SYLEJMAN E.SYLEJMANI: SI E KAM NJOHUR SABIT QAZIM GJILANIN?

Mosbach, 13. 06. 2014 – Duke i qenë mirënjohës mikut tim Selman (Sh) Ramadanit, i kam njohur tre burra të mëdhenj që kanë lënë gjurmë në Lëvizjen Kombëtare, të pas LDB në Kosovë me vise. Secili e ka dhënë kontributin e vetë në bazë të rrethanave, dijes dhe mundësisë që ka pasur. Këta kanë qenë: Metush Krasniqi-Dajkovci, Rexhep Mala-Hogoshti dhe Sabit Qazimi-Lashtica. Më së shumti më ka rënë të takohem dhe të bisedoj me Sabit Qazimin, por nuk mendoj se kam biseduar aq sa është dashur dhe aq sa kujtimet e tij sot do të ishin me rëndësi. Sabit Qazimi(1920-1993) si djal i ri ka qenë pjesmarrës i LNÇ-së në Kosovë, dhe ka pasur dijeni shumë për atë periudhë. Se a ka biseduar ndonjë historian me te,nuk kam dijeni, përveç përmendjes kalimthi te monografia e Muhamet Pirrakut për Mulla Idriz Gjilanin. Unë, do të shprishë disa kujtime të shkurtëra për Sabit Qazimin,ashtu siç më kanë mbetur në kujtesë. Sabitin e kam njohur sa më kujtohet, diku në vitin 1983.Ka qenë burrë i gjatë,i pashëm dhe me shiqim të rrept.Për vetë faktin se kishte qenë i denuar me vdekje, më jepte ndjenjën e misterit,të frikës,sidomos të respektit. Kishte raste kur pinte kafe, me mua dhe me axhën Selkë,kur tymoste cigareBozhur, më dukej se ky nuk ishte njeri real, i prekshëm,por një fantazmë që ikte në kohë e hapësirë dhe, mjaftonte me ia zbërthyer pullat e këmishës e aty do gjeje plagët e gjakun e mpiksur nëpër kohë…

Sabit Qazim Gjilani dhe Selman Ramadani(me plis)

 Këtë ndjenjë kisha gjithënjë, sa herë që e takoja Sabitin! Megjithëse, ai i kishte shpëtuar pushkatimit, i kishte vuajt mbi 20-të vite burg. Kur e takoje qytetit, ku zakonisht kthehej prej tregut,ashtu i gjatë si kreshnik, me shiqimin e rrept, flokët e bardha nga vitet,të bëhej se ishte vet furtuna, në kë të rast nuk kishe si mos t’a kujtoje Konstantinin që ishte zgjuar prej varrit… Në të vërtetë mua shpesh, kur së bashku e ndeznim duhanin e qëndroja përballë tij,më bëhej se vinte aromë dheu-tokë të sapo hapur-varri… Vitet që prej 1987-tës e deri në mars të vitit 1991, kur isha larguar prej Kosovës shkoja shpesh te axha Selkë dhe kështu kisha rastin të takohesha gjithashtu shpeshëherë me Sabitin.Ai vinte nga disa herë në ditë të axha Selkë, nga ajo hyrje dhe dalje e shpeshtë te axha Selkë, jepte të kuptohej se ishte i shqetsuar në shpirt,me siguri burgu i gjatë kishte lënë gjurmë në shpirtin e tij.E përcillte politikën ditore, duke e lexuar gazetën e atëhershme ”Rilindja” dhe gazeta të tjera që dilnin në Jugosllavi.Këto që i lexonte i komentonte me ne, duke pirë kafe e pastaj edhe fillonin bisedat për kohën e shkuar… Njëherë iu drejtua axhës Selkë: ”po thonë se një djalë i Mark Gashit,ka probleme shpirtnore”.Me Mark Gashin kishin bashkvuajtur burgun e Nishit,Sabiti dhe Selmani(Selki).Fjala ishte për poetin bohem-Mirko Gashin.Njëherë më zuri në befasi kur më pyeti: “si po shkruan ai djali i Marko Gashit” U zura ngusht,Sabiti vazhdoj: ” cilat figura po i përdor”-(ishte fjala për figura letrare),unë thash diçka nëpër dhëmb dhe e mbyllëm këtë bisedë. Kishte pasur miqësi me poetin gjilanas Rexhep Elmazin dhe njëherë e tregoj një ndodhi, që për mua ishte komike,por për Sabitin si njeri që nuk ishte i zakonshëm, nuk kishte të bënte me komiken…”Shkoja shpesh te Rexhepi” “- na rrëfej Sabiti “dhe bisedonim për gjëra të ndryshme. Nana e Rexhepit na e kishte gatuar një bukë pogaçe dhe po e hanim me djathë e qumësht,kur hyri baba i Rexhepit, një plak i vjetër dhe gati i rrokatur u drejtue: ,,çka po bajnë këta qena këtu?,,U ngrita dhe shkova në shtëpi”- e mbylli rrëfimin Sabiti.Kjo më duket kishte pas ndodhur pak pa u vrarë Rexhep Elmazi në Gjilan, sepse pasi e mbylli bisedën e ndezi një cigare ”Bozhur”dhe shiqimin e drejtoj në një pikë në qilim dhe në dhomë ra një heshtje e rëndë…Selki dhe halla Lalife që ishte e pranishme e kanë pasur Rexhep Elmazin mik shtëpie,ndërsa unë e kisha ”mik” prej poezive të librit të vetëm të tij ”Frymëmarrja”, Halla Lalifere kur e vërejti se heshtja po bëhej tortur,iu drejtu Sabitit :”a t’iu ziej një kafe z.Sabit”!? dhe u ngrit me buzëqeshjen e saj diellore,me hapin e lehtë dhe me fytyrën e saj të zbehtë dhe të bukur, që t’ jepte përshtypjen se nuk ishte e kësaj bote. Sabiti shpesh më ankohej edhe për shëndetin,më pat thënë se herë pas here fillonte të dridhej dhe e kapte një trazim i brendshëm e gjithënjë dyshonte se këto i vinin nga tensioni i lartë i gjakut. Në një rast u takuam te spitali i Gjilanit,mendoj që e kishte dërguar gruan për me bërë një kontroll mjeksor.Edhe unë shkova për një EKG-ë dhe pritsja në radhë.Duke biseduar aty ulur,kaloj një doktor që ishte urolog,e njihja si figurë, sepse ato vite më pat ra shpesh me u marr me analiza mjeksore.”E sheh këtë doktorin që kaloj”- më pyeti,po i thashë,”ky me gjithë vëlla ka qenë te unë rrogëtar,kanë qenë të varfër deri në mjerim.Në një rast isha te ai me bërë një lloj analize dhe nuk më priti fare mirë.Harrojnë njerëzia, pasha axhën, shpejt ku kanë qenë dhe si kanë qenë e shofin vetëm gjendjen e sotme”…Heshti pak dhe si me vete tha:”gruaja hiç nuk po ndjehet mirë”,por nuk më shiqoj fare,sikur mos të isha aty. E njihte Komandantin e LNÇ të Kosovës Fadil Hoxhën ,por nuk kam arrit ta di, se cili ishte mendimi i tij për te…”I hypi kalit në një rast dhe i ra shumë me mamuze,kali ishte i mbajtur mirë dhe bëri një kërcim të shpejtë e me këtë rast Fadil Hoxha u rrëzu për tokë”-na pat rrëfyer Sabiti. Thoshte se,oficierët serb filluan me qeshur e ne desh pëlcitëm prej marazit. Kur e kujtonte këtë episod në sy i vërehej ende një dritë inati,urrejtje apo veç malli për një kohë të ikur,nuk mundesha t’a përcaktoja… ”Pas rezistencës së luftëtarëve të Shaban Polluzhës, mbeten shumë partizan të vrarë”-(tregonte Sabiti),”unë atë kohë isha me uniformë të Oficierit dhe sa na kanë pas ardhur uniforma të reja,shkëlqenin paletat e oficierit si kob.Isha me punë në terenin e Drenicës,kur erdhën familjarët me i marr të vrarët”-ishte një kujtim tjetër i Sabit Qazimit.”Kur u hap një varr,kishin kaluar disa javë që partizani ishte varrosur aty dhe kufoma ishte kalbur dhe kutërbonte tmerrsisht.Maska nuk mbanim, u largova se nuk munda t’a duroja kutërbimin.Një grua serbe, familjare e të vrarit më vërejti dhe mu drejtua: ”ik, ik ti oficier i ri,se mos me pas qenë ky që sot po kutërbon, ti nuk e kishe këtë uniformë shkëlqimtare” Pinte cigare,dhe nuk dallohej çka ndjente për këtë ngjarje… E kishte përjetuar vrasjen e Milladin Popoviçit dhe nuk besonte ta kishte vrarë Haki Taku Milladinin.Së pari thoshte, ”ka qenë e pa mundur me hyrë te Milladini me armë, sepse në hyrje ishin shumë roje.Pastaj,pasi u hap lajmi i vrasjes së Milladinit,Prishtinës iu bë një rrethim i hekurt dhe kur shkuam te kufoma e Haki Takës,kishte pak gjak dhe gjaku ishte i tharë, kuptohej se ky ishte vrarë tjetër kund dhe ishte sjellur aty”.Sabit Qazimi mendonte se vrasës i Milladin Popoviçit ishte Dushan Mugosha…
* * *
Sabit Qazimi shpesh pat probleme dhe u shiqua me sy dyshues nga njerëz të ndryshëm,për shkak se kishte qenë një kohë të shkurt oficier i OZN-ës.Njerëzit që nuk mendonin shumë, nuk e merrnin me mend se Sabit Qazimi ishte dënuar me vdekje,sepse nuk ishte pajtuar me tradhëtinë e madhe që iu bë Kosovës me vise dhe mbetjës së saj nën Jugosllavi.Ashtu siç nuk u pajtuan edhe shumë luftëtarë antifashist, që pas luftës u burgosën dhe u vranë,siç kanë qenë : Rifat Berisha,Ramiz Cërnica,Shaip Mustafa e shumë e shumë të tjerë… Pak kohë pa u larguar unë prej Kosove,Sabit Qazimi kishte dëgjuar se dikush ka shprehur dyshimin në besnikërinë e tij ndaj atdheut.Ishte shumë i mllefosur dhe iu drejtu axhës Selkë: “kam desht me e marr revolen dhe atë person me dal e me e vra dhe vetë me bërë vetëvrasje,por kisha drojën që njerëzit do të mendonin se vërtetë paskam qenë i tillë”.”Unë (vazhdoj ai),shumë gjëra i kam ditur për Ilmi Ramadanin(djali i axhës Selkë që vuante dënimin në burg, për akitivitete politike)dhe asnjë nuk doli në shesh e tash të më akuzoj dikush pa të drejtë,nuk ndjehem mirë”.E vërejta se ishte vrarë shpirtnisht dhe fyer,kjo bisedë ka qenë biseda dhe takimi i fundit me Sabit Qazim LLashticën.Sabiti ka vite që nuk jeton më,por herë pas here më duket se po e shoh si kalon Gjilanit,ashtu si furtunë,me aromën e dheut e të varrit me plumbat në gjoks…E pata dëgjuar kur rrëfente se si pas burgut e ka kaluar kufirin dhe ka dal në Shqipërinë londineze.Kur u dorëzova thonte te ushtarët shqiptarë, më sollën me ngrërë bukë me konserva.Kishte ditë që nuk kisha ngrërë dhe ishte e pamundurë me ngrërë, dhe ju kërkova pak qumsht.Kishte shtëpi fshatarësh aty afër dhe ndonji ushtar kishte shkuar dhe më solli qumsht.Pasi ishte këthyer në Kosovë, ishte denuar me 11muaj burgim.
* * *
Herën e fundit kur isha në Kosovë(në tetor 2012-tës ), në Gjilan biseduam gjatë me djalin e axhës Selkë e të hallës Lalifer-Ilmiun.Përveç tjerash e kujtuam edhe Sabit Qazimin. Ilmiu më tregoj se aksionin e parë si gjimnazist që ka dashur me e bërë, ka qenë i nxitur dhe i frymëzuar prej Sabit Qazmit.Ky aksion ka qenë ngritja e flamurit shqiptar në ndërtesen me të lartë (soliter) të Gjilanit në vitin 1968-të, para shpërthimit të demostratave, që tash njihen si demostrata të 68-tës.Aksioni ka qenë i paraparë të kryhet bashk me Kadri Zekën dhe Hydajet Hysenin.Aksioni nuk u krye, sepse Sabiti për shkaqe të panjohura më tha që njëherë për njëherë të presim,deri në urdhër të ri…Ilmi Ramadani e kujtoj edhe një rast ku pak para demostratave të vitit 1968-të, në shtëpinë e tyre ishte mbajtur një takim, ku ishin takuar Metush Krasniqi, Rexhep Elmazi me vëllanë Femiun,Femi Saraqi etj, ku në këtë mes ishte edhe Sabit Qazimi. Këtu ishte biseduar për demostratat që do të shpërthenin dhe mënyrën e organizimit të tyre…Kjo flet,se, Sabit Qazim Llashtica ka qenë njeri i besuar dhe tërë jetën ka qenë në anën e çështjes kombëtare!
* * *
Disa fragmente të huazuara që flasin për Sabit LLashticën Gjilanin:
____________________
Cka thotë Rexhep Bunjaku ish i dënuar me pushkatim,atëbotë Oficier i OZNës ndërsa ilegal,antar i Nacinal Demokrates Shqiptare:
Në këtë burg, në dhomën e Gjyqit Ushtarak të Divizionit III në Prishtinë, të gjykuar dhe të dënuar për vdekje pushkatim, ishin edhe: Abdurahman Gërguri, Jusuf Visoka, Sabit Qazim Llashtica dhe Ramadan Govori-Mulla Rama. Me mua ishim 5 (pesë) vetë. Që të gjithë anëtarë të Lëvizjes Kombëtare (Nacionale Demokratike Muzikë e Pastert Shqiptare
***********************
Prej udhëheqsve krahinor, të Kosovës, na vizitoi një ditë shoku Ali Shukria – xhelati dhe gjakpirësi numër një i popullit shqiptar. Erdhi ta sheh një pjesë të veprës së tij “madhshtore” dhe të galdojë si prokuror (në këtë kohë ishte prokuror i Gjyqit të Qarkut në Gjilan) që posa e kishte kryer detyrën e “Nënës Parti jugosllve” duke i gjykyar dhe dënuar 32 (tridhjet e dy) anëtarë të LK(N)DSh-së, prej të cilëve një edhe për vdekje-pushkatim: Hamdi Berishën 20 vjeçar.
Ne që ishim dënuar për vdekje-pushkatim, për mos t’i penguar të tjerët me pranga, ishim vendosur afër derës. Si hyri dhe na pa u ngazëllua dhe me
një qeshje satanike u zgërdhi e me një zë therrës, na u drejtua:”Hë, mor terrorista, kriminela! Menduat të luftoni kundër komunizmit, kundër vëllazërim-bashkimit, kundër socializmit. Po ne jemi komunista dhe qe se si i qërojmë hesapet me armiqët e popullit. Ju qenki për STRELISHTE (vendi afër Taukbashqës në Prishtinë ku pushkatoheshin dhe masakroheshin shqiptarët). Aty edhe e keni vendin ju bandita! Po ti, iu drejtua Hafëz Riza Marevcit? Sa je i dënuar? Dhe kur i tha Riza Marevci s është 20 vjet i dënuar, gati u tërbua:”Pak, pak të paskan dënuar. Edhe ty duhesh në STRELISHTË!” Ky njeri arrogant, i thjeshtë, injorant, i paedukuar, i cekët në tru, i pasjellshëm dhe i vrazhdt me sjelljet e tija primitive – ta turbullonte vrerin. Sabit Qazim – Llashtica nuk mundi më ta durojë këtë burravec moralmjerë e reagoi:”Shoku Ali! Ne nuk jemi as kriminelë, as terrorista e më së paku armiq të popullit. Përkundrazi! Jemi patriota! Shikojini, shoku Ali, këto pranga të shoqërisë skllavpronare në këmbë tona! Ju komunista na thoshit se do t’i shkrini dhe do t’i shndërroni në plugje e traktorë. Si po e sheh ende janë në këmbë të shqiptarëve skllavë edhe tash në gjysmën e shekullit NJËZET, si në mesjet gjatë sundimit të Perandorisë otomane,,
************************
Fragment i nji kumtese të mbajtur në Gjermani(Karlsruhe)në mesin e bashkëatdhetarëve tanë me të 18 Gusht 1996 me rastin e 53 vjetorit të formimit të Organizatës Besa Shqiptare të Prof Ymer Berishës thuhet:
Veprimtarë në LNDSH ishin edhe Rrustem STATOVCI, që punonte në OZN-ën e Ferizajt dhe Sabit (Qazim) GJILANI në atë të Skënderajt. Këta të dy, sikurse edhe Rexhep BUNJAKU, kanë pasur rol të rëndësishëm në shpëtimin e shumë veprimtarëve dhe patriotëve të rrezikuar nga OZN-a dhe organet ushtarake jugosllave. Madje, ka të dhëna se Sabit GJILANI e ka shpëtuar edhe vet Muharrem BAJRAKTARIN, duke e informuar mbi atentatin që po i përgatiste OZNa.
**********************
Vlen të përmendet edhe nji rast tragjik ose makabër që e përjetoj Sabit Gjilani ditën e parë të punës si Oficier i OZNës:
Cedo Topalloviq Epror i lartë në OZNas e thërret në zyrë dhe ja hap sirtarin e tavolinës e i thotë, zgjidhe merre nji orë.E mora nji orë të bukur xhepi të markës LONTIN,dhe pasi e vura në jelek,Eprori më tha se kjo orë ka qenë e Haki Tahës i vrarë në mars të vitit 1945.Sabiti kishte rrëfyer se u ndjeva shumë keq dhe pak ditë ma vonë orën e ndrrova me qytetarin Prishtinas Hysen Prishtina i cili emigroj në Amerikë, pa e ditë se ora ishte e Haki Tahës-sipas Muhamet Pirrakut te libëri Mulla Idriz Gjilani(fq.470)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura