Prishtinë, 31. 05. 2012 – (“Le ta dijë bota mbarë se Gjergj Fishta s´është më shqiptar!“) – Tashti po e kuptoj, më mirë se në rininë time, hallin që detyroi Atë Gjergj Fishtën të protestonte në këtë mynxyrë, kundër tarafeve politike shqiptare në fille të mëvetësisë së Shqipërisë. Një udhëheqje e një kombi shqiptar dhe një publicistikë shqiptare, që nuk kanë mësuar gjë prej gjëje nga pësimet historike të kombit tonë, po dëshmohet se janë dorë nën hije e pushtuesve historikë të trojeve tona.
SHQIPTARËVE QË UDHËHEQIN SOT DHE PUBLICISTIKËS AKTUALE U MUNGON VIGJILENCA POLITIKE SHQIPTARE!?!
Më kujtohet një titull i një vepre të poetit “Rebel” Prof. Rexhep Hoxha: “E PO KU JEMI” (?!?), kurse unë sot do ti thërras ndërgjegjes së të ashtuquajturve “Lidership polik” dhe “publicistëve” shqiptarë: A e dini se emri i një vendi është tapi e pashme dhe e prekshme e një vendi?!? E nëse u vije rëndë të mësojnë nga një idealist që mendon e flet shqiptarisht, le të mësojnë nga Lidershipi politikë e publicistët: serbë, maqedonas, malazias e grekë shqiptarofobë, histerikë të dëshmuar!
Vërtetë, nga fundi i viteteve të ’60-ta deri në fillim të viteve të ’80-ta të shekullit të XX-të, e më vonë, bëja pjesë në grupin e pesë a gjashtë intelektualëve, të nisur në fushën e shkencës albanistike, të cilët e dinin fortë mirë se emërvendi është tapi e një vendi, ndaj u përpoqën, thënë me eufemizëm, ta standardizonin në gjuhën shqipe.
PRISHTINA – NDER VITE…
____________________________
Nëse shikohet shtypi shqip i periudhës, thënë simbolikisht, “të Fadil Hoxhës”, mund të konstatohet fare lehtë, se shtypi i kohës së tij ishte në shërbim të qëllimit që ndiqnim ne, të përkrahur nga Lidershipi politikë”, prapë thënë simbolikisht, “I Fadil Hoxhës”. Ishin kohë të leshta ato, por sukseset nuk munguan, për faktin se ekzistonte mbështetja nën rrogoz e Lidershipit politikë shqiptar “komunistë” në trojet shqiptare nën Jugosllavinë. Ky është fakt historik i prekshëm.
Nuk them se isha më i suksesshmi, por me mbështetje në disa dhjeta shkrimesh nga lëmi i problematikës së onomastikës, të botuara në shtypin shqip kombëtar të kohës, del se isha më i zëshmi (joprofesional), me ndikim në rrjedhat që i ndiqnim. Aso kohe arritëm që përfundimisht emërvendet e qyteteve dhunë serbe si: “Serbica” të quhet Skënderaj, emërtuar nga Mehmet Gradica, “Uroŝevac” – Ferizaj, “Gjeneral Jankoviç”- Elez Han, “Gnjilan”-Gjilan; “Skopje”-Shkup, “Bitol” – Manastir e me dhjetëra emra të fshatrave si: Dobrevo”- Miradi, “Dobridub”- Lismir, Belaçevac – Bardh, etj.
Dikush mund thotë: “Ju i paskeni përkthyer emër vendet nga serbishtja në shqip.” Për këtë soj njerëzish, kemi përgjigjën të mbështetur në historiografi të pranuar nga bota. Historiani Konstantin Jireçek (1952) ka konstatuar: “modifikimi i emrave antikë është kryer ose sipas rregullave të njohura gjuhësore, ose ashtu që emrit të vjetër i është vu kuptimi sipas tingëllimit të ngjashëm të fjalës sllave”. Ne gjetëm mbështetje, përpos në burime e literaturë historiografike, edhe në kujtesën e ndritur të popullit në qytete e në fshatra.
Këtu duhet të saktësojmë faktin se me një përkushtim intelektual patriotik iu sollëm emër vendeve të krahinave etnografike nisur nga emri i njësisë shtetërore autonome të Kosovo i Metohija (Kosmet) në Kosova, “Metohija” në Dukagjin, “Jużna Serbija” në Kosova Lindore, “Prekorupa” në Llapushë, “Podrimjle” në Drini, “Gollak” në Gallap etj.
Nismat tona i përkrahën publikisht: gazetarët, mësuesit, studentët, e vazhdimisht ekzistoi një mbështetja “kaçakçe” e Lidershipit polikë shqiptar “komunistë”, një fakt që sot nuk e shohim publikisht, as nënë rrogoz, në mbarë tokat shqiptare!?! Vërtetë, na habit fakti pse sot kemi një publicistikë kaq amorfe, të pa gjak shqiptari!?!
Sot as që kemi gazetarë, roje kujdestare e shqiptarësisë as mësues idealistë as studentë avangardë, të cilët kombi ynë i pati në kohët e leshta të Fadil Hoxhës!?! Nuk kam qenë “myhyb” i tij, për çka me nënshkrimin e tij më burgosi Sigurimi i Shtetit jugosllav, më 4 gusht 1981. Historia nuk abortohet.
Këtë “mëkat” ia fala publikisht para kamerave televizive në vigjilje të votimeve të para “Demokratike” të vitin 2000, kur e pajtova me si vëllamin e tij, mësues shembullor për idealistë, të kohës sime, Zotëri Hysen Tërpeza. Në fakt me këtë rast synova të pajtoja historinë duke e bashkuar humbjen dhe fitoren e Luftës së Dytë Botërore në trojet e shqiptarëve jashtë Shqipërisë Londineze me fitoret e UÇK-ës, që të mos na përsëritej “Tranzicioni demokratik!?!” i shtetit “Shqipëri”.
Ky hap politik imi shumë i guximshëm, solli disa të shara shqiptarçe në adresën time, por për Kosovën ishte një dëshmi se ka intelektualë që frymojnë me kërkesat e kombit tonë të copëtuar, peng i pangopësive për pushtet pa shtet, të “Lidershipit polik shqiptar”, gjithandej në tokat shqiptare.
Një fakt që duhet të përsëritet në shkrime: Fitorja e UÇK-së ishte një shpresë për idealistët e pakët që ka kombi ynë, se më në fund lindi dielli që do të rrezatoj shqiptarisht edhe mbi onomastikën në trojet shqiptare! Kjo aq më parë, pasi “Qeveria e Rambujes“ e nisi mbarë edhe këtë aktivitet shtet-formues të Kosovës. Kësaj “Qeverie”, pikërisht Ministrisë së Kulturës i takon lavdi për faktin se i vuri në lëvizje qeveritë komunale dhe dijetarët të formonin mekanizma profesionalë për riemërtimin e rrugëve, shesheve e të lagjeve të qyteteve. Meqë pas fitores së UÇK-së pushtetin komunal e jetësuan idealistët e dëshmuar në përpjekjet për Liri, në Këshillat për “Emërtimin e Rrugëve” u emëruan intelektualë të cilët për “partishmëri” kishin Shqiptarinë.
Ky përcaktim më solli në Këshillin Komunal të Kryeqytetit të Kosovës, i cili duhej të saktësonte kriteret dhe korpusin e emrave të personaliteteve që mund të mbanin rrugët, sheshet dhe lagjet, me rekomandim se akëcili qytet duhet të afirmoi personalitetet e komunitetit të mjedisit komunal. Në Komisionin e Prishtinës, përpos shqiptarëve pati edhe dy përfaqësues të minoriteteve, një turk e një boshnjak. Vendi i minoritetit serb mbeti i pa plotësuar për faktin se administrata e UNMK-t nuk gjeti një serb i cili do të tradhtonte “idealet për “Serbinë e Madhe”.
Në Këshillin e Kryeqytetit morën pjesë aktive përfaqësuesi i UNMK-kut, Marck Richmond, profesor dhe i KFOR-it, Chales Iadimarco, kolonel, të cilët fillimisht u përpoqën që ta detyronin Komisionin emërtimet e rrugëve t’i bënim me numra arab, kurse të shesheve e të lagjeve me numra romak! Prishtina, këso kohe pati: 34 lagje, 13 sheshe, 477 rrugë, tri varreza, dy parqe, dy stadiume, pra gjithsej 531 emërtime që duhej të nxirreshin në Planin urbanistik hapësinor të Prishtinës.
Kërkesa e UNMIK-ut dhe e KFOR-it, u kundërshtua unanimisht nga Komisioni mbështetur në argumente e në kërkesa imediate të qytetarëve. Meqë isha me një përvojë shkencore historiografike e në fushë të onomastikës, edhe e mbaja përgjegjësinë profesionale. Për këtë fakt kam shkruar disa herë por këtu mjafton të përmendi vetëm studimin: “Motivet dhe kriteret e emërtimit të rrugëve të shesheve dhe të lagjeve të Prishtinës më 1999”.
Kundërshtimi ishte i menduar politikisht esëll dhe me mbështetje shkencore. Komisioni i hartoi kriteret e më poshtme:
“Me rastin e propozimit të emërtimeve do të kihet parasysh përbërja etnike e banorëve të Prishtinës, përkatësisht të Kosovës, sipas përqindjes.
Emrat për emërtime të përfaqësojnë shtrirjen multikulturore në rrafshin e popullatës.
Për emërtime të merren emrat e humanistëve dhe të personaliteteve me rëndësi historike-çlirimtare.
Të pasqyrohen lidhjet me civilizimet botërore përmes personaliteteve humanistë e demokratë dhe të emërtimeve të qendrave botërore.
Mundësisht për emërtimin e rrugëve, të shesheve dhe të lagjeve të merret pëlqimi i popullatës që i banojnë ato.
Emrat e minoritarëve si emërtime të vihen aty ku minoritarët përbëjnë shumicën.
Emërtimet të shkruhen në gjuhën e banorëve shumicë.
Emërtimet e shesheve dhe të lagjeve të shkruhen shqip dhe anglisht”.
Ky dokument, shqip dhe anglisht, iu dorëzuan Shefit të administratës ndërkombëtare të komunës së Prishtinës, UNMIK-ut dhe KFOR-it.
UNMIK dhe KFOR fillimisht sikur u çarmatosën, por që të mos dukeshin të panevojshëm në Kosovë kërkuan të bashkohet pika 7 dhe 8 në një kriter si kriter i vetëm: “7. Emrat do të shkruhen në gjuhën përfaqësuese që përfshinë shqipen, serbishten, turqishten dhe anglishten” Kjo ishte një fitore për këtë aktivitet shtet formues të Kosovës, bazë e Kritereve për Standardizimin shqip të emërvendeve të Kosovës.
Ky hap komb konsolidues i Kosovës bëri ndikim edhe në Shqipërinë Londineze deri në shkallën kur Kryeministri Berisha, do të thërrasë: “Të ndryshohen emrat e qyteteve me emrat sllave në Shqipëri…!!” Mirëpo, lufta e tarafeve, “opozitë”, “pushtetarë” në të gjitha trojet e Shqipërisë Etnike (jo e”Madhe”), siç e përdorin copëtuesit e saj, e ndihmëtarët e tyre nga radhët e disave që flasin shqip (!?!), pengoi këtë aktivitet komb konsolidues, të gjallët ua kanë borxh brezave shqiptarë të rinj!
7 PIKAT E UNMIK-ut!!
_________________________________________
Për fat të keq, lufta për pushtet e tarafit politik që sabotoi Qeverinë e Rambujes sa erdhi dhe u bë krah i forcave kundër shqiptare, në mjediset e UNMK-ut dhe të KFOR-it, e kjo e topiti forcën morale e politike të Qeverisë së Përkohshme, dhe të qeverive komunale që çoi në “Planin Gjithëpërfshirës të Ahtissarit”, i cili Serbinë e bëri me tapi serbe në mbarë Kosovën e në trojet shqiptare jashtë saj, kurse shtetësinë e Kosovës e futi nën thika të reja botërore për interesa shekullore të Serbisë.
Pushteti i shtetit të Kosovës dhe pushtetet komunale të diktuara nga administrata e UNMK-ut dhe KFOR-it, nuk e përballuan trysnin proserbe, nuk e mbështetën punën profesionale të “Komisionit për Standardizimin e emër vendeve në Kosovë”(!?!). Faktikisht për fitimtarët e Luftës Çlirimtare të UÇK-së erdhën ditë të ndera, u frikësuan me “Dosje për Krime të Luftës” të hartuara nga tarafet politike për pushtet pa shtet, e kjo solli në dështimin e Standardizimit të emër vendeve.
Lufta për pushtet bëri që sot emër vendet e fshatrave e të qyteteve të Kosovës, janë më shkret së në kohën nën robërinë e Jugosllavisë së Titos. Jam rritur e ngritur në kohën e asaj robërie e kurrë nuk më ka rënë të shoh: ”Komoranë” (në hyrje nga Qafa e Duhlës për në Carralevë, e as në traditën shqiptare as në burimet serbe të viteve1912 -1941 nuk gjendet “Reçak”, por paluhatshëm qëndron Raçak, e sikur të kishin gojë Martirët e Raçakut, të vitit 1999 do të thërrisnin: “O pushtetarë të Kosovës e ju kryetarë të Shtimjes, na u masakruam se ishim vazhdues të jetës shqiptare të Raçakut të Ilaz Raçakut e të Qorr Ilazit-Raçakut, o Zoti i Madh u vraftë!!!!!”
E mua, kur më nxjerrë nevoja të kthehem nga Ferizaj para Rrethrrotullimit për Lypjan i mbylli sytë të mos e shoh tabelën kinse për shqip: ”PriŠtinë”, se më vije të vjell!!! Më 22 janar 2012, duke përcjellë “Vetëvendosjen” në TV, ma kapi syri tabelën: ”Merdarë”, e pyeta vetën: ”A thua është më mirë kjo apo “Merdare” në gojën e Kryeministrit të Kosovës!?!
Sikur Parlamenti e Qeveria e hiç shtetit “Kosovo” të kishin ngulë këmbë vetëm për të përfillur dy kriteret e para nga shtatë Kriteret që Komisioni Komunal i Prishtinës, që ia pat imponuar Administratës së UNMK-ut e të KFOR-it, më 31 gusht 1999: “1. Me rastin e propozimit të emërtimeve do të kihet parasysh përbërja etnike e banorëve të Prishtinës, përkatësisht të Kosovës, sipas përqindjes!”, dhe “2. Emrat për emërtime të përfaqësojnë shtrirjen multikulturore në rrafshin e popullatës!”, nuk do të na kishte ndodhur kjo që po e shohim cep me cep të shtetit “Kosovo”, ku për marre të Zotit, ky Pushtet Unmikian e Eulexian po i nxisin qytetarët të bëjnë vepra “kriminale…!?!”, duke bojatisur e shkallavitur me “spreje” emrat e vendbanimeve në gjuhën që nuk flitet në atë vendbanim. E po a nuk është kjo një vërejtje publike për ata që komandojnë me pushtetin e Kosovës sot e mot!?!
Tashti të ndalem në problemin madhor që më ka nxitur ta shënoj këtë gjëmë fishtiane!! Fjalën e kam emërtimin e visit etnogjeografik shqiptar: Kosova Lindore dem baba dem, e të cilën sot pushtetarët e publicistë lodra unmikiane e eulexiane për interesa të Serbisë po e quajnë “Lugina e Preshevës” e ”Lugina” (….!?!). I pyes këta malukatë a e dinë se janë bërë dorë e zgjatur e Serbisë pushtuese shekullore e tokave shqiptare!?!
O politikanë të Kosovës Lindore, etërit tuaj këtë vis shqiptar a e kanë quajtur ndonjëherë ”Luginë”, apo “Lugina e Preshevës”, Marre u qoftë?!?! Mësoni o shqipfolës mjerana se etërit e muhaxhirëve që nga Nishi deri në Kosovën e sotme emrat e fshatrave stërgjyshore i kthyen në Mbiemra jo vetëm si nostalgji patriotike por edhe si Tapi të vendlindjes stërgjyshore. Me këto porosi në Kosovën Ahtissariane e kemi Tarafin politik serb: ”….Kosova i Metohije”.
E lexuesin e këtij reagimi kam nderin ta informoj se në kohën e hulumtimeve të kujtesës historike për veprën: Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951, si tapi shqiptare të prekshme për atë vis, prej të nderuarit Lam Breznica e pata shënuar një “gjëmë” patriotësh të Kosovës Lindore në vitet e rezistencës kundër jugosllave titiste. Lami i Madh pat thënë tekstualisht: “Ne luftëtarët në Male, kur i nxinim bashkëpunëtoret e OZNA-së, i pështynim dhe e uronim: Nanën ta lodroftë bugari e magari!”
Kurrë nuk kam pas menduar se kjo gjëmë e bashkëluftëtarëve të Lamit do të më duhet për ta flladitur vetën: Sa herë që e dëgjoj dike në televizionet shqipe kur thotë: Lugina e Preshëvës, Podujevë, Suharekë, Istog, Kamenicë, Komoran, Polluzh, Polac, Obiliq, Dragash etj., e jo emrat e standardit shqiptar i këndoj rahmet Lamit e bashkëpunëtorëve të tij, e “oratorit” i thërras: “…po a Serbinë po e pret me ta dëshmuar tapinë shqiptare të vendit, Aaaaa……!?!?
Në fund e përfund i bashkohem lutjes së një rilindësit Konica: “Zoti e shpëtoftë Shqipërinë prej shqiptarëve!, e për ngushëllim e kam me urtinë e Patrick J.Geary-t: “Një historian e ka për detyrë ta ngrijë zërin e tij edhe kur e di se nuk do të dëgjohet!”
_________________________________
__________________________________
(ILUSTRIMET I PERGATITI KERYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)