RAGIP SHALA: KËSHILLI I PAJTIMIT NË MALISHEVË (1990)

Zvicër, 9 shkurt 2018: (Respekt ndaj heronjve të cilët shtrinë dorën e pajtimit) – Komuna e Malishevës shtrihet në rajonin e Përkorubës, toponim i moçëm shqiptar, që shovinizmi serb pas okupimit 1912 e ndryshoi në “Prekorupa”, kurse tani pa të drejtë quhet Llapusha. Ky rajon përfshin territorin nga fshati Duhël, përgjatë rrjedhës së lumit Mirusha, deri në fshatin Kijevë. Përkoruba njihet për kryengritjen e parë në nivel të Kosovës kundër okupimit serb, kryengritja e Banjës (1914), pastaj në mbështetje të Lëvizjes Klandestine (Kaçake) në mes të dy luftërave botërore, NDSh-së, si dhe për zanafillën, rritjen dhe zhvillimin e UÇK-së. Meqë ky rajon banohej kryesisht nga shqiptarët, është quajtur edhe “Shipnia e vogël”.
Mbase shkaku i “Shipnisë vogël”, Përkoruba nuk ishte njësi në vete, e përhershme administrative, prandaj qeverisja komunale bartej herë në Banjë e Kijevë, e herë në Malishevë.
Përkoruba si “Shipni e vogël” gjatë tërë socializmit të Kalimegdanit ka qenë rajoni më i pazhvilluar në RSFJ. Pa as një objekt industrial, pa rrymë, pa rrugë, pa ujë, pa përkujdesje shëndetësore, pa sistem arsimor, kulturor e sportiv. Përkundër izolimit nga “vëllazërim-bashkimi” pushteti shovenist serb ishte i pranishëm në Përkorubë me struktura politike, ushtarake dhe policore.
Në fshatrat Duhël, Banjë, Malishevë dhe Kijevë ndodheshin “stranicat” e milicisë që përkujdeseshin për mbarëvajtjen e “vëllazërim-bashkimit”.

Kurse Korpusi ushtarakë i APJ-së Nishit stacionohej për muaj të tërë në “Fushë të begut” dhe në Gajrak të Banjës duke ushtruar terror psikologjik në popullatën e “Shipnisë së vogël”. Edhe komisarët politikë të Kumrovcit gjatë tërë asaj kohe kanë sugjeruar që “uji, zjarri dhe hyqemeti s’kanë Aman”.
Popullata e Përkorubës, nën rrethimin ushtarako-policore, ka qenë tërësisht në getoizim dhe i ngujuar në terrin mesjetar, prandaj kanë dominuar normat e Kanunit. Tërë jeta e përditshme: relacionet familjare, çështjet pronësore, tregtia është rregulluar me norma të Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Kontestet pronësore juridike, familjare në mungesë të pushtetit lokal, gjegjësisht gjykatave janë “gjykuar” nga pleqtë e Kanunit. Edhe kur kanë parashtruar çështje juridike pran gjykatave në Prizren, Gjakovë, Pejë, ato qëllimisht janë zvarritur nga komisarët e luftës speciale. Zvarritjet e qëllimta, pastaj “gjykimet” nga pleqtë e kanunit janë ndër shkaqet të konflikteve që kanë rezultuar me vrasje, rrahje, ngatërresa zinxhirore deri në gjakmarrje.
Të ngujuar brenda mureve, shkaku i gjakmarrjes, familje të tëra kot kanë shpresuar në “mrekulli” të ndonjë “sluzhbeniku” apo “intelektuali” që t’ua hapnin derën. Askush nuk është marrë me konfliktet familjare, me masat parandaluese, me shkaqet, pasojat, në mënyrë që t’i parandalonin vrasjet reciproke. Në fakt disa “intelektualë” shqipfolës janë marrë me “studimin” e fenomenit të gjakmarrjes duke mbrojtur në Beograd “disertacione shkencore” mbi gjakmarrjet në “Kosmet”.
Përkundër asaj mizërie “intelektuale” megjithatë njerëz të mirë “aty-këtu” kanë arritur të pajtonin familje të hasmuara, duke parandaluar gjakmarrjet. Por ato pajtime ishin modeste karshi fenomenit gjakmarrës jo vetëm në Përkorubë por gjithandej Kosovës. Në prag të shkollimi të RSFJ-së, në fillim të viteve ’90-ta, më se dy mijë familje shqiptare kanë jetuar të ngujuar me Besë e pa Besë.
Duke llogaritur mesatarisht nga dhjetë anëtarë për familje, më se 20.000 familjarë kanë jetuar nën psikozën e gjakmarrjes dhe po aq në palët e dëmtuara nën presion të “krenarisë kanunore” për të “marrë hakun”. Më se 40.000 familjarë shqiptarë kanë qenë “protagonist” të kanunit mesjetar të Lekë Dukagjinit, në socializmin e Lidhjes Komuniste në krye me “shokun” Tito.
Koha e pajtimeve 1990
Në mars 1989 pasi kapitulluan rrogëtarët “e hegjemonizmit dhe shovinizmit serb, në krye me “shokun” Azem Vllasi, Kosovën e përfshiu një valë protestash dhe demonstrata popullore për liri, demokraci dhe Republikë. Plumbat e “Zastavës” së Kragujevcit do të vrisnin disa dhjetëra demonstruese paqësorë anë e mbanë Kosovës. Kurse në nëntor vriten Afrim Zhitia e Fahri Fazliu organizatorë të demonstratave për Kosovën Republikë. Edhe në janar 1990, gjeneralët serbë e përgjakën Kosovën, duke vrarë kryesisht të rinj. RSFJ-ja tani më po “vdiste”, Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Makedonia lëviznin drejt pavarësisë, kurse Kosova jo që nuk kishte fituar statusin Republikë, por kishte humbur edhe autonominë e ’74-s. Vojslav Sheshel gjatë një debati në parlamentin e Beogradit, për çështjen e Kosovës, duke ngritur lart revolen pat deklaruar qartë: Kosova i takon atyre që do ta fitojnë me luftë. Në këtë kohë derisa Lidhja Komuniste e Kosovës ishte në procesin e metamorfozës për në LDK, lëvizja klandestine LPK-ja, duke trajtuar rrethanat politike, dhe analizuar format dhe metodat çlirimtare kundër okupimit serb, lëshoi thirrje për pajtim. Në fakt ideja për pajtim, falja e gjaqeve ishte hedhur në qeli të burgjeve serbe nga i madhi Afrim Zhitia dhe “cimarët” e tij.
Në fund të janarit 1990 në Bibliotekën Universitare nga strukturat klandestine të LPK-së janë marrë hapa konkret për finalizimin e thirrjes për pajtim, faljen e gjaqeve dhe ngatërresave. Misionarë për pajtime nga strukturat klandestine të LPK-së do të trokisnin në Institutin Albanologjik, konkretisht në zyrë të Anton Çettës, për ta “çuar në vend” amanetin e Afrim Zhitisë. Koha për pajtime kishte arritur, prandaj Epoka e Pajtimeve tani më po fillonte…
Themelimi i Këshillit të Pajtimit në Malishevë
A mund të çlirohej Kosova kundër okupimit serb, pa u çliruar nga vetvetja, pa u çliruar më se 40.000 familjarë nga ankthi dhe kthetrat e gjakmarrjes.
Prandaj struktura klandestine të LPK-së studentë, udhëtuan nga Prishtina në Malishevë, për të zbatuar thirrjen e LPK-së për pajtim. Në Malishevë akoma figuronin emblemat e RSFJ-së: “Stanica” e milicisë dhe Komiteti komunal i LKJ-së, përkundër procesit të metamorfozës së LKJ-së në LDK.
Këshilli i pajtimit në Malishevë është formuar më 16.02.1990, në objektin e shkollës fillore. Në kuvendin themelues kanë prezantuar 65 pjesëmarrës nga fshatrat e Malishevës. Kuvendi ka zgjedhur Këshillin e Pajtimit me kryetar Avdyl Berisha, i cili pastaj u vetëlargua.
Këshillin e përbënin këta pajtimtarë: Asllan Kastrati, Avdyl Berisha, Bashkim Krasniqi, Enver Mazreku, Enver Haklaj, Fatmir Limaj, Feriz Hoti, Maliq Kryeziu, Malsore Zogaj, Hamdi Berisha, Hasime Mazreku, Ibrahim Mazreku, Kumrije Bashota, Valbona Krasniqi, Gjyle Krasniqi, Sylejman Mazreku, Shemsi Mazreku, Xhevdet Mazreku, Xhevdet Kastrati, Ramadan Sopaj, Ramë Bashota, Ramadan Mazreku, dhe Ragip Shala. Pastaj na janë bashkangjitur Fetah Bekolli, Januz Mazreku, Nuhi Mazreku, Ibrahim Kryeziu, Hamez Kryeziu, Hagji Samadragja, Zyrafete Kuqi, Cen Desku, Sherif Gashi etj.
Paralel me Këshillin komunal, ka funksionuar edhe Këshilli lokal në fshatin Banjë të themeluar nga: Fatmir Limaj, Izet Shala, Lulëzim Shurdhaj etj.
Këshilli i Pajtimit në Malishevë ka qenë me disa karakteristika të veçanta:
a) Është i Dyti këshill i formuar në nivel të Kosovës (16 Shkurt 1990)
b) Gjatë tërë veprimtarisë këshilli ka funksionuar pa kryetar, vetëm me tre koordinator Asllan Kastrati, Shemsi Mazreku, Ragip Shala.
c) Të gjitha pajtimet janë realizuar me forca vetanake, pa kërkuar “hua” nga Këshilli Qendrorë në Prishtinë.
d) Vullneti, guximi njerëzor i heronjve për ta shtrirë dorën e pajtimit pa hezituar fare.
e) Këshilli i Pajtimit ka qenë çerdhe për zanafillën e UÇK-së.
f) Shumica e pajtimtarëve të Këshillit janë rreshtuar në njësite të UÇK-së.
g) Gjatë luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorë, dy pajtimtarë të Këshillit: Ibrahim Mazreku dhe Hamdi Berisha.
Veprimtaria e këshillit në Malishevë është zhvilluar në tri etapa:
a) Identifikimi i familjeve fshat për fshat që do u kërkohej pajtimi
b) Parapërgatitja: përfshinte vizitat e pajtimtarëve në familje, prezantimi, shpalosja e qëllimit dhe kërkesa për pajtim në emër të aspiratave kombëtare për çlirim.
c) Finalizimi: pajtimi, falja e gjaqeve, plagëve, ngatërresave etj.
Etapa e pare dhe e dytë kanë përfunduar brenda tri javëve, kurse etapa e tretë gjatë muajit mars dhe prill. Gjatë etapës së tretë pasi ishte muaji i Ramazanit këshillit i nevojitej së paku një klerik fetarë.
Gjatë një takimi këshilli është përcaktuar për mulla Xhevat Kryeziun, meqë ishte hoxhë më i ri nga mosha, dhe më i moderuar.
Këshillin e pajtimit në Malishevë e përbënin kryesisht rinia shkollore dhe universitare, profesor, arsimtar, mjekë, bujq etj. Pastaj na janë bashkangjitur edhe heronjtë e pajtimeve. Për etapën e identifikimit dhe parapërgatitjes, pajtimtarët janë ndarë në grupe pune, duke përshkuar fshatrat kryesisht në këmbë.
Kurse në etapën e finalizimit – pajtimin, kanë marrë pjesë pothuajse tërë këshilli i pajtimit. Meqë në disa raste ndërlidheshin pajtimet me komunat fqinje, prandaj këshilli i Malishevës ka bashkëpunuar me këshilla të Suharekës, Prizrenit, Klinës, kurse këtë të fundit, këshilli i Malishevës ka dhënë ndihmës edhe në themelim.
Në një pajtim të ndërlikuar, që gjeografikisht shtrihej në territor të Malishevës dhe Suharekës ndihmës të pakursyer na kanë ofruar pajtimtarët prof. Ramadan Shala dhe doajeni i çështjes kombëtare Afrim Morina.
Meqë e kemi hasur kudo gatishmërinë e heronjve të pajtimit, për “t’u marrë ngryk”, prandaj këshilli i pajtimit ka arritur që për një kohë të shkurtër t’i pajtoj të gjitha gjaqet, plagët dhe ngatërresat, para se “të falej” Bajrami në tubimin e Bubavecit. Pasi veprimtaria e këshillit të Malishevës, pothuajse fare nuk pasqyrohej në mjetet e komunikimit masiv, sidoqoftë, tubimi i Bubavecit, prandaj ka dërguar mesazh pajtimi gjithandej Kosovës. Duke ju falënderuar heronjve të pajtimit, të cilët falnin gjakun e babait, axhës, vëllait, djalit, këshilli i pajtimit në Malishevë arrit t’i pajtoj: 45 gjaqe, 12 plagë dhe 60 ngatërresa.
Vjetërsia e gjaqeve mesatarisht arrinte 10 vjet, plagëve 6 vjet dhe ngatërresave 2 vjet. Hyrja në oda burrash, sidomos e gjinisë femërore, forma e veprimit theu kodin e kanunit të Lekë Dukagjinit, që s’kishte ndodhur as njëherë më parë.
Vullneti për pajtime ishte një sinjal se populli vërtet e donte lirinë, prandaj i falën gjaqet, plagët dhe ngatërresat.
Realizimi i thirrjes për pajtime, ishte çlirim ndaj vetvetes, prandaj Lëvizjen Klandestine do ta obligonte që me forma politike dhe ushtarake të angazhohej dhe për çlirim nga okupimi shekullor serb.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura