Gazeta austro-hugareze Pester Lloyd, e 2 shtatorit 1878, e përcolli nga afër, dhe me një dozë indinjate antiislame dhe antishqiptare, aktivitetin organizativ e udhëheqës të Ymer Efendi Prizrenit në Kuvendin e Gushtit. “Me datën 26 gusht – informonte korrespondenti i sajnga Prizreni – ndodhi këtu një ngjarje me rëndësi. Xhonturku i quajtur Omer Efendi, i cili me gjak i takon fisit shqiptar, i tuboi rreth vetes krerët e Lidhjes dhe i bëri me dije se në Stamboll “frankët” (evropianët – M.P.) me të holla po qeverisin, kurse Sulltani është vetëm vegël e ministrave të vet të korroptuar nga Evropa. Me Astro-Hungarinë, me atë shtet gllabëronjës, në vend se të luftojë, është duke bërë marrëveshje, kurse Greqisë do t’ia lëshojë vendet më të bukura të Shqipërisë (…)”.
Në vazhdim, korrespondenti i Pester Lloyd-it, e quajti Ymer Prizrenin – “deputet fanatik nga Stambolli”, i cili para delegatëve kishte konstatuar: ”Nuk ka më qeveri turke-muhamediane” dhe “i kishte nxitur bashkatdhetarët e vet që frenjtë e fatit të popullit t’i marrin në duart e veta. Në atë moment e merr fjalën Abdullah Nesimi (Dreni), fisnik nga Gjakova, e renditi fakte të cilat aludonin për shkëputjen e Shqipërisë nga Porta…”.
Mirëpo, Haxhí Ymer Prizreni në këtë seancë nuk e gjeti përkrahjen e shumicës së delegatëve të marrë Vendimin për shpalljen e autonomisë së Shqipërisë. Megjithatë, Kuvendi i Lidhjes aprovoi një Rezolutë që u linte shteg negociatave shqiptare me Portën e Lartë, për autonominë e Shqipërisë. Sipas Pester Loyd-it, Shqipëria do të shkëputej nga pushteti qendror i Turqisë në momentin kur Porta e Lartë do të deklarohej kundër programit politik e luftarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Dhe përfundonte: ”Kush i njeh shqiptarët mirë, ashtu sikur korrespondenti Juaj – kjo do të thotë shkëputje e atij populli nga qeveria e dobët dhe e korruptuar e Stambollit. Kryengritja shqiptare do të shpërthejë në momentin e parë, porsa të cënohen interesat shqiptare”.
Korrespondenca e Pester Loyd-it e 2 shtatorit 1878 konstatonte qartë: “Lidhja tashti është sundimtarja e Shqipërisë prej Janinës deri në kufijtë e Malit të Zi”, dhe se në krye të saj qëndrojnë “hoxhallarët fanatikë, të cilët plotësisht i kanë përvetësuar të rinjtë” dhe, “mjerisht, duhet të pranojmë se në Shqipëri më nuk sundon Qeveria e Stambollit, por Lidhja…!”
Realisht, thirrja e Kuvendit të 26 gushtit ishte përgjigje e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër ardhjes nga Stambolli në Kosovë të Mehmet Ali pashë Maxharrit, alias Charles De Troaes, me prejardhje frënge, përfaqësues i Perandorisë Osmane në Kongresin e Berlinit. Sulltani dhe Porta dërguan Maxharrin në Kosovë “si mik i shqiptarëve”, ngase ishte dhëndër i Begollajve të Pejës. Ai arriti në Prizren më 25 gusht 1878.
Se Shqipëria do të çojë dorë kundër pushtetit robërues e kapitullues të Portës së Lartë tregoi qartë tragjedia e vrasjes së telegrafistit të Mehmed Ali pashë Maxharrit nga veprimtarët e “Partisë së Aksionit” të myderriz Haxhí Ymer Prizrenit, siç shkroi konsulli vjenez, Jelinek. Më 27 gusht 1878, Mehmet Ali Pasha shkoi në Selinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Bajrakli Medrese. Kërkoi nga Ymer Prizreni dhe bashkëpunëtorët e tij në Komitetin Drejtues (Komiteti i Shpëtimit Kombëtar) të Lidhjes, të heqnin dorë nga pengesat shqiptare për dorëzimin e viseve të Plavës dhe të Gucisë Malit të Zi. Komiteti Qendror i Lidhjes, siç informonte përfaqësuesi frëng në Shkodër, më 16 shtator 1878, refuzoi këshillat, sugjerimet dhe direktivat e Portës të shprehura përmes Charles de Troaes.
Konsulli i Anglisë në Prizren, më 12 qershor 1880, do të informojë Londrën se: “Iniciator dhe organizator i rezistencës në Prizren kundër Mehmed Ali Pashës dhe njëri ndër nxitësit e vrasjes së tij në Gjakovë ishte Kryetari i Degës së Lidhjes së Prizrenit, Haxhí Ymer Prizreni”. Ndërkaq, përfaqësuesi i Parisit në Stamboll, më 11 shtator 1878, pas analizës që i bëri vrasjes së Mehmet Ali Pashës në Gjakovë, vërtetoi se ”Në Shqipëri lëvizja u bë kombëtare. Të gjithë janë nën armë, që nga i riu e deri te plaku pa dallim feje…!”
Goditja që mori Porta dhe Fuqitë e Mëdha evropiane me vrasjen e Mehmet Ali Pashës bëri që përfaqësuesi i Rusisë në Stamboll, më 13 shtator 1878, t’ia pranonte përfaqësuesit të Francës, se: ”Kongresi i Berlinit nuk e parashikoi këtë kombësi (shqiptare) të re, sepse ai e copëtoi Shqipërinë me lehtësi të madhe, duke i dhënë secilit që kërkonte ose të deshironte nga një copë…”. Ndërkaq, konsulli frëng në Shkodër e dinte se kombin shqiptar e kishte vu në lëvizje Myderriz Ymer Efendiu. Më 16 shtator 1878, ai do t’i shkruajë Parisit se: “Lidhja Shhqiptare frymon në Prizren, ku lindi fryma revolucionare”.
Porta e Lartë, për ta thyer nga brenda Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për ta bërë instrument politik e ushtarak proosman, për t’ia marrë nga duart adutin udhëheqës çlirimtar myderrizit Haxhí Ymer Prizreni, me anë të Sheh Mustafë Tetovës e provokoi thirrjen e një Kuvendi të Lidhjes Shqiptare në Prizren për datën 27 nëntor 1878. Mirëpo, gjatë punimeve, falë vendosmërisë së Myderriz Ymer Prizrenit, Kuvendi u kthye në një kuvend politik kombëtar shqiptar themelvënës të autonomisë së Shqipërisë, i cili, sipas Kristo Dakos, aprovoi Programin e ri të Lidhjes prej pesë pikash.
Ky Program, gjithsesi, pjellë përfundimtare e mendjes politike të ndritur të Myderriz Ymer Prizrenit, do të bëhet platformë politike për paraqitjet e çdo individi, të çdo degeje e të çdo përfaqësuesi të Lidhjes në opinionin kombëtar e ndërkombëtar. Këtu po sjellim vetëm 5 pikat:
1) Të gjitha krahinat e Shqipnis që përmendëm ma sipër duhet të përmblidhen në nji vilajet dhe qendra të bahet në nji qytet, i cili të jetë në mes të Shqipnisë.
2) Nëpunësit që do të shërbejnë në kët vilajet duhet të dijnë gjuhën shqipe.
3) Arsimi të përhapet në të gjitha anët. Nëpër shkollat të mësohet edhe gjuha shqipe.
4) Të zbatohen ligje të dobishme për Perandorinë e për kombin, ligje kto që do të përpilohen prej Mbledhjes së përgjithshme që do të mblidhet katër muej në vit në qendrën e Vilajetit.
5) Nji pjesë e mjaftueshme e t’ardhunave të Vilajetit do të përdoren për punra botore.”
Tashti mund të konstatojmë: krahu autonomist i myderriz Haxhí Ymer Prizrenit, këso kohe, ishte bërë forcë dominante në Komitetin Qendror e në komitetet e degëve të Lidhjes, ndaj më nuk mund të thehej. Në fillim të dhjetorit 1878, Haxhí Ymeri ndikoi të emërohej kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Ilijaz pashë Dibra, që kishte gradën ushtarake mirmiran (kolonel), në vend të Sheh Mustafë Tetovës, të planifikuar nga qarqet osmane. Gazeta Zastava e 6 dhjetorit 1878 citonte konkluzionet e Kuvendit të Lidhjes, ku thuhej qartë: ”Ne Shqiptarët e Shqipërisë së Epërme po e shohim se është nevoja e domosdoshme të formohet Shqipëria e Lirë (…). Ky është mendim i shqiptarëve”.
Më 2 shkurt 1879, Myderriz Ymer Prizreni, mbajti Kuvendin e Krerëve dhe të Degëve të Lidhjes, në të cilin morën pjesë “42 shqiptarë të shkëlqyeshëm” – informonte Zastava, në numrin 21 të vitit 1879. Kuvendi u mblodh nën pretekstin kinse për të protestuar kundër arrestimit të Said Beut tëTherandës,“Prijësit të Partisë Liridashëse”, por, në fakt, nga Porta u kërkua të urdhëronte konvokimin e Kuvendit Shqiptar për hartimin e Kushtetutës për autonominë e Shqipërisë.
Vërtet, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, duke parë Shqipërinë para një rreziku të madh, të jashtëm e të brendshëm, më 21 mars 1879, informonte Portën e Lartë se: ”Lidhja ka ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e bijve të Atdheut të saj, fëmijët, nipat dhe pasardhësit e tyre dhe për këtë qëllim do ta derdhë edhe pikën e fundit të gjakut”. Këtë dokument e firmosën: Ruhiu (Sheh Mustafë Tetova) – Kryetar i Lidhjes së Prizrenit, Ymeri (Prizreni) – përfaqësues i Sanxhakut të Prizrenit, dhe përfaqësuesit e sanxhaqeve të Shkupit, të Dibrës, të Gjakovës, të Prishtinës, të Mitrovicës, të Pejës etj.
Në rrethana politike e ushtarake të këtilla, tepër të ndera për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, kur shtrohej kërkesa për luftë mbrojtëse kundër kërcënimeve të Malit të Zi, të Greqisë dhe të Serbisë, por edhe kërkesa për luftë çlirimtare të trojeve shqiptare etnike të pushtuara nga Serbia e Mali i Zi, për ta rritur aftësinë mbrojtëse e çlirimtare të Lidhjes, Myderriz Ymer Prizreni e ftoi Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes për datën 24 maj 1879. Kuvendi do të aprovojë vendimin për mbledhjen e kontributit në para, në lartësinë 10 grosh për kokë të banorit, për mobilizimin e 15 mijë ushtarëve.
Përfaqësuesi i Gjermanisë në Stamboll informonte Berlinin, më 10 qershor1879, se “Turqia do të shuajë me armë Lëvizjen shqiptare”. Madje, gazeta Narodni glasnik, e datës 20 qershor 1879, kërkesat e dokumentit të mësipërm i lidhi fuqimisht me synimet e luftimeve të para të ushtrisë osmane në Sanxhakun e Tregut të Ri, kundër forcave austro-hungareze, në lidhje e në përkrahje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. “Lëvizja shqiptare e lëkundi pushtetin turk dhe i drejtohet forcës së vet ushtarake kundër austriakëve”.
Mirëpo, tashti forcat ushtarake të Lidhjes Shqiptare e kishin marrë në duar fatin e mbrojtjes së Shqipërisë. Gazeta Obzor, më 16 qershor 1879, duke shkruar për sukseset e Lidhjes Shqiptare, do të konstatojë: “Shqiptarët më në fund po ngriten nga të vdekurit dhe po e kujtojnë kreshnikun Skënderbe – Gjergj Kastriotin, duke nxjerrë para Evropës çështjen e tyre. Ata mendojnë për autonominë e atdheut të tyre shkëmbor”.
Dhe, këtu sikur e kërkon vendi të sillet konstatimi: Së paku nga gushti i vitit 1879, forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në mbrojtje të tërësisë së Shqipërisë nga ana veriore, dhe pikërisht në mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë, përdori Flamurin Kombëtar – “një flamur të veçantë karakteristik”, siç do të theksojë Sulltani, më vonë, më 12 shkurt 1881. Ishte ky pikërisht Flamuri i Skëndërbeut në pamje identike me shqiponjën e “stampuar” në mure të Kalasë së Krujës.
Këshilli Drejtues i Lidhjes me myderrizin vigjilent, Ymer Prizrenin, në krye – mbarështronte aktivitetin politik, diplomatik, publicistik e luftarak të Lidhjes së Prizrenit sipas rrethanave e nevojës jetike për ekzistencën e Shqipërisë. Së fundi, një kthesë të madhe në politikën e brendshme Lidhja Shqiptare do ta bëjë me Kuvendin e Përgjithshëm, në Prizren, më 3 tetor 1879, ku u shtrua nevoja që kërkesat e deritashme për formimin e “Vilajetit Shqiptar” të ngriteshin në kërkesë për ngritjen e Principatës Shqiptare nën sovranitetin e Sulltanit e me kryeqytetin në Manastir. Kuvendi u mbajt në Bajrakli Xhami të Prizrenit, të cilin konsulli rus, Jastrebov, më 7 tetor 1879, e quajti “Kuvend Popullor Shqiptar”, në të cilin morën pjesë 48 delegatë. Kuvendi i 3 tetorit 1879, duke ndjekur vendosmërinë e masave shqiptare për mbrojtjen e tërësisë së Shqipërisë Etnike, shkarkoi nga posti i kryetarit të Lidhjes Sheh Mustafë Tetovën, veprimtar i krahut të “moderuar”, dhe për kryetar të Lidhjes Shqiptare emëroi kryetarin e Këshillit Drejtues, Myderriz Haxhí Ymer Prizrenin, i rrymës “revoucionare” dhe “shok idesh (…) patriotike i Abdyl Frashërit”.
Më 9 dhjetor 1879, Komiteti Qendror i Lidhejs Shqiptare dhe, pikërisht drejtuesi i saj, Haxhí Ymer Efendi Prizreni dërgoi në Plavë Jusuf Agën të informonte Muhtar Pashën se: “Lidhja më nuk i aprovon urdhrat e Portës”. Nga fillimi i vitit 1880 Lidhja Shqiptare e Prizrenit kërkesat politike i ngriti fuqimisht drejt kërkesës për krijimin e Njësisë Autonome të Shqipërisë së bashkuar. Në bazë të burimeve arkivore e publicistike, ideator e kreator i të gjitha këtyre kërkesave, edhe më tutje, ishte Hoxha i Madh, Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizreni, i cili, për t’i dhënë frymë revolucionare kombëtare demokratike më të shëndoshë dhe shtrirje më të madhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, planifikoi të mbante Kuvendin e Përgjithshëm të degëve të Lidhjes në selitë e vilajeteve, të sanxhaqeve e të kazave shqiptare. Së këndejmi, edhe konstatimi i korrespondentit të Narodni list të Zarës, më 3 janar 1880, se “Selia e Lidhjes së Prizrenit qëndron aty ku dëgjohet zëri shqiptar”.
Nga fundi i dhjetëditëshit të parë të janarit 1880, nën kryesinë e Haxhí Mulla Zekës, mik, bashkëpunëtor i ngushtë dhe vazhdues i denjë i ideve të Myderriz Haxhí Ymer Prizrenit, deri në frymën e fundit, u mbajt Kuvendi i Degës së Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe aprovoi Programin e ri të Lidhjes Shqiptare, të cilin botës ia bëri të njohur gazeta I foni tis Alvanias e Anastas Kulluriotit, më 16 shkurt 1880.
Ky Program, drejtuar Qeverisë Osmane në formë kërkesash, iu dorëzua valiut të Kosovës në Prishtinë, më l0 janar l880, nga një delegacion i dërguar nga Peja. Dokumenti saktësonte: “Interesat më jetike të shqiptarëve duan zhvillimin politik dhe kombëtar të vendit të tyre; por, siç tregon përvoja shumëshekullore, ky zhvillim është i pamundshëm në gjendjen e sotme, nga e cila del një dobësi aq e rrezikshme, saqë armiqtë e shqiptarëve e mbajnë atë pothuaj si një nxitje. Rrjedhimi i kësaj së keqeje është humbja e vendeve në të mirë të Serbisë dhe të Malit të Zi. Shqiptarët janë të mendimit se vetë interesi i Portës e detyron atë të marrë parasysh dëshirat e tyre të ligjshme. Pra, kombi kërkon: 1) bashkimin e të gjitha vilajeteve të Shqipërisë së Sipërme dhe të Poshtme në një vilajet të vetëm nën administrimin e një veziri; 2) formimin e një asambleje kombëtare, e cila të ketë edhe disa të drejta legjislative; 3) formimi i një këshilli të zgjedhur pranë vezirit; 4) caktim të njëhershëm të taksave; 5) ushtria shqiptare të qëndrojë në vatrat e saj dhe në kohë paqeje të ketë për detyrë ruajtjen e rendit, siç bëhet në Rumelinë Lindore.”
Fitoret e njëpasnjëshme në fushën ushtarake dhe politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në krye me Myderriz Ymer Prizrenin, strateg, që nuk mposhtej, dhe veçanërisht mbrojtja aq me sukses e viseve të Shqipërisë të ndara Malit të Zi, i dhanë mbështetje Anastas Kulluriotit të afirmonte, më 16 shkurt 1880, kërkesat e Lidhjes për autonomi si hap natyror për pavarësinë e Shqipërisë: “Fitorja e forcave të armatosura të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e Plavës, Gucisë, Hotit dhe Grudës dhe tërheqja me disfatë e forcave agresore shoviniste malazeze ka rëndësi të madhe politike: Së pari, ajo forcoi më shumë besimin e madh te masat e popullit shqiptar dhe të vetë udhëheqësit më të vendosur të Lidhjes, në vitalitetin e forcave vullnetare të armatosura shqiptare të porsakrijuara dhe, së dyti, u kristalizua edhe më shumë kërkesa për shpalljen e autonomisë së Shqipërisë.”
Propozimin e Fuqive të Mëdha, të pranuar nga Porta e Lartë për kompensimin e Plavë-Gucisë me vise të Hotit, Grudës, Kastratit e të Kazasë së Ulqinit, Obzor, e 5 marsit 1880, e përcolli me komentimin: “Shih ngatërresat, edhe ato janë toka me shqiptarë”, kurse nga Lidhja Shqiptare njoftonin se ajo me Traktatin e Berlinit “nuk ka marrë mbi vete asgjë dhe nuk pranon kurrfarë tërheqje nga vendet e veta”.
Me qëllim që të organizohej më mirë dhe më efektivisht mbrojtja e Plavë-Gucisë, e Hotit, e Grudës, e Kelmendit dhe e Kastratit, myderrizi Haxhí Ymer Prizreni ftoi Kuvendin e Lidhjes në Guci. Në këtë Kuvend u mor vendimi të derdhet gjak për çdo pëllëmbë të tokës shqiptare – informonte Narodni list e Zarës, më 17 mars 1880.
Këtu duhet të konstatohet se tashmë Porta dhe ushtarakët më të lartë të Turqisë nuk mund ta mbanin të fshehtë faktin se aty ku dëgjohej Zëri i Shqipërisë realisht dëgjohej Zëri i Myderrizit të Madh të Prizrenit. Kjo më së miri u dëshmua me thirrjen e Kuvendit të Lidhjes në fshatin Rakoc të Gjakovës nga krahu “radikal”: Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Haxhí Jonuzi etj., aty nga mesi i marsit 1880. Ky krah revolucionar kërcënonte mareshalin Ahmet Muhtar Pasha sedo të marshonin në Prizren me 8 000 veta, nëse ky nuk do t’i hapte udhë administratës shqiptare në Prizren e gjetkë. Me këtë krah patriotik të vendosur për ndryshime cilësore në administrimin shqiptar të Shqipërisë do të bashkohej legalisht, në Rakoc, më 21 mars 1880, edhe personaliteti i parë i Lidhjes, Myderrizi Ymer Prizreni. Muhtar Pasha u frikësua dhe pranoi depërtimin e Komitetit Qendror të Lidhjes me 600 luftëtarë në Prizren, me qëllim “të merrnin” pushtetin “në bazë të planit që kishte hartuar Ymer Prizreni”.
Kështu, në relacionin e Ahmed Muhtar Pashës për Kryeministrinë në Stamboll, më 1 prill 1880, thuhet qartë: ”Kryetari i Lidhjes, Haxhí Efendiu, për të cilin kam folur në telegramet e mia të mëparshme, duke qenë tepër i zemëruar, disa herë kishte shprehur poshtë e lart kundër qeverisë fjalë të papërshtatshme, siç janë këto: ‘Këto apo ato toka ia dhanë armikut, së shpejti do t’ia japin edhe vendin tonë; mirëpo ne nuk do të lëmë që t’ia japin këtë aq lehtë’. Këto kuptohen nga fjalët që ishin dëgjuar nga gojë e tij. Nga veprimet e tanishme dhe nga disa veprime të tjera, del se njerëz të tillë kokëfortë, si i sipërshënuari dhe shokët e tij, që ndodhen aty-këtu, nuk kanë hequr dorë aspak nga mendimet e tyre të gabueshme…”
Ushtaraku osman konstatonte se me urdhër të Haxhí Ymerit janë vendosur nëpunës të rinj në vend të të larguarve me dhunë. Nëpunësit e vendosur nga Lidhja me vullnet hoqën dorë nga të ardhurat mujore. Sipas Ahmet Muhtar Pashës, këta nëpunës merrnin vetëm dy të dhjetat e pagës dhe tetë pjesë nga tërësia ia lënin Lidhjes – që “të përdoreshin për të mirën e vendit të tyre”. Kjo fliste se Lidhjen po e financonin edhe nëpunësit e Lidhjes, bëmirës të Atdheut.
Ushtaraku Ahmet Muhtar Pasha, Vali i Manastirit dhe komandant i Armatës së Tretë të Perandorisë, pasqyroi edhe përpjekjet e Haxhí Ymer Prizrenit për t’i demaskuar dhe për t’i spastruar anëtarët proosmanë në Komitetin Qendror dhe në degët e Lidhjes Shqiptare. “Midis tyre ishte edhe vëllai i tij i madh, të cilin ai donte gjithashtu ta largonte. Ky njihej përkrahës i qeverisë …” Dhe, edhe kjo ishte dëshmi për cilësitë kombformuese e shtetformuese të myderrizit Ymer Prizreni – për liri, çdo gjë!
Për ta penguar veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare, duke minuar aktivitetin e Ymer Efendi Prizrenit nga brenda, pashai osman propozonte masa dinake e drastike: Qeveria duhej t’i merrte në mbrojtje “Shtatë personat që tanimë kundërshtohen si njerëz që urrehen nga populli”; të veprohet në thellimin e hendekut midis gjakovarëve e prizrenasve, duke pasur adut gjakderdhjen me rastin e vrasjes së Mehmed Ali pashë Maxharrit; të veprohet në masën e popullsisë së Prizrenit për ta ftohur nga veprimet e Haxhí Ymerit, dhe, kur të arrihet kjo ftohje e popullit ndaj tij, të arrestohej së bashku me “nja gjashtë, ose tetëmbëdhjetë vetë që janë shokët e tij më të afërm, të kapen në befasi dhe të internohen (…). Prandaj, është e domosdoshme që nga njëra anë të presim këto (suksesin propagandas osmane përqarëse), kurse nga ana tjetër, të dërgohen këtu sa më shpejt e sa më shumë batalione të ushtrisë së rregullt dhe që i sipërshënuari të largohet patjetër dhe sa më shpejt që këtej!”.
Në vazhdim, Ahmet Muhtar Pasha, madje, ia tërhiqte vërejtjen Kryeministrisë: “Së treti”, për ta bërë Ymer Efendi Prizrenin të parëndësishëm, për ta larguar “me të mirë që këtej, duhet pasur parasysh se ai është një njeri i pasjellshëm dhe kokëfortë; prandaj ka mundësi që të mos largohet me këtë mënyrë” dhe theksonte se kërkesat që ai të largohej nga Kosova, me të mire, po e nxiste “atë të shkojë më tej…!”
Ndërkaq, gazeta El-ahram, e 13 majit 1880, duke informuar me paanësi për kërkesat shqiptare që i mbronte Lidhja Shqiptare e Prizrenit nën udhëheqjen e Ymer Prizrenit do të konstatojë se: “Traktati i Berlinit ishte fillimi i problemit të Lindjes, e jo mbarimi i tij” dhe se “një popull i cili kërkon pavarësinë dhe është në gjendje të sakrifikojë çdo gjë është e pamundshme të lihet anash para se të ngopet toka me gjak; shqiptarët nuk janë më ata të djeshmit, ata janë zgjuar dhe janë më të pjekur” – përfundonte ajo.
Përafërsisht ngjashëm, do të informojë edhe Obzor e 14 majit 1880, në të cilën, duke shkruar për Lëvizjen Shqiptare nën udhëheqjen e Haxhí Ymer Efendi Prizrenit, konstatonte se: “Shqipëria është duke ecur në rrugën e shkëputjes nga trupi turk për t’u shndërruar në shtet të pavarur”. Sipas Vasileviçit, një përmbysje të plotë të pushtetit osman Lidhja e bëri më 2 (14) maj 1880, në Prizren, duke ndjekur mytesarrifin, Ahmet Hilmi Pashën, dhe duke vendosur për prefekt Shuaip agë Fejzullah – Spahiun (Perollin) të Prizrenit, duke ia ndarë edhe “titullin Pashë”. Theksonte: “Me mytesarifin u ndoqën të gjithë nëpunësit turq dhe në vend të tyre u caktuan shqiptarë”.
Ky ishte hap i madh drejt autonomisë së Shqipërisë, e papranueshme për Evropën e krishterë:Obzor do të konstatojë qartë e drejt se”Austria, për interesa të saj, ashtu si Anglia dhe Rusia, nuk ka dëshirë ta çojë Turqinë në likuidim”, ndaj Vjena po “ngutet ta qëllojë për vdekje Autonominë e Shqipërisë”.
Tashti, edhe një herë, sikur e kërkon vendi të ripohojmë se: Të gjitha burimet e proveniencës osmane dhe evropiane në myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizrenin shihnin forcën motorike – Orën, Zemrën dhe Shpirtin e Lidhjes Shqiptare. Konsulli vjenez në Prizren, Valdhart, më 9 qershor 1880, në Haxhí Ymer Prizrenin shihte luftëtarin e pathyeshëm për ripërtëritjen e Lidhjes Shqiptare të thyer përbrenda nga veprimtaria rrënuese e mareshalit Ahmet Muhtar Pasha. Ymeri punonte për autonominë e Shqipërisë me të gjitha mjetet.
Mirëpo, propaganda e krishterë evropiane antishqiptare, për ta përdhosur Programin politik e ushtarak kombëtar shqiptar të Lidhjes, do ta tregojë Myderrizin e Madh për “një ish-piun të Portës në Lidhjen Shqiptare”!?! Kjo më së miri shihet nga informata e konsullit anglez në Prizren, C.St. John, të datës 12 qershor 1880, për kontin Granville, në të cilën thuhej:
“Im Lord,
Tani pata rastin t’i raportojë Shkelqësisë Suaj se personi i quajtur Haxhí Ymer Efendiu është duke ushtruar influencë të madhe në Prizren. Ky njeri tani është bërë një ‘diktator’, duke marrë pjesë aktive në punët publike, politike dhe gjyqësore. Mutesarrifi, i cili sa për sy e faqe e përfaqëson Qeverinë, është mënjanuar krejtësisht.
VIJON…
Postime të Lidhura
IBRAHIM SHALA: UKSHIN HOTI – URAGAN I MENDIMIT POLITIK SHQIPTAR(*)
Pashtriku.org, 13. 05. 2013 – (Veprimi politik, kontributi shkencorë dhe veprimtaria patriotike me të drejtë profesor Ukshin Hotin,…
ELEZ ISUFI, ROBIN HUDI I SHQIPËRISË
Pashtriku.org, 27. 03. 2015 – Gjatë qëndrimit të tij në Londër, gazetarët anglezë, të mahnitur me paraqitjen impozante…
RASIM BEBO: HAXHI MEHMET DALANI, HEROI ҪAM I PAVARËSISË SË GREQISË
(Tiranë, 29. 06. 2012) – Kush është Kapedan Mihali, heroi që shkrimtari i madh grek Niko Kazanzaqi i…
FERIT RAMADANI: UKSHIN HOTI, DRITËRRËFIM I SHKENCËS POLITIKE
Pashtriku.org, 16. 05. 2014 – Ukshin Hotin, Enciklopedinë e peripetive, e shndërruan në peng misterioz, dhe qenësia e…