XHEMAJL PLLANA: REAGIM KUNDËR CËNIMIT TË RËNDË TË TË DREJTAVE NJERËZORE, DHE SHKELJEVE DRASTIKE LIGJORE NGA ANA E AUTORITETEVE NË MINISTRINË E TREGTISË DHE INDUSTRISË

Prishtinë, 18. 09. 2014: Duke iu referuar Njoftimit për nxjerrjen e “Listës së nëpunësve tepricë në MTI”, të shpërndarë nga Udhëheqësja e Divizionit të Burimeve Njerëzore, më 05. 09. 2014, të nënshkruar kundërligjshëm nga Drejtori i Departamentit për Integrime, Irfan Lipovica, për Eljana Naka.
Kjo listë është rezultat i shkeljeve të rënda ligjore që janë kryer prej miratimit të Rregullores nr. 29/2012 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e vendeve të Punës të MTI, datë 07.12.2012.
Nxjerrja e kësaj liste është kulmim i të gjitha shkeljeve dhe cenimit të të drejtave të nëpunësve civil në MTI, e veçmas të atyre që janë futur në këtë listë prej 8 zyrtarëve.
Prej miratimit të rregullores së lartëpërmendur, që është në kundërshtim të plotë me legjislacionin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, janë pranuar me dhjetëra persona nga jashtë, me çka janë shkelur të drejtat e nënpunësve civil brenda Ministrisë, të cilët nuk janë sistemuar e transferuar në pozita të lira prej se është miratuar rregullorja nr. 29/2012. Kjo me qëllim që tani të shpallen “nëpunës tepricë”.
Përkundër faktit se kemi kërkuar sistemim, sepse kemi pasur Aktemërimin, asnjëherë nuk na është dhënë ndonjë përgjigje, edhe pse është obligim ligjor një gjë e tillë.

Prej se punoj në këtë Ministri, janë ndërruar shumë Ministra e kabinete, sekretarë, drejtorë e zyrtarë, të ditur e të pa ditur, me kualifikime e pa to. Të shumtën e rasteve, punësimet kanë qenë farefisnore e partiake, disa prej të cilave shumë më shumë i kanë sjellë dëme ministrisë sesa dobi.
Në njësi të ndryshme organizative brenda MTI-së, në vazhdimësi ka pas lëvizje të drejtorëve, varësisht nga partia që ka pas pushtetin, pa kurrfarë kriteresh. Në vazhdimësi është shkelur Ligji për Shërbyes Civil dhe etika profesionale e marrëdhënies së punës, dhe asnjëherë, asnjë përgjegjësi a llogaridhënie. Personat e pranuar jashtëligjshëm në punë janë avancuar me kohë, paguhen me koeficient të lartë, bile disa prej tyre kanë përfituar edhe nga fondi për kuadro, janë caktuar për udhëtime zyrtare jashtë vendit sa për mëditje.
Ne nuk duhet të lejojmë që njerëz të tillë të papërgjegjshëm t’i trajtojnë në këtë formë institucionet tona, prandaj, ky reagim është në funksion të mbrojtjes së shtetit, institucionit, profesionalizmit, të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe kundër cenimit të vlerave të punëtorëve.
Shteti dhe Institucionet në çdo rrethanë duhet të jenë të qytetarëve dhe për qytetarët! Ngase për këtë liri që kemi sot, janë sakrifikuar breza të tërë.
Xhemajl Pllana, Zyrtar për Politika Turistike, Divizioni i Turizmit, Departamenti i Industrisë – MIT.
***
Provë:
“RAPORTI I AUDITIMIT PËR PASQYRAT FINANCIARE TË MINISTRISË SË TREGTISË DHE INDUSTRISË PËR VITIN 2013”
Nr. i Dokumentit: 21.3.1-2013-08
Çështja 14 – Avancet për udhëtime zyrtare – Prioriteti i lartë.
Tejkalime të buxhetit për udhëtime zyrtare. Buxheti për 2013 ishte 210, 420€ ndërsa shpenzimet ishin 331, 584€ apo 121, 164€ (57%) më të larta se shuma e buxhetuar…
Çështja 15 – Dobësi sistematike në menaxhimin e personelit – Prioritet i lartë
Rishikimi ynë ka identifikuar një varg dobësish në menaxhimin e personelit të cilat janë paraqitur në vijim:
Pesë pozita të larta drejtuese gjatë vitit 2013 ishin udhëhequr me ushtrues të detyrave për periudhë më të gjatë se 3 muaj;
Pozita më e ulët paguhet si pozitë më e lartë dhe anasjelltas. Një prej këtyre rasteve është kur në muajin gusht 2013, një udhëheqës brenda API-së është paguar sipas koeficientit 15, derisa vendimin për zbritjen e koeficientit e ka në Shtator. Njëkohësisht ekzistojnë raste të shpeshta ku ka dallime në koeficientët e pagës ndërmjet pozitave të të njëjtit nivel;
Të punësuarit paguhen nga lista e pagave e departamenteve që nuk u përkasin. Kjo është vërejtur të paktën në katër (4) departamente/agjenci;
Mbajtja dhe pagesa e pozitave në departamente të shuara siç (‘Departamenti i Ndërtimtarisë’) apo jo-funksionale si „Sektori i Mbikëqyrjes Inspektuese në Ferizaj’;
Numër i lartë i ankesave në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, i cili shpesh ka marrur vendime në favor të palës së ankuar. Vetëm në një rast kjo i ka kushtuar ministrisë me humbje financiare duke paguar kompensim në shumë prej 6, 386€; dhe
Dobësitë e identifikuara rrezikojnë që të ketë mbi-shpenzime për paga dhe paga/shtesa potencialisht të parregullta, të ndikojnë negativisht në motivimin e stafit dhe ta dërgojnë ministrinë në procese gjyqësore duke i shkaktuar humbje të tjera financiare.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura