GJOKË DABAJ: FRONTI PATRIOTIK I TË PASURVET SHQIPTARË

(Durrës, 07. 06. 2012) – Shqiptarët, me të drejtë, me shumë të drejtë, kanë krijuar një mosbesim ndaj të pasurvet të vet. Kur i hedhim një sy së kaluarës sonë, të largët dhe të afërt, do të shohim që të pasurit tanë i kanë shumë borxhe Kombit tonë. Mbretërit e Ilirisë, kanë pasur aq forcë e aq mundësi ekonomike dhe ushtarake, sa do të mund ta kish pushtuar Iliria Romën e jo Roma Ilirinë. Bënë gabim që nuk u morën mençurisht me punët që u diktonte koha, bënë gabim që nuk i kuptuan seriozisht situatat, në të cilat jetonin. E shtypën dhe e shtrydhën popullin e vet. Gjenin kohë e “arsye” për t’u dehur, por nuk gjenin arsye për të mbajtur një administratë në gjuhën e vet.
Perandorët tanë, në kohën e asaj që unë, për analogji me Unionin e sotëm Europian, e quaj Unioni Europiano-mesdhetar i Antikitetit, menduan më shumë si e si ta mbajnë më këmbë Perandorinë e Romës, se sa si të krijonin një fuqi ilire, e cila të punonte PËR VETE, para se të shkrinte veten për të tjerët. Në shekujt III dhe IV të e.s, të pasurit e Ilirisë i kanë pasur të gjithë kushtet me punue për etninë e vet. Nuk themi dot që s’kanë bërë asgjë, psh Diokleciani apo Konstantini i Madh, por themi që ata mund dhe duhej të bënin shumë më tepër. E pakta, mund dhe duhej ta SHKRUANIN ilirishten aty ku jetonin ilirët.

MONEDHA ILIRE

______________________________

Në kohën e Perandorisë Bizantine, filluar të paktën prej perandorit Anastasi IV e këndej, deri në fillim të sh VII, të pasurit e Ilirisë Lindore e kanë sunduar atë perandori. Rrjedhimisht, ata mund dhe duhej të kishin bërë shumë më tepër për atdheun e vet. Nuk themi dot që s’kanë bërë asgjë, psh Justiniani i Madh, por themi që, megjithatë, kanë bërë shumë pak. Edhe pas sh VII Konstantinopoja ka qenë plot me të pasur arbër. Po zëmë në gojë vetëm Engjëllorët dhe Muzakajt, por nëse gërmohet në dokumente, ata janë vërtet aq shumë dhe janë aq të fuqishëm, sa, po të kishin qenë pak më atdhedashës, DO TA KISHIN MVEHTËSUAR KISHËN dhe do ta kishin krijuar një perandori apo mbretëri PËR VETE, për etninë e vet.
Në kohët kur në hapësirat tona u krijuan disa shtete sllavë, shumë nga të pasurit tanë e gjetën më me vend t’u lëpijnë këpucët zhupanëvet, mbretërvet dhe perandorëvet të Bullgarisë e të Sërbisë, se sa të punojnë për ta shpëtuar Arbërinë prej atij invazioni verior, i cili ishte nga më primitivët. S’ka turp më të madh se sa kur një etni, prej shekujsh e qytetëruar, nuk di, nuk gjen mënyrat, për t’i bërë ballë një force fare të re, të papjekur dhe thelbërisht të prapambetur. Fajin për nënshtrimin ndaj sllavëvet e kanë të pasurit e Arbërisë së atëhershme.
*  *  *
Në shekujt e Perandorisë Osmane, të pasurit arnautë ishin të aftë e të zotë për t’iu ngjitur asaj perandorie deri në krye, por nuk e gjetën dot brenda vetes as zellin më elementar të patriotizmit, në mënyrë që Arnautistani i tyre ta kish ballin më të çelur përpara botës. Ata ditën të bëjnë mrekullira në Siri e në Liban, ditën të krijojnë shtete, si Egjiptin, por nuk ditën, nuk deshën, nuk e gjetën dot mënyrën, për të krijuar një Shqipëri të denjë për epokën e vet. Pashallarët tanë të Shkodrës, të Pejës, të Beratit, të Tepelenë-Janinës, e patën floririn, në qese lëkure, në qypa e në voza, por nuk mundën, nuk e gjetën dot mënyrën se si do të mund të bëhej Shqipëria Shqipëri. Do të mjaftonte që në krye të ushtrivet të tyre kryengritëse antisulltanore dhe në muret e kështjellavet të tyre të vihej një flamur i së kaluarës sonë: I Pirros, i Aleksandrit apo ky i Kastriotëvet, si dhe të përdorej alfabeti i Gjon Buzukut në dokumentet e tyre tragarë dhe zyrtarë. Kaq të kishin bërë pashallarët tanë, krejt historia e mëvonshme e këtij kombi do të ishte më ndryshe.
*  *  *
Në të gjitha këto periudha, në të cilat u ndalëm fare shkurt, DEFEKTI KRYESOR i të pasurvet tanë ka qenë: Mbisundimi, mbizotërimi i EGOIZMIT, të themi  vetjak, që është një EGOIZËM DRITËSHKURTËR, përmbi “egoizmin” kolektiv, etnik, i cili është një “EGOIZËM” LARGPAMËS. (“Egoizëm” po e quajmë edhe atë, duke e vënë nën thonjëza). Një i tillë “egoizëm” kolektiv, etnik, është cilësi e njerëzvet jomiopë dhe jofodullë, e njerëzvet që e KANË një vision sadopak të qartë për të ardhshmen. Është, pra, një “egoizëm” progresist, i cili i çon drejt një mbijetese afatgjatë EDHE PASARDHËSIT e vetë familjes, së cilës i përket i pasuri apo i pasuruari.
Në kohën kur shteti shqiptar mezi po mbahej më këmbë, në vitet 1920-1939, dokumentet thonë që sasia e floririt për frymë (e përqëndruar në duart e pasanikëvet shqiptarë), ishte më e madhja në rajon. Të pasurit tanë kishin aq shumë flori dhe aq pak mend, sa, kur u mbushej ajo pak mendje, shkonin në Itali dhe e mbyllnin hotelin më të mirë të Romës. E bënin këtë thjeshtë për kapriço. I thoshin të zotit të hotelit: Nxiri jashtë të gjithë klientët, hotelin ta paguaj unë, ndaç për 1 ditë e 1 natë, ndaç për 1 javë! Ndërsa, kur erdhi ushtria fashiste e Romës, për të pushtuar Atdheun tonë, asnjëri prej pasanikëvet tanë nuk e shkrepi 1 fishek në mbrojtje të Shqipërisë.

____________________________________________

Këto janë arsyet që te shqiptarët zotëron kompleksi i mosbesimit ndaj klasës së të pasurvet. Mirëpo, duhet ditur dhe dihet mirëfilli, që një shtet kapitalist nuk mund të ekzistojë pa klasën e vet kapitaliste. S’ka kapitalizëm pa kapitalistë dhe, pa një klasë kapitaliste KOMBËTARE, ekzistenca e çdo kombi është tragjikisht e rrëzikuar për t’u nëpërkëmbur. Nëse një komb nuk e ka klasën e vet kapitaliste të atillë që t’i dalë zot atij kombi, ai komb është i destinuar, o për t’u shuar dalëngadalë, o për t’u dekompozuar e për të rënë copa-copa nën pushtetin e klasavet kapitaliste të huaja, fqinje ose jofqinje.
*  *  *
Thamë që historia jonë është e mbushur me moskujdesje, madje me papërgjegjësi flagrante, tejet të dëmshme, të të pasurvet tanë, dhe kjo është e vërtetë, por nuk duhet menduar kurrsesi që kanë qenë të tillë të gjithë të pasurit e kësaj etnie, e cila në genin e vet ka një madhështi të habitshme. Të mos ishin bujarët e Mesjetës, si Dhimitër Progoni e të tjerë, ka rrëzik që Arbërit të atëherhëm sot as emri të mos i përmendej. Të mos ish një Gjergj Kastriot në sh XV, a do të mund ta përfytyronim Kombin Shqiptar kështu siç e kemi sot?! Të mos ishin rilindësit tanë të atillë si Abdyl Frashëri, siç thotë edhe kënga “Abdyl, prishe pasurinë, një barrë flori”, dhe dhjetëra të tjerë si ai, Shqipëria nuk do të bëhej. Madje sot mund të mos e kishim fare këtë Shqipëri që kemi.
Por tani kambanat bien për një KLASË TË RE të të pasurvet shqiptarë. Është koha kur të pasurit tanë duhet të ndikojnë te qeveritë, te të gjithë organet qeverisës, që të zhvillohet ekonomia KOMBËTARE. Jo më, me resurset tanë të pasurohen e zhvillohen klasat kapitaliste të kombevet të tjerë, por mundësisht edhe fitimet që të pasurit tanë i realizojnë jashtë Shqipërisë, t’i sjellin këtu dhe KËTU t’i shumëfishojnë. Është e kuptueshme që kafen do ta sjellim nga jashtë, por kromin, hekurnikelin, plumbin, bakrin, argjendin, naftën, energjinë elektrike, s’ka pse t’ua lëmë të tjerëvet, për ta shfrytëzuar ata për vete. Madje, në disa raste, edhe t’ua falim apo gjysmëfalim. Ashtu siç shfrytëzon për vete bananen, kafen, panxharin e sheqetit, aluminin, naftën, flotën detare, ai që i ka ato, të shfrytëzojmë ne për vete, dmth të pasurit tanë t’i shfrytëzojnë për vete, këto që kemi ne. Ditë e natë duhet të mendohet si të fitojmë sa më shumë për vendin tonë dhe si të sjellim sa më shumë para në bankat tona. Jo të na i marrin paratë bankat e huaja, por të kemi ne bankat tona, jo vetëm këtu, por edhe jashtë, në mënyrë që kapitalet e tyre të konvergojnë drejt Shqipërisë.
Të pasurit tanë duhet të ndikojnë shumë edhe te organet tanë ligjvënës që, me anë të ligjevet, ta favorizojnë bujqësinë shqiptare, në të 2-ja republikat, por, aq sa është e mundur, edhe në shtetet e Ish-Rep.Jug të Maqedonisë dhe të Rep.së Malit të Zi. 2 janë çelësat për t’ia hapur bujqësisë rrugën e përparimit: 1. T’i krijohen kushte prodhuesit, që ai të ketë levërdi të prodhojë sa më shumë dhe 2. Rrjeti i tregtarëvet të orjentohet, kudo që është e mundur, duke i hapur perspektiva fitimit, jo duke importuar, por duke i eksportuar ata prodhime që i prodhon Shqipëria. Çelësi i parë i përparimit të bujqësisë nuk është më as kolektivizimi, as latifondizimi. Çelësi, për ta bërë bujkun modern të interesuar për bujqësinë, është favorizimi, me anë të kredivet bankare, i ekonomivet bujqësoro – blegtorale 10 – hektarëshe. Favorizo 10 – hektarëshat, e ke vënë bujqësinë në rrugën e modernizimit. Gjej tregjet, kudo që ata ekzistojnë, për fikun, për pataten, për qepën, për mishin e qengjit, për limonin, për ullirin, për mollën, bëj që tregtarët të mund t’i rrisin fitimet duke blerë në vend të vet, dhe e ke vënë bujqësinë në rrugën e përparimit e të fuqizimit modern. Vër ligje për të lejuar vetëm prodhimet bio.

______________________________

Të pasurit tanë duhet të ushtrojnë presion te organet tanë ligjvënës e qeverisës, që në Shqipëri, jo të vegjetojë, kënetërisht e qelbësirërisht, një turizëm i neveritshëm, por të krijohet ai turizëm, të cilit t’i mësohet emri për mirë, që nga ata miliona pushues, të cilët gjithë vitin mendojnë ku kanë për t’i kaluar 20 ditët e pushimit vjetor, deri në rezidencat e më të pasurvet të botës. 2 janë edhe këtu çelësat e një turizmi fitimprurës: 1.Të priturit e turistëvet me kulturë, që nga ai që punon në doganë, deri te polici rrugor e te kamerieri. 2.Të mbajturit pastër e bukur të krejt ambientevet ku jetojnë shqiptarët.
Të gjitha këto i ka në dorë klasa e të pasurvet. AJO i bën këto, me anë të ligjevet, me anë të paravet (duke ditur ku dhe si të investojë), dhe me anë të ATDHEDASHURISË, me anë të “egoizmit” kombëtar, i cili, siç edhe thamë, është “egoizmi” më pozitiv që mund të ekzistojë.
*  *  *
I përmendëm këtu disa çelësa, të cilët, me mënyra fare konkrete dhe lehtësisht të kuptueshme, i hapin klasës sonë kapitaliste e, pasojisht, krejt Kombit tonë, rrugë të bukura pasurimi e përparimi, por ÇELËSI I TË GJITHË ÇELËSAVET është ai që të pasurit tanë duhet t’u kushtojnë kujdes të madh vleravet etnike dhe kulturore të Kombit të vet. Thimi Mitkoja ishte një tregtar tekstilesh. Por ai u bë edhe mbledhësi më i përkushtuar i pasurisë sonë folklorike. Mjafton të merret ai si shembull dhe çdo i pasur i yni duhet ta kuptojë sa i rëndësishëm është KUJDESI NDAJ KULTURËS SË VET KOMBËTARE. Nuk themi, të kthehen tani të pasurit e këtij vendi dhe ta derdhin krejt pasurinë e fituar, për gjuhën shqipe, për letërsinë shqiptare, për studimet në fushë të albanologjisë, për botimet në gjuhë të huaja, për arkeologjinë, për historinë e shqiptarëvet etj.etj. Nuk po themi kështu, por sidoqoftë, ata duhet të kujdesen për këto fusha që i përmendëm. T’i caktojnë vetes një përqindje nga të ardhurat e veta vjetore, për të lartësuar emrin e shqiptarëvet. 2% apo 5% të të ardhuravet të veta, nga ato që gjithsesi do t’i shpenzojë nëpër qejfe, t’i japë i pasuri shqiptar rregullisht për kulturën e Kombit Shqiptar.
Ky do të ishte Fronti Patriotik i të Pasurvet Shqiptarë. Nuk ka nevojë të mblidhen nëpër kongrese, nuk ka nevojë të tubohen për të hartuar rezoluta, ndonëse edhe këto mund të bëhen. Por ka nevojë që secilit t’i vlojë në shpirt aq dashuri sa duhet, për Kombin. Nëse ndodh kështu, është më se e sigurtë që shqiptarëvet do t’u kthehet besimi te klasa e të pasurvet dhe kjo ka shumë rëndësi për të krijuar brenda Kombit tonë një osmozë të përgjithshme mirëkuptimi. Në kohën e Gjergj Kastriotit ekzistonte midis arbërvet një i tillë mirëkuptim.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

SISTEMI I DREJTËSISË AKTUALE NË KOSOVË

Analiza Sistemi I drejtesise aktual në kosovË SISTEMI I DREJTËSISË AKTUALE NË KOSOVË  Afërditë Bekteshi                                                                             afë[email protected]                                                                                                                   Mob.:  (+386)…