BEHXHET SH.SHALA – BAJGORA: SHUMË DYSHIME SE MUND TË KETË NDRYSHIME NGA ZGJEDHJET E 8 QERSHORIT!

Prishtinë, 19. 05. 2014 – Loja e re me lojëtarë të vjetër – Më në fund u bënë publike listat e kandidatëve për deputetë të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës që do të formohet pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014. Listat u dorëzuan në KQZ pak para mesnatës në mënyrë që të mos kalohet afati i përcaktuar me ligj ose, si masë parandaluese që të pakënaqurit me renditjen në lista apo edhe ata që nuk ishin fare në ato lista të mos kenë kohë t’i ndërrojnë subjektet politike duke ditur mercenarizmin tonë antologjik që partisë i shërbejmë vetëm sa kemi interes prej saj. Se partinë e kemi nënë vetëm sa na mbanë në gjirin e saj që nënkupton ngrohtësinë dhe të ushqyerit u dëshmua me faktin se shumë veta e shfrytëzuan “afatin kalimtar“ duke kaluar nga partia në parti në çastet e fundit pasi kuptuan se më nuk janë të përkëdhelurit e saj.
Pasi kuptuan se nuk do të jenë fare në lista apo se kanë pësuar rënie të ndjeshme gjatë radhitjes në top – lista! Se, me gjasë do të mbeten diku kah bishti i listës. Prandaj, të zhgënjyer për “mospërmbushjen“ e programit partiak, keqqeverisjes, korrupcionit, pengimit të proceseve integruese, bisedimeve të dëmshme në Bruksel, procesit të privatizimit, papunësisë së madhe, varfërisë së skajshme etj., ndryshuan terrenin për t’u futur në një terren tjetër dhe me lojtarë tjerë ndonëse ishin pjesë aktive e lojës së vjetër! Të cilën tash e kritikojnë sikur që ne jetojmë në Afganistan dhe kemi mungesë të informatave se çka po ndodhë në Kosovë! Nuk është aspak e ndershme dhe e moralshme ta shkelësh sofrën ku ke ngrënë një kohë aq të gjatë apo ta kafshosh dorën që të ka ushqyer rregullisht! Nuk është aspak e moralshme dhe e ndershme që ta ofendosh partinë nga e cila je larguar në çastet e fundit ndërsa për vite të tëra nuk e ke thënë as edhe një fjalë të vetme kundër saj! Ke heshtur si peshku ndërsa tash kafshon si hijena! Po të konvertuarit e tillë do t’i shërbejnë subjektit ku ka “aderuar“ për aq kohë sa do ta ketë një ofertë më të levërdishme. Ky është ai mercenarizmi antologjik! Ku dyfytyrësia bëhet parim moral ndërsa “dashuria” ndaj partisë, kombit dhe shtetit është vetëm interes material! E veçanta e këtyre listave është se aderuesit e porsalindur apo njupornat e politikës kosovare janë renditur lartë në këto lista sepse ky ka qenë çmimi i marrëveshjes dhe kushti që e kanë pasur gjatë bisedimeve. Mirëpo kjo assesi nuk iu garanton se mund të fitojnë vota të mjaftueshme. Prej aderuesve apo njupornave krejtësisht të rinj që janë bërë pjesë e partive politike, thuaja nuk ka të tillë që ndjeshëm mund të rrisin përqindjen e votave. Përjashtuar shumë pak raste. Shqiptarët e rinj apo xhonarnautët që aderuan mund të ngrisin nivelin intelektual mirëpo, duke pasur parasysh se kemi liderë me profil të lartë intelektual, kontributi i të aderuarve në këtë fushë do të mbetet nën hijen e gjenialitetit të liderëve. Po të mos ishin gjenialë, disa politikanë që po sillen dhe pështillen në skenën politike kosovare nuk do të mbijetonin më tepër se 30 apo edhe 40 vite politikisht madje duke u shërbyer të gjitha regjimeve, nga Titoja e deri te demokracia! Dhe anasjelltas! Nga demokracia te Titoja! Listat e propozuara nga subjektet politike për aq sa duken nuk ofrojnë një cilësi të re që ka munguar por është riciklim i besnikëve të partisë me ndonjë emër pikant (djegës+ thartë) që në të shumtën e rasteve është irritues për opinionin e sidomos i dëmshëm për hemorroidet! Ka edhe emra të rinj. Në këto lista ka edhe emra që “u vjen era“ por të cilët nuk kanë mundur të përjashtohen lehtë pa u bë edhe një betejë e dytë e Kosovës në Fushën e Mëllenjave! Mirëpo, këta edhe nëse kalojnë “testin e votës“ shpejt do të largohen nga skena politike. Më së largu deri në vitin 2016 kur mund dhe me gjasë do të ketë zgjedhje të reja! Kjo periudhë do të shërbejë si lavatriçe për larje, shtrydhje dhe pastrim të skenës politike në Kosovë. Shumë vet do të shkojnë me ujëra të zeza! Hijet dhe retë e Sanaderit dhe biznesmenit miliarder të Serbisë Mishkoviq që u arrestuan, do ta mbulojnë edhe Kosovën! Ndryshe, nuk do të shkohet as në Evropë e as në Europë! Ka gjasë që listat e propozuara nga subjektet politike, edhe do të ndryshohen, edhe do të plotësohen!

Gjashtë njëshat (lexo:musketjerët) e partive politike në Kosovë!

***

Cila është gjendja tani dhe kush ishte më i shkathtë në përpilimin e listave
Përpilimi i listave është një lloj arti dhe i ngjanë bastores! Ka qenë si rregull, deri sa u bë puna lesh arapi që peshqit e mëdhenj të partive të mëdha që kanë fituar 20 e më shumë vend të radhiten në 20 vendet e para të listës. Të tjerët kanë shpenzuar kot para në material promovues dhe duke i zënë hapësirat e bilbordave, dritareve, dyerve, mureve etj., për aq kohë sa ka zgjatur fushata! Partitë e vogla , që kalimin e pragut e kanë barazuar me shkuarjen në Mars janë bërë copë e grimë për 5 vendet e para. Deri më sot nuk ka ngjarë që lideri i partisë të hjek dorë nga të qenit bartës i listës zgjedhore apo njëshi i zgjedhjeve. Sepse, pafundësisht duan ta luajnë rolin e ogiçit që do t’i prijë grigjës partiake! Duan që gjithmonë të jenë njëshi përkundër faktit se, pavarësisht renditjes në listë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli do të fitojnë më së shumti vota. Te NISMA është situata ndryshe sepse Jakup Krasniqi mund të ketë më shumë vota se Fatmir Limaj apo të kenë një dallim të vogël në favor të njërit apo tjetrit. Mirëpo mentaliteti i ogiçit (të parit në çdo rrethanë) te ne është i ashtëzuar!
LDK e ka bërë listën e mbështetur kryesisht në ata që i besojnë liderit dhe shërbejnë si mur i gjallë rreth liderit! Duke e mbrojtur liderin, të cilin në raste të interesit do ta ndërronin lehtësisht me një lider tjetër siç bënë me Fatmir Sejdiun edhe kësaj radhe treguan se nuk janë për ndryshime. Madje, as për ndryshime kozmetike. Ndryshe, “Çeta e Elefantëve“ do të duhej t’u krijojë hapësirë më të madhe për të rinjtë e jo të “vdesin” kapur për karrike. LDK gaboi me Fatmir Sejdiun dhe ata që e përkrahën Fatmirin më parë! Realisht, gabuan shumë edhe me Gani Gecin dhe gecët e tjerë. Gani Geci e ofroi një mundësi që ai të tërhiqet nga lista dhe në vend të tij të jetë njëri nga vëllezërit Geci. Ka propozuar tipik shqiptarqe! Në fund të fundit, nëse në vend të Ukë Rugovës mund të hyjë në listë Teuta Rugova, pse në vend të Gani Gecit mos të jetë Fadil Geci?! Dhe, keni parë se si “Çeta e Elefantëve“ përulej dhe pispillosej para Teutë Rugovës gjatë pranimit të saj në LDK?! Mjerim, mjerim dhe mjerim! Jo që e respektonin Teutën si politikane se ajo ishte shumë larg politikës por se kishin mundësi dhe do të kenë mundësi të manipulojnë me te dhe të fshihen prapa saj! Me Teutën manipuluan sikur që manipuluan me Ukën dhe këtu qëndron fakti se LDK nuk mendon të reformohet por se një kastë e caktuar dhe e privilegjiuar politike dëshiron të mbajë poste dhe pushtet deri në pafundësi! Mendoj se me këtë listë janë dëmtuar shumë Arben Gashi që ka kapacitet dhe dallon shumë nga disa udhëheqës analfabetë dhe të përjetshëm, është dëmtuar Alma Lama, Teuta Sahatçiu, Rita Hajzeraj dhe prurjet e reja të vjetra, Bardhyl Metaj, Valon Murtezaj e sidomos Bajrush Morina. Kjo listë e propozuar nga LDK i zbehë gjasat për fitore në zgjedhjet e 8 qershorit! Sepse, disa konsiderojnë veten të poshtëruar, të fyer, të eliminuar dhe të nëpërkëmbur! Dhe kanë të drejtë!
PDK ka qenë më e kujdesshme dhe më dinake në përpilimin e listave. Militantët e saj i ka shpërndarë në të gjithë listën pa e bërë koncentrimin dhe renditjen që lehtë bjen në sy. Prurjet i ka vendosur lartë në listë. Edita Tahirin e kanë bërë yll ndërsa Margarita Kadriun po përpiqen ta bëjnë yll. Ferid Agani po falet në rreshtin e parë sikur te Naim Tërrnava për festë të bajramit. Edhe Lëvizja për Bashkim po fluturon lartë! Përjashtuar disa raste, PDK e ka listën më konkurente se LDK. Po këto raste do ta përjashtojnë veten e tyre shpejt ose do të përjashtohen. Vlerësoj si gabim që janë futur në lista ata që bindshëm pësuan disfatë në zgjedhjet lokale. Që pësuan disfatë edhe kur nuk pritej. Gabim është gjithashtu që ata që e rritën përqindjen e votave të PDK-së në Gjakovë, Pejë dhe Besianë nuk u avancuan në listën e deputetëve të mundshëm të kësaj partie!
VV e ka ruajtur bërthamën e atyre që e udhëheqin këtë lëvizje nga fillimi apo që janë të dëgjueshëm që nga fillimi. Janë ranguar lartë edhe ata që janë bërë të dëgjueshëm më vonë. Prurjet janë trajtuar relativisht mirë. Madje, përjashtuar disa raste, më mirë janë trajtuar se që e kanë merituar! Por mund të llogaritet se ka një listë serioze dhe konkuruese.
AAK e ka bërë listen, më shumë nën presion se në bazë të cilësive dhe meritave. Janë ranguar lartë persona që nuk i sjellin partisë as edhe dy vota të vetme. Ndërkaq, prurjet që sjellin vota dhe kanë strukturë të votuesve nuk janë vlerësuar sa duhet. Rimorkiot e AAK-së, që nuk kanë bërë gjë të hajrit për partinë po trajtohen sikur të jenë shpëtimtarë të AAK-së! Është dëmtuar shumë Milazim Abazi dhe është favorizuar pa merita fare ish dardani Nexhat Daci me listën e tij të pandryshuar në 250 vitet e fundit!
NISMA e ka një listë që nuk ka emra të “mëdhenj” por që siguron vota. Nuk ka pasur prurje prandaj nuk ka pasur problem me hartimin e listave për deputetë. Ka një stabilitet të listës dhe një motiv për t’u angazhuar për fushatë.
AKR ka bërë disa transfere të emrave me një të kaluar të pasur. Politike dhe kombëtare. Pacolli i ka shpërblyer këta që i janë bashkangjitur në momente jo shumë të favorshme për këtë subjekt. Disa emra nga lista e AKR-së më ngjajnë sikur disa lojëtarë të Barcelonës; janë emra të mëdhenj por u ka ikur koha. Barcelona mbeti pa as edhe një titull të vetëm!
Si po bëhet fushata
Zyrtarisht fushata ende nuk ka filluar. Publikisht dhe praktikisht është në përfundim e sipër. Fushatën më të mirë deri më tani po e bëjnë Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj. Kryeministri është në epërsi për shkak të pozitës që e ka. E ka një përparësi se shumë premtime që i ka dhënë, tashmë i ka realizuar si rritja e pagave dhe pensioneve, lirimi nga pagesa për studentët, lehtësime për biznese etj. Ai nuk po përdorë fjalor fyes dhe nuk po i rëndon kandidatët e subjekteve tjera.
Ramush Haradinaj po bënë fushatë sociale dhe po dëshmon qëndrueshmëri. Ai nuk e rëndon askend me fjalë, nuk fyen dhe nuk kërcënon. Nuk po demonstron forcën e muskujve ndonëse ka muskuj. Politik dhe kombëtar. Është befasi për të mirë si po e bënë fushatën. Për fushatën e tij mbase edhe do të shpërblehet.
Isa Mustafa më parë reflektonte qëndrueshmëri gjatë fushatave. Relaksimin që po e demonstron duhet ta marrim me rezervë. Thotë se e ka fitoren e sigurt por as vet nuk u beson fjalëve që i thotë. Po gabon që po merret me të kaluarën e kandidatëve kur as të kaluarën e vet nuk e ka të tillë që mund të shërbejë si model se si duhet të jetë e kaluara e një politikani. Madje, ka shumë dilema që kanë mbetur të pasqaruara nga e kaluara e tij. Më mirë do të ishte të merret me propozime konkrete për të ardhmën. Nëse i humbë këto zgjedhje do të jetë fundi i jetës së tij politike! Prandaj edhe po përdorë fjalë të forta kur duhet e sidomos kur nuk duhet!
Albin Kurti anën më të fortë e ka programin social të tipit të Robin Hudit, ua merr pasurinë të pasurve për t’ua dhënë të varfërve. As idealistët e viteve të 60-ta nuk e besojnë këtë. Komponenta kombëtare e VV dhe Albinit ka pësuar rënie dhe tash po luhet tjetër valle! Më duket se VV e ka kuptuar se nëse dëshiron të mbetesh në lojë, duhet t’i përfillësh rregullat e lojës. Nuk luhet Shota me muzikën e Brus Springstinit!
Behgjet Pacolli fushatën po e bënë me zona të lira ekonomike. Ekonomia është arma e tij e fuqishme që mund ta përdorë në fushatë. Të tjera argumente nuk ka. Agim Bahtiri e mori në qafë me ato këpurdha. Thuhet se këpurdhat bijnë shumë pas shiut. Falë Zotit shi ka pasur shumë kohën e fundit. Pacolli në këto zgjedhje do të hecë për teh të shpatës apo sikur akrobati që hecën mbi litar në cirk.
Fatmir Limaj është mjaft aktiv. Kam përshtypjen se ende është i mbushur me ndjenjën e hakmarrjes dhe ky është gabim i pafalshëm në politikë. Sa më parë ta kuptojë këtë dhe të lirohet nga kjo, më mirë do të kalojë në zgjedhje. Definitivisht, Jakup Krasniqi duhet të ketë më shumë hapësirë sepse ka më shumë durim se Fatmiri i cili është shumë impulsiv.
Rezultatet nëse u referohemi gjendjes aktuale
Parashikimet mund të ndryshojnë deri më ditën e zgjedhjeve. Aktualisht, nëse kemi parasysh listat e propozuara dhe mënyrën si po bëhet fushata, PDK është fituese. E dyta është LDK ndërsa e treta lista Srpska ose AAK-ë. Pas këtyre do të jetë VV e pasuar nga NISMA dhe AKR të cilat e kalojnë pragun. Koalicionet mund të jenë: PDK me AAK-në dhe NISMËN + pakicat. Ky kombinim do t’i kishte 74-79 vende në Kuvend ndërsa varianti tjetër fitues LDK me VV dhe AKR plus pakicat do t’i kishte 69-74 vende në Kuvend. Në variantin e parë kryeministër do të mund të bëhej Ramush Haradinaj ndërsa në të dytin Isa Mustafa. Deri në ditën e zgjedhjeve ka shumë kohë dhe mund të ketë ndryshime. Sidoqoftë, kushdo që fiton në këto zgjedhje nuk do të ketë ndryshime të mëdha. Ndryshimet e vërteta, konsolidimi i demokracisë dhe i ligjit do të ndodhë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do të mbahen jo më larg se në vitin 2016. As kjo legjislaturë e ardhshme nuk do ta përfundojë mandatin.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura