ARBANA XHARRA&LAVDIM HAMIDI: PRAPASKENAT E PAZARIT POLITIK PËR PTK’në

(Prishtinë, 19. 10. 2012) – Kryeministri Hashim Thaçi po zhvillon takime sekrete me diplomatin amerikan, James Pardew, i cili po lobon që tenderin për PTK-në ta fitojë konzorciumi Avicena, mirëpo halli i shefit të Qeverisë është se si ta largojë nga loja ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeline Albright. Diplomati amerikan Pardew gjatë periudhës 1999-2001 ka shërbyes si zëvendëskëshilltar special i ish-presidentit amerikan Bill Clinton dhe sekretar i Shtetit për Demokraci në Ballkan gjatë luftës në Kosovë.
Ndërsa mikja amerikane e Thaçit është po ashtu në garë për privatizimin e kompanisë më profitabile në Kosovë, në kuadër të konzorciumit Albright Capital Management LLC dhe Portugal Telecom.
Sipas një letërkëmbimi të siguruar nga gazeta “Zëri” mësohen detaje të takimeve të lobuesve amerikanë me krerët më të lartë të shtetit dhe të opozitës kosovare për kurdisjen e fituesit të tenderit të PTK-së.
Në letër-këmbim jepen detaje të bisedave interne, ku kryeministri Thaçi u thotë atyre se e ka të vështirë të zgjedhë mes kompanisë së Albright dhe Pardew.

Diplomati amerikan, James Pardew, njëri nga dizajnuesit e pakos së Ahtisarit!

………………………………………………..

Në letër-këmbim thuhet se kryeministri në të shumtën e rasteve ka folur në shqip, por frazën e fundit për një “proces fer dhe transparent” e ka thënë në anglisht. Pardew ka marrë mbështetje të fortë edhe nga partia opozitare AAK, gjatë një darke pune që ka pasur me një zyrtar të lartë të kësaj partie për rreth dy orë. 
Ky zyrtar i AAK-së madje i kanë premtuar se së shpejti kjo parti do të jetë në koalicion me partinë e Thaçit.
Kurse, kreu i LDK-së, Isa Mustafa gjatë takimit ka thënë se është pro privatizimit të PTK-së dhe se në Kuvend partia e tij nuk do ta votojë mocionin e Vetëvendosjes për bllokimin e privatizimit. “Ndërsa në fakt LDK ka vepruar të kundërtën”, thuhet në letërkëmbim.
Lobuesit janë takuar rreth kësaj çështjeje edhe me presidenten Atifete Jahjaga, përfaqësuesit diplomatikë me ndikim në Kosovë dhe asociacionet e biznesit.
Atyre u është sugjeruar që ta takojnë edhe ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.
Përndryshe, Komisioni Qeveritar për Privatizim muaj më parë ka parakualifikuar këto kompani për blerjen e 75% të aksioneve të PTK-së: Albright Capital Management LLC në bashkëpunim me Portugal Telecom, Columbia Capital në konsorcium me ACP Axos Capital Gmbh, në bashkëpunim me British Telecom – Poloni (në pronësi të British Telecom), M1 International Limited, Turkcell, Twelve HORNBEAMS në konsorcium me Avicenna Capital LLC dhe në bashkëpunim me Sofrecom (pjesë e France Telecom). Se çfarë kanë folur në takime sekrete mund ta lexoni gjerësisht në letër-këmbimin e më poshtëm të lobuesve amerikanë me kryeministrin Hashim Thaçi dhe liderët e opozitës.
Letërkëmbimi për marrëveshjet me liderët
Në fillim të letrës, e cila klasifikohet si tepër sekrete, njoftohen akterët kryesorë të konzorciumit Avicenna për vizitën e javës së kaluar në Kosovë, për përkrahjen që kanë marrë dhe hapat e mëtutjeshëm që duhet ndërmarrë në këtë proces.
Ata japin detaje rreth takimeve të ambasadorit Pardew, i cili është person me ndikimin te pala kosovare, ka arritur ta nxjerrë në sipërfaqe ofertën e këtij konzorciumi.Pardew, sipas tyre, ka qenë zgjidhje e qëlluar, pasi që ai admirohet nga skena politike në Kosovë për rolin e tij gjatë luftës, si dhe angazhimet në dizajnimin dhe implementimin e pakos së Ahtisarit. “Karshi elitës ai ka respekt të barabartë me figurën e Madeline Albright, të cilën e ka thënë vetë edhe kryeministri Thaçi”, thuhet në këtë letër.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeline Albright.

…………………………………………..

Takimi me Thaçin në zyrën e tij
Gjatë prezantimit të rolit tonë në transaksionin e PTK-së edhe anëtarët e konzorciumit Avicenna 12- Hornbeans, ishte e qartë se na ishim të parët që i thamë Thaçit se kompania Citi është pjesë e konzorciumit.
Ka qenë e dukshme befasia e Thaçit nga kjo informatë, e cila ka ndikuar të ndodhë një “ndryshim loje” për të.Ai ka bërë krahasimin e pozicionit të Pardew dhe Albright, duke thënë se është në pozitë të vështirë, pasi që cilido ofertues mes këtyre që fiton do të shihet nga 2 milionë banorë se e ka tradhtuar palën tjetër.
Për takimin me kryeministrin, në letërkëmbim nxjerrën këto përfundime:
-Ai premtoi të zakonshmen “për proces fer dhe transparent”. Në të shumtën e rasteve Thaçi ka folur shqip, por këtë frazën e fundit e ka thënë në anglisht.
-Ai e sheh të zgjeruar koalicionin parlamentar pas Vitit të Ri. Thaçi do ta vërë në kontakt Pardew me ambasadorin e Kosovës në Uashington, Akan Ismajli.
-Ai në fund të takimit ka kërkuar që të ketë një bisedë me Pardew në katër sy. Në këtë bisedë ka përmendur faktin se nuk e sheh kompaninë M1 ose Axos që ta kompletojnë procesin e ofertimit, për shkak të lidhjeve të paqarta të M1 në Lindjen e Mesme, kurse te Axos për shkak të aksionarëve të dyshimtë shqiptarë.
-Ai tha se të dyja këto e shqetësojnë (ky ka qenë konfirmim i qartë se ne kemi qëlluar në shenjë javën e kaluar).
Takimi me zyrtarin e lartë të AAK
Është me rëndësi të përmendet fakti se ky takim është arritur duke i falënderuar disa lidhje tona.
Pardew dhe zyrtari i lartë i AAK njihen që nga vitit 1999. Pardew ka pasur një darkë pune me këtë zyrtar në katër sy për gjatë 2 orëve. Pardew ka informuar atë për rolin e tyre në PTK edhe për gjithë anëtarët e konzorciumit.
Zyrtari i AAK është pro privatizimit dhe ofertës sonë.
Zyrtari i lartë i AAK-së beson se ka një marrëveshje me Thaçin që AAK t’i bashkëngjitet koalicionit udhëheqës.
Takimi me kreun e LDK-së, Isa Mustafa
E kemi njoftuar Mustafën për rolin tonë në privatizimin e PTK-së, konzorciumin dhe anëtarët e saj. Takimi më shumë është fokusuar në shqetësimet që i ka shprehur LDK rreth procesit të privatizimit. LDK si parti e djathtë është pro privatizimit në princip dhe i mirëpret investimet amerikane në Kosovë.
LDK në Parlament ka kërkuar që privatizimi i PTK të autorizohet direkt nga Parlamenti, e jo indirekt përmes Ligjit të Buxhetit. Ata nuk po kërkojnë rifillim të procesit, por një aprovim të rregullt nga Parlamenti.
LDK nuk do të votojë në favor të mocionit të Vetëvendosjes kundër privatizimit dhe në fakt nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Kurdisësit e fituesit të tenderit për shitjen e PTK’së:

Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Blerim Shala.

………………………………………

Veprimet dhe hapat që duhen ndërmarrë
-Sfida kryesore që ne do të ballafaqohemi është se si ta adresojmë shqetësimin e Thaçit që ai të mos shihet se po e tradhton Albright-in.
-Përgjigja ime është se ne duhet ta bëjmë që të tërhiqet (Albrighti) në mënyrë të hijshme sesa që të ballafaqohet me pasojat në shtypin perëndimor për rolin që ka në IPKO.
-Ajo është shumë e ndjeshme për imazhin e saj publik. Duhet të merret në konsideratë se ne jemi në avantazh që të luajmë me karta tona rreth Albright, në momentin e fundit të mundshëm. Duke i pasur ofertues të tjerë amerikanë me reputacion si aleatë do të jetë shumë me ndihmesë për implementimin final të qëllimeve tona.
-Kjo do të motivojë Ambasadën që sa më shumë të përfshihet në proces.
-Gjithashtu është shumë me rëndësi që ta bindim Qeverinë edhe pse M1, Turkcell, Axos duhet të shihen se kanë konkurruar me një garë fer dhe proces transparent bashkërisht me ofertues seriozë.
-Duke e hequr lehtësisht nga gara në fund do të krijojmë një situatë të befasishme dhe do të nxirren para aktit të kryer.
-Ne duhet që të punojmë më shumë në rritjen e profilit të konzorciumit. Edhe pse jemi udhëzuar që të mos zbulohemi për një kohë të caktuar, opinionit i nevojitet që të na njohë më mirë dhe të përshtatet me ne që Qeveria të ketë argumente të forta (më shumë sesa çmimi) në këmbënguljen e tyre që të na përzgjedhin.

______________________________

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura