Kumanovë, 20. 10. 2014 – (Vështrim romanit ”Maria” të autores Emine Shenlikoglu) – Të vërtetën nuk mund ta thuash vetëm nëpër studimet shkencore. Atë mund ta thuash gjitkund. Mjafton të jetë i pranishëm guximi, vullneti dhe njohuria e atij që mëton ta thotë të vërtetën. Edhe në roman ka mundësi të paraqitet e vërteta. Madje, mendoj se përmes romanit përçimi i të vërtetës do të jetë më i lehtë, njëherësh më ndikues për lexuesin, sepse forma artistike e bën të veten. Mbrëmë me një frymë e lexova një roman që të rrëmben lezetshëm. Një pjesë të natës e kisha pushtuar me romanin “Maria” të autores Emine Shenlikoglu.
Bëhej fjalë për fillimin e ndërtimit të Turqisë moderne, si dhe ndikimi i Perëndimit në asgjësimin e kulturës së shëndoshë Islame. Ky trajtësim i fytyrës, kishte filluar pikërisht përmes zhveshjes së femrave, sepse ato duhej të emancipoheshin, si dhe përmes mbrothësisë financiare. Kryefjala e çdo gjëje ishte fitimi material, pavarësisht rrugës së përzgjedhur dhe flijimin që ia kishin vërë vetes kusht për hir të këtij fitimi.
Pikërish një vajzë nga Gjermania që ishte shumë e pasur, por që i mungonte pasuria kryesore, përmes një studenti nga Egjipti, që ishte një musliman përmbajtësor, arriti ta kuptonte dhe ta gjente lumturinë e vërtetë; t’i jepte kuptim qenies së saj dhe arsyes së ardhjes në këtë botë. Ajo pas disa dashuriçkave të dështuara, që nuk e gjente fare prehjen në të tilla gjëra, pas zhgënjimit me dashnorin që fare nuk e xhelozonte, madje edhe e porosiste që në mungesë të tij ta gjente ndonjë djalë sa për ta kënaqur oreksin seksual, por zemrën e porosiste që të mos ia dhuronte dikujt. Maria e dëshpëruar me të atin, vëllain dhe dashnorin që të tretë ishin ateistë, si dhe me sjelljet e tyre që nuk dallonin prej sjelljeve të kafshëve, bie në dashuri me Mehmetin nga Turqia.
Dashurohen zjarrshëm njëri me tjetrin. Maria e dashuronte shumë, por përkatësia fetare e Mehmetit qe paraqitur një digë e pakapërcyeshme. Ajo me të ëmën krishtere, si dhe me ndihmën e priftit, përgatiteshin që Mehmetin ta konvertojnë në të krishterë, për ta asgjësuar njëherë e mirë këtë digë. Ajo me diturtë e përfituara prej priftit dhe prej së ëmës, fillimisht vendosi ta sfidojë Ahmedin, që ishte student në Gjermani, i cili ishte nga Egjipti, meqë Mehmeti kishte muaj që ishte kthyer në Turqi. Ahmedi një djalë me sjellje të mira dhe me dituri të thellë, arriti ta sfidojë priftin dhe Marinë, edhe pse ai qe ftuar për t’u mposhtur. Maria filloi t’i urrenta ata që kishin ndërhyrë në Bibël, sepse Ungjulli i Mateut, Gjonit, Markut dhe Lukës binin shpeshherë ndesh njëri me tjetrin dhe kështu pak ajo e vërtetë që kishte mbetur e pa prekur, ishte bërë lëmsh. Ajo dhe prifti vetëm në Kuran arritën t’i shohin të pandryshuara dhe të kompletuara të gjitha librat e shenjtë. Ajo tashmë kishte gjetur të vërtetën dhe ndihej shumë e pasur. Ajo ishte kthyer në Turqinë e Ataturkut.
Ç’të shihje? Modernizmi i shëmtuar e kishte bërë të veten. Nuk ishin ata njerëz që i kishim lexuar më parë, – murmuriste Maria. Lakuriqësia, prodhimi i alkoolit, shtëpitë publike, mos respektimi i prindërve, lidhjet jashtëmartesore ishin bërë elemente që lezetshëm përqafoheshin prej shumë syresh. Ata që nuk pajtoheshin me këtë rend, vareshin në litar publikisht, për t’ia bërë edhe me dije të gjithë atyre që guxonin të mendojnë ndryshe prej të parit të shtetit, për të cilin kishte bërë vetëvrasje dashnorja e tij. Kjo ishte diçka e mirë, ngase kështu të parin e shtetit e dëshironin dhe e mbështetnin të huajt. Pas shumë shtegtimesh dhe dëshpërimesh në Turqi, ajo takohet me Mehmetin. Mehmeti gëzohet shumë, sepse diga që dikur paraqiste telash, tani ai e kishte fërfëlluar në koshin e plehrave. Mehmeti e kishte bërë tashmë operacion xhelozinë, dashuronte me masë, kënaqte epshin lirshëm, paraja dhe dëfrimi ishin bërë mysafir kryeneç të tij. Maria i tha se ishte bërë muslimane, kishte kuptuar të vërtetën dhe se kishte marrë vizë për shpëtimin moral të familjes fillimisht. Këto fjalë, Mehmetit ju dukën broçkulla. Duhet të kthehesh në krishterim, bëhemi bashkë edhe kështu, sepse për mua feja i përket të kaluarës së errët. Ajo duke qenë e nevrikosur me gjendjen në Turqi, si dhe me atë (Mehmetin) që kishte flakur më të mirën në jetë, madje duke parë cilësi të ngjashme të ish dashnorit të saj, vendosi të mos fejohet dhe njëherë e përgjithmonë dashurinë ndaj një bukashkalit ta hiqte qafe ashtu si hiqen rrobat për t’u hedhur në shportën e mbeturinave.
Maria e admironte Ahmedin. Ishte tepër i zgjuar, fliste për kapërthimin e veseve në vendet që dikur shquheshin me musliman përmbajtësor. Fliste dhe shqetësohej për imperializmin Perëndimor, madje nuk përtonte edhe ta krahasojë me Piramidën në Egjipt, duke thënë se ajo u ndërtua nën trupat e mijëra viktimave. Madje pëlqente shumë çiltërsinë e Ahmedit kundrejt të fejuarës së tij në Egjipt. Zoti deshi që Selvaja të ikte për në botën tjetër. Atë e kishin mbytur anglezët pas një torture të ashpër. Ai mërzitej shumë. Në atë gjendje nuk dëshironte ta takonte Marinë, ngase bukurisë dhe kërshërisë së saj për të vërtetën, druante se nuk do t’i rezistonte, ndaj kishte zgjedhur rrugën e të qenit larg saj. Ai komunikonte përmes letrave, sepse Marisë i duheshin dituritë për fenë Islame, të cilat Ahmedi edhe pse nuk ishte teolog i zotëronte shumë mirë. Mbase vetë sjellja e tij ishte universitet më vete!
Ahmedi kishte mbetur pa të fejuarën, të cilën çmendurisht e dashuronte, kurse Maria kishte mbetur pa dashnorin dhe pa atë që dikur thellësisht e dashuronte. Rasti dhe ndjenjat e kishin bërë të veten. Ata vendosin të bashkohen, përkundër kundërshtimit të nënës së Marisë, meqë rrugë tjera nuk i kishin mbetur. Babai i Marisë edhe pse ateist dhe misionar për luftimin e gjitha feve, nga shoqërimi i fundit me Ahmedin, gjendej në zgrip të pranimit të fesë Islame. Maria i thotë Ahmedit që tani e tutje unë do të quhem Selva. Ahmedi u befasua nga kjo gjë. Ajo i thotë se ti Selvanë e ke dashuruar me zemër, ndaj nuk prish punë të quhem si ajo, madje të kem përkujdesje si të sajën. U martuan dhe Zoti i gëzoj me dy fëmijë. Jetonin të lumtur, jo për pasurinë që e kishin, por për të vërtetën që e bartnin.