Pashtriku.org, 17. 11. 2014 – Dokumenti i Ivo Andriqit sot ruhet në: “Arhiv Serbije, [Jugoslavije, m.a.] fondi i: Milan Stojadinoviqit, kutia 37, f. 1-13” dhe është i daktiloshkruar në dy kopje, e para me ngjyrë blu ndërsa e dyta me ngjyrë të zezë. Është daktiloshkruar me grafema çirilike. Është i paginuar në fund në mes të faqeve me numra 1-13, dhe kopja e parë me laps plumbi me të njëjtit numra, ndërsa kopja e dytë është e papaginuar me laps plumbi. Faqja e parë ka përmbajten e dokumentit, ku janë të shënuar dhjetë kapituj me numra romak. Në fund të faqes së parë, djathtas, poshtë është shkruar me stilograf me ngjyrë blu nga kryeminsitri dhe minsitri i punëve të jashtme i Serbisë së asaj kohe, Milan M. Stojadinoviq: “Referat i z. Ivo Andriq, 30 janar 1939”.
Editimi kritik sipas metodave bashkëkohore i burimeve dokumentare duke u mbështetur në origjinal e jo në botimin e botimit ose në përkthimin e përkthimit është një çështje delikate, serioze dhe mjaft me përgjegjësi. Duke pasur një botim të transilteruar e nga ai edhe të paktën një përkthim, edituesi i burimit arkivor iu shmanget qëllimshëm përsëritjeve por, edhe lëshimeve e gabimeve të mëparshme duke ruajtur autoritetin e botuesit të parë dhe të përkthyesit të parë, njëkohësisht duke sjellur një editim të ri, me saktësime, plotësime e korrigjime të domosdoshme.
Burimi arkivor që kemi në dorë ka njohur dy botime në origjinal sllavisht (B. Krizman, 1977, Zagreb dhe te revista “Sveske” 1988 Beograd, ky botimi i dytë është mbështetur te botimi i parë e nuk ka autorë. Redaktor i revistës “Sveske” më 1988 ishte Slobodan Zubanoviq (L. Radoviq, 2008). Për këtë dorëshkrim është shkruar e debatuar edhe nga autorë shqiptar në shqip e sllavisht. Është përkthyer në shqip në mënyrë fragmetare a të plotë që nga viti 1981, J. Grvalla, (Zvicër), më 1990 në revistën Fjala, (Prishtinë), në vitin 2003 H. Islami, (V. Shita) dhe 2005 R. Qosja (V. Shita). Debatet për këtë dokument arkivor që njihet me titull: “Elaborati i Ivo Andriqit për Shqipërinë i vitit 1939” titull ky i vënë nga botuesi i parë B. Krizman, që në origjinal nuk ka titull, janë jashtëzakonisht të shumta si nga shqiptarët (J. Grvalla, E. Mekuli, H. Islami, R. Qosja…, etj) ashtu edhe nga kroatët (B. Krizman, I. Jeliq, A. Stipçeviq, B. Horvat, etj), malazezët (V. Kaleziq), boshnjak (Bećir Macić), etj., ndërsa u mbrojt nga pothuajse të gjithë autorët serbë.
Ivo Andrić (1892 – 1975)
Me këtë rast dëshirojmë të theksojmë se disponojmë tërë polemikën e zhvilluar në mes të kryeredaktorit të revistës kroate: “Časopis za suvremene povijest” I. Jelić, B. Krizmanit dhe R. Čolakoviqit, V. Kaleziqit, E. Koshit, I. Tartaljes, R. Cvjetiqaninit e cila ruhet në dorëshkrim në Beograd në: “Centar za dokumentaciju Zadužbine Ive Andrića, nr. 1156-1164, f. 243-261”. Këto dokumente pasi të përkthehen shpresojmë ti botojmë, sepse mendojmë se përmbajnë qëndrime shumë intersante rreth “Elaboratit” të Andriqit, duke hedhur dritë në disa aspekte pak ose fare të panjohura nga veprimatria e I. Andriqit.
Kur është fjala te debatet me këtë rast dëshirojmë të sjellim në vëmendje të lexuesve dhe studiuesve polemikën shumë origjinale të poetit të madh shqiptar Esat Mekulit, i cili përmes një poezie të botuar fillimisht në gjuhën shqipe në Prishtinë, në vitin 1979 në revistën “Jeta e Re”, nr. 4, f. 390, pastaj edhe në kroatisht në revistën “Forum”, të Akademisë së Shkencave Jugoslave në Zagreb (sot HAZU), më 1980, viti XIX, libri XL, nr. 9, f. 364, shpreh kundërshtimin e tij ndaj nobelisit Ivo Andriq në këtë formë:
AVET TAME
B. Krizman: Elaborat dr Ive Andrića
o Albaniji iz 1939. godine
(Časopis za suvremenu povjest, Zagreb 1977)
Reč po reč, stranice i stranice.
Misao što je besmisao mami…
Zar sanjar onaj, sužanj iz tamnice
da tamniči druge, otvara put tami?
(Kako verovati danas u vedrine
rečima tvojim sloge i širine?!)
Stojim zapanjen. Žao mi je, žao…
Zar si se tako, slobodar, predao!
(1978) /Dëshiroj të falëmnderoj prof. dr. Sabine Florance Fabijanec, nga Akademia e Shkencave Kroate për dërgimin e poezisë së E. Mekulit në kroatisht/.
SI KE MUNDUR?
Duke lexuar tekstin e një dokumenti nga viti 1939, i cili u publikua tashë vonë, të shkruar nga I. A.
Fjalë pas fjale – faqe të tëra ke shkruar –
faqe dhune, robërie e smire?…
Ëndërrues i dikurshëm, në burgje i sprovuar,
t’i robërosh të tjerët? Të ndjellish ditë errësire?!
Si t’i marr sot, në këto ditë lirie,
fjalët e tua farmak?
Po shkrimet tua të tjera, që aq të patën hije?!
Syve si t’u besoj?… Ti, që nderimin e pate hak,
vallë, lirinë e tjetrit ta vësh në darë e lak?!
(1978) /Dëshiroj të falëmnderoj prof. dr. Begzad Baliun nga Universiteti i Prishtinës që më dërgoi poezinë e E. Mekulit të botuar shqip/.
Ne kemi sjellë të dy variantet e poezisë së E. Mekulit, sepse ato dallojnë nga njëra tjetra. Ne kemi bërë përkthimin e variantit koratisht, por duke ditur se vetë autori ka botuar në shqip këtë poezi, ne nuk po e botojmë atë kësaj radhe. Ndryshimet që vërehen sigurisht që E. Mekuli i kishte parasysh, veçanërisht ai këto i bën për lexuesin e gjuhës “serbokrate” të kohës kur u botua poezia. Një tjetër reagim interesant është edhe ai që Ivo Andriq dhe veprat e tij të hiqen nga literatura (L. Radoviq, 2008) dhe librat e letërsisë shkollore në Kosovë (D. Kostiq, 2010). Një kërkesë e tillë u bë edhe nga dr. Ibrahim Rugova në vitin 1988 (V. Lalić, 2008; A. Paliq, 2013).
Përshkrimi fizik i dokumentit
Dokumenti i Ivo Andriqit sot ruhet në: “Arhiv Serbije, [Jugoslavije, m.a.] fondi i: Milan Stojadinoviqit, kutia 37, f. 1-13” dhe është i daktiloshkruar në dy kopje, e para me ngjyrë blu ndërsa e dyta me ngjyrë të zezë. Është daktiloshkruar me grafema çirilike. Është i paginuar në fund në mes të faqeve me numra 1-13, dhe kopja e parë me laps plumbi me të njëjtit numra, ndërsa kopja e dytë është e papaginuar me laps plumbi. Faqja e parë ka përmbajten e dokumentit, ku janë të shënuar dhjetë kapituj me numra romak. Në fund të faqes së parë, djathtas, poshtë është shkruar me stilograf me ngjyrë blu nga kryeminsitri dhe minsitri i punëve të jashtme i Serbisë së asaj kohe, Milan M. Stojadinoviq: “Referat i z. Ivo Andriq, 30 janar 1939”. Dokumenti nuk ka titull autorial. Data e krijimit të tij, merret ajo që ka shënuar Stojadinoviqi me dorë në faqen e parë, po ne jemi të mendimit se dokumenti është hartuar të paktën disa ditë më herët (gjithashtu nuk jemi dakord se ky dokument u hartua me 1 janar të vitti 1939, sicc mund të haset në ndonjë shkrim të autorëve shqiptarë). Fletët e dokumentit kanë dimensione: 28.8cm x 20,6cm. Nuk kanë shenja filigranes. Dokumenti nuk ka shënime të tjera.
Dokumenti lexohet lehtë. Është në gjendje shumë të mirë. Ruhet në një kuti kartoni së bashku me disa dokumente të tjera me përmbajtje të ngjashme, për të cilat do shkruajmë një herë tjetër. Dokumenti është i ndarë në dhjetë kapituj dhe ka edhe katërmbëdhjetë nënkapituj, të parët të shkruar me grafema kapitale ndërsa të dytët me grafema normale.
Çfarë është “Elaborati i Ivo Andriqit për Shqipërinë i vitit 1939”?
Një ndër projektet e shumta për zhdukjen, shpërnguljen e asmimilin e shqiptarëve si dhe për përvetësimin e territorreve të tyre etnike dhe ndarjen e tyre në mes të fqinjëve si dhe zhbërjen e shtetit të tyre të cunguar, është edhe ai i nobelistit jugosllav, Ivo Andriqit. Ky projekt ka përmbatje raciste (A. Stipçeviq, 1992), dhe mbështet gjenocidin mbi shqiptarët (S. Çekiq, 2009), është punuar me përkushtim, (S. Keçmezi-Basha, 2014) vetëdije të plotë, qëllime të qarta dhe ide largëpamëse, nga Ivo Andriqi në janar të vitit 1939, për kryeminsitrin dhe minsitrin e punëve të jashtme të Mbretërisë Serbe Kroate Sllovene,(MSKS) Milan M. Stojadinoviqin (M. M. Stojadinović, Ni rat ni pakt. 1963), i cili ka shënuar me dorën e tij në të djathtë, poshtë të faqes së parë të dokumentin datën 30 janar të vititi 1939 dhe emrin e autorit, Ivo Andriq. Këtë “Elaborat” Andriqi e shkroi kur ishte me funksion ndihmës ministër i punëve të jashtme (A. Stipçeviq, 1992) në MSKS (D. Kostiq, 2010), që në fakt ishte persnoni me përgjejgjësi më të madhe në ministrinë e punëve të jashtme të MSKS, pasi M. Stojadinoviq ishte kryeminsitër, I. Andriqi kryente punët e ministrit të punëve të jashtme (R. Paviq, 2001). Më 25 mars të vitit 1941 në Vienë, Ivo Andriqi firmos paktin “Trepalësh“ për bashkimin e MSKS me shtetet fashishte (L. Radoviq, 2008). Leximi i kujdesshëm i tekstit të “Elaboratit” hedh dritë mbi disa ngjarje dhe personalitete historike shqiptare, psh. siç është “Republikën e Mirditës” si krijesë e ideuar, finacuar dhe mbeshtetur nga serbët, (B. Horvat, 1988) etj, por edhe mbi pretendimet serbe për të pasur një baraspesh në rajon ndaj pretendimeve greke e italiane. Ne kemi bërë një përkthim ad literam të tërë “Elaboratit” duke ruajtur besnikërisht terminologjinë profesionale diplomatike, juridike, gjeopolitke, politike, ekonomike dhe topnoniminë. Në ato vende ku në origjinal mungonte kuptimi i fjalës në fjali, ne në kllapa kemi vënë fjalën që mungon ose atë që duhej të ishte. Nuk kemi bërë asnjë lloj ndërhyrje në tekst sikurse është bërë në botimet sllavish ose në përkthimet shqip.
“ELABORATI I IVO ANDRIQIT PËR SHQIPËRINË I VITIT 1939” (Përkthimi ad literam)
I.
LUFTA BALLKANIKE DHE SHQIPËRIA
Dalja e ushtrisë serbe në Adriatik
Sipas aneksit të fshehtë të Marrëveshjes për Aleancën në mes të Bullgarisë dhe Serbisë, të datës 26 shkurt të vitit 1912, Serbisë i njihej e drejta në territoret e deriatëhershme turke në Veri dhe në Perëndim të malit të Sharrit. Lidhur me këtë dispozitë, duke synuar ti siguronin vendit të tyre dalje në det, trupat serbe më 15 nëntor të vitit 1912, hynë në Lezhë dhe gradualisht pushtuan tërë Shqipërinë Veriore, deri në Tiranë e në Durrës. Në “Times” të Londrës më 25 nëntor [të vitit 1912, m.a.] u botua deklarata e Pashiqit që Serbia kërkon Durrësin me pjesën më të madhe të hinterlandit.
Krijimi i Shqipërisë autonome
Megjithatë Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 20 dhjetor të vitit 1912 mori vendim për krijimin e Shqipërisë autonome, duke i dhënë Serbisë vetëm të drejtën e daljes tregtare në detin Adriatik. Po kjo Konferencë, më 20 mars të vitit 1913 vendosi që Shkodra ti dorëzohej Shqipërisë. Mali i Zi refuzoi ta pranonte vendimin e fuqive të mëdha; për këtë e mbështeti Serbia, e cila dërgoi trupat e veta për ta forcuar rrethimin e Shkodrës. Fuqitë e Mëdha vendosën (më 21 mars [të vitit 1913, m.a.]) të bënin demonstrimin detar, nga i cili u përmbajt vetëm Rusia. Kryqëzorët austro-hungarezë, anglezë, francezë, gjermanë dhe italianë, të grumbulluar afër Tivarit, i detyruan trupat serbe të tërhiqeshin nga pozicionet afër Shkodrës. Bllokada e bregdetit malazes Fuqitë e Mëdha shpallën më 10 prill [të vitit 1913, m.a.] bllokadën e brigjeve të Malit të Zi, por qeveria malazeze vazhdoi rrethimin e Shkodrës, e cila kapitulloi më 20 prill [të vitit 1913, m.a.]. Mbreti Nikolla, megjithatë, u detyrua të lëshonte pe dhe, më 4 maj, [të vitit 1913, m.a.] me një telegram që i dërgon sër Eduard Greit (sir Edëard Gray), e dorëzon fatin e Shkodrës në duar të Fuqive të Mëdha. Pushtimi ndërkombëtar i Shkodrës zgjati prej 5 majit të vitit 1913 deri në fillim të Luftës Botërore.
II.
NDARJA E SFERAVE TË INTERESIT NË SHQIPËRI NDËRMJET SERBISË E GREQISË
Edhe pse nën presionin e Fuqive të Mëdha, në radhë të parë të Austrisë, u detyrua të tërhiqet nga Adriatiku dhe Shqipëria Veriore, Serbia nuk pushon së humburi shpresën. Në deklaratën e cila ishte shtesë e fshehtë e Marrëveshjes së aleancës në mes Greqisë e Serbisë nga 19 maj i vitit 1913, u ndanë sferat e interesit në mes të Greqisë e Serbisë, në Shqipërinë e porsaformuar autonome. Territori që shtrihet në veri të grykës së lumit të Semanit në det, pastaj drejt rrjedhës së këtij lumi deri te Gryka e Devollit, pastaj përgjatë Devollit deri te Mali i Kamjes – bënte pjesë në sferën e ndikimit serb. Pjesa jugore e Shqipërisë, nga kjo vijë, bënte pjesë në sferën e ndikimit grek. Në rast trazirash në Shqipëri, dy shtetet do të merreshin vesh për qëndrimin që do të mbanin. Këto janë kërkesat maksimale që në një dokument të shkruar i kemi parashturar ndaj Shqipërisë.
III.
PAKTI I LONDRËS DHE SHQIPËRIA
Pakti i Londrës është lidhur më 26 prill të vitit 1915 në mes: Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Italisë kishte dispozitat vijuese ndaj Shqipërisë:
Në vërejtjen e nenit 5 është thënë: “Katër fuqitë aleate do të ndajnë tokat e poshtëshënuara të Adriatikut Kroacisë, Serbisë e Malit të Zi: […]. Në Adriatikun e poshtëm (në viset që ju interesojnë Serbisë e Malit të Zi) tërë bregdetin, nga Kepi Planca deri te Lumi Drin, me portet e rëndësishme të Splitit, Dubrovnikut, Kotorrit, Tivarit, Ulqinit, Shëngjinit […]. Porti i Durrësit do ti ndahet shtetit të pavarur mysliman, Shqipërisë”. Në nenin 6 thuhet: “Italia do ta marrë në zotërim të plotë Vlorën, ishullin Sazan, e pos kësaj edhe një territor mjaft të gjërë i domosdoshëm për mbrojten e tyre, domethënë pjesën ndërmjet lumit të Vjosës në veri e në lindje, kurse në jug deri në Himarë”. Në nenin 7 thuhet: “Nëse do të vinte deri te formimi i një shteti të vogël autonom e neutral i Shqipërisë, Italia nuk do ti kundërvihej dëshirës së Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Rusisë që viset veriore dhe ato jugore të Shqipërisë të ndaheshin në mes Malit të Zi, Serbisë e Greqisë”. Që në vitin 1915 Fuqitë e Mëdha, pra miratojnë parimin e ndarjes së Shqipërisë dhe pranojnë që në Shqipëri të kenë interesat e tyre Italia, Serbia e Greqia. Ndërsa këtyre dy vendeve ballkanike ju njihet e drejta në korrigjimin e kufijve, Italisë i dorëzohet Vlora si dhe protektorati mbi Shqipërinë e cunguar.
IV.
SHQIPËRIA NË KONFERENCËN E PAQES
Pikëpamjet e fuqive të mëdha
Në Konferencën e Paqes fuqitë aleate (Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës), propozuan më parë për Shqipërinë, në Veri e Lindje, ata kufinj të cilët ishin përcaktuar në Konferencën e Londrës në vitin 1913; i njihnin sovranitetin e plotë Italisë mbi Vlorën dhe hinterlandin e nevojshëm dhe i jepnin Italisë mandatin për administrim të lirë të shtetit shqiptar nën kontrollin e Lidhjes së Kombeve (Memorandumi nga 9 dhjetori i vitit 1919).
Pikëpamja jonë
(Kundër mandatit të Italisë. Për Shqipërinë e pavarur. Argumentet për korrigjimin e kufijve dhe për marrjen e Shkodrës e të Shqipërisë Veriore).
Në përgjigjen tonë nga 8 janari i vitit 1920 ne e hodhëm poshtë propozimin, që Italisë ti jepej mandati mbi Shqipërinë, duke theksuar se kjo do të ishte përsëritje e rastit të Bosnjës e Hercegovinës. “Kjo zgjidhje, thuhet në përgjigjen tonë, do të krijonte në favor të Italisë kufij ofensivë kundër shtetit tonë, i cili do të privohej nga mjetet për t’u mbrojtur. Kjo do të thoshte në njëfarë dore përparësi ofensive, kurse në anën tjetër vartësi e përsosur strategjike”.
Ne kemi kërkuar, për shkaqe ekonomike dhe strategjike, që të bëhet korrigjimi i kufijve ndaj nesh (në rrjedhën e mesme të Drinit, në Bunë dhe në shikim [drejtim, m.a.] të fiseve Kelmendi e Kastrati), që i përcaktoj Konferenca e Londrës nga viti 1913. Përveç këtij korrigjimi, delegacioni ynë kishte deklaruar se zgjidhja më e mirë është, nëse Shqipëria bëhet shtet i pavarur në kufijtë e vitit 1913, dhe me administrim autonom. Në rast se kjo zgjidhje nuk do të pranohej, ose nëse pjesa Jugore e Shqipërisë do t’u jipej shteteve të tjera, delegacioni ynë kishte kërkuar për ne pjesën Veriore të Shqipërisë deri në Drin. “Shteti ynë ka të drejta të lashta në këto treva, thuhet në memorandumin tonë. Shkodra është kryeqyteti i dikurshëm i sundimtarëve serbë.
Populli ynë ka derdhur lumenj gjaku për Shkodrën, sidomos në luftën e vitit 1913, i cili i ka kushtuar Serbisë disa mijëra ushtarë të saj, kurse Malit të Zi një të tretën e ushtrisë së tij. Për ti kënaqur dëshirat e Fuqive të Mëdha, trupat serbe dhe malazeze zbrazën në vitin 1913 Shkodrën dhe Shqipërinë Veriore. Austria duke e mobilizuar ushtrinë, kërcënoi me luftë. Shkodra mund ti takonte Malit të Zi, po të pranonte ky i fundit tia lëshonte Llovqenin Austrisë, ose të ishte neutral. Por Mali i Zi refuzoi tia lëshonte Austrisë këtë pozicion të rëndësishëm strategjik”.
“Lugina e Drinit me Shkodrën përbëjnë një tërsi gjeografike dhe ekonomike me Malin e Zi dhe trevat kufitare të Serbisë. Për Serbinë e Mesme dhe për Malin e Zi, Lugina e Drinit është e vetmja rrugë natyrore direkte dhe më e shkurtër për në Adriatik. Hekurudha e rëndësishme Danub – Adriatik duhet të kalojë nëpër Luginën e Drinit. Konferenca e Ambasadorëve në Londër e vitit 1913, ja ka njohur Serbisë të drejtën e daljes në det”. “Shkodra është në lidhje edhe me lumin Buna, i cili i hap udhë natyrore tregtisë së Malit të Zi në det.
Që nga Marrëveshja e Berlinit, Mali i Zi gëzonte të drejtën e lundrimit të lirë në Bunë. Liqeni i Shkodrës, në pjesën më të madhe i takon Malit të Zi. Për shkak të pakujdesisë së turqve, tokat më të mira të Malit të Zi edhe më tutje janë të përmbytura nga uji i Liqenit të Shkodrës. Për këtë shkak shtetin tonë e intereson në masën më të madhe rregullimi i Bunës dhe i Drinit, jo vetëm për shkak të lundrimit në Bunë, por edhe për shkak se në këtë mënyrë do të thaheshin 12 deri në 20.000 hektarë të tokës më pjellore dhe po aq hektarë do të bonifikoheshin. Dy të tretat e kësaj toke i takojnë Malit të Zi”.
Pikëpamjet italiane
(Sipas Memorandumit të 10 janarit 1920)
Italia kërkon nga Lidhja e Kombeve mandatin që ta administrojë shtetin e pavarur shqiptar. Kufijtë shqiptarë në Veri e në Lindje do të jenë ata që janë caktuar në Konferencën e Londrës. Kufiri Jugor do të jetë objekt shqyrtimi. Qytet i Vlorës do ti jepet Italisë nën sovranitet të plotë, bashkë me hinterlandin e nevojshëm për mbrojtjen e saj dhe zhvillimin ekonomik. Aleatët pranojnë që Shkodra dhe Shqipëria e Veriut ti bashkohen Jugosllavisë. Duke propozuar një zgjidhje të përgjithshme të çështjes së Adriatikut, Klemanso, në cilësinë e kryetarit të Konferencës së Paqes, në lidhje me lëshimin e Rijekës Italisë, deklaori më sa vijon: “pra sipas kësaj shteti i S. H. S. [Serbëve Kroatëve e Sllovenëve, m.a.] do të ngrihet në kulmin e fuqisë së vet, pasi ti ketë në zotërim Shkodrën, Drinin dhe Shëngjinin”.
Niti kishte pranuar këtë, me kusht që Italia ta mbante Vlorën dhe ta fitonte mandatin mbi Shqipërinë.
Përgjigjja jonë e fundit Konferencës së Paqes
Në përgjigjen tonë të fundit Konferencës së Paqes (më 14 janar të vitit 1920), ne edhe më tutje kemi qëndruar në pikëpamjen, se zgjidhja më e mirë do të ishte që administrimi i Shqipërisë në kufijtë e caktuar më 1913 ti besohej qeverisë autonome lokale, pa kompetenca të cilësdo fuqi të huaj. Nëse kjo zgjidhje nuk pranohet, por vendoset që pjesë të territorit shqiptar t’u jepen shteteve të tjera, delegacioni ynë do të kërkoj pjesën e Shqipërisë Veriore (duke bashkëngjitur një hartë me kufirin e shënuar), për të cilën ishte premtuar regjim autonom.
Pikëpamja e të ndjerit Pashiq
Kur dukej e sigurt se aleatët do ti lejonin Italisë të përforcohej në Shqipërinë e Mesme, kryetari i delegacionit tonë, Pashiqi, në fund të vitit 1919 njoftoi qeverinë në Beograd se kishte ardhur koha, që të shtrënguar nga rrethanat, ta ndryshojmë politikën tonë ndaj Shqipërisë. Në atë letër thuhej: “Pasi në Shqipëri nuk mund ta kthejmë gjendjen çfarë ka qenë para evakuimit të ushtrisë sonë dhe të shtetit të parë të Esad Pashës, për shkak të depërtimit të Italisë dhe të përkrahjes së Italisë nga ana e fuqive; pasi Fuqitë duan ta zbatojnë Marrëveshjen e Londrës dhe s’do të ketë Shqipëri çfarë ne kemi mbrojtur, aleatët do tia japin Italisë Vlorën me hinterlandin dhe protektoratin mbi një pjesë të Shqipërisë – në këto rrethana, ne duhet të kërkojmë kufij të tjerë më të mirë ndaj territoreve shqiptare, të cilat do të bien nën protektoratin italian”.
“Minimumi që do të pranojmë nga aleatët është ky: kufiri përgjatë Drinit të Zi deri në grykëderdhejn e Drinit të Bardhë e nga aty Drinit të Madh (duhet të jetë të Bardhë, në origjinal është të Drinit të Madh, m.a) deri në det”.
“Maksimumin duhet ta kërkojmë, në mënyrë që Italia të marrë sa më pak territore. Ky maksimum i pretendimeve tona do të ishte: Lumi i Matit deri në burimin e tij, e nga aty drejt nga lindja deri te Drini i Zi. Pra, Mati dhe Drini do të ishin kufijtë tonë me protektoratin italian”.
V.
PUSHTIMI ITALIAN I SHQIPËRISË PAS LUFTËS DHE TËRHEQJA PËRFUNDIMTARE PAS MOSSUKSESIT TE VLORA
Pas përfundimit të luftës, në bazë të një vendimi ushtarak ndërmjet aleatëve, trupat italiane pushtuan tërë territorin e Shqipërisë, madje edhe atë pjesën Veriore, të cilën ne, na e kishte njohur Pakti i Londrës. Vetëm Shkodra ishte nën pushtimin e përbashkët të trupave franceze dhe italiane. Për shkak të qëndrimit armiqësor që Italia kishte asokohe ndaj shtetit SKS, ne këtë pushtim ushtarak italian të Shqipërisë e kemi konsideruar si rrezikun më të madh për ekzistencën tonë. Ne territorin shqiptar është zhvilluar një luftë e ashpër ndërmjet nesh dhe Italisë. Italianët atëherë inicuan çështjen malazeze e maqedonase, si dhe idenë e Shqipërinë së Madhe deri në Kaçanik. Ne kundër tyre zhvilluam herë aksione të fshehta, herë të hapura, duke e bërë për vete me para, fisnikët (parinë, m.a.) shqiptarë dhe duke u shërbyer me idenë e “Shqipërisë së pavarur” dhe “Ballkanin popujve të Ballkanit”. Pakënaqësia e popullsisë shqiptare, të cilën e përkrahnim edhe ne, i detyroi italianët që në fillim të vitit 1920, ti tërhiqnin trupat e tyre nga viset e brendshme të Shqipërisë dhe të përqëndroheshim vetëm rreth Vlorës, prej nga poashtu në qershor të të të njëjtit vit do të detyrohen të tërhiqen, duke lidhur një marrëveshje me qeverinë e Tiranës për evakuimin e tyre nga tërë territori shqiptar, përveç ishullit të Sazanit. Deri te evakuimi nga Shqipërisa erdhi për shkak të rezistencës së organizuar të shqiptarëve, por nuk duhet harruar se në atë kohë Italia ishte shumë e dobët politikisht dhe ushtarakisht. Edhe sot ka shqiptarë të cilët mendojnë se mund ti përzënë italianët nga Shqipëria kur të dëshirojnë. Ky vetëbesim është fatal për ata, sepse nuk e shohin që Italia e sotme fashiste nuk është ajo që ishte në vitin 1920 nën qeveritë parlamentare të Nitit, të Gjolitit e të Faktës.
VI.
SHQIPËRIA PARA KONFERENCËS SË AMBASADORËVE
Pas evakuimit të trupave italiane nga Shqipëria, gjendja në terren ishte pastruar (qetësuar, m.a.), Konferenca e Ambasadorëve, mundi që në nëntor të vitit 1921 të mirrte vendim për njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur e sovran. Në vend të premtimeve të mëparshme lidhur me Vlorën dhe me mandatin mbi Shqipërinë, Fuqitë e Mëdha ia njohën Italisë vetëm interesin e saj të posaçëm për ruajtjen e pavarësisë shqiptare. Shqipëria hyri në Lidhjen e Kombeve, me shpresë se kjo do ta siguronte edhe më tepër pavarësinë e saj. Para Konferencës së Ambasadorëve, edhe një herë provuam, por pa sukses, që të realizonim korrigjimin e kufirit në drejtim të Shkodrës dhe të Drinit, duke theksuar për Shkodrën shkaqet historike, kurse për Drinin shkaqet ekonomike dhe ato të trafikut. Eksperti francez në Konferencë, Larosh, na ngushëlloi kështu: “Qeveria mbretërore ka gabuar, që nuk e ka miratuar, në atë kohë, propozimin e Francës për ndarjen e Shqipërisë. Pashiqi qe pajtuar me këtë, por qeveria e Beogradit kishte refuzuar”. Që mos të lejonim italijanët në Vlorë, ne u detyruam të hiqnim dorë nga Shkodra dhe kufirit deri në Dri. Meqenëse ne gjithmonë e kemi përfaqësuar idenë e pandashmërisë së territorit shqiptar, ashtu siç ishte caktuar ajo në vitin 1913, si dhe pavarësinë e Shqipërisë, do të mund të supozohej se ne, kjo zgjidhje e Konferencës së Ambasadorëve do të na kënaqte. Kjo megjithatë, nuk është e rastit. Vështirësitë në marrëdhëniet tona me Shqipërinë, si dhe në marrëdhëniet tona me Italinë për shkak të Shqipërisë, po rëndoheshin edhe më tutje, edhe përkundrë shpalljes së Shqipërisë si shtet ti pavarur dhe anëtare e Lidhjes së Kombeve.
Republika e Mirditës
Derisa Konferenca e Ambasadorëve po zgjidhte çështjen e kufijve të Shqipërisë dhe organizimin e pavarësisë, ne, në gjysmën e vitit 1921 nënshkuram me të parët (fisnikët,bajraktarët, m.a.) e Mirditës marrëveshjen e bashkëpunimit. Ishte paraparë formimi i shtetit të lirë të Mirditës, të cilin do ta mbronin forcat ushtarake të S.K.S. dhe interesat të cilit në botën e jashtme do ti përfaqësonte qeveria e Beogradit. Qeveria e Tiranës e shtypi këtë lëvizje, kurse ne qemë akuzuar dhe dënuar para Lidhjes së Kombeve.
VII.
PAKTI I ROMËS, PASHIQI, MUSOLINI DHE SHQIPËRIA
Pakti i Romës i janarit të vitit 1924, me frymën e tij, ua imponoi edhe Romës edhe Beogradit respektimin e pavarësisë dhe parimin e mospërzierjes në punët e brendshme të Shqipërisë, si dhe informimin e ndërsjellë rreth ngjarjeve në Shqipëri. Kjo, megjithatë nuk pengoi qeverinë italiane që të ndihmonte Fan Nolin, në qershor të vitit 1924, që të organizonte kryengritjen kundër Ahmet Zogut, dhe as qeverinë tonë, që në dhjetor të të njëjtit vit ti mundësoj Ahmet Zogut që nga territori ynë të futet në Shqipëri dhe të merrte pushtetin. As Roma, as Beogradi nuk mund t’u bënin ballë intrigave dhe kërkesave të “miqve” të shqiptarëve, të cilët kërkonin ndihmë për të ruajtur ose për të ardhur në pushtet dhe premtonin besnikëri e bashkëpunim, kurse në rastin e parë ndërronin orientimin.
VIII.
PAKTI I TIRANËS DHE GJENDJA QË KRIJOI AI
I ndjeri Pashiq duke i udhëzuar përfaqësuesit tonë për punë në Shqipëri, ju thoshte: ne dëshirojmë Shqipëri të pavarur, por edhe Shqipëri të dobët dhe të trazuar (jostabile, m.a.). Koha dëshmoi se kjo nuk ishte e mundur të mbahej (realizohej, m.a.). Shqipëria e dobët dhe e trazuar ishte e detyruar të kërkonte ndihmë dhe mbrojtje atje ku mund të gjente. Regjimi i cili ishte i rrezikuar nga Italia, na drejtohej neve, ndërsa ai të cilin ne dëshironim ta rrëzonim, kërkonte mbrojtje nga Italia. Shqipëria e dobët dhe e trazuar (jostabile, m.a.), në vitin 1926 i kërkoi mbrojtje dhe ndihmë Italisë. Ahmet Zogu mori së pari garanci për regjimin e tij, dhe pastaj pranoi në vitin 1927 në lidhjen e një Alenace Ushtarake për 20 vjeçare, përfitoi qindra e qindra miliona lireta për punime botore, ekonomikisht dhe finaciarisht e vuri Shqipërinë në zgjedhën italiane, pranoi shumë instruktorë italianë. U krijua, kështu, një raport që i ngjante shumë atij protektorati, kundër të cilit kishim luftuar në Konferencën e Paqes. Ajo që viteve të fundit më së shumti na rrezikonte prej Shqipërie, ishte organizimi ushtarak fortifikimet ushtarake dhe aksionet irredentiste. Gjithandej e vërenimin rrezikun nga aksionet italiane dhe atë “kufirin ofensiv”, kundër të cilit patëm luftuar para aleatëve në Paris, kur patëm propozuar që Italisë ti jepej mandati në Shqipëri. Në këtë vend është me interes të theksohet, që vetëm ne kishim protestuar dhe kishim luftuar kundër ndërhyrjes së Italisë në Shqipëri dhe në Ballkan. Asnjë vend tjetër i Ballkanit në kërë drejtim nuk na përkrahu. Dy fuqitë detare mesdhetare, Franca dhe Anglia, nuk kundërshtuan mbylljen e detit Adriatik. Për më tepër, Osten Çëmbërleni, në takimin me Musolinin në Livorno në vitin 1926, dha pëlqimin për Paktin e Tiranës. E të gjithë përfaqësuesit francezë në Tiranë vazhdimisht i jepnin këshilla mbretit Zog që të mos futej në konflikt me italianët.
IX.
PAKTI I MIQËSISË ITALO-JUGOSLLAVE I 27 MARSIT TË VITIT 1937
Italia e Jugoslavija duke ndjekur politikë miqësie njëra ndaj tjetrës, mund të merren vesh për Shqipërinë në këtë formë: Italia ka interesin e vet jetësor në Vlorë, kjo pjesë e bregdetit shqiptar nuk bën të rrezikohet prej nesh; ne këtë interes duhet ta kuptojmë dhe ta respektojmë. Interesi jetësor i Jugosllavisë është të mos jetë e rrezikuar në kufirin në drejtim të Serbisë Jugore, as nga Kosova (e populluar me shqiptarë), as nga Shkodra dhe Mali i Zi. Për këtë, pa dyshim është llogaritur, kur në protokollin e fshehtë së bashku me Paktin e Miqësisë është parashikuar që të ndërpritet fortifikimi i mëtejmë në zonat e Librazhdit e të Milotit. Për sa i përket aksionit ekonomiko-financiar në Shqipëri, ne për këtë nuk kemi, dhe nuk dëshirojomë të investojmë mjete të veçanta. Italianët, pra, mbeten pa konkurrencë dhe pa vërejtje nga ana jonë, kuptohet me kusht që të mbeten në kufijtë e obligimit tjetër të fshehtë, të cilin para dy vjetësh e kanë marrë ndaj nesh që në pikëpamje politike, ekonomike dhe financiare nuk do të kërkojnë kurrfarë përfitimesh të posaçme, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë do ta komprometonin pavarësinë e shtetit shqiptar. Në këtë mënyrë Pakti i Miqësisë i datës 25 mars 1937 krijoi një “modus vivendi” tolerant ndërmjet nesh dhe Italisë në territorin shqiptar, për të cilin vite më parë kemi pasur aq shumë konflikte e dyshime (mosmarrëveshje, m.a).
Është çështje tjetër, që ky qetësim, në Shqipëri, a do të mund të përballoj disa situata të rënda dhe të komplikuara në Detin Mesdhe ose në Ballkan.
X.
RUAJTJA OSE NDRYSHIMI I STATUS QUO-së
Pavarësia e Shqipërisë është zvogëluar, por nuk është shkatërruar
Pavarësia e një shteti ndaj botës së jashtme gjithnjë është gjithnjë një koncept realtiv. Duke pasur parasysh rrethanat, kjo pavarësi është më e plotë ose është më e zvogëluar. Për Shqipërinë, sot nuk mund të thuhet që politika e brendshme dhe e jashtem është e pavarur nga Italija.
E megjithatë, ajo në bashkësinë ndërkombëtare konsiderohet si shtet i pavarur. E drejta ndërkombëtare, bregdetin shqiptar e njeh si të pavarur e jo si italian, përkatësisht e konsideron se është nën suverenitetin e një shteti Ballkanik. Italia ende nuk ka shkelur në Ballkan. Ajo ka një pjesë të sovranitetit të territorit të Zarës, por ky nuk i ofron mundësi të zgjerohet më tutje. Në Shqipëri, Italia ka ndikim, por nuk ka lirinë e aksionit sikur në territorin e saj. Shqiptarët megjithatë e kundërshtojnë ndërhyrjen e saj, i shkaktojnë vështërsi dhe e ngadalësojnë.
“Ballkani – popujve të Ballkanit”
Politika tradicionale e Serbisë është “Ballkani – popujve të Ballkanit”. Ky parim është përdorur në kohën e tij në luftë kundër Perandorisë Osmane dhe kundër Monarkisë Austro-Hungareze. Jugosllavia e përdori me sukses këtë kundër dispozitave të Paktit të Londrës, i cili e futi Italinë në Dalmaci dhe në Shqipëri. Në zbatimin e këtij parimi ne gjithmonë kemi shikuar garancinë më të mirë për paqe në Ballkan, për bashkëpunim ndërmjet popujve të Ballkani dhe për zhvillim normal të popujve ballkanas. Prania e një Fuqie të Madhe në Ballkan, janë dyer të hapura të intrigave e pushtimeve.
Zgjerimi i Italisë
A është e mundur që Italia, duke u bërë zotëruese e sovrane e Shqipërisë Jugore dhe të Mesme, të mbetet vetëm në atë brez të ngushtë bregdetar? Ne këtë nuk e kemi besuar para 20 vjetësh, kur Fuqitë e Mëdha ia ofruan Italisë Vlorën me hinterlandin. Ne këtë e kemi edhe më të vështirë ta besojmë sot, kur Italia tregon aq shumë dinamizëm e guxim në politikën e saj të jashtme.
Një precedent i rrezikshëm
Marrja e një pjese të territorit të Ballkanit nga një Fuqi e Madhe joballkanike pa kurrfarë baze etnike, për tërë popujt e Ballkanit, pra edhe për ne, është një precedent i rrezikshëm. Të tjera Fuqi të Mëdha nga drejtime të tjera mund të paraqiten me pretendime të ngjashme. Rasti i veçantë i Italisë në Shqipëri për ne është i rrezikshëm, sepse me Paktin e Londrës, me të cilin për herë të parë ju njoh Italisë, Shqipëria Jugore, po kësaj Italie i ishte njohur edhe Dalmacia Veriore. Precedenti për gjallërimin e dispozitave të Paktit të Londrës në një sektor të Ballkanit hap dyert edhe për gjallërimin e dispozitave të tjera.
Ndarja e Shqipërisë
Me rastin e vlerësimit të tërë kësaj çështjeje, duhet t ë kemi parasysh që me çdo kusht duhet të shikojmë që ti shmangemi konfliktit të hapur ose të fshehtë me Italinë. Gjithashtu duhet ta shmangim pushtimin e tërë Shqipërisë nga Italia, ngase kjo do të na rrezikonte në vendet më të ndieshme (nevralgjike, m.a.) si në Bokë të Kotorrit e në Kosovë. Duke pasur parasysh gjithë ç’thamë më lart, për ne ndarja e Shqipërisë mund të vinte në konsideratë vetëm si një e keqe e domosdoshme, të cilën nuk mund ta eviotjmë dhe si një dëm i madh nga i cili duhet të nxjerrim përfitime të atilla aq sa është e mundur, d.m.th. prej dy të këqijave ta zgjedhim më të voglën.
KOMPENSIMET TONA
Këto kompensime gjenden në materialin e përpunuar para 20 vjetësh, kur është shtruar çështja e ndarjes së Shqipërisë. Maksimumi që e kemi kërkuar asokohe ishte kufiri që do të shkonte përgjatë lumit të Matit dhe Drinit të Zi dhe i cili do të na jepte garanci strategjike të Malit të Zi dhe Kosovës. Gjithashtu do të duhej të siguronim luginat e Liqenit të Ohrit dhe Prespës, duke përfshirë edhe Pogradecin dhe fshatrat sllave të Malit të Thatë si dhe ato në mes të Prespës e Korçës. Marrja e Shkodrës me këtë rast do të kishte rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte që të bënim punime të mëdha hidroteknike dhe të përfitonim tokë pjellore për ushqimin e Malit të Zi. Shqipëria Veriore në kuadër të Jugosllavisë do të mundësonte krijimin e lidhjeve të reja të trafikut të Serbisë Veriore e Jugore me Adriatikun. Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare të Kosovës, e cila në situatën e re lehtësisht do të asimilohej. Ne eventualisht do të fitonim 2-300.000 shqipatrë, por këta shumica janë katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë asnjëherë të mira. Çështja e shpërnguljes së shqiptarëve myslimanë në Turqi do të bëhej gjithashtu në rrethana të reja, sepse nuk do të kishte kurrfarë aksionesh të forta (organizuara, m.a.), për pengimin e tij.
………………………………………………………