SILKE BLUMBACH: MOIKOM ZEQO, ME SYZE DIELLI NË LABIRINTIN E MEDUZËS

Pashtriku.org, 22. 09. 2014: “Ky libër është përtej Poezisë për të qenë më në thelb të Poezisë, po është edhe Prozë, pikërisht për të mos qenë asnjëherë Prozë, nuk është një libër unik prej lloji, është libër kentaur, sfinks, grifon, i ndërmjetëm, gjysmëkafshë dioniziake dhe gjysmënjeri apolloniat.” – Moikom Zeqo) . Poezia e Moikom Zeqos të huton, ose të entuziazmon, por nuk të lë indiferent.  Ai krijon botën e vet poetike, një botë me të cilën lexuesi mësohet dhe në të cilën asimilohet vetëm gradualisht. Një botë në kufirin e realitetit me ëndrrat, siç thotë poeti Xhevahir Spahiu, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve. Një botë e kripur me teprime, që në fillim të shastisin dhe pastaj të hapin rrugën për ndonjë “andej”.
Libri “Meduza e dashuruar mban syze dielli”, për të cilin drejtori i Muzeut Historik Kombëtar mori çmimin letrar “Velia 1998” më 1 mars të këtij viti, na paraqet labirintin moikomian të ideve të krisura dhe metaforave të goditura.
Arkeologu i kuptimeve të vjetra dhe piktori i kuptimeve të reja na shpalos një panoramë të habitshme, që shtrihet nga mitologjia e stërlashtë deri në botën ultramoderne. Sipas Xhevahir Spahiut, poeti e lidh kështu të kaluarën me të tashmen dhe të ardhmen, duke shkrirë nocionin linear të kohës në një vorbull të vetëm.
“Meduza e dashuruar mban syze dielli” përbëhet nga 1280 aforizma, që një student i shqetësuar i mblodhi në një “fjalor figurash” që në pranverën e vitit 1970. Këtë dorëshkrim (lexohet në pasthënie) Moikom Zeqo e konsideronte atëherë si “i kotë, më tepër i përshtatshëm për t’u grisur”. Shënimet spontane, që mbushën dhjetë blloqe, erdhën në dritën e botimit më 1997 dhe tani madje u nderuan me çmimin “Velia”. Si Gjermania nga rrënimet, Saranda nga plevicat, Feniksi nga hiri (libri i dytë i Moikom Zeqos quhet “Qyteti Feniks”), ky fjalor figurash është ngritur nga kotësia për të qenë një pjesë përbërëse e letërsisë shqiptare. Një shembull inkurajues.

– Silke Blumbach dhe Dr.Moikom Zeqo – 

Shqipëria, thuhet, është vendi i paradokseve. Në këtë kuptim, libri i Moikom Zeqos është një libër shqiptar i mirëfilltë.
Bashkohen shikimi i dijetarit plot njohuri dhe shikimi i fëmijës plot fantazi për të krijuar asociacione të reja, të papritura, të mahnitshme. Ja parimi i metaforës. Ja parimi i poezisë moderne: copëtoje botën, futi copat në kaleidoskop dhe tunde fort. Ja universi yt i njëmijë çudirave.
Si në “Tempullin e Hënës”, librin poetik më të ri të Moikom Zeqos, të inspiruar prej rromëve dhe sipas Xhevahir Spahiut një prej veprave më të arritura të poezisë moderne shqiptare, imazhet arkaike përzihen me aluzione të panumërta prej mitologjisë dhe letërsisë botërore.
Për të kuptuar çdo gjë, duhet pasur një kulturë jashtëzakonisht të gjerë. Por ndoshta shkrimet moikomiane nuk janë shkruar për t’u kuptuar me dituri të thatë, por për ta rrëmbyer lexuesin në vorbullën e fjalëve, që rikrijon në mendjen e tij vallen kozmike.
Nga labirinti i metaforave autori nuk na tregon udhën përjashta. Këtë lexuesi duhet ta gjejë vetë duke lexuar dhe duke pritur me vëmendje derisa të rikrijohet brenda vetes një mozaik prej copave të shumta, një strukturë. Sepse rrëmuja në sipërfaqe, kaosi në dukuri, fsheh një rend të brendshëm: së pari, përsëritjen e mikroformës, dhe së dyti, përsëritjen e disa temave si lajtmotive.
Para së gjithash duhet të përmendet imazhi hyjnor arketipik i Hënës, obsesioni i autorit edhe në vepra poetike të tjera. Në këtë mozaik, në këtë “sonatë metaforash”, siç e quan veprën autori, tërësia është më shumë sa shuma e pjesëve përbërëse.
“Harmonia e padukshme është më e fortë se e dukshmja”, shkruan Zeqo në fund të parathënies. Kjo harmoni është e lëvizshme sepse ndryshon aforizëm pas aforizmi në një ritëm të furishëm. E lëvizshme është si populli rrom ose si emigrantët, në pajtim me parimin kozmik “panta rei” – gjithçka është në rrjedhje -, në kundërshtim me syrin e keq ngurosës të Meduzës.U bë laureat i çmimit “Velia” poeti që guxoi ta shikonte Meduzën në sy pa u ngurosur dhe pa u mbrojtur me syze dielli, si shqiponja që thuhet se është i vetmi zog që mund ta shikojë diellin pa u verbuar.

Silke Blumbach 1998 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura