Tiranë, 09. 07. 2014 – Zgjedhjet e fundit në Kosovë sërish nxorrën Hashim Thaçin me PDK fitues. Asgjësimi i dyshimeve për manipluime të ndryshme, ose vënie dorë mbi votat nga ana e partisë në pushtet pothuajse bëhet i pamundur. Mos të harrojmë se ç’ndodhi me zgjedhjet e parafundit legjislative ku pati një manipulim aq të dukshëm të votave, sa vet ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar SHBA+BE shmangu ndëshkimin dhe vlerësimin negativ për ato zgjedhje. Ato zgjedhje të kujtonin zgjedhjet e 26 Majit1996 në Shqipëri, manipulimi masiv i votës, ku shumica e të intervistuarve prej kanaleve të ndryshme televizive të Tiranës, që ndodheshin ato ditë në Kosovë, kur pyeteshin për votën deklaronin votën për ndryshim… Por ndryshimi nuk ndodhi, Thaçi mbeti sërish në pushtet. Manipulimi i votës u realizua pa ndroje morale e përgjegjësi ligjore, sepse kryeministri Thaçi nën ngasjen e pushtetit, s’mund t’i lëshonte vëndin kurrëkujt tjetër. Virusi i Tiranës për manipulim votash kishte mbërritur ogurëzisht deri në Prishtinë.
Figura e Thaçit në përndjekjen Kosovare ka dritëhijet e veta, por i rritur artificialisht në vlera jo shumë të merituara, mbas luftës, dhe sidomos mbas vdekjes së Rugovës, ai do të lëshonte pa fre ambicjet e veta politike për të qënë zëri imponues i saj në aspektin politik. Thaçi si produkt konjuktural i luftës, u angazhua në politik i ndihmuar prej shumë rrethanash, si dhe nga një përkrahje herë e heshtur dhe herë e deklaruar, e qarqeve perëndimore që shikonin tek ai personin e fortë për t’ju bërë ballë problemeve të shumta që kishte Kosova. Thaçi u zgjodh si mundësia e fundit dhe e vetme për momentin, sepse ai kishte lënë zhgënjime të mëdha gjatë kohës së luftës tek amerikanet. Lufta e Kosovës nisi në tokë e mbaroi në qiell. Në konferencën e Rambujes, kur e paharrueshmja Medlin Ollbrajt u lutesh me lot në sy delegacionit kosovar të firmosnin marrëveshjen, Thaçi nuk pranoi dhe kërkoi dy javë kohë të konsultohesh me “popullin“ dhe bashkëluftëtaret e tij… dhe në ato dy javë Sllapodanit ju dha mundësia e artë për të shtuar në Kosovë ushtrinë për të bërë ato masakra njerëzore që tashmë dihen nga të gjithë. Kur Bob Dol, kryetari i Partisë Republikane dhe kanditat i saj për president i SHBA-së ndenji 3 ditë në Shkup për tu takuar me Thaçin, ai nuk pati kohë ta takonte, sepse ishte i zënë me “drejtimin“ e luftës nga Vilat Qeveritare, ku bashkë me Nanon përloteshin para gotave të whiskit për hallet e Kosovës. Atëherë Bob Dol, i revoltuar do të deklaronte: “Ç’është ky person me pseudonimin gjarpri, që unë kam 3 ditë që e pres ta takoj dhe ai nuk vjen?” Por Thaçi në atë kohë nuk kishte kohë. Antishqipëtari Nano, i shquar deri në ato çaste për deklarimet e veta pro Sllopodanit, i jepte leksionet e para politike se si duhet të sillesh kur rasti do të ishte i përshtatshëm për të drejtuar Kosovën e pasluftës, një luftë e padëshiruar prej tij.
Thaçi dhe Enver Hoxha do të mbeten të vetmet ekuacione ekuivalentë në historinë e Kosovës dhe Shqipërisë që arritën synimet e veta për pushtet në rrugë të njëjtë. Enver Hoxha nuk hodhi asnjë dyfek në luftë, gjithashtu dhe Thaçi. Por që të dy u kthyen nga rrethanat e kohës, në lidera abuzivë me pushtetin. Lufta e Kosovës mbaroi kur hyri në luftë aviacioni turk, i cili godiste saktësisht objektivat e ushtrisë jugosllave, dhe nuk shkarkonte predhat maleve siç bënin të tjerët. Brënda një dite u goditën të gjitha postat kufitare sërbe me Kosovën, ku disa predha ranë dhe në territorin shqiptar. Ato predha i kthyen përmbys bunkerët e famshëm e duke nxjerrë më së miri në pah falsitetin e efikasitetit të tyre për mbrojtje si investimin më idjotesk i bërë nga Enver Hoxha në këtë drejtim. Lufta mbaroi, por mbaslufta do ta ballafaqonte Kosovën me probleme të shumta, që për ti kapërxyer kërkonin vullnet e përkushtim, sinqeritet dhe energji nga të gjithë politikanët kosovarë. Ibrahim Rugova megjithëse kishte përmasat e nje idhulli për të gjithë kosovarët, se kapërxeu dot apatin e tij për t’u bërë një lider i kompletuar në situatat e reja. Akademizmin e tij e sfidonin gjithandej uniformat e gjelbërta te UÇK-së, që pak a shumë u kthyen në Kosovë si komunistët shqiptar mbas lufte, që gjithçka iu takonte vetëm atyre. Në këto situata ai do lëshonte gjithmonë terren, duke lënë hapësira për revanshin e ambicieve të Thaçit, i cili kishte mbështetje edhe Tiranën zyrtare në synimet e tij. Thaçi ia doli më në fund të bëhesh kryeministër në një Kosovë me shumë probleme, përveç asaj të pronës private. Çështja e pronës private në Kosovë, në pjesën më të madhe të saj pothuajse është zgjidhur, dhe jo si në Shqipëri, ku antiligji 7501 ka bërë një masakër antipronë. Fusha e vetme ku mund të operonin pa ndrojë orekset për tu pasuruar në mënyrë abusive mbetet vetëm prona shtetërore, e cila do të bëhesh preja e grykësisë të pushtetarëve të rinj. A nuk kishte ndodhur kështu në disa vënde ish komuniste e sidomos në Shqipëri ku ai tashmë i kishte marrë përvojat perverse se si mund të grabitet ajo?! Pranë shtabit të vet qeveritar ai afroi dhe “ekspert” të kësaj fushe të adhur nga Shqipëria, pavarësisht nga leksionet që i kishte dhënë Nano në këtë drejtim. Korrupsioni është virusi kancerogjen që shkatërron çdo lloj pushteti, ndonëse ai në momente të caktuara kthehet paradoksalisht si një mundësi për mbajtjen e tij në një shoqëri pa përvojë demokratike, ku demokracia nuk funksionon në dimensionet e veta kryesore, por thjesht është një fasadë e nevojshme për oligarkët e krimit dhe të korrupsionit. Kosova doli nga lufta gati e hutuar kur u ballafaqua me realitetin e ri, i cili kishte sjell lirinë dhe demokracinë dhe një organizm të uritur. Për gati një shekull ky ushqim i bollshëm do të ishte jo lehtësisht i asimilueshëm për të. Këtë situatë do ta shfrytëzonin djallëzisht ata llojë politikanësh të cilët shumë shpejt do të merrnin në dorë fatet e drejtimit të saj…
Edhe zgjedhet e reja i fitoi Thaçi. Thaçi fitoi por Kosova ka humbur, dhe ajo po humbet çdo ditë nga koha e saj e çmuar për tu ngritur nga bataku dhe moçali ku e kanë zhytur për të ecur përpara drejt një të ardhme që ajo e meriton. Thaçi sërisht do të jetë në krye, por këmbë ngulja e tij për të qëndruar në pushtet s’mund të jetë gjë tjetër veçse preludi fatal i rrënimit tërësor dhe e atij pak pozitiviteti të krijuar në të kaluarën e tij, fal ndihmës së pakursyer të shumë faktorëve të përmëndur më lartë, si dhe i një investmi konjuktural i të tjerëve.
Thaçi tashmë është kthyer në një vetmjak i dëshpëruar, i tradhëtuar pamëshirë nga vetvetja, i cili po zvarritet neveritshëm mbas karriges së tij, duke krijuar zhgënjimin e madh se sa pak e paska dashur Kosovën, dhe duke bërë njëkohësisht aktin e fundit të vetvrasjes së tij politike, duke pasur parasysh se pushtet me çdo kusht do të thotë një poshtërim pa kushte e karrierës së tij ushtarako-politike. Zoti Haradinaj besoj se nuk do t’i harroj fjalët e babait të tij kur erdhi për herë të parë në Shqipëri dhe e gjeti atë në një shkretëtirë me pyje të prerë e të djegur gjithandej tha: “Çi paskeni bërë këtij vëndi”. Shqipërinë e ktheu në një shkretëtirë të tillë pangopësia e politikanëve pervers. Kujdes që Kosova mos të kthehet si ajo. Zoti Haradinaj besoj se do ta ketë flakur tej portretin e Enver Hoxhës në zyrat e shtabit të tij në kohën e luftës, nderimi me grusht si një simbol i skllavokomunizmit si dhe deshtë e therur tek burimet e Gllogjanit për të festuar triumfin e “Revolucionit” apo më mirë revanshin grekokomunist të 1997. Zoti Haradinaj bashkë me Zotin Limaj e të tjerë, do të merrnin përgjegjësinë e madhe për ta drejtur Kosovën me përkushtim e sinqeritet nën shërimin e plagëve të shumta të trashëguara nga e kaluara e saj tragjike. Kosova ka shumë nevojë për ju dhe jo më për modelet e dështuara të qeverisjeve të derisotme. Çdo patriot shqiptar lumturohet në shpirtin e tij kur Kosova ecën në rrugën e begatisë, ashtu siç ndjen dhimbje për gjendjen ku është katandisur ajo dhe Shqipëria. Vetëm pjella perverse e sllavoortodoksizmit ndihet mirë kur ato janë keq. (Fatmir Lamaj – Cel 0664128750)