PROf.DR.FATOS TARIFA: PËR MOIKOMIN SI POET DHE NJERI

Tiranë, 11. 12.2 015: Kam në dorë një libër të ri, të mrekullueshëm, dhuratë nga miku im Moikom Zeqo. Është libri i tij më i ri, “Zodiac”, botuar ditët e fundit nga shtëpia botuese e njohur “Zephyr Press”, në Masaçusets (SHBA). Lexoj poezitë e tij dhe kuptoj pse përkthyesit e tyre, Anastas Kapurani dhe Wayne Miller, morën përsipër punën e vështirë për përkthimin e këtij vëllimi në anglisht, në gjuhën që lexohet më shumë në të gjithë globin. Kuptoj, gjithashtu, përse poeti i njohur ukraino-amerikan, Ilya Kaminsky, i cilëson poezitë e Moikomit në këtë vëllim si një “kozmologji” më vete, i krahason ato me “Komedinë Hyjnore” të Dantes dhe me “Katër kuartetet” e T.S.Eliotit (për këtë vepër Elioti u nderua me Çmimin Nobel), si dhe me “Elegjitë e Duinos” të Rilkes,- ndërsa autorin e tyre e konsideron “si një ndër të rrallët poetë në kohën tonë që synojnë madhështinë”.
Poezitë e këtij vëllimi janë në anglisht dhe në shqip dhe i japin mundësi kujtdo që t’i lexojë e të mrekullohet prej tyre. T’i lexojë e të rreket pas tyre në labirintet e thella të historisë, në kohë të shkuara e të ardhshme, në këtë botë dhe në botë të tjera, të vjetra e të reja, reale e të imagjinuara.
Është gjithnjë po ai Moikom që kemi njohur për dekada me radhë: poeti erudit – më erudit se të gjithë poetët tanë – arkeologu i thellësive të historisë e të shpirtit njerëzor, intelektuali publik i shqetësuar dhe i angazhuar. Por, këtë herë, me këtë vëllim elegant, tronditës e stimulues për mendimin, ai vjen, siç shkruan Kaminsky, si një poet që është “vërtet i gjerë e kompleks” dhe që me talentin e tij poetik, prej mitologjive e traditave të lashta flet me një zë të ri, që është njëherësh i bukur dhe i jashtëzakonshëm.
Poezitë e Moikomit kanë një gjuhë që reflekton jo vetëm thellësinë e një mendjeje që gërmon në lashtësi, në qytetërimet e para të racës njerëzore, por edhe përmbajnë metafora të shumta që e bëjnë çdo varg një mendim më vete dhe çdo mendim një varg a një poezi të re. Përkthyesit e tyre duhet ta kenë pasur shumë të vështirë t’u jepnin mendimeve e fjalëve të Moikomit kuptimin, peshën, ngjyrën dhe tingullin e tyre të vërtetë, siç i gjejmë ato realisht në poezitë e këtij vëllimi-atë kuptim, atë peshë, ato ngjyra dhe ata tinguj që asnjë tjetër poet shqiptar nuk ka mundur të na i dëshmojë deri më sot.

Moikomi është një poet sui generis, pa të ngjashëm në racën e poetëve shqiptarë dhe unë mendoj se, kjo shoqëri post-teknologjike në të cilën jetojmë e ka veçuar atë prej të gjithë atyre që, duke shkruar poezi që të ishin të pëlqyeshme për tregun letrar, kanë humbur kuptimin e vërtetë poezisë dhe, mbi të gjitha, trazinë e shpirtit krijues si antidot i babëzisë së tregut. Moikomi, siç thotë Miller, është një poet “gjithnjë i mërguar”, pa të tjerë poetë rreth e qark tij, por, paradoksalisht-dhe për meritën e tij-i rrethuar nga më shumë njerëz që e duan dhe e çmojnë se çdo poet tjetër që kam njohur deri më sot. Sepse, ndërsa si njeri, Moikomi është edhe poet, si poet, ai është, në rradhë të parë, njeri.
Brezi i lexuesve të rinj shqiptarë, fatkeqësisht, nuk është i njohur me krijimtarinë poetike të Moikom Zeqos. Në antologjitë e letërsisë shqipe emri i tij përmendet rrallë. Sepse, ashtu si në jetë ose në politikë, edhe në poezi Moikomi nuk është konformist. Ai nuk i përket një shkolle të caktuar dhe nuk ua nënshtron mendimin, stilin ose vargun e tij kanoneve të njohura letrare, por krijon të tjera rregulla, që përjashtojnë çdo sistem dhe çdo rregull.
Nuk është mendimi i Moikomit që u nënshtrohet rregullave, por rregullat që i binden mendimit dhe talentit krijues të tij. Kjo e veçon atë nga të gjithë poetët e tjerë dhe e bën të qëndrojë mbi ta.

– Autori është Rektor i Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura