Durrës, 27. 06. 2014 – Ato kanë lindur dhe jetojnë në komunën e Ulqinit, por janë që të gjitha me prejardhje nga Shestani, që është një trevë malore e Tivarit. Sapo i pashë në fotografi, në faqet kopertinë të revistës “Buzuku” nr.41 e 42, më shkoi mendja te një gojëdhënë që lidhet me emrin e Gostivarit. Gojëdhëna thotë që emri i Gostivarit vjen nga GOCË dhe TIVAR. Madje, puna shkon deri atje, sa, në një anërrugë të atij qyteti ruhet një varr, për të cilin thonë se është varri i një vajze tivarase.
Sigurisht, një i këtillë shpjegim i emrit GOSTIVAR nuk mund të mbështetet shkencërisht, por domethënia simbolike e legjendës është më shumë se madhështore. Banorët e Gostivarit, e bashkë me ta edhe ata të Shkupit, Kumanovës, Kërçovës e Tetovës, kanë dëshiruar gjithë jetën, dëshirojnë edhe sot dhe do të dëshirojnë në të gjithë shekujt që të jenë NJË E TË PANDARË me Tivarin, me Ulqinin, me Podgoricën dhe, sigurisht, me çdo pjesë që gjendet midis këtyre 2 skajeve të Atdheut tonë. Gojëdhënat, legjendat, sidomos ato që lidhen me kjutime vajzash, kanë fuqi të jashtzakonshme në ruajtjen e aspiratavet që popujt i grumbullojnë brenda shpirtit të tyre shekull pas shekulli.
I shikoj fotografitë e këtyre vajzave e nuseve, psh. në faqet 1,4,8 dhe 9 të numrit 41 të revistës, dhe më pushton frymëzimi: Sa mirë ka bërë Univeristeti i Tetovës që e ka ftuar grupin folklorik “Dom Gjon Buzuku” në evenimentin kushtuar 1700-vjetorit të Ediktit të Milanos! Ka qenë ideja e z.Nikollë Shabani, përkrahur edhe nga rektori i atij universiteti, z. Vullnet Ahmeti bashkë me kolegiumin që ai drejton, dhe unë do të thosha që SIMBOLIKË MË E BUKUR, për ta përkujtuar 1700-vjetorin e atij edikti, të rëndësishëm për mbarë njerëzimin, VËSHTIRË SE MUND TË GJENDEJ.
Grupi folklorik “Dom Gjon Buzuku”, me Vallen e Shestanit dhe me këngët që ka në repertor, si dhe me veshjen e vet, sidomos me veshjen e gravet, të nusevet e të vajzavet, përfaqëson një ndër reliket më me vlerë të kulturës sonë kombëtare, jo 1700-vjeçare, por dyfish e më shumë më të lashtë. Mënyra si ekzekutohet, si luhet, Vallja e Shestanit, si këndohen këngët në atë valle dhe subjektet e tejlashtë të baladavet që i ruan ajo vallle, u shkojnë më së miri tribunavet të tilla shkencore, të cilat rrahin për të zbuluar e vënë në dukje rrënjët shumë të thella të Kombit tonë.
Duke parë ato fotografi dhe personalitetet organizues e pjesëmarrës në atë tribunë përkujtimore për veprën e madhe të Konstantinit të Madh, njeriu nuk mund të mos mbushet me shpresë që edhe në të ardhshmen do të mund të bëhen gjithnjë e më shumë punë të bukura, për t’ua prurë sa më afër brezavet të rinj të kaluarën tonë, të cilën shumë kombe të tjerë do të dëshironin ta kishin e nuk e kanë.
Uroj me gjithë shpirt që Universiteti i Tetovës të vazhdojë të na gëzojë në vitet që vijnë me punë gjithnjë e më frytdhënëse!
————————————————
================================
Vallja e Shestanit – Shoqata “Don Gjon Buzuku”….