MILAIM SHEFKIU: RRËMUJA E POLITIKËS SHQIPTARE

Prishtinë, 20. 06. 2014 – Thonë se vetëm të marrëve iu përsëritet historia. Dhe fatkeqësisht në këtë kategori popujsh, të rrallë, që iu përsëritet historia jemi ne shqiptarët. Është për keqardhje se si ne shqiptarët dimë t’i riciklojmë vetëm të këqijat e historisë dhe t’i përsëritim si refren nga 100 herë, sikurse peshqit, të cilët 10 herë bien në të njëjtën grep e nuk dinë t’i shmangen rrezikut. Në të tri shtetet ku janë shqiptarët, Shqipëri, Kosovë e Maqedoni punët i kanë rrëmujë. Në Maqedoni më shumë kanë urrejtje shqiptarët ndërmjet vete sesa me kryeministrin, Nikolla Gruevski, i cili është dëshmuar si politikan jokonvencional në rast me shqiptarët. Në Kosovë situata nuk do koment. Këtu nuk di qeni të zotin.
Zgjedhjet janë mbajtur më 8 qershor, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është në gjendje të dalë me rezultatet finale. Madje kryetarja e këtij Komisioni, Valdete Daka, ka thënë se duhet edhe një javë kohë deri te certifikimi i rezultateve.
Edhe nëse nuk ka asgjë për të dyshuar në këtë komision, vetë stërzgjatja e certifikimit të rezultateve të krijon përshtypjen se diçka po zihet në këtë institucion.

Derisa, KQZ-ja bën studim me rezultatin zgjedhor, në anën tjetër, partitë politike po shtyhen si diva, se kush ka të drejtë të formojë qeverinë në bazë të Kushtetutës. Ndërsa, nëse eventualisht ndodh që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, atëherë fajet i kanë ata që kanë bërë Kushtetutën. Pra “ra ky mort e u pamë”.
U bë koalicioni i pakicave dhe u pa sa jofunksionale është Kushtetuta e Kosovës, sa e paqartë, e pasigurt dhe metaforike. Ndërsa ata që e kanë hartuar, duhet të ndëshkohen, që e kanë kopjuar kaq keq.
***
Ndërsa, lajmi sensacional që i bën shqiptarët të njohur në gjithë botën, vjen prej Shqipërisë, nga Çifligu i Drogës, Lazarati. Atje sikurse në Kolumbi ose Meksikë, prodhuesit e narkotikëve iu përgjigjen me AK47, mitraloza e murtaja dore policisë, e cila intervenoi pas disa vitesh në këtë çiflig, për t’i dhënë fund prodhimit të kanabis-sativës në mes të Europës.
Përzierja e “leshit” në këtë lokalitet e çoi zërin deri në SHBA, ku mediet atje e përmenden si top-storie intervenimin e policisë dhe kundërpërgjigjen e banorëve me plumba ndaj policisë.
Në Shqipëri është rasti i fundit që t’i jepet fund historisë së prodhimit të hashashit, ose duke i asgjësuar të gjithë bimët narkotike, ose edhe duke lejuar prodhimin sikurse në Portugali e në disa vende të Europës, por duke e mbikëqyrur vetë shteti. Kjo e dyta natyrisht se duket më e rrezikshme sepse del menjëherë jashtë kontrollit, prandaj duhet intervenuar me vendosmëri.
Natyrisht se këto skena që i transmetuan të gjitha televizionet, më së paku i duhen Shqipërisë në këtë periudhë kur po bëhen përpjekjet e fundit për të marrë statusin e vendit kandidat për BE. Mirëpo, Bashkimi Europian nuk është vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi për Qeverinë shqiptare. Nuk mundet Shqipëria të nisë rrugën e integrimit, ndërsa të cilësohet si Kolumbia e Europës, ku brenda një viti vetëm në një katund prodhohen 900 tonë drogë.
Problemi nuk është vetëm këtu. Kjo e Lazaratit bashkë me katrahurën e zgjedhjeve në Kosovës dhe mosmarrëveshjet dhe problemet etnike në Maqedoni e bëjnë shumë të paqëndrueshme politikën shqiptare në Ballkan. Kjo është për të ardhur keq, se asnjëherë ne shqiptarët nuk i kemi pasur punët në “terezi”. Gjithmonë qerrja ka anuar kah përroi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura