DR.MOIKOM ZEQO: POPULLI DHE DEMOKRACIA

Pashtriku.org, 17. 11. 2014 – Koncepti popull në epokën moderne bëhet tej mase konvencional. Koncepti popull nuk është i njëjtë me konceptin popullsi si strukturë numerike demografike e përpjesëtuar në elektorate. Populli është një koncept më i abstraguar, më i përgjithësuar mbi partitë… Klasa politike shqiptare i konfondon demagogjikisht nocionet. Dy partitë e mëdha në Shqipëri tregojnë një delitantizëm kulturor provincial dhe virtual dhe ngatërrojnë populizmin spektakolar me popullin si objekt dhe subjekt i politikës.
Populli? Ah, populli! E njëjta fjalë mund të ketë konotacione jo autentike sipas konteksteve. Koncepti popull kërkon një saktësim teorik shkencor. Më shpesh ky koncept është retorik, bile dekorativ. Këtu nis ose dilema, ose problematika e patjetërsueshme. Mund të flasim për popullin si një objekt, por edhe si subjekt njëkohësisht.
• Po si?
• Duke e shpërfillur?
• Duke e përdorur si një maskë teatri, apo karnavalesh?
• Duke e nënvlerësuar?
• Apo mbivlerësuar?
• Jashtë apo brenda tij?
• Si formë, apo si përmbajtje?

Shkenca politike pashmangshëm synon kuptimshmërinë konceptuale të fjalës përcaktuese popull. Aristoteli e lidh etimologjinë e fjalës popull, të politikës më saktë, me atë të polis’it, të strukturës shoqërore urbane të qytetit shtet antik si vetëpërfaqësim, si një teori të organizimit ligjor dhe komunitar. Ideja e demos’it nuk është e barabartë me atë të popullit. Votimi në demos përjashtonte skllevërit dhe gratë. Po mekanizmi i votimit është një shpikje e jashtëzakonshme në histori. Mbas shumë shekujsh është Rusoi (Rousseau) që rizbuloi (Kontrata sociale, I,5) se pushteti buron nga populli, se populli ndërtohet nga vetvetja, pra është autor i vetvetes dhe është votimi demokratik akti, nëpërmjet të cilit një popull është një popull. Kjo filozofi politike për patjetërsueshmërinë e popullit zotëron të ardhmen dhe është substancë e modernitetit dhe kohërave të sotme problematike dhe proces – zhvilluese.

– Aristoteli, Rusoi, Karl Popperi dhe Hanah Arendt – 

Populli u emërtua si autenciteti i sovranitetit, si një trup i pazëvendësueshëm juridik. Problemi i madh është të dimë se cilat janë modalitetet dhe mjetet e realizimit praktik midis sovranitetit burimor dhe veprimeve subjektiviste të përfaqësimit politik si rezultat i votimit formal. Demokracia përfaqësuese e ka këtë paradoks, nganjëherë tjetërsues. Mund të flasësh në emër të popullit dhe të jesh kundër popullit. Të tërë mesianikët kështu kanë vepruar dhe kanë dështuar. Nuk është pushteti që ka tagër mbi popullin, por është populli që ka tagër mbi pushtetin. Koncepti mistik mitizon liderët karzmatikë si vetvete simbolike dhe gjithëpërfshirëse të shumësisë së popullit, prandaj me të drejtë Karl Poperi misionarizmin politik e quan një spektakël populist pa perspektivë se populizmi është një degradim i vetëdijes së popullit për manipulimin e pazëvendësue- shmërinë e tij.
Teoria skeptike e Gasend Ortegës për “turmat” ka artikuluar idenë se politikanët mund të bëjnë gjithçka me popullin, për shkak se populli është krejt i paaftë, i paditur për të qeverisur vetveten, pra është një dekor historik dhe jo vetë historia. Kjo lind totalitarizmin. Hanah Arendt në analizat e saj të shkëlqyera tregon se ekuacioni “një parti e vetme e një populli të vetëm” shpreh një romantizëm mistik të kreativitetit popullor në kushtet kur lideri e ka instrumentin e partisë mjetin magjik të identifikimit me popullin komb.
Dihet eksperimenti i fashizmit dhe komunizmit në shekullin e XX që sollën katrahura të jashtëzakonshme dhe katastrofikisht të kushtueshme. Mbas rënies së Murit të Berlinit doktrina demokratike zuri hapësira të mëdha, por kuptimshmëria e demokracisë teorike është bërë më e ndërlikuar. Filozofët e sotëm, politikologët (që në Shqipëri nuk i njeh askush, në mënyrë të veçantë politikanët, deputetët, pushtetarët etj.) bëjnë debate shpesh të stuhishme për konceptualitetin dhe të ardhmen e demokracisë në botë. Në shtypin shqiptar provincial ky debat botëror gati nuk ekziston.
Debati thelbësohet në disa çështje jetike.
– A është sovraniteti i jashtëm i popullit i barabartë apo i përafërt me sovranitetin e tij të brendshëm?
– A është i vetëmjaftueshëm funksionimi numerik i saktë i mekanizmit votiv?
– janë programet e partive politike adekuate me interesat e krejt popullit?
– A janë vizionet e qeverisjes vizione të vërteta?
– A janë qeveritarët për shkak të rotacionit pushtetor dhe zgjedhor të aftë për të realizuar qoftë programet, qoftë vizionet e pretenduara?
– Në fund të fundit si duhet kuptuar koncepti popull në modernitetin politik të ndarjes në elektorate kryesisht të partive të mëdha?
– Nëse populli i voton deputetët, pra i delegon të drejtat e tij në duart e tyre, cili është mekanizmi efektiv dhe i sigurt i kontrollit të popullit mbi përfaqësuesit e zgjedhur prej tij, se si e përdorin ata këtë delegim solemn dhe legal?
– Cili është raporti midis qeverisë dhe shoqërisë civile në aspektin e vendimmarrjes politike?
– Sa ndikon opinioni publik në raport me Parlamentin?
– A ka partneritet politik të nyjëzuar midis partive konfliktuale?
– A është politika mbi logjikën e ligjeve apo e kundërta?
– Si është karakteri relativ autonom i politikës mbi shoqërinë, e dhunon apo e harmonizon subjektiviteti objektivitetin?

Koncepti popull në epokën moderne bëhet tej mase konvencional. Koncepti popull nuk është i njëjtë me konceptin popullsi si strukturë numerike demografike e përpjesëtuar në elektorate. Populli është një koncept më i abstraguar, më i përgjithësuar mbi partitë. Partitë përkundrazi, u referohen partive. Kryetarët e partive mund të flasin vetëm në emër të elektorateve dhe jo në emër të popullit. Parlamenti shqiptar quhet me të drejtë Kuvend, term më i saktë shkencërisht se termi dekorativ Kuvendi Popullor. Apelacione të tilla emfatike si “populli opozitar” janë qesharake, sepse për asimetri logjike duhet që të ketë edhe një “popull qeveritar”. Ka elektorate opozitarë dhe elektorate të përfaqësuara konvencionalisht në mandatin qeverisës. Por jo popull! Populli është bashkëpërfshirja etnike dhe shoqërore e elektorateve, i papjesëtueshëm ekzistencialisht, ndonëse me ndryshueshmëri politike.

Populli? Ah, populli!

Klasa politike shqiptare i konfondon demagogjikisht nocionet. Dy partitë e mëdha në Shqipëri tregojnë një delitantizëm kulturor provincial dhe virtual dhe ngatërrojnë populizmin spektakolar me popullin si objekt dhe subjekt i politikës. Këtu dalin te substanca problematike më e vërtetë. Në mënyrë që populli të ngelet popull dhe të mos bjerë në gjendjen e një mase apatike, konsumuese produktesh politike të degraduara, duhet që vetëdija dhe virtyti i tij, d.m.th aderimi i tij i lirë ndaj ligjeve, të ketë një prirje vetëruajtëse si sovran. Në debatin inkandeshen, modern teorik dhe praktik, fjalët e tmerrshme të Tukiditit që i ka vënë në gojën e Perikliut se “individi, që nuk merret me politikë meriton të trajtohet jo thjesht si një qytetar paqësor, por edhe si një qytetar i kotë” ruajnë gjithë kuptimin e tyre. Nisur nga ky përcaktim mund të themi se kyçi i vërtetë i demokracisë konsiston në ndërgjegjësimin cilësor dhe në rritje që krijon populli lidhur me vetveten shumë më tepër sesa në lidhje me partitë.

Tiranë, 10. 11. 2010

………………………………………………………………………

(Ilustrimet i përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura