam qenë anëtarë i Lëvizjes Popullore të Republikës së Kosovës pastaj pas disa thyerjeve jam tërhequr nga jeta e rregullt organizative, por kam bashkëpunuar dhe mbështetur çdo iniciativë që kam konsideruar se sadopak mund jetë aktivitet i dobishëm për çështjen Kombëtare. Aktivitetet i kam pasur të përqëndruara në Sion në kuadër të klubit Kadri Zeka. Por edhe iu kam bashkuar dhe e kam mbështetur çdo nismë që e kam konsideruar se i  kontribuon avancimit të të drejtave dhe lirisë sonë.

Gafurr Qalaj me familjen e tij

R.A. Në fillim të viteve të ’90-ta krijohen parti politike a u përfshitë në organizimin e ndonjërës ?

Gafurr Çalaj: Unë edhe para se të krijohen partitë politike në Kosovë pata propozuar të kemi diçka të hapur ndonjë organizim politik si shoqatat. E patëm formuar në Zvicër një Shoqatë për Bashkimin Kombëtar. Me një fjalë e kam mbështetur çdo subjekt. Kjo më ka kushtuar shumë sepse në çdo aktivitet shkoja me shpenzime të mijat dhe kjo më kushtonte.

Unë i kam mbështetur ata aktivistë që themelonin degë apo nëndegë të partive politike por vetë nuk kam qenë anëtarë i asnjërës. Më shumë zemra më flinte nga ata që mirreshin me veprimtari konkrete e jo me fjalë. Më së shumti i kam mbështetur ata që kanë vepruar.

Në këtë formë kam vepruar me të gjithë deri në vitin 1998, kur me intensifikimin e luftës çlirimatre në Kosovë jam angazhuar në fondin Vendlindja Thërret dhe me gjithë qenien time jam vënë në shërbim për të ndihmuar luftën çlirimtare dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Këtu nuk kam kursyer asgjë. Edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë jam përfshirë në krijimin e degës së PDK –së, për Zvicër. Por me shpërthimin e luftës në Maqedoni jam vënë në shërbim të fondit Liria Kombëtare. Po ashtu edhe UÇPMB-në jam përpjekur ta ndihmoj me gjithë mundësitë e mija. Kjo periudhë e jetës sime ka qenë pjesa më krenare e imja dhe jam ndier me fat që kam pasur mundësinë të njihem me një plejadë të veprimtarëve e luftëtarëve të lirisë me të cilët kam bashkëvepruar.

R.A. Pas luftës u krijuan mundësi të kthimit të lirshëm në Kosovën e çliruar, si e përjetuat kthimin?

Gafurr Çalaj : Pas luftës në Kosovë kam shkuar në fillim të viti 2000, sepse nuk kisha dokumente valide për të udhëtuar më herët.

Ishte ndjenjë që nuk mund të shpjegohet. Kam shkuar me makinë nga Gjeneva nëpër Itali, kalova detin me traget nga Bari në Durrës. Sapo kam dalur nga porti i Durrësit nuk jam ndalur askund deri në Qafë Thanë kur kalova kufirin me Maqedoninë për të vazhduar drejt Kosovës. Më dukej udhëtim i gjatë sepse me padurim doja të shkelja tokën e Kosovës së çliruar. 

Kam shkuar deri në Ferizaj pa u ndalur askund. Kur arrita kishte rënë terri, rrymë nuk kishte dhe isha i pushtuar nga ndenja të përziera gëzimi dhe mallëngjimi. U solla nëpër Ferizaj por nuk e gjeja rrugën për fshtatin tim. Ndoshta nga mallëngjimi, ndoshta  pse udhëtoja natën apo edhe ndryshimet që kishin ndodhur më kishin çorientuar. Kisha përshtypjen që rrugët janë më të ngushta se që kishin qenë kur isha larguar, madje edhe kodra përballë më dukej më e vogël. Gjithçka më dukej më e vogël se që ishte kur isha larguar. Dikur u orientova dhe e gjeta rrugën. Kur arrita në Mirash e pashë se fshati ishte i rrënuar dhe  pjesërisht i djegur nga lufta… Lufta nuk e kishte kursyer as shtëpinë e familjes sime. Kisha nostalgji por jo ndonjë ndjenjë dhimbjeje.  Sapo u futëm në oborr babai doli sepse e dinte që isha duke shkuar dhe e morri me mend se isha unë. Dritat e makinës ndriquan oborrin dhe unë e sillja makinën që të shohë më mirë. Pasi u përshëndeta me babain dhe të tjerët që dolën të më pritnin ia uruam lirinë njëri tjetrit. Eh sa shumë e kemi pritur këtë ditë të jemi të lirë nga pushtuesit,  tash edhe të parëve tanë iu kanë qetësuar eshtrat tha babai Ilmiu, para se të hynim në një pjesë të shtëpisë që e kishin improvizuar për qëndrim të përkohëshëm, deri sa të rregullohej një shtepi e re.

Kishin ndryshur shumë gjëra. Gjyshja kishte vdekur disa të tjerë po ashtu, fëmijët ishin rritur e nuk i njihja por kishte edhe të tillë që nuk i kisha parë asnjëherë. 17 vite ishin shumë me qenë jashtë pa i takaur njerëzit e afërt qoftë familjarë, farefis apo shoqëri…

R.A. Kur mendon nga koha kur je njohur me Sadik Balen dhe deri sa je kthyer në shtëpi për një periudhë thuajase 20 vjeçare a ke menduar se do të mund të shkoje në Kosovën e lirë !

Gafurr Çalaj: Të them të drejton jo. Kurrë nuk e kisha menduar se do të mund të krijoheshin rrethanat që shqiptarët e okupuar të luftojnë kundër pushtuesve. Unë e kam menduar një kryengritje mbarëkombëtare. Dëshira ka qenë gjithmonë të jemi në luftë si komb i bashkaur dhe të bashkojmë të gjitha trojet e pushtuara. Por mund të them se lufta çlirimtare dhe UÇK-ja janë krenaria më e madhe e jona sepse rezultatet e kësaj lufte dhe  ndryshimet pozitive që solli lira janë evidente. Si rezultat i luftës dhe ndihmës që ajo morri nga bota demokratike e kemi shtetin e Kosovës. Por ka ndryshime pozitive edhe në viset shqiptare në Maqedoni sepse edhe atje shqiptarët u desht të luftojnë përmes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për të avancuar të drejtat kombëtare, politike e kushtetuese të tyre.

R.A. Kosova shtet, shqiptarët në Maqedoni kanë avancuar a e sheh edhe si fryt të punës suaj ?

Gafurr Çalaj : Ky është rezultat i punës së përgjithshme, i një procesi historik dhe i shumë gjeneratave që kanë bërë shumë sakrifica, kanë derdhur shumë gjak e djersë për të ardhur deri këtu ku jemi sot. Unë kosideroj se vrasja Kadriut Jusufit dhe Bardhoshit por edhe vrasjet e tjera kanë ndikuar që populli të organizohet të mobilizohet dhe të fitojë. Natyrisht një copëz e vogël e meritës konsideroj se më takon edhe mua.

R.A. Tash shkoni shpesh si po e sheh Kosovën … ?

Gafurr Çalaj: Është tjetër se si kemi dëshirë ne ta shohim vendin tonë. Ne po përparojmë shumë me ritme të shpejta. Ka përparime të jashtëzakonshme. Liria ka hapur përspektivë në të gjitha fushat. Rininë e kemi të mrekullueshme. Diasporën e kemi shembull. Është e lidhur me atdheun dhe kanë ambicie për të parë të zhvilluar dhe të kontribuojnë për zhvillimin e Kosovës,  ka shumë investime nga diaspora dhe kjo më gëzon shumë.

R.A. Sot është një farë paradoksi,  të rinjët nga diaspora po i tërheq më shumë Kosova, derisa të rinjët nga Kosova po e shohin perspektiven e tyre jashtë vendit. Meqë dy të tretat e jetës i keni kluar jashtë cila është porosia juaj për të rinjët që perspektivën e tyre më shumë e shohin jashtë se sa në atdhe?

Gafurr Çalaj: Kisha dashur që rinia t’a kuptoj se jeta  jashtë atdheut nuk është zgjidhje e duhur. Duhet t’i krijojnë perspektivë vetes në atdhe. Më se 5 million shqiptarë në Turqi kanë qenë,  sot nuk mund të themi se të tillë ndihen 500 mijë. Shteti duhet të bëjë më shumë për të ju krijuar përspektivë të rinjëve në atdhe dhe të mos i shtyjë drejt migrimit.

R.A. Si e sheh kombin brenda 20-25 viteve. Të bashkuar në një shtet apo kështu si jemi ?

Gafurr Çalaj. Po më duket larg dhe kohë shumë e gjatë 20 vjet, sepse bashkimi kombëtar është kusht si ne e çuanim, për përparimin e kombit dhe të Shqipërisë andej e këndej Drinit.

R.A. Ku duhet të përqëndrohemi më shumë. Duhet ta forcojmë komunikimin brendakombëtarë, ekonominë apo bashkëpunimin kulturor e arsimor ?

Gafurr Çalaj: Mesazhi im do të ishte që të punojmë për një qëllim të përbashkët për bashkimin e kombit. Sa më shumë komunikim, sa më shumë shkëmbim të ekonomisë. Politika të përbashkëta arsimore, kulturore sikurse edhe në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Menjëherë mund të kemi organizime të përbashkëta sportive. Pse mos ta kemi një ligë të përbashkët si të futbollit ashtu edhe në të gjitha disciplinat e sporteve ekipore.

Vetëm kur të jemi të bashkuar si komb dhe t’a rrisim mirëkuptimin në mes vete, të kemi më shumë dashuri për atdheun dhe për njëri tjetrin, mund të pretendojmë të përparojmë shpejt. Ju e keni parë që shumë më shumë e duan vendin ata që kanë dhënë dhe kanë sakrifikuar për të. Do të doja që të gjithë shqiptarët kudo që janë ta rrisin dashurinë për atdheun dhe për popullin.

Bashkatdhetarët tanë duhet të jenë të gjithë të lidhur me atdheun të përgjigjen sa herë që ka nevojë. Tash i kemi mundësitë më të mëdha, mund t’i dalim zot shtetit tonë, apo shteteve tona sa herë që e kërkon nevoja.

Nëse nuk arrijmë të bashkohemi fizikisht nën një kulm shtetërorë, atëherë do të bashkohemi përmes integrimeve evropiane.

Por mua zemra ma do t’a shoh kombin të bashkuar në një shtet me një udhëheqje. Ta shoh ashtu siç e kanë ëndërruar të parët e mi, që kanë luftuar për lirin e tokave shqiptare nga pushtuesit otoman e serbë. Shqipërinë dhe shqiptarët dua t’i shoh shtet e komb të fortë dhe si faktorin më të rëndësishëm të stabilitetit dhe zhvillimit në gadishullin Ilirik.

Uroj ta shohim bashkë të realizuar  bashkimin e kombit!

Bisedën e realizoi: Ramadan AVDIU

Prill 2026

————————–

Jetëshkrimi historik i veprimtarit të Lëvizjes – Shyqëri Ukshini

RRUGЁTIMI IM NЁ LЁVIZJEN KOMBЁTARE

https://pashtriku.org/rrug%d1%91timi-im-n%d1%91-l%d1%91vizjen-komb%d1%91tare/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura