QENDRA JUSUF GËRVALLA – PSE U VRA JUSUF GËRVALLA, KADRI ZEKA DHE BARDHOSH GËRVALLA? GËNJESHTRAT DHE E VËRTETA! (14)  

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – PSE U VRA JUSUF GËRVALLA, KADRI ZEKA DHE BARDHOSH GËRVALLA? GËNJESHTRAT DHE E VËRTETA! (14)  

Nga Xhafer Durmishi – Pashtriku, më 18 shkurt 2023

Një mërgimtar: Me vrasjen e Jusufit, Kadrit dhe të Bardhoshit „Pushkë të madhe ka qitë Serbia“!

12-15. Pse u vra Jusuf Gërvalla?

Jusuf Gërvalla është vra nga UDB-a serbe për shkak të punës së pandërprerë prej momentit kur ka mbërri në Gjermani, për gjithë punën gjatë vitit 1980, e për punën kryesore gjatë vitit 1981. Në mungesë të fakteve, nuk mund ta dimë se në cilën datë mund të jetë marrë vendimi për vrasje, në cilin muaj është përgatitë ekipi vrastar por për këtë është dashur shumë kohë dhe shumë përgatitje. Kjo përgatitje është bërë të paktën me javë të tëra, do të thotë shumë më herët se 12 janari 1982, do të thotë shumë më here t se dita e udhëtimit të Kadri Zekës në Dusseldorf.

 Ekzistojnë tri segmente të motivit për vrasje:

-Vrasja është bërë si hakmarrje për gjithë punën që e ka bërë, që e ka kryer Jusuf Gërvalla.

-Vrasja është bërë si masë për ta ndërpre (dhe ky është segmenti kryesor) atë punë e veprimtari, pasi ka qenë e pamundur për UDB-në ta ndërprej me metoda tjera. Në bazë të punës së Jusuf Gërvallës gjatë viteve 1980 e 1981, UDB-ja e ka shumë të qartë se çfarë pune mund të pritet prej tij në të ardhmen. Punën e veprimtarëve brenda territorit të RSFJ, atë që ka mund ta zbuloj e ka ndërpre, në përqindjen më të madhe, me burgje.

-Vrasja është bërë me qëllim të kërcënimit e frikësimit të të tjerëve, për t’u treguar se çfarë mund t’i pret ata që e vazhdojnë atë rrugë.

Vrasjen e Vëllezërve Gërvalla, Lëvizja e Jusuf Gërvallës përjetësisht e ka përballua.

12-16. Pse UDB-ja e ka rrethua shtëpinë së Jusuf Gërvallës

Shtëpia e Jusuf Gërvallës është rrethuar nga UDB-ja serbe për një shkak të vetëm dhe asnjë tjetër, e ai shkak është se në te ka jetuar e ka vepruar, e ka ligjëruar me Zërin e tij Jusuf Gërvalla.

Shtëpia e Jusuf Gërvallës nuk është rrethuar pse aty ka jetuar dhe vepruar Bardhosh Gërvalla.

Shtëpia e Jusuf Gërvallës nuk është rrethuar për shkakun se aty ka qenë mysafir i rastit Kadri Zeka.

Rrethimi i shtëpisë së Jusuf Gërvallës mund të kuptohet vetëm nga prizmi i luftës serbomadhe kundër ekzistencës së popullit shqiptar.

Rrethimi i shtëpisë së Jusuf Gërvallës, (po të shprehemi me etiketat e OMLK-së), nuk është rezultat i luftës së komunistëve të vërtetë të UDB-së serbe me komunistët e rrejshëm të OMLK-së për hegjemoni, e për çështje ideologjike se a është më i mirë sistemi socialist apo kapitalist.

 Nga kjo rrjedhë se:

 -Vrasja e Jusuf Gërvallës nuk ka asnjë lidhje të vetme me gënjeshtrat, manipulimet, manovrimet, josinqeritetin, megalomaninë dhe idetë e çoroditura të OMLK-së; me Frontin e OMLK-së, me Tezat për Front të OMLK-së, të Kadri Zekës, Mehmet Hajrizit, Hydajet Hysenit, Berat Luzhës, Hasan Malës e ndonjë tjetri. Me taktikat, me metodat dhe me praktikat e OMLK-së Jusuf Gërvalla është shkëputur përjetësisht më 17 tetor 1981 në panairin e librit në Frankfurt.

12-17. Parazitizmi patriotik

Një skemë e gabuar mendimi:

Akti i atentatit është numerikisht një (1) akt. Pasi akti serbomadh është vetëm një akt edhe Jusufi e Kadriu e kanë bërë vetëm një akt.

Cili është ai akt?

Ata e kanë bërë bashkimin.

Prandaj sa herë të pyet dikush pse u vra Jusuf Gërvalla? përgjigja mund të jipet vetëm në një fjali të thjeshtë: Sepse e ka bërë bashkimin!

Kjo logjikë sa duket e thjeshtë edhe primitive, është kriminale dhe e ndyrë pasi, një jetë e tërë përgatitjeje e veprimi në shërbim të popullit tentohet të thjeshtohet e komprimohet në një fjali, dhe atë të rrejshme. Pra një jetë e tërë përgatitje e veprim për popullin për të cilin e jep jetën, komprimohet në një fjali të thjeshtë, të rrejshme, në një gënjeshtër të ”pafajshme”, në një gënjeshtër të bardhë, në një gënjeshtër që nuk e dëmton askend. 

Është e pamundur të mos shtrojmë pyetjen: Të gjithë ata që duan ta thjeshtojnë jetën e të tjerëve në një fjali të rrejshme, si do të ndiheshin parazitët sikur dikush t’ua thjeshtonte jetën e tyre prej paraziti e shushunje në një fjali të vetme, në një gënjeshtër.

12-18. E zakonshmja dhe e jashtëzakonshmja

Një skemë e gabuar mendimi:

Ngjarja, akti i vrasjes është akt i jashtëzakonshëm.

Çka rrjedh nga kjo?

Se Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë qenë të angazhuar duke bërë një punë të jashtëzakonshme.

Ky është një gabim logjik, një gënjeshtër për vetveten.

Çka ka të jashtëzakonshme me pritë mysafirë në shtëpinë tënde. Gjëja më e zakonshme në botë është me pritë mysafir edhe nëse janë të paftuar.

12-19. Pasivja dhe aktivja

Një skemë e gabuar mendimi:

Akti i atentatit të UDB-së serbe është një akt aktiv. Edhe vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka nuk kanë bërë sehir. Edhe ata i janë kundërpërgjigjur aktit aktiv me aktivitet duke e bërë bashkimin.

Kjo nuk ka të bëjë me realitetin, kjo logjikë është e mbështetur vetëm në dëshira.

12-20. Lufta dhe paqja

Akti i UDB-së është një akt lufte i Serbisë kundër popullit shqiptar. Aktit luftarak me plumba të Serbisë, i janë përgjigj me luftë duke e bërë bashkimin. Jeta në paqe në Gjermani do të ishte e barabartë me një jetë në gjumë.

Jusuf e Bardhosh Gërvalla kanë jetuar një jetë në paqe në Gjermani, por jo në gjumë. Vëllezërit Gërvalla nuk kanë bërë asnjëherë ndonjë vepër në kundërshtim me ligjet në Gjermani. Puna politike, veprimtaria politike përmes gazetave, e krijimit të opinioneve në Perëndim çmohet shumë dhe ndihmohet financiarisht nga shteti, pasi konsiderohet si gurthemeli i ekzistencës së shtetit.

Puna e Jusuf Gërvallës sipas ligjeve të Jugosllavisë ka qenë e ndalueshme, por ligjet e Jugosllavisë nuk kanë vlejt në Gjermani. Ky dallim dhe kjo ndeshje në mes sistemeve të ndryshme, dhe përdorimi i armëve të zjarrit kundër personave të paarmatosur që jetojnë në paqe në shtëpinë e vetë me familjen e vetë e me mysafirët e vet është një akt kriminal i atij karakteri që vazhdimisht do të tërheq vëmendje.

Filma të bazuar në romanin e Leo Tolstoit, Lufta dhe Paqja, dhe vetë romani ku përshkruhen luftërat e Napoleonit në Rusi, lexohen me respekt si në Rusi ashtu edhe në Francë, Gjermani e në gjithë botën, sepse ekziston një ekuilibër, njerëzit veprojnë nga kushte të barabarta e me armë të ngjashme. Ky libër në Francë, i përkthyer në frëngjisht, i lexuar me zë të lartë (audio) nga aktorët më të mirë të Francës është dhjetë herë më i shtrenjtë sesa origjinali në rusisht, i lexuar nga aktorët më të mirë të Rusisë. 

Vrasja e personave paqësor, vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, në shtëpitë e familjet e tyre ka qenë akt kriminal kundër themeleve të civilizimit Perëndimor, i dënueshëm dhe i cili prishë të gjithë kufijtë në mes luftës e paqes.

 Në vazhdim të kësaj, më kujtohet shumë mirë një ngjarje në vitet 1970-të, kur Titoja gjatë një vizite në Britaninë e Madhe ka kërkuar të bëjë presion për ndalimin e revistave e aktiviteteve politike kroate. Britanikët iu kanë përgjigj:

„Ne nuk i ndalojmë, përderisa i respektojnë ligjet tona. Kjo është liria dhe burimi i jetës sonë si njerëz të lirë. Këtu në Londër, në pjesën kryesore të veprimtarisë, i ndjekur nga gjithë Evropa ka vepruar Karl Marksi dhe atë nuk e kemi ndaluar. Sikur ta kishim ndjekur këtë logjikën tënde e plotësuar kërkesën tënde me i kufizua liritë e atyre që me forcën e penës krijojnë opinione, sistemi yt politik sot nuk kish ekzistua.“

12-21. E organizuara dhe spontania

Një skemë e gabuar mendimi:

Vrasja nga UDB-a serbe është një punë shumë e organizuar e nivelit më të lartë shtetëror. Por as Jusufi e as Kadriu nuk i kanë mbetë borxh UDB-së se edhe ata janë marrë me organizim në nivelin më të lartë.

Sa i përket pjesës së UDB-së fjalët e mësipërme janë të vërteta. Sa i përket pjesës së dytë, Jusufit e Kadriut janë të pavërteta, janë dëshira e zbukurime për me e gënjye vetveten.

Kadri Zeka ka bërë punë të organizuar vetëm e vetëm për OMLK-në dhe Frontin Popullor për Republikën e Kosovës. Për këtë qëllim është nisë nga Zvicra për Dusseldorf më 12 janar 1982, dhe vetëm për punë të OMLK-së e të Frontit ka ardhë në Shtutgart, i paftuar nga Jusuf Gërvalla, dhe pa asnjë koordinim me Jusuf Gërvallën dhe pa i marrë leje Jusuf Gërvallës.

Jusuf Gërvalla, pas 17 tetorit 1981 është marrë me organizim, vetëm e vetëm për Lëvizjen e tij Nacionalçlirimtare, pa i marrë kurrë leje Kadri Zekës e OMLK-së. Edhe tubimin që e ka bërë në Shtutgart me 20 punëtor më aktiv të Shtutgartit, në mbrëmjen e 16 janarit 1982, e ka bërë pa i marrë leje Kadri Zekës. Kjo do të thotë se ka pasur aktivitet të organizuar vetëm brenda organizatave por nuk ka pas aktivitet e unitet në mes Lëvizjes së Jusuf Gërvallës dhe OMLK-së së Kadri Zekës. Manifestimi i përbashkët i 28 Nëntorit 1981 në Shtutgart nuk ka qenë shembull uniteti e bashkimi por pjesë e përgatitjes së një skenari të planifikuar prej OMLK-së për me e vendosë Jusuf Gërvallën dhe Lëvizjen e tij para një akti të kryer, përmes thirrjes: ”Të gjithë në Front! Të gjithë për Frontin!”

Untergrupenbach, 20 janar 1982: Bashkëveprimtarët e Jusuf Gërvallës pranë kufomave të Jusufit, Kadriut e Bardhoshit.

12-22. Humbja-Hakmarrja-Fitorja

Një skemë e gabuar mendimi:

Akti i atentatit është një fitore për shovinizmin serb. Por edhe Jusufi e Kadriu nuk kanë ndejt duarkryq. Ata e kanë bërë bashkimin në momentin e fundit dhe kështu fitoren e shovinistëve e kanë shndërruar në humbje, e humbjen në dukje shqiptare e kanë shndërrua në fitore.

Vrasja e 17 janarit 1982 është humbje e madhe për popullin shqiptar. Në ceremoninë e pritjeve për ngushëllime një nga ata që kishin ardhë në Untergruppenbach, me një rast tha: Pushkë të madhe ka qitë Serbia!

Politizimi, aktivizimi e revolta e popullit tonë, pas kësaj ngjarjeje, nëpër të gjitha vendet është një temë tjetër.

Resul Bedo mund të themi se është njeri neutral dhe i paimplikuar në rivalitete politike. Megjithate fjalët për ftesën e Jusufit e Bardhoshit, janë fjalë që i ka ndëgjuar prej të tjerëve. Ato shprehin dëshirë naive, dëshirë për hakmarrje ndaj Serbisë por nuk paraqesin realitetin.

Resul Bedo: “Dy ditët e fundit të jetës së tij Kadri Zeka i kalon në Dyseldorf mes atdhetarëve dhe më 16 janar 1982, pasdite, udhëton për në rrethin e Shtutgartit, ku është i ftuar nga Jusuf e Bardhosh Gërvalla.” (Pishtarët e lirisë, Editor Begzat Baliu, Shtëpia botuese ERA, Prishtinë, 2002, faqe 19; Botimin e ndihmuan: Dardan S. Novosella, Hamzi Rahimi dhe Sibush Haziri)

 Sabri Hamiti në dramën Misioni mund të thuhet se nuk është neutral si Resul Bedo por ia mban anën më shumë Suzanës e Jusufit se sa të tjerëve.

Por shprehja e tij “Nuk është mirë të ndahemi pa marrëveshje”, është e gabuar pasi skema e pikënisja është e gabuar, e cila ka në bazë mëllefin kundër Serbisë, dhe dëshirën për një nivel më të lartë organizimi. Ajo paraqet një dëshirë por jo një realitet.

Sabri Hamiti: ”ISA (Jusuf Gërvalla), paqetësisht.

Jemi me nerva. Le të kalojmë si njerëz të pjekur mbi këto fjalë e zjarmi. Ne na bashkon diçka më e madhe se jemi vetë. Nuk është mirë të ndahemi pa marrëveshje.

KEQA (Ibrahim Kelmendi)

S’ka vend për shqetësim, Isë. Ne në fakt u morëm vesh. Ne u njohëm më mirë se kurrë. Është me rëndësi që këtu nuk ka njeri të parë, të dytë, a të tretë. Të gjithë jemi ushtarë të një beteje të madhe, në të cilën ndoshta do të biem. Është e qartë që unë do të bart edhe më tutje flamurin nëpër sheshe, e ti do të shkruash proceset publike e letrare të kauzës sonë, kurse Luli me Lulën e vet e lulët e tjerë do ta hedhin krahërorin përpara në betejat që na presin. Ngrihet në këmbë. Tani po nisem. Kam një punë që nuk pret.

ISA, mëdyshtas.

Nuk prita se do të mbaronte kështu… Kam në vete një zbrazëti.

LULI (Kadri Zeka), ia shtrin dorën Keqës.

Mirupafshim.” (Burimi: Misioni, Rilindja, Prishtinë 1997, faqe 48)

Të gjitha fjalët e përdorura për Resul Bedon e Sabri Hamitin, vlejnë edhe për Avni Klinakun.

Avni Klinaku “Ranë, pasi e vulosën dokumentin e bashkimit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. LAVDI!” (facebook, 17 janar 2013)

12-23. Jeta me mision kryer dhe jeta me mision të pakryer

Një skemë e gabuar mendimi:

-Jeta me mision të kryer ka vlerë

-Jeta me mision të pakryer nuk e ka asnjë vlerë

Do të nevoitej një zgjerim tejmase dhe jashtë kufijve të këtij libri me e definua misionin në jetë dhe me treguar se kur është kryer ai mision dhe kur nuk është kryer. Kjo temë është bosht i gjithë letërsisë botërore dhe aktivitetit njerëzor dhe askush nuk guxon me thënë se ai e ka përgjigjen për këto çështje.

 Për mos me u thellua më shumë dhe për me e thjeshtue këtë problematikë tej mase e për të qëndruar në temën e këtij libri, ndeshen thëniet gojore e edhe me shkrim që mund të kuptohen e nënkuptohen se:

-Kadri Zeka më 17 janar 1982 në shtëpinë e Jusuf Gërvallës e ka krye misionin e tij për të cilin paska lindë në këtë jetë,

-Jusuf Gërvalla më 17 janar 1982 në shtëpinë e vetë e ka krye misionin për të cilin ka lindur në këtë jetë, për të cilin e ka edukua Nëna dhe vendi ku është rritur.

Këto skema siç e kam vërtetuar bazohen në gënjeshtra dhe vetëm gënjeshtra, por që e kanë këtë domethënie:

-Misioni dhe ëndrra e Kadri Zekës në këtë jetë paska qenë me e ruajt rolin hegjemon dhe me e dominua Jusuf Gërvallën në shtëpinë e tij (Jusufit). Vetëm pse ia ka arritur këtij qëllimi jeta e tij ka vlerë. Në të kundërtën nuk do të kishte asnjë vlerë.

-Misioni dhe ëndrra e Jusuf Gërvallës paska qenë me u dominua nga një person e Organizatë, të cilët Jusufi me gojë dhe me shkrim, qëndrimet e tyre i quan:

-të çoroditura,

-organizatë e udhëhequr prej karrieristësh megalomanë,

-organizatë që bënë lojën e ”politikës së madhe”

-organizatë që bënë lojën e arrivizmit revolucionar,

-njerëz me ndjenja të epërsisë boshe mbi të tjerët,

-njerëz që duan t’i dominojnë të tjerët me çdo kusht

-njerëz të pasinqertë,

-njerëz që nuk e kanë merituar ndihmën e tij,

-njerëz që kanë bërë lojë të pahijshme me personin e tij,

-njerëz që kanë bërë lojë të pahijshme me organizatën e tij,

-njerëz të gënjeshtrave,

-njerëz që me manovrime e gënjeshtra bëjnë përpjekje për ta vënë Lëvizjen e tij para një akti të kryer,

-njerëz të punëve të pavërteta.

Unë nuk e përkufizoj misionin e Kadri Zekës në jetë ashtu siç kanë bërë shokët e tij apo si mund të nënkuptohet nga gënjeshtrat e tyre. Ta marrim se ky paska qenë misioni për të cilin paska lindur. Në atë mision ka dështuar tërësisht e përjetësisht si ai si shokët e tij. Dështimin e tij të plotë e vërtetojnë të gjitha fjalët me shkrim të Jusuf Gërvallës, të cilat tërësisht janë përfshi në këtë punim.

Jusuf Gërvalla kurrë në jetën e tij nuk ka ëndërrua me e dominua ndokend dhe as nuk e ka lejua askend ta dominoj atë. Qëllimin e tij në këtë jetë, misionin e tij në jetë në të cilën ka lindur e e ka edukua Nëna, fatin e tij në këtë jetë kurrë nuk e ka lidhë me Kadri Zekën e me OMLK-në.

-Misioni i Jusuf Gërvallës mund të kuptohet vetëm si i pastruar nga gënjeshtrat, manipulimet, manovrimet, jo sinqeriteti, megalomania dhe idetë e çoroditura të OMLK-së; të Kadri Zekës, Mehmet Hajrizit, Hydajet Hysenit, Berat Luzhës, Hasan Malës e ndonjë tjetri. Me taktikat, me metodat dhe me praktikat e OMLK-së Jusuf Gërvalla është shkëputur përjetëshit më 17 tetor 1981 në panairin e librit në Frankfurt.

Jusuf Gërvalla ka vdekur i padominuar nga Kadri Zeka e OMLK-ja, por kjo nuk do të thotë aspak se ka vdekur me mision të kryer. Jusuf Gërvalla ka pasë horizonte jetësore të pakufishme, dhe Kadri Zeka e OMLK-ja janë vetëm një episod në serinë e ditëve të jetës së tij. Jusuf Gërvalla është vra në fillet e fazës më të rëndësishme të jetës së tij.

Është shumë normale që në jetën njerëzore të mbesin gjëra të papërfunduara, të mbesin gjëra të pakryera, edhe për ata që jetojnë 100 vjet. Është ligj themelor i natyrës me iu mbetur njerëzve gjëra të papërfunduara, dhe kjo rrethanë nuk e bënë jetën më pak të vlefshme e më pak interesante.

Do të ishte mirë nëse çdo gjeneratë e kryen obligimin e vetë ndaj gjeneratës pasardhëse, duke zgjedhur sa më shumë probleme e duke lënë sa më pak gjëra të mjegulluara. Përkundër të gjitha përpjekjeve për sqarime, e për lehtësimin e strukturalizimin e jetës njerëzore, ligji i entropisë vepron fuqishëm në natyrë, dhe përkundër dëshirës sonë, ka shumë mundësi që secila gjeneratë pasardhëse të ballafaqohet me një realitet më kompleks, pikërisht si shkak i ligjit të entropisë.

 Unë jam mundua që shumë gjëra komplekse t’i sqaroj me dy sharte: Shartin e parë të turqnisë dhe Shartin e parë të shkinisë. Për gjeneratat e ardhme këto dy sharte janë të pamjaftueshme, pasi ato do të duhen të ballafaqohen edhe me shumë variabla tjera.

Nisja e një rruge që mbeti në fillimet e saj

Ismail Kadare: “Terrori i përditshëm, sistematik, monoton ishte shumë më i keq se dhuna spektakolare. Ishte dispozita e veçantë e komunizmit. I krahasuar, për shembull, me terrorin fashist, terrori komunist ishte shumë më diskret, i fshehtë, i heshtur dhe i maskuar”.

Ismail Kadare: ”Në mbarim të vitit 1981 në panairin ndërkombëtar të librit në Frankfurt të Gjermanisë Perëndimore, pata rastin të takoj për herë të parë e të fundit shkrimtarin, gazetarin dhe personalitetin e shquar të Kosovës, Jusuf Gërvallën. Erdhi te stenda e librit shqiptar së bashku me të vëllanë një ditë shiu, pa rënë fare në sy, midis dhjetëra vizitorëve. Trupmesatar, gjysmëbiond ai kishte në tërë qenien e tij atë lloj thjeshtësie dhe paraqitjeje të zakonshme, pas të cilës ndihet menjëherë thellësia dhe e pazakonshmja.

Biseduam gjatë atë ditë midis rrëmujës së panairit dhe pastaj më gjatë në mbrëmje në një kafe të qytetit. Poet, prozator, publicist militant, Jusuf Gërvalla kishte të gjitha cilësitë dhe dimensionet që e bëjnë të shquar një personalitet të letrave e të kulturës. Për fat të keq mundësitë e tij mbetën të pashprehura plotësisht.

Pak kohë më vonë, në natën e errët të 17 janarit 1982, ai bashkë me të vëllanë u vranë në Untergrupenbah në afërsi të Shtutgartit të Gjermanisë Perëndimore nga plumbat e armiqve të kombit shqiptar, duke shtuar kështu numrin e martirëve të këtij kombi. Vrasja e Jusuf Gërvallës ndërpreu, veç të tjerash, një nga krijimtaritë më origjinale e me kolorit të letrave shqipe.

Romani ”Rrotull” që lexuesi ynë e merr në dorë sot, është përpjekja e parë e Jusuf Gërvallës në prozën e gjatë. I shkruar në traditën e rrëfimit popullor dhe duke shfrytëzuar arketipat e letërsisë orale shqiptare, ky roman është nisja e një rruge që mbeti, në fillimet e saj.” (Pjesë nga parathënia e romanit ”Rrotull” të Jusuf Gërvallës, Tiranë 1983)

(VIJON …)

_____________

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – THIRRJA E RREJSHME E KADRI ZEKËS PËR BASHKIMIN E RREJSHËM DHE KURTHA ZHURMUESE E BASHKIMIT NË TURQI! (13)

Nga Xhafer Durmishi – Pashtriku, më 16 shkurt 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura