IRIDA XHENETI*): DIPLOMACIA E SË ARDHMES…

Tiranë, 24. 07. 2014 – Si do të jetë Diplomacia pas qindra vitesh, a do të ndryshojë ajo? Pyetje të tilla i bëjnë zakonisht ata, që e konsiderojnë Diplomacinë bashkëkohore si thjesht tradicionale, elitare dhe të përshkruar nga tisi i misterit. Ide të tilla ushqehen nga sjellja e një grupi diplomatësh, të cilët kanë mbetur të izoluar në metodat e ngurta të së kaluarës.
Diplomacia po ndryshon përpara syve tanë. Përballë sfidave të reja ndryshojnë strukturat e saj, metodat, modele të reja si psh., Diplomacia e integrimit dhe paradiplomacia…
Ndoshta, në shek.XXII modelet ekzistuese të Diplomacisë do të zhduken, por diplomacia si art i të zgjidhurit të konflikteve me mundësi paqësore do të vazhdojë ekzistencën e saj…
E ardhmja ka filluar të trokasë. Neoliberalët shtrojnë pyetjen, nëse duhen ende diplomatët, në rrethanat kur biznesmenët mes tyre mund të bien gjithashtu në marrëveshje, duke kërcënuar zinxhirin burokratik në institucionet e politikës së jashtme.
Bota e biznesit me këmbëngulje rekruton/josh nxënësit më të mirë, duke i premtuar një rrogë të pakrahasueshme me atë të ofruar në shtet. Teoricienët e lojërave në tregun botëror garantojnë rritjen e andrenalinës dhe mundësinë e të fituarit këtu dhe tani, nëse pa dyshim ecën edhe fati.
Demokracia dhe krizat
Në këtë kontekst shërbimi diplomatik përfundimisht demokratizohet dhe është gati të hapë dyert për të gjithë. Thjesht duhen kaluar konkurset dhe të kesh njohuri relative në gjuhë të huaj. Përveç kësaj, nëse dëshironi të punoni në ambasadë, nuk është e domosdoshme të bëhesh diplomat. Specialistët e profileve të ndryshme dhe disa diplomatë të karrierës përbëjnë vetëm 15-20 %.

Krizat e dhjetëvjeçarëve të fundit e përkeqësuan më tej problemin në rang botëror. Ndaj mosfinancimit të mjaftueshëm dhe buxhetit, që nuk krahasohet me buxhetet e institucioneve të sigurisë, gjithmonë ankohen krerët e shërbimeve të jashtme.
Duke humbur pozitën e ‘monopolit’ të interesave shtetërore, institucionet bashkëkohore diplomatike janë të detyruara të shfaqin elasticitet të paprecedent në kërkimin e formave dhe metodave të reja të punës më pak të kushtueshme. Për BE-në është aktuale pyetja: të shpenzohen lekët për marrëdhëniet dypalëshe apo të kufizohen me strukurat mbarëeuropiane? Rishikimi i marrëveshjes së Lisbonës, ndryshimi i mekanizmit të votimit, Politika e jashtme e përbashkët dhe politika e sigurisë mund të mundësojnë refuzimin e ambasadave tradicionale dypalëshe.
Një tjetër shqetësim për Diplomatët përbëjnë figurat e Presidentëve dhe kryeministrave, që me simpatitë, antipatitë, deklaratat emocionale të papritura i vendosin shpesh në situata jo të lehta edhe diplomatët më të aftë profesionalisht.
Në vitin 1925, diplomati francez, Jule Cambon shtroi pyetjen: ‘Demokracia gjithmonë do të ketë nevojë për presidentë e ministra, por a do të ketë gjithmonë nevojë për diplomatë?’
Një sfidë për diplomatët profesionistë janë edhe organizatat joqeveritare. Ato bëhen aktive në politikën botërore, marrin pjesë në bisedime, ndonjëherë iu shkaktojnë pengesa / probleme shtetarëve dhe diplomatëve.
Por, sfida kryesore aktuale për diplomatët janë teknologjitë e larta.
Për fundin e Diplomacisë u diskutua jo shumë kohë më parë, në lidhje me publikimet e WikiLeaks. Letërkëmbimi sekret i diplomatëve u bë i njohur për publikun e gjerë. Lind pyetja: ‘Është e mundur të ruhet konfindencialiteti në hapësirën kibernetike?
Në një konferencë, të dedikuar problemeve të sekretit, një diplomat amerikan bëri një propozim tejet paradoksal. Në supermarket, deklaroi ai, ndonjëherë vendosin te shpenzimet koston e mallrave, të cilët pa dyshim që do të vidhen. Të llogaritësh vjedhjet kushton më pak se të vendosësh videokamerat dhe staf sigurie. E njëjta dukuri ndodh edhe me Diplomacinë. Kohë pas kohe, pashmangshmërisht dikush tentohet nga akti i shitjes së sekreteve. Propozimi i tij konsistonte në heqjen dorë nga shifro-telegramet dhe kalimi në komunikimin përmes internetit pak të kushtueshëm.
Rivale të fuqishme e agresive të Diplomacisë janë mediat.
Thuhet se, ish kryeministri i Kanadasë, Pierre Trudeau propozoi ndryshimin e ministrisë së jashtme të kushtueshme me abonimin në gazetën ‘New York Times’. Atij i dukej se korrespodentët e gazetave ishin më mirë të informuar se autorët e komunikimit diplomatik. Mediat elektronike po kthehen në rivale gjithnjë e më serioze për ambasadat, pasi japin në kohë reale informacion nga pikat e nxehta. Për të mos folur për rrjetet sociale të cilat janë të afta jo vetëm të informojnë mbi ngjarjet, por edhe të ndikojnë në evoluimin e tyre…Si rezultat diplomatët e rangjeve të larta janë të detyruar gjithnjë e më shpesh të përfshihen në rrjetet sociale dhe aty të mbrojnë, promovojnë, ruajnë pozitat e tyre…
Diplomacia mbrohet…
Diplomatët janë të gatshëm për kundërsulm. Me zhvillimin e revolucionit elektronik lindin pafundësisht mundësi të reja. Departamenti amerikan i shtetit pas 10 viteve nga mbyllja e ambasadës së SHBA-së në Teheran, vendosi të krijojë në kryeqytetin e Iranit një ambasadë virtuale, përmes internetit, pa vendosjen paraprake të marrëdhënieve diplomatike.
Në fakt, konventa e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike në hapësirën kibernetike nuk është miratuar ende. Për të njëjtën arsye (mungesën e një konvente të tillë për hapësirën kibernetike), disa orë më pas shfaqjes në internet së faqes së sipërmendur, iranianët e bllokuan atë.
Duke u përballur me sfidat e reja, shtetet kanë nisur të përdorin si armë diplomatike ‘Diplomacinë Publike’, që përbën njëfarë sinteze vlerash, propagande dhe teknologjish të marketingut. Me ndihmën e Diplomacisë publike, qeveritë shpresojnë të ndikojnë mbi opinionin publik të shteteve të tjera, të formojnë një imazh pozitiv për kombet e tyre, të fitojnë simpatinë e shteteve të tjera, duke kthyer në favor të vendit të tyre komunitetin ndërkombëtar. Diplomatët tashmë ‘dalin nga hija’ dhe janë të ftuar në auditore nga më të ndryshmet, duke përsosur artin e diskutimit, bindjes, etj.
Ide edhe më joshëse/interesante është që një shtet të zhvillojë Diplomacinë publike, duke mos dalë nga kryeqyteti i tij.
Psh në ‘hapësirën virtuale’, Ministria e Jashtme e Zvicrës ndërtoi një ambasadë virtuale, e cila ishte një kopje e ambasadës zvicerane në Washington. Në ambasada të tilla virtuale, mund të marrësh pjesë në seminare, të dëgjosh leksione, apo mund të ‘marrësh me qera’ ndërtesën për të zhvilluar takime vetiake dhe konferenca. Diplomatët vitualë të palodhur janë të gatshëm t’i shërbejnë publikut 24 orë.
Çdo Ministri e Jashtme mund të blejë ‘tokë’, apo edhe një ‘ishull’ të tërë në këtë hapësirë 3D, duke hapur atje përfaqësinë e tyre.
Çarë do të ndodhë me diplomacinë?!…
Gjatë zhvillimit historik u zhdukën modelet diplomatike të antikitetit, mbeti në të kaluarën modeli i Diplomacisë së Mesjetës së Vatikanit, vetëm në formën e kujtesës mbetën urdhëresat e ambasadave. Ky fat mund t’i takojë edhe modelit aktual të Diplomacisë me institucionet e saj gjigande të Politikës së Jashtme dhe përfaqësive të përhershme diplomatike dypalëshe. Vijon procesi i ndryshimit të parametrave të diplomacisë së integrimit. Po zgjerohet gjithnjë e më shumë rrjeti i të ashtuquajturave përfaqësi paradiplomatike. Duket se, fushëveprimi i Diplomacisë po zgjerohet ndjeshëm.
Mund të fantazojmë se në shek.XXII, diplomatike do të cilësohen marrëdheniet midis aktorëve nga të ndryshmit-humanitarë, komercialë, fetarë, gjinorë.
Një e ardhme e tillë do të ishte jehonë e të shkuarës. Edhe në Mesjetë, diplomatë bëheshin të dërguarit e qyteteve, mbretërive dhe thjesht feodalët. Në të ardhmen, edhe në marrëdhëniet midis grupeve jo të mëdhenj të njerëzve, të ndërgjegjshëm për sovranitetin dhe konfliktualitetin, gjithmonë do të gjehet shkak për aplikimin e Diplomacisë.
Një perspektivë e tillë hap hapësira për veprimtarinë e akademive diplomatike, shkollave, instituteve dhe arsimimit në distancë.
Në të ardhmen që na pret, seicili është i detyruar të studiojë artin e negociatave, protokollin dhe të pajiset me aftësi të grumbullimit dhe analizës së informacionit (mundësisht sërish me shpenzimet e tij).
Konkluzion: Modelet e Diplomacisë mund të ndryshojnë, por Diplomacia si një art i qëndrueshëm i zgjidhjes paqësore të konflikteve, sipas gjasave do të ekzistojë përjetësisht, ndërsa analistët e talentuar dhe negociatorët e aftë do të jenë gjithmonë të kërkuar nga tregu.
_______
*) Autorja ka kryer Master në Universitetin e Moskës ‘MGIMO’ për Politikën e Jashtme të shteteve perëndimore dhe SHBA-së dhe Master në Universitetin ‘La Sapienza’-Romë për Gjeopolitikë dhe Siguri Globale.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura