BESIM CENGU: NA IKU NERITAN MUJA. AH!

Tiranë, 11. 06. 2014 – Më ka tronditur thellë vdekja aksidentale e shokut, mikut e kolegut tonë Neritan Muja. Ende jam shumë i trishtuar skajshmërisht, siç janë edhe të gjithë shoqet e shokët, kolegët tu që të deshën e të respektuan aq shumë. E ky trishtim e pikëllim do të zgjasë, Tani ynë i dashur, do të lejë vragë të përjetshme në ndërgjegjen tonë.
Shumë…
Shumë sepse qe dhe mbete gjithnjë një mik i mirë, një shok i rrallë, një koleg i mrekullueshëm.
Ti Neritan Muja i kishe shokët e rrallë. Ndoshta është ndër të paktët njerëz të kësaj tokë që ike pa patur asnjë “armik”, pa bërë asnjë fjalë të keqe me asnjë, me asnjë askund, kudo që punove e veprove. Mirësjellja, fjala e mirë dhe e ëmbël ishin kredoja jote, shoku ynë i dashur.
Si një shok i tij ndaj dhimbjen e madhe me familjen e tij, me bashkëshorten e tij të denjë, me vajzën e tij të dashur.
Humbja është e madhe, por duhet përballuar kjo fatkeqësi e nderuara Blerina.
Ngushëllojmë nënën e dashur Shpresa e babain Besim Mujën, dy prindër të mrekullueshëm që me aq dashuri e përkushtim sollën në jetë dhe rritën një djalë si Tani ynë i përjetshëm. Ngushëllojmë vëllain, motrën, gjithë të afërmit e të dashurit e familjes së Besim Mujës.

 

– I ndjeri Neritan Muja –

Me Tanin edhe më mirë e nga afër na njohu periudha e vështirë, kohë kur ne gazetarëve të Radio Kukësit dhe të gjithë gazetarëve na ra barra të përballojmë informacionin e Luftës Heroike të popullit tonë kundër pushtuesit serb.
Vlerat e Tanit janë të pazëvendësueshme.
Ishte i palodhur, shumë i papërtuar, i saktë në përcjelljen e lajmit dhe mbi të gjitha qëndronte lart si profesionist.
Patëm fatin të jemi bashkë në ditën e parë të lirisë në Prizrenin tonë të dashur.
Bashkë me Tanin, gazetarët Demir Reshiti dhe Sulejman Dida ishim mysafirë te Kurtish Luma, një i afërm i fisit të tij i dalë në këtë qytet…
Përjetuam drejtpërdrejt gëzimin e lirisë. Prekëm bashkë larinë e munguar dhe përjetuam emocionet njerëzore që e ka privilegjin gjithkush t’i përjetojë.
Kurrë nuk do të harrojmë Tan i dashur, kurrë… Ende para syve përjetoj gëzimin tend, lumturinë, gjendjen tënde emocionale.
Ah! Kurrë jo!
Ashtu sikurse kurrë nuk do të harrohet puna e përpjekja Juaj për të ndihmuar viktimat e pasluftës. Ju ishit njerëzor. Respektuat deri në maksimum dinjitetin e njeriut.
Prandaj do të jeni i vlerësuar prej nesh gjithë jetën.
Ti ishe njeriu në kuptimin e plotë të fjalës. Po ja që njerëz të tillë nuk po jetokan gjatë se.
Jemi shumë të tronditur, por nuk kemi ç’të bëjmë.
E vërtetë është se Ti nuk je më midis nesh dhe të gjithë jemi të detyruar ta përballojmë këtë dhimbje të madhe.
Zoti të prehtë në paqe Tani ynë, shoku, miku e kolegu ynë i mirë.
Ah!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura