EJUP AJDINI: KRIJUESIT E MËDHENJ NUK LARGOHEN NGA BOTA E FËMIJËVE

Tetovë, 10. 01. 2015 – (T’i kushtojmë rëndësi të veçantë edukimit të rinisë. Një mospërfillje sado e vogël në këtë drejtim do të na kushton shumë shtrenjtë. – Aristoteli) – Abdylazis Islami, i lindur më 1930 në katundin Gajre të Tetovës, është krijues më specifik në mbarë letrat shqipe. Ai është i veçantë si në formë ashtu edhe në brendinë e krijimeve të tij, por i veçantë është edhe për nga forma e jetës së tij, duke u mbështjellë me traditat tona më të bukura kombëtare, të cilat i kultivoi dhe jetoi me to deri në frymën e fundit të jetës së tiuj (2005). Është një erudit në vete, andaj është vështirë t’i hysh një studimi të veçantë për krijimtarinë e tij. Jo vetëm për atë se, volumi i tij krijues është shumë i madh, jo vetëm për shumëllojshmërinë e zhanreve që ai trajton, duke filluar me poezinë dhe pastaj për të arritur me romanin, tregimin, dramën, novelën, poemën, mbledhjen e folklorit etj. Veçmas u dallua në krijimin e sonetit, që në letrat shqipe është më i rrallë. Por, vështirësia qëndron edhe për nga mënyra se si i trajton dhe i shkruan veprat e tij letrare, pasi i veçantë është edhe te veprat për të rritur edhe te veprat për më të rinjtë.
Opusi i tij krijues i mbi dyzet veprave letrare, i orientuar në të gjitha zhanret, pastaj si në letërsinë për të rritur, ashtu edhe në letërsinë për fëmijë dhe të rinj, e bëri autorin më kompleks në mbarë letërsinë shqipe, veçmas ne ate që u krijua në Maqedoni, në pjesën e dytë të shek. XX.


Abdylazis Islami (29 Korrik 1930 – 16 Gusht 2005)

A. Islami rrjedhën e ka nga një familje gurbetlinjësh gajrane. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, semimaturën në Tetovë dhe për të kryer këtë shkollë ai udhëtoi nga dhjetë kilometra në ditë. Edhe pse ishte në moshë shumë të njomë, ai përballoi borën dhe shiun për të ardhur në grupin e njerëzve të pavdekshëm. Shkollën Normale (pedagogjike për mësues) dhe akademinë e lartë i kreu në Shkup. Me këto përgatitje shkollore serioze, shpejt ra në sy të mirë të popullit dhe punoi disa kohë mësues nëpër fshatra, më vonë në qytet. Shpejt e angazhuan për këshilltar pedagogjik në Këshillin e Rrethit të Tetovës. Nuk ishte njeri i qetë, gjithmonë kishte një shpirt të trazuar prej fisnikërie. Më 1970 nisi punën si gazetar, e më vonë redaktor i emisioneve të rubrikës së kulturës në Radio Shkupi, ku edhe u pensionua. Ky pensionim ka qenë mjaft enigmatik, pasi pikërisht në vitin 1979 u shtrëngua nga pushteti i kohës si nacionalist. Në këto momente të krizës politike, A. Islamit i duheshin edhe katër vjet pune për të dalë në pension. Duke e kuptuar gjendjen e renduar shpirtërore e shëndetësore të poetit, mjeket tetovar, përmes disa diagnozave të mundshme, ia mundësuan një pension të parakohshëm. Për poetin, ky rast ishte një buzëqeshje e fatit në fatkeqësi.
Pasi që autorin e kemi njohur personalisht, mund të themi që ai nxiti dhe ndihmoi shumë krijues të rinj që t’i rreken pendës dhe fletores në fushën e letërsisë. Karakteristikë thelbësore është se ky krijues kurrë nuk e hoqi pendën nga dora, deri në momentet e fundit të jetës, siç do të thoshte Odhise Grillo, “për lexuesit e vegjël dhe të mëdhenj i këndon zemra në gjuhën shqipe dhe po krijon vepra të reja!” (Odhise Grillo, shkrimtar shqiptar për fëmijë, Tiranë 1997, f. 94.)
Përveç veprave për të rritur, kësaj radhe do të përmendim disa nga veprat për fëmijë, pasi edhe natyra e këtij shkrimi është asisoj. Nga veprat më të njohura për fëmijë dhe të rinj ndahen në dy grupe, për fëmijët, që janë në një moshë më të re dhe për fëmijët që kanë filluar të hyjnë në moshën e pjekurisë, siç mund të jenë fëmijët e klasave VII dhe VIII etj.
Marrë në tërësi, veprat e poetit në letërsinë për fëmijë dallohen: ”Mëngjesi në fshat” (vjersha 1986), ”Kujtime e ëndërrime” (vjersha e tregime, 1972), ”Korrieri Artan Arta” (poemë, 1976),” Vajza e panjohur” (roman,1985), ”Melereoti”(vjersha, poemë e tregime, 1986), ”Krimi në tempull” (roman,1987), ”Pëllumbi sqepartë” (roman, 1988) ”Voci i fshatit Lashtor” (poemë, vjersha e tregime, 1992), ”Hekurani në Artas” (roman,1993), ”Agimesha” (dramë,1992) etj.
Vepra këto, që për disa dekada kanë ushqyer brezat e rinj nëpër shkolla, qofshin si lektyra shkollore, qofshin në mënyrë individuale, pastaj me dekada kanë ushqyer revistat “Gëzimi” dhe “Fatosi”, që për gjysmë shekulli ishin dy dritaret më të bukura për nxënësit dhe fëmijët shqiptarë në Maqedoni. Në tërë krijimtarinë e tij për fëmijë luajti një rol të konsiderueshëm, sidomos në emisionet për fëmijë në radio e televizion. Pastaj, “Agimesha e ngujuar në shtatë shpella” u shndërrua në skenar televiziv,të cilën edhe sot e kësaj dite fëmijët e presin me kënaqësinë më të madhe para ekraneve televizive.
Poeti e dramaturgu, tregimtari e romancieri, publicisti e eseisti, tani, nga më të njohurit në letrat shqipe për te rritur e për te rinj, na befason se si i përballoi të gjitha sfidat e jetës, të cilat i pati goxha të rënda dhe përsëri nuk e lëshoi lapsin nga dora, sikur të kishte një laps magjik dhe sikur të kishte lindur një organizëm me ngjyrë stilolapsi në vend të gjakut. Ai në radhë të parë nuk ka qenë me shëndet të mirë, ka lënguar nga sëmundja e diabetit dhe sëmundje të tjera. Pastaj, djali i tij, Idrizi, i vdiq shumë i ri, kohën kur ishte absolvent i mjekësisë. Më vonë, njëra nga vajzat i vdiq në moshë relativisht të re. Herë pas herë i ndjekur nga pushteti dhe shumë sfida të tjera që, si për çudi, tërë këtyre bllokadave sikur donte t’u bënte ballë përmes shkrimeve të tij, vepra këto, të cilat e tejkaluan numrin 60. Nga këto, shumë refleksione të reja presim nga vepra e fundit në dorëshkrim ”Testamena”, që për momentin ruhet në sirtarët e prof. Zeqir Kadriut, e cila shpresojmë se do të zbardhë shumë gjëra rreth Tetovës dhe tetovarëve dhe më gjerë.
Edhe ne që i kemi hyrë pak rreshtave për këtë Ante, nuk e kemi aspak lehtë, pasi është nga krijuesit më kompleks, jo vetëm në hapësirën shqiptare të Maqedonisë, por edhe më gjerë. Kritika shumë pak e ka prekur, aty këtu, nga kritikët e mëdhenj si: R.Qosja, Ramadan Musliu e ndonjë tjetër, pasi nuk ka mundur çdokush të hyjë në botën krijuese të tij. Në pjesën për fëmijë edhe më pak është i përmendur, thuajse aspak, pasi edhe në pjesën e letërsisë për fëmijë ndryshon fare nga të tjerët, qofshin ato krijues nga Maqedonia apo nga mbarë hapësirat shqiptare.
Është poet që evoluon me të madhe dhe ecën me të shpejtë drejt majave epidestale të një kulture letrare, siç është kjo e jona. Me të drejt Ramadan Musliu thotë: ”Variacionet e këtilla të insistimit për modernizim të poezisë dallohen për ritualitetet e mëvetësishme artistike. Kjo poezi nuk mund të rrudhet brenda shembujve të caktuar poetikë motivues, sikurse do të ishte tema e vendlindjes dhe e kurbetit. Ajo ka një shtrirje më të gjerë: fillon me legjendën, prek historinë dhe krijon pika implikative me realitetin”. (R.Musliu, Rrëfimi poetik, Prishtinë, 1990, f. 41)
* * * 
Vepra e parë për të rritur e A. Islamit llogaritet ”Era dhe vargjet”, e botuar në Prishtinë më 1964, kurse ajo për fëmijë është”Mëngjesi në fshat”, botuar një vit më vonë 1965 në Shkup. Siç shihet që në fillim, poeti paralelisht ka kultivuar letërsinë për të rritur dhe atë për fëmijë.
Përmbledhja e parë për fëmijë ”Mëngjesi në fshat”, së botuari i ka kaluar disa dekada, por ajo përsëri ruan freskinë e një vepre me vlera vërtet letrare për t’iu përshtatur bukur botës së të vegjëlve, që vështirë e kanë të ndahen prej saj. Vepra në fjalë, që atëherë i plotësoi standardet e një vepre të mirëfilltë letrare për fëmijë, pasi A. Islami ishte i tillë dhe nuk lëshonte varg pa tjerrë mirë e mirë derisa të piqej e zbukurohej ai në çdo anë. Mjafton të vlerësojmë drejt përmbledhjen e parë ”Mëngjesi në fshat” apo qoftë poezinë e parë të kësaj përmbledhjeje, atëherë do ta kemi më lehtë që të kuptojmë vlerat dhe karakterin e mirëfilltë që mban poezia për të rinjtë.
Poezia e parë ”Pranvera” edhe sot tingëllon më bukur se ndonjë poezi që krijohet sot, sepse ajo sjellë bukuritë dhe freskine e katundit shqiptar, që shpirtërisht janë të lidhur shumica e fëmijëve tanë:
“Erdh pranvera
Gjelbëron bari,
Fryn dhe era
Këtu pari”.

(A.Islami, ”Mëngjes në fshat”, 1965, Shkup)
Poezia që sjell natyrën reale dhe të freskët të pranverës, ajo më poshtë është e mbushur me optimizëm, nuk sjellë kënaqësi për jetën te fëmija, por
sjellë bukuritë natyrore, zogjtë e sidomos bariun me fyellin e tij , i cili jehon i lirë në natyrën shqiptare dhe bashkërisht përbëjnë një tërësi idilike shqiptare.
Bariu fyellit
Ia thotë mirë-
Zogu i pyellit
Këndon i lirë.

(A.Islami,”Mëngjes në fshat”1965, Shkup, f. 5.)
Bariu dhe zogu i pyllit janë simbolikë më vete. Prapë si për çudi! Edhe pse Abdylazis Islami ishte i vetëdijshëm dhe njohës i mirë i rrethanave të vështira politike, sociale të shqiptarëve të këtij krahu, ai përsëri në veprën e tij sjell vetëm optimizëm, si një luftë kundër të keqes. Te vjersha “Mëngjesi në fshat” thotë:
Hija e natës rrëshqiti kaloi,
Kurse mëngjesi fshatin e ndriçoi.

(Po aty)
Poeti është i lidhur ngushtë me botën e fëmijës, dhe duket sikur jeton dhe vepron bashkë me ta. Ai herë-herë insiston që të shtijë edhe vargun mësimor-shkencor, ku mëton t’i mësoj ata për dukuritë natyrore, diellin, shkretëtirat, gjallërinë që mundëson jetën e njerëzimit në tërësi:
E natyra kishte me qenë shkreti…
Pa diell s’kishte me pas gjallëri.

(Po aty, f. 8)
Kjo përmbledhje, edhe pse për fëmijë, shpeshherë të jep përshtypjen se duhet ta lexojnë edhe të rriturit, pasi vepra është e ngjeshur me atë që quhet e bukur, plot tablo optimiste, pa ikur nga e bukura historike, tradicionale me plotë natyrë e kolorit shqiptar, bile tipike malësorçe, e ku janë ruajtur tiparet më të bukura të të parëve tanë, edhe pse herë-herë të ashpra në krenarinë e tyre.
Por, gjithnjë e veçanta është karakteristikë thelbësore e së bukurës. Te “Baresha” qartë duket bukuria e bareshës, muzgut, e këmborëve, tufa e deleve etj., që do të na e kujtoj vargun e dikurshëm të Naimit, por tani në malet e Sharrit:
“Kur muzgu ik dhe zbardh e bukura ditë,
Baresha herët grah tufën e saj,
Katundi jehon, prej kambanave
Dhe zgjohet me plot dëshirë e kurajë”.

(Po aty)
Kjo figurë e bareshës, kaq e kënduar dhe e shkruar në letrat tona, te vjersha e Abdylazisit për të na kujtuar diç edhe më tepër se ajo, përveç që ishte bareshë, ajo është e lidhur ngushtë me këtë profesion sa që mund t’ia quajmë jetë. Ajo këtë profesion më tepër e materializon në stinën dimërore, ajo ven vekun dhe me fijet e tjera gjatë verës, ajo ia nis thurjes së pëlhurave të ndryshme, por gjithnjë me këngë në gojë, sa që na duket një idile e vërtetë.
Poeti e tejkaloi me sukses formën tradicionale të këndimit, për të cilin dëshmoi edhe akademik Rexhep Qosja, i cili thoshte se ai ka krijuar një logjikë të re në vargun shqiptar. Për këtë po japim një shembull. Ai motivin e punës nuk e kërkon apo shpjegon drejtpërdrejt, por mes titullit-punë, por këtë e nxjerrë nga vetë puna që bën vet ”qukapiku” apo dikush tjetër:
“Në çdo vend ato punojnë
Mëngjes e mbrëmje pa mërzi
Punën prore e adhurojnë
Pse prej saj gjejnë lumturi”.

(Po aty)
Motivi i punës përbënë thelbin e poezisë, përmes secilës me sukses ia arin qëllimit që të ngjalli te të rinjtë dashurinë ndaj punës dhe çdo poezi, çdo varg e çdo vepër e tij ka logjikën e shëndoshë krijuese, i matur dhe i vetëdijshëm për punën që bën, i thellë dhe më i thellë sesa që mendohet. Vargjet janë të punuara me përkushtim dhe me qëllime të përjetshme, pa u larguar nga standardizimi i gjuhës, i stilit dhe vlerave në tërësi që duhet t’i ketë një vepër letrare e mirëfilltë.
Poezia e kësaj përmbledhjeje, temat e motivet i ka marrë nga fshati dhe është mjaft rurale, por arsyetohet ngase edhe përmbledhja titullohet ”Mëngjesi në fshat”. Nga ama tjetër ka kuptim të plotë, pasi në kohën kur e jetoi dhe e krijoi këtë vepër, pjesa dërmuese e popullatës jetonte në zonat rurale, pse të mos e themi të vërtetën, se edhe sot e kësaj dite shumica e popullit janë nga fshatrat, ose qytetet brenda për brenda të mbushur më tepër me fshatarë se me qytetarë. Dhe për këtë, poezia si e tillë, çdo herë është e freskët, edhe për shumë kohë, si për katundarin ashtu edhe për qytetarin. Për të parë këtë përshtatshmëri, te vjersha “Fshati im” kemi bie në sy optimizmi që ndjellin vargjet për punën dhe jetën e re:
Në lug të blertë fshati shtrihet,
Si tufë lulesh duket larg
Jeta e re në të përtërihet
Njerëzit punën e kanë n’prag.

(Po aty, f. 14)
Optimizmi i poezisë së A. Islamit arsyetohet bindshëm, duke u mbështetur ne atë se, ai ishte i vetëdijshëm se lexuesit e vegjël janë të tërhequr pas botës së lojërave, mrekullive të veçanta, dëfrimit, dashurisë së sinqertë, humorit dhe çdo gjë që ai e sheh dhe e prek me dorë. Prandaj, ky autor i vyer, përmes veprës së tij zgjon tek fëmija ndjenjën për të bukurën, të arsyeshmen dhe logjiken. Mbjell jo vetëm ndjenjat për të bukurën, por edhe ndjenjat për disponim poetik dhe jetësor. Veç të tjerash, humori mbetet faktor kryesor, të cilin autori nuk rri pa e shtyrë në funksion, si p. sh. te vjersha: “Çka i ngjan Danit në degën e
manit”, ku Dan Ngucakeqi me “hundën si bualli” do të pësojë nga sqepi i qukapikut. Vjersha e gjatë për çdo strofë bëhet më e dashur për lexuesit dhe aspak e mërzitshme, përkundrazi ajo sërish kërkohet nga fëmijët. Kjo përmbledhje është me tema të duarnduarshme dhe për çudi, nga fundi, temat ndryshojnë pamjen më të madhe, sikur nisin të kalojnë në vepër tjetër. Ato tema merren me kozmosin dhe fillon ndërhyrja e imagjinatës së poetit, që, padyshim, ndikon edhe në imagjinatën e fëmijës. Përveç temave për dimrin, vjeshtën, hapjen e shkollave, pastaj fabulat mbi kafshët etj. Nga fundi i veprës së parë, para 40 vjetësh, poeti arriti që të hyjë në botën e fantazisë. Me imagjinatën e tij arriti të japë tablo për një jetë reale dhe fantastike të mundshme, si p.sh: ”Luli e flutura e vockërr”, ”Luli në Kozmos” etj. Këto poezi janë një shtytje e thellë fantastike për të vegjlit, pasi vjersha me gjashtë strofa, tregon formën, mënyrën se si Luli e ndërton anijen kozmike, të cilën ia verifikon edhe inxhinier Astriti dhe:
Kur ia dha motorin
E sende të tjera,
E la larg qytetin
Dhe fluturoi si era
Tash mendoni pak
Luli ku ka shkuar.

(Po aty, f. 48)
Pra, çdo varg i poetit nuk është pa qëllim, çdo ndryshim i temave dhe i motiveve ka rrugën dhe arsyen e vet, që tregon për një angazhim të thellë të poetit për ushqimin dhe ngritjen e botës së fëmijës në të gjitha fushat e jetës.
Ndjenja e thellë poetike në vargun e Abdylaziz Islamit për të qenë më afër fëmijëve kërkon forma të reja, si në formë, ashtu edhe në përmbajtje, prandaj nis të shkruajë vepra me përzierje zhanresh brenda një vepre.
Përveçse në letërsinë për të rritur, ky poet mbetet i veçantë edhe në letërsinë për fëmijë, si për nga forma, ashtu edhe për nga parimet frymëzuese. Që në fillimet krijuese, kritika sikur mbeti e befasuar, pasi ai doli me elemente vetanake dhe me një origjinalitet kuptimor dhe gjykim të vetin individual. Këtë logjikë të tij, që në fillim e kapi Rexhep Qosja me shkrimin ”Me një shikim në dy dritare”, shkrim, i cili e shpëtoi autorin nga “goja e ujkut”, siç e thoshte vetë autori dikur. Prandaj, ky mendim i Qosjes, A. Islamin e vendos si vëzhgues para dy dritareve: ”Kështu dikush do të mund të thoshte se, A. Islami e sheh botën nëpër dy dritare, prej të cilave njëra është ndërtuar në stilin e arkitekturës tradicionale dhe tjetra ndërtuar në stil të arkitekturës moderne” (R.Qosja, Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1969, f .57).
Të gjitha krijimet e këtij autori flasin, se i ka gdhendur një bir besnik i këtij fisi të lashtë. Ai kërkon që poezia të jetë shkollë, të jetë lindur, të jetë pjesë e çdo fëmije, ku ka të arkivohet shpirti i një kombi dhe fisi do të gjallëroj i paprekur, pra, lumi do vazhdojë të ecë, e rëra do mbetej në vend. Për këtë edhe Maksut Shehu shkruante me përkushtim të veçantë, se Abdylazis Islami: ”Në jetë i qetë, në vargje tërmet” (M.Shehu, Fllaka,.Shkup, 14.09.1990, f. 17).
Si duket krijuesin e ri filluan ta përkrahin pjesa elitare e Prishtinës dhe shtëpia më e madhe botuese e kohës “Rilindja”, e cila filloi t’i bëj shtrat të mirë e të përhershëm krijimtarisë së A. Islamit, qoftë asaj për të rritur e veçmas asaj për fëmijët. Kështu më 1972, ”Rilindja” ia botoi përmbledhjen me tregime dhe poezi për fëmijë “Kujtime e ëndrra” dhe pas disa vitesh të njëjtën ia botoi edhe Shkupi. Me këtë vepër poeti e prozatori mori formën e vet të përhershme, një libër i përgatitur bukur dhe pas disa dekadash do të bëhet lektyrë shumë e dashur nëpër shkollat shqipe të Maqedonisë. Vepra përmban 15 tregime dhe 18 poezi. Tregimet dhe poezitë janë të lidhura shpirtërisht me botën e fëmijës p. sh. ”Rakatak mulliri”, tregon se vapa e verës e lëngon edhe mullirin, për të cilin janë të lidhur edhe fëmijët, pasi ishte pjesë jetike e tërë katundit. Katundi dhe mulliri ishin pjesë e përbashkët e fshatarëve. Mulliri ishte pjesë jetike e tyre. Por gjithçka varej prej të reshjeve atmosferike, se kur mungonin ato, mundte që edhe të rrezikohej jeta e fshatarëve,sepse popullata ishte e lidhur ngushtë me kuqësinë:
“Lumin e piu vera
-ah, sa keq, sa keq!
Të bluajnë nga dera
S’erdhën t’rinj, as pleq
Mullirit ankesën
Ia shikuan retë,
Ia dhanë madje besën
Se ujë do të ketë.

(A.Islami, Kujtime e ëndrra, Prishtinë, 1972)
Pra, para së keqes menjëherë e parashtron të mirën dhe fillon jeta e mullirit dhe shpresa e fshatarëve të këndellet dhe të vijë në vendin e vet.
Qëllimi edukativ është tejet i thellë në shume tregime te autorit. Te tregimi “Smiraket”, përmes dy personazheve, Xhemiles dhe Emrijes, paraqet smirën që kanë ato mes veti dhe me fjalë ofenduese, pa patur nevojë të vijnë deri te prishja e raporteve shoqërore, Emrija e ofendon Xhemilen me fjalë ofenduese prej fëmije, duke i thënë:
“Moj kokëmishe
Veshëklyshe
Pre një vesh
Ha përshesh”.

(Po aty)
Nga ana tjetër, të ketë Xhemilja e ofenduar i përgjigjet po me të njëjtën gjuhë, e që e porosit Emrijen që më parë ta shohë veten, të përmirësohet dhe të ketë kujdes me fjalë se për ç do ofendim ka ehe ndëshkim:
“Unë të pres veshin
E të ha përsheshin
Ti prej hundën e kullot
Si të duash, qysh sot”
.
(Po aty)
Përme, dialogut ofendues, autori ia arrin qëllimit edukativ, pasi më vonë, që të dyja, Xhemilja dhe Emrija pendohen për ofendimet e bëra dhe të nesërmen blejnë lapsa të rinj, pasi ata të parët i kishin shkatërruar, por të nesërmen u kujtohet turpi që kanë bërë. Këto tregime shquhen për saktësinë e mjeteve poetike dhe realizimin që i përshkon vargjet në tregime dhe qe janë plot gjallëri e dinamizëm. Poeti ka ditur që t’ua përshtasi me sukses natyrës së fëmijëve dhe ambientit shqiptar, pra terrenit ku jetojnë dhe veprojnë fëmijët. Në përgjithësi, tregimet e këtij krijuesi kaq të rëndësishëm janë tërheqëse për të vegjlit, pasi ekziston karakteri fantastik i figurave, elementeve, ngjarjeve dhe marrëdhënieve midis personazheve. Të gjitha këto ndikojnë pozitivisht në imagjinatën e fëmijëve. Gjithashtu, poezitë e këtij autori ndikojnë edhe në edukimin moral te të vegjlit.
Ai me mjeshtri të rrallë e bën lëvizjen karakteristike të personazheve te tregimet e tij për fëmijë. Në tregimet dhe te vjershat e këtij autori vazhdimisht dënohet tradhtia, sjellja e keqe, goditet përtacia dhe shumë vese të tjera negative që mund t’i ketë njeriu, kurse nga ana tjetër lëvdon veset e mira të të rinjve, si ato që mësojnë, që janë të dëgjueshëm ndaj prindërve, punëtorë etj. Për t’i realizuar këto, shkrimtari i zgjedh format dhe shprehjet më të lehta dhe më tingëlluese që më lehtë t’i kuptojnë dhe më shumë t’i duan fëmijët. Këto janë të ndërtuara mbi frymën e përgjithshme popullore. Veti kryesore e tyre është natyra e shpeshtë dhe e drejtpërdrejtë e artit të tyre.
Gjatë leximit të veprave të tij, përveç se njihen me kohën e fëmijërisë së tij, me rrethanat shoqërore dhe materialet e kohës, ai na sjell edhe tablo të jetës nga lufta, para dhe pas saj. Autori nuk humb shumë kohë me përshkrim të tepruar, por ai shkruan qarte e qetë dhe sa nga jeta, po aq edhe nga imagjinata e tij.
Ishte e pamundur mos prekte motivin social, kur vetë poeti vjen nga një familje dhe fshat i varfër malor, fshatra këto, ku me dekada është biseduar problemi i bukës, pasi shpesh atyre u ka ndodhur që të sjellin në shpinë miellin nga Prizreni nëpër Sharr e deri në fshatrat e Malësisë së Tetovës. Prandaj kaçamaku i ëndërruar me miell kollomboqi (misri) nga Prizreni që përshkruan autori, na kujton trahanin e H.Z. Kamberit para dy shekujsh.
Te tregimet ”Ujkonja” dhe “Agjenti” na del në fushëveprim të qartë bota e fëmijëve, që kanë ditur të ndihmojnë partizanët dhe, nga ana tjetër, që edhe fëmijët dinë të solidarizohen me profesorin e tyre, me jetën, me drejtësinë dhe me angazhimet që duhet të kryejë çdo i ri për çështje të lirisë.
Pjesa e dytë e librit ”Kujtime e ëndërrime”, është e përshkuar nga përjetimet e vetë autorit. Është karakteristike se pjesa e parë është e shkruar në vetën e parë, por ajo pak ka të bëj me autorin, kurse pjesa e dytë flet në vetën e tretë, dhe është e lidhur ngushtë me vetën e parë, pra, me përjetimet e vetë autorit. Këto janë përjetime kur punoi si mësues. Në këtë përmbledhje herë kemi tema të nxehta e të errëta, e herë tema të qeta e të çiltra, ashtu siç është jeta me të mirat e të këqijat e saj. Pra, rrëfimi i sinqertë, me një gjuhë të pasur e të kuptueshme bëjnë që tregimi të arrijë rrëfimin e vet artistik.
Sa i përket qëndrimit ndaj gjuhës, ky poet është tejet i kujdesshëm. Ai e gdhend vargun dhe rreshtin, por pa e lënduar atë. Vazhdimisht insiston të fus fjalë të reja apo fjalë që kanë mbetur në harresë, por që janë kultivuar nëpër shekuj nga brumi i shqipes. Ato fjalë i fut me kujdes në librat e tij, por shpesh duke u dhënë edhe sqarimet e duhura: vedë – kovë prej druri, doçkë – shpullë, skilfier – zogu që këndon në fierajë gjatë ditëve me diell, misërnike-bukë misri etj.
Të rrallë janë krijuesit që evoluojnë gjatë kohës kur ata jetojnë dhe veprojnë. Abdylazisi ecën në hap me kohën me kohën. Ky evoluim bëhet mjaft natyrshëm dhe pa dhënë shkase për zhurmime dhe dilema gazetareske. Këtë e heton njeriu gjatë leximit të veprave të tij një nga një. Një ndryshim i dukshëm paraqitet te ”Meleroti”, ku bie në sy edhe forma, edhe përmbajtja. Tani është më larg tradicionales. Këtu kemi 12 poezi me një titull të përbashkët ”Merita e Luli shfletojnë albumin”, pastaj vjen poema e gjatë aventuriere për pionierë ”Meleroti”, e përbërë nga katër pjesë: “Ikja”, ”Ëndrra”, ”Kthimi” dhe “Kremtimi”, të gjitha me nga 10 këngë, që gjithsej bëjnë dyzet dhe një si vjershë përmbyllëse ”Gjurmë”, ku thotë:
E kërkonte fshatin e Melerotit
Një plakush me shkop në dorë,
I kish humbur rrugën era e motit
Majave të Sharrit me dëborë.

(Meleroti, Shkup, f. 63)
Ky libë ishte pak sa i veçantë, pasi ishe një përmbledhje edhe me prozë edhe me poezi. Në fund libri ka edhe një cikël me 4 tregime “Te ara në rrugë”. Sa i përket e vjershave , shumica janë të shkruara me katër strofëshe, edhe atë në katrenë. Të rralla janë poezitë që e thyejnë këtë rregull. Në poezitë e para ai edhe titujt e vjershave i vinte me emrat e kafshëve të pyllit, përmes vetive të të cilave tenton t’i mësojë fëmijët se edhe te njerëzit përcillen vetitë e tilla. Përmes vetive të kafshëve fëmijët më lehtë do të kuptojnë edhe veset e mira apo të dobëta të njerëzve si p. sh. te vjersha “Dhelpra” shkruan shkruan pë vetitë e dhelprë, që ësjht5 dinake, ku shkelë njëherë më s’e përsëritë. Gjuhën e ka gjithmonë me dy kuptime dhe që mundën ta mashtroj shumicën errethit të vet , ashtu siç veprojnë edhe një pjesë e njerëzve:
“Ajo nuk shkel dy herë në një gjurmë,
Në gjuhë të saj asnjëherë s’ka dritë,
Shumë fjalë të tilla përpilon në ditë
Dhe mundet të mashtrojë tërë një turmë.

(Po aty)
Këtë proces ndryshimi mund ta kuptoj nga një distancë kohore, kur di se ç’ka krijuar më parë dhe ç’ka rrjedhur më vonë. Një përcjellje e tillë është e vështirë pasi volumi i madh i veprave të tij nuk të jep hapësirë të duhur, që të përcjellësh çdo ndryshim të kësaj natyre. Edhe në prozë, sikurse në poezi, lehtë duket individualiteti stilistikor i poetit, aftësitë e tija të veçanta për të manovruar me fjalët dhe semantikën e tyre, por edhe spontaniteti.
Edhe pse poeti qëndron ballëlartë ndaj të gjitha sfidave të jetës, por herë-herë duket shpirti i trazuar i tij përmes atmosferës së poemave dhe tregimeve që krijon përmes ngjarjeve apo personazheve. Padrejtësitë ia prishin ekuilibrin shpirtëror, por ai nuk pushon së rezistuari dhe mendon se vetëm penda krijuese do ta shpjer botën përpara, prandaj edhe një jetë të tërë nuk u nda nga ajo, duke shkruar për të rritur edhe për fëmijë. Edhe në krijimet për fëmijë autori përdor burime të parapëlqyera nga jeta e rrethina e fisit të tij, prej ndikimeve të letërsisë gojore, por edhe parapëlqen subjektiven dhe individualen. Edhe te dramat ”Agimesha në shtat shpella”, ai frymëzimin do ta marrë në temat e vendlindjes dhe burimi i frymëzimit të tij do të jetë i veshur nga petku folklorik, ku bëjnë pjesë të gjitha këto elemente, kuptohet edhe ndërhyrja artistike dhe estetike e vetë autorit. Ai përmend shkëmbij, shpella, lumenj, ujëvara, lisa, disa zogj, zjarre, diellin, hijet etj., të gjitha këto të lidhura shpirtërisht edhe me vendin ku lindi dhe jetoi poeti A. Islami.
Në evoluimin e tij të mëvonshëm, ai do ta vërë veprën e tij drejt kërkimit kombëtar. Në fillim autori është i padukshëm, por me kalimin e kohës shohim se ai ka edhe orientim historik. Ai kërkon rrënjët e të parëve të fisit. Kjo e mundon më së tepërmi autorin. Ai i hynë kësaj pune me stoicizëm dhe me shumë mund, si duket ia del në krye. Ky orientim hetohet edhe te letërsia për të rritur, p.sh. te poema “Nica”, që autori, në bazë të të gjitha të dhënave dhe fakteve që posedon, dëshmon për një mbretëreshë ilire, Nica që ka jetuar në Kalanë e Orashës, komuna në Tetovës, dhe për qëllim kryesor të veprës e ka dëshminë se, vendi ku vritet Nica quhet VraNica, e jo Vratnica, siç e quajti pushteti komunist i Jugosllavisë, kur jetoi autori.
Pra, tema historike nuk i ik as në veprat që krijoi për fëmijë, veçmas në roman ”Mrizani dhe Euridika”, roman që më tepër është për të rinjtë sesa për fëmijët, botuar më 2004, në Tetovë, i përbërë me dy pjesë, i shkruar në bazë të titujve të brendshëm dhe pjesa e parë ka 13 tituj, ndërsa pjesa e dytë 12 sosh.
Që në fillim të romanit emrat e qyteteve shqiptare të Maqedonisë që thirreshin në antikë si Oenej, ose…Skirtarët, pastaj Oaneum, vendi i quajtur Vinik etj. përmes të cilëve dëshiron ta kthejë atdheun e tij drejt rrënjëve nga e kaluara historike e largët, që fëmijët të ndjejnë siguri dhe krenari në vete për të kaluarën e tyre të lavdishme. Kjo vepër me plotë gjallëri, dinamizëm, dramatizëm të plotëm dhe me tablotë e shumta e të çuditshme, bën që romani të zgjojë interesim të thellë te lexuesit e rinj. Bindshëm i bind fëmijët për lashtësinë e shqiptarëve dhe se ata janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirëve dhe se kjo Iliri nuk ka qenë sa janë sot shqiptarët, por që dikur përbënte tërë Gadishulli Ballkanik e që e ka pasur emrin Gadishulli Ilirik. Ai i kritikon ilirët se besën e kanë dhënë pa ndonjë kriter, dhe nga ajo shpesh janë tradhtuar, pastaj fisi me fis nuk kanë shkuar mirë dhe kjo i ka dëmtuar dhe u ka ecur për shtati zaptuesve të huaj. Mbreti i njërit fis dëmtonte fisin tjetër, duke bërë luftë tokash midis tyre. ”… Prandaj ilirët e tkurrën vendin e tyre të moçëm. Ata mbetën në Austrinë e Jugut, në Veneci, në Slloveni, në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi, Vojvodinë, Serbi deri në Daradanele e Korint dhe në tërë Gadishullin Ilirik. Po të tjerët ku janë? A mos vdiqën që nuk ndihen më? Jo, ata u asimiluan, duke u shndërruar në shtete të tjera të Evropës dhe të Gadishullit Ilirik. Ato shtete ekzistojnë edhe sot, madje edhe ato fise u zhdukën në pasardhësit e ilirëve, shqiptarët, mbetën në këto vende ku jetojnë edhe sot. Dialektet e gjuhës ilire erdhën e u larguan shumë saqë u formuan gjuhë të tjera, të cilat kur studiohen e kërkojnë gjenezën te gjuha shqipe”.
A. Islami; ”Mrizani dhe Euridika”,(roman), Tetovë, 2004, f. 54.
Romani në fjalë brenda gjithmonë sjell freski e situata të çuditshme, me personazhe që aludojnë në të kaluarën historike Në fund, mesazhi kryesor i romanit del dëshmia dhe përçarjet e përhershme të fiseve ilire,që patën në mes veti. Mesazhi qëndron mu aty se ato përçarje i kanë sjellë dëme të papara popullit tonë. Së pari s’është dashur të prodhojnë mbretër, por një princ për të gjithë. Më në fund kur kuptohet se Guriforti bëhej mbret, atëherë Marashi, posa kishte shkelur derën e pallatit të vet, kishte vdekur. Rreshtat e fundit dëshmojnë se ”që atëherë nuk dihet nëse u bashkuan ato dy fise, apo mbetën as në qiell e as në tokë. Mbase për ta do të flasë historia”. Këto janë fjalët e fundit të romanit, ashtu si historianët që sjellin dilema rreth historisë.
Në lëvrimin e romanit për fëmijë, Abdylazis Islami krijoi një sensibilitet të ri krijues në këtë lëmi kaherë të kërkuar dhe mjaft aktual. Ky ishte një pasurim i letërsisë shqipe për fëmijë në Maqedoni, me tema dhe ide të reja, si krijim gjithherë e më i kërkuar. Kjo na bën edhe më krenar ngase kemi të bëjmë me ngritje vlerash në një frymë racionale didaktike, pastaj e lidhur me folklorin, traditën e historinë e këtij krahu të shqiptarëve. Krijimi i një sensibiliteti të ri, imagjinata e lirë krijuese, prezenca e jetës reale siç ndodh te romani ”Hekurani në Artas”, e bëjnë A. Islamin gjithnjë e më madhështor në krijimtarinë letrare për fëmijë. Ai padyshim që e pasuroi letërsinë tonë, qoftë atë për të rritur, apo atë për të rinjtë, me vepra të mirëfillta letrare, të cilat tërhoqën vëmendjen e lexuesit tonë në tërësi.
Prandaj, mund të pohojmë me arsye dhe kënaqësi të veçantë se te ky krijues shquhet një e vërtetë e veçantë se, përmes gjinisë letrare të romanit për fëmijë, ngriti një nivel më qenësor vlerash, më funksional dhe më të dukshëm se asnjëherë, si në formë, ashtu edhe në domethënie, në larmi motivesh që dëshmon për trajtat dhe vlerat e reja të shprehjes artistike, jo vetëm në hapësirat shqiptare të Maqedonisë, por në mbarë trojet etnike dhe më gjerë, pasi u përkthye edhe në disa gjuhë ballkanike.
( Kontakti me autorin: [email protected])

………………………………………………..

Pjesë të shkëputura nga veprat e Abdylazis Islamit
Poezi të Abdylazis Islamit të recituara nga Diellina R. Bexheti
Thënie nga Abdylazis Islami

 

………………………………………………………

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura