(Drenas, 18. 06. 2012) – “Qëllimi i kësaj mbledhje sot për sot është t’u presim hovin armiqve të egër duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”- Abdyl Frashëri, në hapje të punimeve të Lidhjes së Prizrenit
Çdo popull në botë ka ngjarjet dhe historinë e vet nga e kaluara e tij. Populli shqiptar ka data të rëndësishme që tregojnë përpjekjet e vazhdueshme për liri e bashkim. Ngjarjet e zhvilluara gjithsesi përbëjnë mburojen etnike të nacionalizmit të gjithëmbarshëm, përmes së cilave edhe mbijetuam. Padyshim, ndër ngjarjet më të rëndësishme ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878, për t’u pasuar pastaj me kryengritjet si ajo ndaj Portës së Lartë turke në Kosovë më 1910, ose ajo e 6 prillit 1911, duke rrugëtuar kështu deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemaili, në qytetin tashmë historik të Vlorës. Pra, të gjitha këto ngjarjet e lartëcekura, por edhe të tjera, e kishin burim Lidhjen e Prizrenit dhe Kuvendin e atëhershëm që me të drejtë e quajmë Kuvendi i Bashkimit.
Abdyl Frashëri 1839 – 1892
_______________________________
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, (1878 – 1881) zyrtarisht nisi me tubimin e më së 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare, të mbledhur në Kuvendin e 10 qershorit. Dihet se qëllimi kryesor i atij kuvendi ishte formimi i një shteti autonom shqiptar, që do t’i mbulonte vilajetet osmane të Prizrenit, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës. Kuvendi i Lidhjes, ishte padyshim ngjarja më e madhe e asaj kohe, dhe e para e organizuar politikisht, administrativisht, ushtarakisht dhe në sektorë të tjerë, me çka synohej krijimi i një rajoni të bashkuar shqiptar. Me të drejtë shkruhet e mësohet se Prizreni e Vlora janë dy qytete shqiptare të lidhura aq ngushtë ose të binjakëzuara njëra më tjetrën, meqë janë dy vende të një ideali të përbashkët atdhetar e patriotik, ku natyrshëm Vlora nuk mund të kuptohej pa Lidhjen e Prizrenit, ndërsa as Lidhja e Prizrenit nuk mund të ishte domethënëse dhe me kaq rëndësi për shqiptarët po të mos ekzistonte Vlora bashkë me lavdinë e asaj kohe.
Tash kur festuam 134 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, do të duhej t’i bënim një krahasim Kuvendit të atëhershëm të bashkimit dhe institucioneve të sotme shqiptare të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, por edhe vendeve të tjera dhe ta vëmë në pah devijueshmërinë e qëllimit të Lidhjes dhe ngjarjeve të tjera me pretendimet e sotme për tjetërsim të historisë e të kulturës shqiptare dhe për formim të kombeve të reja, nga politikanë që thirrën se janë përfaqësues të interesave të popullit, por që janë të ndarë në dy e më shumë kuvende e qeveri. Kuvendi i Prizrenit ishte njëmend kuvend i bashkimit, ndërsa Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, janë kuvende të ndarjeve të shqiptarëve edhe më shumë se sa jemi, në vend se të kishte përpjekje të vazhdueshme drejt ribashkimit në një komb të vetëm.
Gjithsësi, bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë një ditë, por jo me politikanët e sojit të Sali Berishës në Tiranë, Hashim Thaçit në Prishtinë e Ali Ahmetit e të tjerëve në Shkup sepse që të tre këta janë përsonat kryesorë më përgjegjës për ndarjet që po vazhdojmë t’i përjetojmë edhe sot e kësaj dite. Në Kuvendin e Prizrenit të vitit 1878, ishin bërë bashkë të gjithë përfaqësuesit e atëhershëm të popullit, ndërsa sot, njëri në Tiranë, tjetri në Prishtinë e ai tjetri në Shkup, krejt çfarë “bëjnë” për bashkimin e kombit është se flasin nganjëherë, kryesisht këtë e bëjnë në data të rëndësishme historike, siç edhe bënë tani me 10 qershor dhe, siç do të bëjnë edhe me 28 nëntor ditën kur gjithandej shqiptarët do ta festojnë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Deklaratat e tyre nuk janë njësoj me punët që bëjnë, sepse fatkeqësisht ato janë antikombëtare. Deri më tani, shumica e politikanëve në Tiranë, Prishtinë, Shkup e gjetiu, sikur po e shohin më të lehtë të merren me disa punë brenda shtetit, dhe me angazhime të mëdha për dofarë integrimesh evropiane, por assesi të merren e të punojnë seriozisht për integrime brenda shqiptare fillimisht. Rreziku për ndarje të reja dhe për rrugë më të vështira për t’u kaluar vjen pikërisht nëse nisemi nga ajo se u dashka të integrohemi, apo ajo fraza e tyre që të bashkohemi kështu të ndarë në Bashkimin Evropian.
Luftërat çlirimtare, demonstratat e shumta, vrasjet, asimilimet dhe dëbimet për brenda Shqipërisë ishin të panumërta, madje nuk kemi një rast të ngjashëm me kaq shumë përpjekje për liri e çlirim, dhe në fund të mbetemi aty ku ishim, ose nëse mund të themi me disa lëvizje të vogla përpara. Ishim shumë afër këtij qëllimi në luftën e fundit në Kosovë, të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, më në krye komandantin Adem Jashari. Por neve si popull sikur na dënon gjithnjë historia me politikanë që nuk janë të zotë e as nuk e kanë vullnetin që punëve të nisura t’u shkohet deri në fund. Mjerisht, politikanët shqiptarë lehtësisht mashtroheshin dhe vazhdojnë të mashtrohen me negociata pa parime dhe me marrëveshje poashtu pa parime e të dëmshme, të dizajnuara diku tjetër dhe nga dikush tjetër, por të dedikuara për popullin shqiptar, e të pranuara nga këta “përfaqësuesit tanë”. T’i kujtojmë për lexuesit vetëm tri nga këto marrëveshje që na dëmtuan dhe na stopuan të ecim tutje në rrugën e nisur.
Adem Jashari dhe UÇK-ja, bënë një betim të cilin e dimë se si ishte, bënë luftën duke iu përmbajtur atij betimi, flijohen me mijëra dëshmorë e martirë për këtë betim e për flamurin kuq e zi, dhe në fund, një “udhëheqje politike” e përbërë nga disa persona shkojnë në Rambuje, arrijnë njëfarë marrëveshje, duke nënshkruar çarmatimin e UÇK-së, dhe duke mbyllë kështu edhe shtigje të tjera, përmes së cilave do të duhej të vazhdohej tutje. Ndërkohë po e njejta situatë përsëritet në Maqedoni. Edhe atje, Ushtria Çlirimtare Kombëtare, detyrohet ta ndërpres luftën meqë dikujt iu paska kujtuar se mund të ketë “paqe” dhe të drejta për shqiptarët me marrëveshjen e Ohrit. Ngjashëm ndodhi edhe në Kosovën Lindore, me marrëveshjen e Konçulit dhe me çarmatosjen e UÇPMB-së. Dhe, kur i analizojmë të gjitha këto, më të drejtë kemi një pyetje: A janë politikanët shqiptarë më të paditurit në këtë pjesë të Ballkanit e të Evropës? Përgjigjen për këtë pyetje mbase vendos ta ruaj për vete!
Ndërsa, fare në fund dua të tregoj se nuk jam historian me profesion, përveç një lexues sikur ju të tjerët, por se nuk e kemi të vështirë ta kuptojmë se kombi po vazhdon të coptohet, ndërsa po bëhet gjithnjë e më e padurueshme përformanca dhelpërake e politikëbërësve shqiptarë që në data historike, si ajo e 5 marsit, kjo e 10 qershorit dhe më vonë ajo e 28 nëntorit, po ngjiten në skena, po flasin për histori e sakrifica, po i përmendin heronjtë tanë, por në anën tjetër po punojnë kundër amanetit dhe idealit të tyre.
Kështu ndodhi në 134 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kështu do jetë edhe në festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor, e kështu do vazhdojë deri atëherë kur në trojet shqiptare vijnë forca të reja politike, njerëz të rinj që mbi të gjitha kanë vullnetin që vendin ta shohin ashtu sikur deshën dhe dhanë jetën e tyre shumë heronj e patriotë, gjithandej ku janë shqiptarët. Në fakt kjo frymë e këto forca të reja politike ekzistojnë tashmë, ndërsa masovizimi më i shpejtë i tyre do të bënte që programi i Lidhjes së Prizrenit, që është vullnet i shqiptarëve të jetë i arritshëm, sepse është i nëvojshëm dhe i drejtë. E deri atëherë, vetëm urime për 10 qershorin e për 28 nëntorin!