MILAIM SHEFKIU: MARRËZIA E SHKUPIT! U PËRGJAKËN DEPUTETËT E DY PARTIVE SHQIPTARE PDSH&BDI!!!

Prishtinë, 30. 08. 2014: Një skenë e turpshme me protagonistë shqiptarë, ka ndodhur dy ditë më parë në një nga sallat e Kuvendit të Maqedonisë, e cila u “la” me gjak të ligjvënësve. Një skenë që pushtoi të gjitha mediet evropiane, ia qiti “zërin e zi” shqiptarëve në Ballkan, veçanërisht atyre në Maqedoni. Për çështje që tejkalojnë fuqitë e tyre legjislative, u grushtuan deputetët e dy partive shqiptare, Partisë Demokratike Shqiptare dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, duke shkëmbyer grushte, shkelma, boksa e shpulla, si në ndonjë ndeshje kik-boksi.
Rrahja ndodhi në njërin nga Komisionet Parlamentare ku po diskutohej për alokimin e mjeteve buxhetore, ose thënë ndryshe, në një takim ku deputetët shqiptarë “po çanin dërrasa”, për diçka që vendos Nikolla Gruvksi dhe partia e tij VMRO DPMNE, e cilado një herë është dëshmuar si parti antishqiptare.

……………………………………………

Shkup, 26.08.2014: Të martën, Deputetët e PDSH-së dhe BDI-së u përleshën me grushte, në Komisionin për Buxhet. Deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi sulmoi deputetin e BDI-së Rexhail Ismaili, i cili përfundoi në spital. U desh kohë dhe përpjekje për t’i ndarë deputetët e përgjakur. ALSAT ju sjellë atmosferën e debatit dhe shkëmbimit të grushteve.(sh.b)

***

Pra, krejt ajo që ndodhi, ishte sikurse rrahja për “yjet dhe qiellin”, ndërsa grushtet dhe përgjakja e disa “alamet” burrash, mund të përshkallëzohet edhe më shumë, duke marrë përsysh kanosjen e disa ligjvënësve me “vrasje”.
Kjo dramë që u shfaq në “teatrin” e Kuvendit të Maqedonisë, nuk ishte e rastit, as nuk ishte spontane sikurse u interpretua nga disa media dhe analistë, por ishte një akumulim urrejtjesh ndërmjet shqiptarëve tash e 12 vjet.
Duke shkëmbyer akuza të llojit frankenshtajn e kuisling, shërbëtorë e sahanlëpirës, herë në njërën anë e herë në anën tjetër dhe duke mos pasur durimin t’i përballojnë kritikat nga tabori tjetër, ka ardhur deri të përleshja e marrë, midis Kuvendit.
Skena si ajo e së martës ndodhin gjithandej nëpër botë, mirëpo arsyeja e përleshjeve është tjetër, kryesisht për çështje madhore ose edhe aty ku cenohet direkt e drejta e sovranit.
E në Maqedoni në vend që të ndodhë grushtimi i ligjvënëse për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, për çështjen “Monstra”, për dygjuhësinë e cunguar, për të drejtat e barabarta në punësim, për diskriminim në zhvillimin infrastrukturor të rajoneve shqiptare, për mos-hapjen e pikëkalimeve me Kosovën dhe me Luginën e Preshevës, e për qindra probleme të tjera që i preokupojnë për çdo ditë shqiptarët në Maqedoni, të zgjedhurit grushtohen ndërmjet vete për diçka që s’ia var kush.
Marrëzi ordinere.
Fatkeqësisht këto skena që po ndodhin sot, i ka parashikuar shkrimtari, publicisti e politikani më i talentuar shqiptar, Faik Konica një shekull më parë.
“Në çdo punë që bëni, në çdo masë që merrni, në çdo lëvizje e në çdo fjalë që ju del nga goja, shoh shenjën e një barbarie të thellë…Më tepër plakem dhe më tepër më hyjnë dyshime nëse do të qytetërohemi ndonjë ditë…!”, ka thënë Konica. Edhe një herë po them se shkopi (llozi) është produkt i demokracisë, por jo tek ne që ende, fatkeqësisht, mbizotëron kushtetuta arkaike – “Kanuni i Lekë Dukagjinit” që gjakun e lanë me gjak.
Edhe nëse grushtet e shpërndara në Kuvend, kanë qenë spontane, siç thonë disa, një gjë është e qartë: larja e faqeve të “gjakosura” ka ndodhur në jazin e mullirit të Gruevskit.
Të gjithë shqiptarët, gjithandej ku janë, shpresojnë se kjo do të mbetet me kaq dhe skena e së martës të mbyllet si një kapitull i errët i demokracisë parlamentare dhe si momenti i fundit i kthesës së shqiptarëve për së mbari.
Deputetët që u përfshinë në këtë marrëzi duhet të largohen nga skena politike, e bashkë me ta edhe ata që po i kontribuojnë ndarjes së shqiptarëve në Maqedoni. Fundi i fundit, trim nuk është vetëm ai që shpërndanë grushte, apo ai që i qëndron më së shumti grushteve, por edhe ai që e di kur bëhet boll. E për disa shqiptarë në Maqedoni u bë boll.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura