Pashtriku.org, 11. 06. 2014 – Në kujtim të 15 vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe në nderim të kujtimit të kolegut tonë Neritan Muja – (Fragment nga Përmasat e Mbijetesës) – Brezat që janë dëshmitarë të shndërrimeve të mëdha të popullit të tyre, sigurisht janë me shumë fat. Brezi ynë, e pati një shans të tillë. Historia e popullit shqiptar, gjithnjë në rrugën e historisë së tij, ka qenë dramatike. Në raport me kohën dhe rrethanat, historia jonë ka lëvizur shpejt, siç lëviz një lumë rrëmujshëm pas një rrebeshi të madh. Ne kemi parë me sytë tanë si po shkonte rrjedha, si po kompozohej e ardhmja jonë. Shqiptarët, shpeshherë u penguan nga të tjerët dhe nuk u është lënë shumë rol për ta shpënë fatin e vet në përputhje me konceptet e një bote të re, një bote të lirë e pa dhunë. Ndërhyrjet e padrejta e intrigat e herëpashershme politike të shteteve të mëdha, por sidomos atyre fqinje, kanë dëmtuar rëndë kauzën shqiptare.
Në shumicën e rasteve, për hir të mpleksjes së interesave të shteteve të mëdha, është marrë nëpër këmbë kontributi i vetë shqiptarëve, duke arritur, në të shumtën e rasteve, përfundime jo të drejta, që çonin në dëm të interesave shqiptare. Megjithatë, lum ai që jeton e vepron aktivisht në periudha të rëndësishme të historisë së popullit të vet. Lum kush përpiqet e shpenzon energjitë për luftë të drejtë e dinjitet kombëtar!
Jugosllavia totalitariste, ky shtet falso, i ngritur për interesa të të tjerëve në fillim të shekullit të 20-të, duke nënshkruar më në fund në Kumanovë aktin e turpshëm të kapitullimit, nënshkroi edhe rrënimin e kësaj federate famëkeqe, që nuk i shërbente për të mirë asnjë populli në Ballkan. Sa të ishte në këmbë në gadishullin e Ballkanit federata jugosllave, kjo krijesë artificiale, që ushqehej vazhdimisht nga intrigat politike, të gatuara nëpër kancelaritë e Fuqive të Mëdha, sidomos të Moskës, kombi shqiptar e kishte shumë të vështirë të prosperonte e të realizonte ëndrrat e tij. Qyshse kemi dreqin kojshi! Popullit shqiptar vazhdimisht i është dashur të përballet me këta barbarë. Federata jugosllave, e tillë ishte jo vetëm për shqiptarët, por edhe për popuj të tjerë në Ballkan. Zhvillimet e këtyre dhjetë vjetëve të fundit të shekullit, dëshmuan të vërtetën politike në këtë gadishull të trazuar.
Prizren, 12 Qershor 1999: Besim Cengu me Neritan Mujën,
ditën e parë të çlirimit të Kosovës.
Tani, pas gjithë këtij konflikti në Kosovë, të gjithë e kuptuan, se një jetë e re po fillon. Sa shpejt ndryshuaka rrjedha e historisë! Ashtu sikur koha e vrenjtur e me shi, pasohet nga një qiell i kthjellët e natyrë e ripërtërirë, ashtu edhe në historinë njerëzore ndodh. Pas çdo tragjedie lind një jetë e re, me një të ardhme të qartë e të ndritur. Vetëm pak ditë më parë, kur vinim në Morin, pikëkalim i mbi 420 mijë banorëve shqiptarë, të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, askush nuk mendonte, se një ditë do të kalonte përtej vijës së mallkuar të kufirit dhe të vdekjes. Sa e sa herë, kemi vështruar me dhimbje nga larg, gjatë kësaj periudhe tragjedie, kërcënimin që u bëhej shqiptarëve të Kosovës nga ushtarë serbë: Ja, ikni tani në vendin tuaj. Kosova është djepi ynë. Ju kurrë më nuk do të ktheheni këtu! Këto ishin fjalët e shtetit të dhunës dhe të shovinizmit, që nuk kishte patur kurrë në parim respektin për njeriun si qenie njerëzore, as respektin më të vogël për shoqërinë e lirë. Pra, këto qenë fjalët e një shteti të indoktrinuar me me helmin e urrejtjes kundër popullit shqiptar, i cili historinë e vet nuk e ka njollosur asnjëherë. E shqiptarët, nuk kishin se ç’të bënin, se ishin të pambrojtur, të poshtëruar, të diskriminuar në të gjitha aspektet. Mbi të gjitha, pothuaj gjatë gjithë shekullit të njëzetë, serbët ua kishin marrë nëpër këmbë personalitetin e dinjitetin, ndërkohë që bota e ftohtë nuk ua drejtonte as sytë.
Kalonin banorët e Kosovës shqiptare në drejtim të Kukësit, e përmes këtij qyteti, në gjithë kombin amë, me zemër të thyer, por gjithnjë me shpresën e madhe, se askush nuk mund ta gëzonte tokën shqiptare, që zoti ua ka falë që nga lindja e vetë njeriut.
Në pasditen e 12 qershorit 1999, morëm kontakt me ushtarakët e NATO-s dhe u pajisëm me lejet përkatëse për të kaluar në pikën e Vermicës, në drejtim të qytetit historik të Prizrenit. Nuk na besohej, se do të ishim nesër atje, në Kosovën tonë martire. Sa e largët na dukej kjo tokë! Fati na kishte shpënë deri në Rusi, por në Kosovë, në pjesën veriore të vendit tënd, nuk kishim mundur të shkojmë. Pikërisht për këtë, toka jonë na dukej shumë, shumë e largët, sa Japonia a Argjentina. Nga emocionet dhe padurimi, nuk na besohej se një ditë do të ishim në këtë truall të amshuar, për të cilin aq shumë kishim ëndërruar. Sapo morëm lejet, shpejtuam të ishim të pranishëm në ardhjen në Kukës të trupave të para gjermane që do të futeshin nesër në Prizren, në kuadër të forcave ushtarake të NATO-s. Ishin 1.200 trupa gjermane, që do të priteshin me brohoritje e ngrohtësi në Kukës, tanimë të futur në panteonin e historisë botërore të shekullit të njëzetë, në Kukësin ku kushdo nga çdo vend i botës, krenohej po ta vizitonte këtë Mekë shqiptare me cilësi të rralla humane. Mijëra banorë kuksianë, prizrenas, gjakovarë, pejanë, mitrovicas, opojanë etj., të mëdhenj e të vegjël, burra e gra, pleq e plaka, kishin zënë dy anët e bulevardit kryesor të qytetit të Kukësit. Dhe ja, më në fund, mbërriti autokolona ushtarake gjermane. Nga gjithë kjo ngjarje, nuk kemi lënë asnjë detaj pa vënë re, pa shënuar në bllokun tonë të historisë dhe pa fokusuar në objektivin e kamerës dhe të aparatit fotografik. Nga kjo ngjarje historike, kemi shumë incizime e filmime që i ruajmë si gjënë më të shtrenjtë, si dëshmi autentike të historisë sonë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm, se po përjetojmë fitoren e madhe, kthimin e shqiptarëve në vatrat e tyre etnike. Atë pasdite, askush nuk ndjeu rigën e shiut të rrëmbyeshëm mbi kokat e tyre. Pothuajse të gjithë banorët, e kuptuan atë si mbarësi të ditës së nesërme, si nisje e një dite krejt tjetër, me më shumë fat për shqiptarët.
Gjithë natën nuk na zuri gjumi nga gëzimi. I morëm të gjitha masat për të shkuar në Prizren nesër, bashkë me forcat ndërkombëtare. Përgatitëm mjetet tona të profesionit: kamerën, diktofonat, laps e letër. Ekipi i gazetarëve të Radio-Kukësit, ishte gati për ditën e shënuar që nuk do përsëritej, ditën e madhe historike, ditën e çlirimit të Kosovës. Më në fund, ëndërra shekullore e shqiptarëve ishte realizuar. Nuk dëgjuam më zhurmën e avionëve në qiellin kuksian. Pikërisht për këtë arsye, secili shqiptar kishte të drejtë të jetë i lumtur. Kosova, tani e tutje, nuk do të kishte dhunën serbe mbi kokë, nuk do t’i merrej më dinjiteti nëpër këmbë. Kosova dhe gjithë Shqipëria kishte rilindur dhe që sot e tutje, do të hapë një faqe të re të historisë së saj.
Me makinën e Kamber Elezit, u nisëm në drejtim të pikëkalimit në Morin. Kamberi, është gjashtëdhjetëvjeçar, por tokën kosovare, nuk kishte patur shans ta shkelte kurrë, andaj edhe emocionet e tij ishin krejt të pranueshme. Sot, ishin ndërruar rolet. Nuk kishte deportim të dhunshëm të shqiptarëve, por kthim të tyre nëpër shtëpitë e veta, ndërsa bishat serbe, po iknin të çartura. Bashkë me mua, ishin edhe gazetarët Demir Reshiti, Sulejman Dida e Neritan Muja, tre kolegë, që kishin dhënë aq shumë kontribut në fushën e informimit gjatë kësaj periudhe tragjike. Kjo krizë erdhi e kaloi si një virus, virus që gjithmonë lë vragë në ndërgjegjen e gjithë atyre që e kanë përjetuar një dramë të tillë. Askush nuk e kishte ndier veten të qetë, derisa arriti kjo ditë e madhe më në fund. Tani, ne, historinë tonë po e prekim me duart tona, po prekim kështu frytin tonë kolektiv të shumë brezave që luftuan shekuj me radhë. Sakaq, arritëm shpejt në kufirin që të tjerët padrejtësisht na kishin vendosur. Depërtuam kështu siç ishim dhe ja, vija e kuqe mu në mesin e urës, që ndan dy pikat doganore, atë të Morinit dhe të Vermicës, vija e kuqe, që deri sot kishte ndarë dy botë. Kjo vijë e kuqe, mu në mesin e urës, për pesëdhjetë vjet rresht ndante përgjysmë një shpirt, një komb të lashtë e me civilizim të vjetër. Populli shqiptar, është i lavdishëm dhe ka të njëjtat ëndërra e aspirata, siç kanë gjitha popujt tjerë. Në momentin kur ne kalonim sipër kësaj ure, dy djem të rinj me një çekiç, po shkulnin pllakatën e hekurt të vendosur në mesin e krahut të majtë të urës, ku shkruhej RPSSH-RFSJ dhe që kishte mbetur si relike i së kaluarës.
Kurrë nuk ma kishte marrë mendja, se një ditë do të ishim dëshmitarë të përdhosjes së këtyre simboleve të pakuptimta. Kishim marrë përsipër të mos na shpëtonte asgjë, asnjë detaj, sepse historia, bashkë me ngjarjet që rridhnin aq shpejt, kurrë nuk përsëritej.
Sapo mbërritëm në pikëkalimin e Vermicës, dikush qëlloi me gur në një reklamë të shkruar me germa cirilike. Shumë banorë nga qyteti i Prizrenit dhe nga fshatrat Zhur, Vërmicë, Morin, Bardhoc etj, kishin pushtuar këtë godinë të urryer, ndërsa forcat ushtarake gjermane, ishin rreshtuar rreth 20 metra më poshtë, në pritje për t’u dorëzuar në bazë të marrëveshjes së Kumanovës edhe të atyre pak forcave ushtarake serbe, që kishin mbetur në vijën ndarëse Vermicë-Morin.
Rreth orës 11,30 minuta, një helikopter i NATO-s, u ul afër ndërtesës së doganës në Vermicë. Një ushtarak i lartë gjerman, me emrin Helmut Harf, zbriti i shoqëruar nga disa ushtarakë të tjerë. Nuk vonuan as tre minuta, kur nga mali, rreth një kilometër sipër Vërmicës, u duk një oficer i ushtrisë jugosllave. Ai, siç duket, u kishte kërkuar takim autoriteteve të ushtrisë gjermane. Gazetarët u sulën për të marrë vesh, se cili ishte qëllimi i këtij takimi misterioz. Oficeri jugosllav, i kërkoi ushtarakut gjerman një afat prej tri orësh, për të tërhequr materialet në pikën ushtarake të Vermicës. Pa u menduar gjatë, ushtaraku gjerman, iu përgjigj prerazi: Nuk duhet të humbni kohë. Ju duhet të dorëzoni gjithë armatimin dhe ushtarët, që keni në pikën e vrojtimit. Kanë kaluar dy minuta dhe u kanë mbetur edhe njëzet e tetë të tjerë. Nëse në këtë hark kohor, nuk zbatoni urdhërin, do të keni konsekuenca. Ushtaraku gjerman, nuk foli më gjatë. Përballë racionalitetit të tij, oficerit serb nuk i mbeti gjë tjetër. Pa humbur kohë, u ngjit nga kishte ardhur dhe pas afro një çerek ore mbi shtatëdhjetë ushtarë të ushtrisë së mundur, u panë duke zbritur të ngarkuar me të gjithë pajisjet. Ata dorëzuan përpara ushtarëve gjermanë armët dhe gjithçka tjetër, të ofenduar dhe të përbuzur nga shumë banorë shqiptarë, që në atë çast u ndodhën pranë. Ndërsa ushtarët jugosllavë, të mundur, po hipnin në makinat, që do t’i shpinin në vendin e tyre për të mos u kthyer kurrë më, dikush kishte ulur flamurin serb. Dhjetëra shqiptarë, iu sulën kësaj copë bezeje të urryer, se kush do ta griste më parë. Demiri, ishte në qendër të gjithë kësaj ngjarjeje. Megjithëse i dobët nga shëndeti, në ato çaste i kishte ardhur një forcë e mbinatyrshme dhe për pak kohë e bëri copë e çikë. I mblodhi të gjitha ato dhe i hodhi në zjarrin që ishte duke djegur një uniformë të ushtrisë serbe. Shikonim të gjithë, se si digjej flamuri serb dhe të gjithë një gjë e kishin tashmë të qartë, se ngjyrat e këtij flamuri kurrë më nuk do të valëviteshin në mesin e tokës shqiptare.
– Neritan Muja me bashkëshortën e tij Blerinën dhe vajzën –
Mëngjesi i 12 qershorit dhe mesdita e 13 qershorit 1999, përcaktoi përfundimisht finishin e një drame njerëzore, që shënoi vdekjen e një diktature, e cila kishte kërcënuar jo vetëm Ballkanin, por gjithë Evropën. Kosova, kurrë më nuk do të jetë e Serbisë. Humbjen e Kosovës, e kishte parandjerë dhe përcaktuar vetë Dobrica Qosiç, shkrimtar nacionalist serb dhe presidenti i dikurshëm i Jugosllavisë, kur thoshte: Shekulli i 20-të, do të përfundojë me humbjen e Kosovës dhe Metohisë për popullin serb. Akademiku serb Qosiç, në këtë parashikim, ishte gjenial. Ishte një mesditë e nxehtë dhe të gjithë sikur ishin të dehur. Secili, kishte ndryshuar diçka nga vetja me një gjendje emocionale e psikologjike, që në jetën tonë nuk e kishim provuar asnjëherë. Nuk ishte kollaj, që të tjerët të të pengojnë të lëvizësh i lirë brenda tokës tënde, të komunikosh lirisht me vëllezërit e një gjaku. Shansi na takoi që të parët të udhëtojmë në drejtim të qytetit të krenarisë sonë kombëtare, drejt Prizrenit të historisë tonë të përgjakshme, por të lavdishme. Sa e sa vjet e kishim pritur këtë DITË, sa e sa vjet u deshën të arrijmë këtë ditë të lume për gjithë shqiptarët.
Na dukej vetja se po fluturonim, ndërsa përgjatë rrugës asgjë nuk pipëtinte. Dukej, sikur jeta kishte pushuar. Askund nuk shikoje këmbë njeriu, veçse kudo kafshë të gordhura në rrugë: lopë, qen e kuaj, që ushtria agresore i kishte vrarë. Nuk kaluan as pesë minuta rrugë dhe ja fshati Zhur, i cili, për nga numri i banorëve, është ndër më të mëdhenjtë në Kosovë. Kishte një shtrirje tepër të përshtatshme, me shtëpi të grumbulluara. Gjatë periudhës së luftës, Hamit Ademi, i vëllai i gjeneral Remzi Ademit, komandant Petrit Kodrës, siç e thërrisnin, shpesh më thoshte, se Zhurin nuk e ndërroj me asnjë vend tjetër. Fshati ishte i shkretë dhe më shumë se gjysma e shtëpive, ishin djegur nga ushtarët serbë. Sa herë kishim ëndërruar të shikonim këto treva, sa gjatë kishim ëndërruar të shikonim shtëpinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Dhe, ja, më në fund ardhi dita e arbërit, siç thoshte rilindasi ynë i madh, Jeronim de Rada. Kamber Elezit, i dridheshin duart në timonin e makinës së tij, ngaqë nuk kishte shkelur kurrë në këtë pjesë të dashur të Shqipërisë edhe pse lidhjet farefisnore i kishte të shumta. Nga ana tjetër, Demir Reshiti, më tregoi se këtu, në Qafën e Zhurit, është rruga që të shpie në shtëpinë e tij, në Opojë, ku ai kishte lindur. Unë isha kurioz e mezi prisja të shkoja te shtëpia e tij në fshatin Bresanë, që të shikoj me sytë e mi bukuritë e rralla të bjeshkëve të Sharrit, të shijoj mikpritjen e shkëlqyer të këtyre malësorëve, që aq shumë ishin të lidhur me tokën e tyre.
Të pushtuar nga këto mendime, befas te manat e fshatit Vlashne, në afërsi të qytetit të Prizrenit, u ndeshëm me një karvan të gjatë të ushtrisë serbe. Pas nënshkrimit të aktit të kapitullimit në Kumanovë, ata po tërhiqeshin për në vendin e tyre, të mundur e të poshtëruar. Në fillim ngurruam, se mos do të ndodhte ndonjë incident, kur të shikonin një makinë me targa të Kukësit të futej në Prizren. Por ata, nuk mund të bënin gjë më. Epoka e tyre tiranike kishte përfunduar dhe se nga Kosova do të largoheshin për të mos u kthyer kurrë. Makina jonë, çau përmes ushtarëve serbë, që mbanin në dorë flamurin e bardhë të dorëzimit. Nuk kaluan as dy minuta dhe ja, na doli përpara Prizreni historik, kryeqyteti i merituar i shqiptarëve. Mijëra banorë, me flamuj në dorë, kishin dalë për të na pritur në hyrje të qytetit, pikërisht aty ku ishte gjykata dhe burgu, ndërtesa më e urryer e qytetarëve të Prizrenit dhe gjithë rrethinës. Aty mijëra shqiptarë ishin keqtrajtuar, vrarë e burgosur, pa asnjë arsye. Ishte shkulur tërë qyteti dhe sekush më parë kërkonte të na thoshte diçka. Dikush, të shprehte mirënjohjen më të lartë për kombin amë, për NATO-n, për Kukësin e kuksianët. Dikush tjetër, kërkonte të dinte për njerëzit e tij, të cilët ende ishin në Kukës. Dikush mundohej të tregonte përmbledhtas, para diktofonëve e objektivave të kamerave tona, jetën e këtyre muajve nën terrorin serb. Forcat e NATO-s, të cilat kishin hyrë një ditë më parë, patrullonin qytetin, ndërsa forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe ishin grumbulluar në shtëpinë e oficerëve e në oborrin e gjykatës së Prizrenit dhe nga çasti në çast prisnin të largoheshin nga qyteti. Ata kërkonin të largoheshin me iniciativën e tyre, sepse krimi kundër popullit shqiptar kishte përfunduar. Nuk u lejohej më qëndrimi këtu, në vendin që e kishin shndërruar në shesh të derdhjes së gjakut të pafajshëm të shqiptarëve. Nuk kishin më asnjë justifikim të qëndrimit të tyre, pasi gjaku i shqiptarëve në duart e tyre, ishte ende i njomë. Pikërisht për këtë arsye, as civilët serbë që kishin ardhur në Prizren si kolonë e ishin vendosur nëLagjen e Nënkalasë, nuk mund të qëndronin më këtu. Prizreni është qyteti ynë, megjithëse serbët e kishin bërë edhe kryeqytet të tyre në kohën e Car Dushanit. Mirëpo, sot ky qytet, nuk mund të durojë kurrë më ata që rrënuan gjithçka: shtëpinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, objektet shqiptare të kultit dhe thesaret e tjera të traditës së lashtë shqiptare. Serbët, me gjithë agresionin dhe investimin e tyre antishqiptar, nuk arritën të shkatërronin strukturën shpirtërore të shqiptarëve. Ata, nuk mund të ishin kaq të fuqishëm, sa të shkatërronin kalanë e Prizrenit, dëshminë më autentike të qëndresës shqiptare me mijëra vjet.
Të gjithë shqiptarët, kishin të drejtë të festonin këtë ditë të madhe. Kisha shumë dëshirë të shihja Shatërvanin, xhaminë e Sinan Pashës, Teqenë e Sheh Xhemalisë, atë të Sheh Nexhatit, Hamamin e qytetit etj. Kisha dëshirë të shihja çdo gjë të këtij qyteti dhe në të ardhmen gjithë Kosovën, tokën tonë të premtuar. Nata e madhe e lirisë në Prizren, na gjeti si mysafirë në shtëpinë e Kurtish Lumës, një djalë tepër bujar e i sjellshëm. Ai ishte me origjinë nga Kukësi, por që diku nga fillimi i shekullit ishte vendosur në Prizren. Ky rast, tregonte qartë lidhjet e ngushta që kanë patur trevat tona, por që më vonë u ndërprenë plotësisht nga regjimet e dhunshme për të krijuar këtë vakuum të madh brenda së njëjtës rracë, brenda së njëjtës psikologji e traditë mijëravjeçare. Vështirë të na shlyhet nga kujtesa pritja e asaj nate në këtë familje, sa të dashur aq edhe bujare. Gjithë natën, e kaluam duke shkuar për vizitë nëpër shtëpitë e prizrenasve.
– Kanë marrë vesh se jeni mysafirë te ne dhe ju duan për një kafe, – na thotë me mirësjellje Kurtishi. Ne, edhe pse ishim tepër të lodhur dhe ora kishte kaluar 1 të natës, këtë dëshirë kishim. Gjithë natën biseduam për të ardhmen e Kosovës, për jetën e re që do të ndërtohej në liri. Kurtishi, na tregoi deriçkat që kishin hapur gjatë periudhës së luftës, për të depërtuar prej njërit oborr në tjetrin. Lëvizja nëpër rrugë, ishte tepër e rrezikshme. Shpesh mund ta paguaje me kokë. Aty rreth orës 4 të ditës së re, pushuam për pak kohë sa për të ripërtërirë forcat. Ishim tepër të lodhur, por gjumi ishte arratisur. Ashtu siç ramë, u ngritëm pa mbyllur sytë asnjë minutë. Demiri, kishte dalë në ballkon dhe po hidhte, si gjithnjë, në letër gjithçka kishte ndodhur deri në atë çast, ndërsa Neritan Muja, si i apasionuar pas fotografisë, po fokusonte shtëpinë e Kurtish Lumës për ta mbajtur si kujtimin më të shtrenjtë të jetës. Për mëngjes, ishim thirrur te Sheh Adnani, pasardhës i Sheh Xhemalisë, i cili kishte shtëpinë shumë afër shtëpisë së Kurtishit. Ai, që mbrëmë kishte marrë vesh se ishim mysafirë afër shtëpisë së tij. E pritëm me kënaqësi një ftesë të tillë, ngaqë kisha dëgjuar për këtë teqe të vjetër të sektit rufai që i përkiste shekullit të 15-të. Sheh Adnani, na mrekulloi me pritjen e tij, por mbi të gjitha, u mrekulluam kur vizituam teqenë. Ajo ishte një muze i vërtetë, në të cilin kishte dhjetëra antikuare religjioze, por edhe të tjera me shumë vlera historike e artistike. Filmuam dhe fotografuam çdo detaj të këtij objekti kulti i pesë shekujve më parë, të emocionuar nga përkushtimi që kishte Sheh Adnani për këtë pasuri të qytetit të Prizrenit dhe gjithë Shqipërisë.
Më 14 qershor 1999, qyteti i Prizrenit, ishte më i zhurmshëm se kurrë ndonjëherë. Këmbanat e lirisë binin ngado. Serbët, ishin përgatitur të largoheshin për në vendin e tyre, plotësisht të vetëdijshëm për krimet ndaj shqiptarëve. Serbët me duart e përgjakura, nuk i pranon më Prizreni e Kosova. Tentativa e mbrëmshme e dy paramilitarëve të çmendur serbë, që qëlluan kundër forcave ndërkombëtare, u shukat brenda pak minutave te hotel-Theranda. Dy serbët u vranë, duke përcjellë te serbët e tjerë mesazhin e qartë, se në Kosovë nuk është më koha e tyre. Ata nuk mund të bënin më ç’të donin me shqiptarët. Deri në orën 14 të drekës, u larguan të gjithë serbët që kishin bërë krime ndaj shqiptarëve. Ikën ata që sollën dhunën, terrorin e mungesën e lirisë. Më në fund, qyteti i Prizrenit, mori frymë i lirë. Sa e kishte pritur këtë ditë të bekuar, Prizreni historik dhe gjithë Kosova! Sa e kishim pritur këtë ditë të gjithë ne shqiptarët, këtë ditë të amshuar! Një avokat që kishte emrin Ali Riza, na propozoi të na shëtiste në rrugët e qytetit të Prizrenit tashmë sovran. Ia plotësuam dëshirën, sepse ishte edhe kënaqësia jonë. Na dukej sikur po fluturonim. Askund, makina jonë nuk u ndal nga djemtë e UÇK-së, të cilët kishin kapur të gjitha kyçet e rrugëve të qytetit. Nuk na ndalonte askush, madje përcilleshim me një respekt të thellë sapo shikonin targën KU. Kudo binte lodra e hidhej vallja. Vargje të gjata të makinave, marshonim në të gjithë rrugët e qytetit me flamuj e brohoritje, duke gëzuar fitoren e madhe, ngadhënjimin historik. Festa e fitores, kishte nisur në gjithë Kosovën, ndërsa ne, duke fluturuar me gëzimin e çdo shqiptari, duhej të ktheheshim në Kukës, ku do të përcillnim këtë entuziazëm të papërshkruar, përmes valëve të Radio-Kukësit, që aq shumë dha për Kosovën tonë të dashur. Duhej t’u tregonim gjithë vëllezërve tanë kosovarë, që ende ishin në Kukës, se epoka e dhunës mori fund dhe aspiratat e shqiptarëve triumfuan. Gjatë kthimit, kaluam përsëri përmes një grupi ushtarësh të shpartalluar serbë, në dalje të Prizrenit. Ishin shtrirë të hallakatur nën hijen e manave, në pritje të ikjes sa më të shpejtë nga toka që nuk ka qenë kurrë e tyre. Këto mbeturina të diktaturës, ishin të denja për relike muzeale, për të dëshmuar në të ardhmen para fëmijëve tanë se ka ndodhur edhe kështu dikur. Lamë qytetin e Prizrenit në 28 Nëntorin e dytë, për t’u kthyer përsëri ditën e nesërme dhe përgjithmonë në Kosovën tonë, ndërsa në pikën e Vërmicës valëvitej krenar flamuri kuqezi.
***
LEXONI TË PLOTË LIBRIN – BESIM CENGU: PËRMASAT E MBIJETESËS:
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/besim-cengu-permasa-e-mbijeteses.pdf
————————————————–