Pashtriku.org, 11. 12. 2014 – Sipas Mircea Eliade fillimi i përdorimit të Diellit si zot në vend të hënës nga pellazgët është paraqitje e një lloj ekujlibri apo dualizmi, sepse edhe besimi në diellin buronte nga traditat e lashta të Pellazgëve dhe njihej edhe nga Platoni. (Mircea Eliade, po aty, f. 126.) Përfaqësuesi më i madh i këtij ekujlibri ishte ai midis Hënës dhe Diellit, dy planetet më të mëdha që shiheshin nga Toka e që shprehen në simbolin kultik si dy koka të shqiponjës. Mircea Eliade dëshmon se, në fiset afrikane, simboli i Hënës përfaqësonte matriarkatin, ndërsa i Diellit patriarkatin dhe “Festa e Hënës së re festohej dhe ndiqej vetëm nga gratë, kurse festa e Diellit festohej vetëm nga burrat. (Mircea Eliade,vepër e cituar,faqe 133.) Perëndinë Diell-Aton, që deri në atë kohë paraqitej vetëm si hieroglif me kuptimin “Drita”, faraoni Amenhotepi i IV, e ngriti mbi kultet tjera dhe ndërtoi tempullin ,,Aton,, në vend të tempullit të deriatëhershëm ,,Amon,,, që perfaqesonte Hënën. Kulti i diellit gjeti vijues në shekujt e mëvonshëm edhe në Gadishullin Ilirik e sidomos në Perandorinë Romake. Sipas shumë studiuesëve, Epirotët ishin ata, të parët e përdorën diellin si simbol ushtarak, dhe shumë më vonë është bërë edhe emblema e Egjiptit, Perandorisë Romake dhe të perandorëve tjerë të Lindjes e Perëndimit. (Xhuzepe Katapano,vepër e cituar,faqe 94)
Vizatim i gjetur në një shpellë, është shumë i lashtë dhe prezenton personin i cili i bënë përulje ose lutje gjarpërit që e kanë besuar si perëndi pellazgo-ilirët.
Sot në përgjithësi, nga disa dietarë mendohet se Dielli ishte kulti kryesor dhe më i përhapuri në botë, por eruditi gjerman i sh.19, Adolf Bastian (1826-1905,) vërejti se ky kult ishte i përhapur në hapësira të kufizuara të botës, si në Egjipt, Azi e Europë dhe vetëm tek disa popujt, me një zhvillim të lartë në lashtësi. (Mirce Eliade op.cit., faqe,97) Besimi diellor vendosi në plan të parë forcën e pushtetit, të krahasuar me forcën e ndriçimit diellor. Një nga dukuritë e rëndësishme në mitet e vjetra, pohon Mircea Elaide, është ai i “Heronjëve Diellorë”. Kështu shqiponjës që përfaqësonte Krijuesin – “Dritën hyjnore”, ju shtua krahas kokës së parë “dritës hënore” edhe një kokë e dytë “drita diellore” një ekujlibër i pranuar me vështirësi dhe nganjëherë edhe me luftë. Kjo ka qenë “reforma”e parë e besimit pellazg, shumë kohë përpara se të ndodhte “reforma” e dytë, që shënoi fillimin e një lufte fetare dhe administrative (që zgjati me shekuj), kundër besimit 50 mijë vjeçar të Pellazgëve hyjnorë dhe solli lindjen e Krishtërimit. Besimi i ri, zëvendësoi kultin zanafillor të Hënës dhe atë jetëshkurtër të Diellit, me kultin e Njeriut tokësor dhe hyjnor – profetët, të lidhur me Krijuesin.( Op.cit. Mircea Eliade, – f114)
GJARPËRI
Gjarpëri, ky zvarranik me aftësi të çuditshme, ka luajtur një rol të rëndësishëm në religjionin dhe mitologjinë ilire. Kulti i gjarpërit është evident edhe te shumë popuj të botës që nga Azia Lindore e deri në Amerikë. Është e famshme legjenda për Gjarpërin Hitit, emri i të cilit ishte Ilurjanka, që për disa autorë shërben si burim se nga emri i tij rrjedh edhe emri i Ilirëve. Ky kult është prezent edhe sot në përralla, legjenda e tregime të ndryshme, brenda gjithë hapësirës etnike shqiptare.
Lartë është fotografia e gjarpërit ilir i quajtur ,,Ilyrianka,, për të cilin legjenda thotë se i është mbështjellur në djep djalit të Kadmit e Harmonisë dhe djali pastaj merrë emrin e gjarpërit – Ilir. Nga aty rrjedh edhe përdorimi i emrit Ilir nga popullata që më herët quhej Pellazge. Edhe sot në Kërçovë fëmitë lidhen në djep dhe mbështillen me një lloj spage e quajtur ,,Gatrra,, e thurur nga fije të leshta me katër ngjyra që ka simbolizuar gjarpërin, e që nuk ka lidhje me besimin Islam e as Kristijan, por iliro – pellazg. Poshtë është një lloj medalioni me figurën e gjarpërit ndoshta i mbajtur në qafë ose në dorë apo gisht si unazë nga ilirët.
Rruga mitologjike e kultit të gjarpërit fillon në Mesopotami, përcillet në Azinë e Vogël dhe këtej në botën mediteranease, nga ku egjeanët dhe fenikasit tregtarë e përcollën në Perëndim. Shumë sinjifikative është legjenda, të cilën na e ka përshkruar Apolodori ku thotë se: “Kadmi, pasi kërkoi dhe nuk e gjeti të motrën Europën, që e kishte rrëmbyer Zeusi, u vendos në Tebë dhe u martua me Harmonin, e cila ishte e bija e perëndisë së luftës, Aresit, dhe perëndeshës Afërdita. Me urdhër të perëndive Kadmi shkoi në mbretërinë e Enkelejve dhe u bë mbret i tyre. Atje u lindi një djalë të cilit ia dhan emrin Ilir sepse në momentin e lindjes, djalit duke qenë në djep. i ishte mbështjellur gjarpri mistik i quajtur Iliryos.
Robert Elsie, në veprën “Leksiku i kulturës popullore shqiptare, besime, mitologji”, thekson se: “Gjarpëri ka qenë simbol i fuqishëm i ilirëve të lashtë, sidomos i atyre të Ballkanit jugor. Në periudhën romake, në Dardani, kishte altar kushtuar gjarpërinjve Drakon dhe Drakaena”. Forma e gjarprit gjendet në shumë figura, skulptura, objekte zbukurimi e stoli të ndryshme. Robert Elsie, në veprën “Leksiku i kulturës popullore shqiptare, besime, mitologji, fe, doke, rite, festa dhe veçori kulturore”)
Arkeologët shqiptarë, H. Ceka dhe S. Anamali, theksojnë se Gjarpëri ishte një figurë, i cili adhurohej në gjithë luginën e poshtme të Vjosës gjatë antikitetit. Ai është prezent edhe në monedhat e Bylisit, Amanties dhe Apolonisë.
Kjo është një ,,Reze hekuri,, e portës kryesore me kokën e gjarpërit e cila është përdorur deri vonë nga shqiptarët e Kërçovës po edhe më gjërë, për ta mbyllur derën kryesore të oborrit, që në Kërçovë i thonë ,,Porta,,. Sipas besimit ilir figura e gjarpërit – aty do ta mbronte oborrin po edhe shtëpinë nga një e keqe që mund t’i vinte nga qielli.
Aleksandër Stipçeviq pohon se kulti i gjarpërit është shumë i lashtë dhe vazhdon të njihet edhe sot në të gjitha trojet shqiptare. Supozohet se edhe në kohët e tashme shqiptarët mendojnë dhe besojnë se çdo shtëpi ka në themel gjarprin e saj, që konsiderohet si mbrojtës i shtëpisë dhe njihet me emrin ,,Gjarpëri i themelit të shtëpisë,,. Figura e tij gjendet i skalitur edhe në portat e shtëpive, zbukurimet e ndryshme me gdhendje druri, si në: tavane, musëndra, dyer, furka tjerrjeje, çifteli, kërraba, në pllakat e varreve etj., duke përfshirë një areal të gjerë në zona të ndryshme të vendit si në: Përmet, Labëri, Çamëri, Malësi e Madhe, Dukagjin, Kosovë,Maqedonia Perëndimore, Malësia e Tiranës etj. Mark Tirta, gjatë studimit të dokeve dhe zakoneve të Malësisë së Tiranës, konfirmon se koka dhe lëkura e gjarprit përdoreshin në këtë trevë si hajmali për fëmijët, për t’u mbrojtur nga syri i keq dhe sëmundjet e ndryshme. Prania e kultit të gjarprit edhe në ditët tona, me një shtrirje në të gjitha trevat shqiptare, dëshmon për një kult të përbashkët shqiptar, i cili u ka rezistuar dogmave të besimeve monoteiste.
Anton Mayer thotë se ilirët e merrnin emrin (ajo që gjuhëtarët quajnë eponim), nga një parardhës-gjarpër të quajtur Illuriòs dhe shumë shpejt për Ilirët, sidomos ata të jugut, gjarpëri do te bëhej kafsha e nëndheshme personifikuese, e lidhur ngushtë me kultin e të parëve dhe me kompleksin magjik fetar të pjellorisë së tokës dhe të gruas, duke u shfaqur shpesh i përfiguruar në relievë, bizhuteri dhe skulptura.
Ky ka qenë lloji i gjarpërit që ilirët i kanë besuar si zot, dhe këta janë byzylykët që janë përdorur nga ilirët në formën e gjarpërit dhe me koka të gjarpërit, në shenjë respekti ndaj gjarpërit që e kanë besuar si zot.
Koka e gjarpërit e bartur në qafë midis gjinjëve është një ritual i trashëguar që nga ilirët, të cilët besonin në forcën mbrojtëse të gjarpërit,shkruan Stipçeviq. Gjarpëri edhe sot e kësaj dite te shqiptarët konsiderohet si “roje e shtëpisë” dhe mendohet se secila shtëpi diku në themelet e saja e ka gjarpërin e vet i cili e mbron nga të këqijat dhe të paprituart. Prandaj kur ai paraqitet në oborrin e shtëpisë as nuk mbytet e as nuk ngacmohet, por lehet i qetë.(Dr. Xhevat Hasani, Tone Berisha, SISTEMI SHËNDETËSOR I KOSOVËS MJEKËSIA POPULLORE DHE RITUALET)
Paraqitjet e gjarpërinjve në truallin ilir, sipas Stipçeviq, shfaqen së pari në Jug, sidomos në trevën e shtrirjes së kulturës së Trebenishtës, ku përfshihet Kosova e Maqedonija Perëndimore. Këtu ka depërtuar motivi i gjarpërit i cili më shpesh paraqitet te byzylykët, qysh në fund të shek, Vl.para e.s., në mënyrë që më vonë, në shek. V dhe IV. para e.s. shfaqjet e tilla në këtë trevë të bëhen shumë më të shpeshta. (A.Stipçeviç, Simbolizimi ilir dhe simbolizmi shqiptarë,, në Iliria nr.5, 1976).
Në Shqipëri, ku kultura e Trebenishtës ka qenë pjesërisht e përhapur, motivi i gjarpërit, për çudi ndeshet relativisht rrallë. Mendojmë se një gjë e tillë është për shkak të hulumtimit të dobët të nekropoleve dhe vendbanimeve ilire, thotë Stipçeviq.
Tani për tani njohim gjarpërin jashtëzakonisht interesant në kompozicionin figurativ në pllaka nga Selca e Poshtme e Pogradecit, afër Liqenit të Ohrit, thotë ai, ku gjarpëri qëndron pas luftëtarit ilir i cili me shtizë në njerën dhe me mburojë në dorën tjetër lufton kundër tre armiqve dhe mbron luftëtarin ilir. (Stipçevç, vepër e cituar)
Në shek. e V. para e.s. në Dardani dhe në Bosnje ndeshim tipin shumë të bukur dhe karakteristik të byzylykëve me mbaresa në formë kokë gjapëri, i cili, sipas vendgjetjes së parë më 1887, është quajtur “tip i Mramorcit”dhe është prej floriri. Më vonë janë gjetur edhe disa shembuj të byzylykëve të këtij tipi: në Kaçanj afër Bileçës, të gjetur më 1957, dy byzylykë të argjendtë, pastaj dy byzylykë të ngjashëm nga rrethina e Pejës. .(Stipçevç, vepër e cituar)
Dokumentacioni që na ofron arkeologjia pararomake nuk është i vetmi burim për njohjen e gjarpërit si simbol religjioz te ilirët. Një sërë të dhënash të tjera mbi këtë simbol na japin disiplinat e tjera shkencore – linguistika, mitologjia, arkeologjia klasike, etnologjia. Të dhënat mitologjike, edhe pse të pakta, janë të rëndësishme sepse kapin një kompleks të tërë çështjesh të lidhura me kultin e gjarpërit te ilirët.
Nga gurra ilire është edhe zakoni i sotëm që është shënuar në fshatin Oranë të pellgut të Shkupit në Maqedoni ku në fillim të pranverës, shkohet në gjueti për gjarpërinj dhe ata pastaj lëshohen që të zvarriten nëpër rrobat e grave të cilat donin të kishin fëmijë. Stevan Filipoviq, i cili e ka përshkruar këtë zakon, me të drejtë mendon se ai jeton në këta treva “i pandryshuar që nga kohërat parahistorike”..(Stipçevç, vepër e cituar)
Simboli i diellit ilir i gjetur në anën e brëndshme të xhamisë së Kërçovës, pesë metra lartë mbi Mihrabin në anën e përparme (vendi ku qëndron hoxha në xhami ) dhe duket se nuk ka lidhje me xhaminë e besimin Islam, por mjeshtri që e ka vendosur aty ka qenë shqiptar dhe nuk e ka llogaritur si simbol fetar, por si simbol kombëtar të pellazgo-ilirëve 3000 mijë vjet i vjetër.
Për ne gjithsesi më të rëndësishme janë ato përmendore nga koha romake të cilat në mënyrë eksplicite e dokumentojnë kultin autokton të gjarpërit te popullsia vendase. Të tilla janë, p.sh., dy mbishkrime nga Maqedonia. Njëri gjindet në shkëmbin Trojaka afër Prilepit ku thuhet se ” këtu nderohet Dragoni” dhe mbishkrimi tjetër, i cili është në fshatin Sopot afër Velesit ku gjendet dedikimi i çiftit gjarpëror Dracconit dhe Draccenit. .(Stipçevç, vepër e cituar)
Me datë 26.04.2010, në Jgoll të Kërçovës-Maqedoni, rastësisht u zbulua një varrezë tumulare. Në atë kohë për lexuesin e rëndomtë skjarova se Tumat janë “varreza ilire” ku janë varrosur numër i caktuar personash në terren apo tokë të kufizuar, në një vijë rrethore të caktuar e cila pastaj është mbuluar dhe bërë në formë të një gërmadhe – tume, trume, (gërmadhë dheu që edhe Kërçova e përdor-trumë.). Në të shumtën e rasteve varrimi është bërë me trup por janë zbuluar raste ku kufoma është djegur dhe është gjetur vetëm urna (ena) që ka ruajtur hirin e kufomës.
Varret në fjalë jënë të njejtë me tre varret që në vitin 1985 i ka zbuluar arkeologja e Muzeut të Kërçovës, Gordana Spasenoska e cila në oborrin e xhamisë së Kërçovës duke kërkuar themele kishe, ka zbuluar tre varre ilire për të cilët shkruan se jënë të sh.III p.e. Duke u bazuar në materialet që ka zbuluar ajo, mund të thuhet se varret kanë qenë të kohës kur kryeqyteti i fisit ilir të Penestëve “Uscana” ka qenë në kulmin e fuqisë së sajë, dhe sipas Tit Livit ka pasur mbi dhjetë mijë banorë.
Duke krahasuar varret e zbuluara në Jagoll me varret e zbuluara te xhamia e Kërçovës, vimë në përfundim se edhe varret e posazbuluara në Jagoll janë Ilire, sepse janë të ndërtuara në mënyrë të njejtë, formë të njejtë dhe janë përdorur pllaka guri me formë e dimensione te njejta.
Por ajo që na habiti, gjatë vizitës dhe hulumtimit edhe të varrezave shumë të vjetra myslimane të këtij fshati që ishin aty afër, e që mendojmë se ka domethënje shumë të madhe për ne shqiptarët në këta troje, është ajo se disa nga pllakat e varreve, që datojnë nga viti 1200, hixhri ose 1770 të kalendarit të sotëm, shihen edhe simbole të besimit ilir. Këto simbole ilire, të zbuluara në pllakat e varreve të shqiptarëve mysliman, vërtetojnë se popullata e këtushme është autoktone-ilire, e cila edhepse, para 2000 vjetëve nga paganizmi kanë kaluar në krishterizëm, dhe para 600 vjetëve në Islamizëm, nuk e kanë harruar traditën e besimit ilir.
Pllaka e varrit, që qëndron te koka e të vdekurit është e shkruar në osmanisht, me germa arabe dhe jep të dhëna për të vdekurin, por ajo që është e veçantë dhe që asnjëherë nuk mund të haset në varrezat myslimane joshqiptare, është se, në majë të pllakës së varrit, është i gëdhendur dielli, i cili qëndron mbi dy koka të gjarpërit.
Përmendëm se Ilirologu më i madh i Ballkanit, po edhe i Evropës, shqiptari nga Zara, Aleksander Stipqeviç, pastaj Neritan Ceka e Muzafer Kërkuti nga Tirana, kanë vërtetuar se besimi pagan kryesorë tek Ilirët e jugut, ka qenë besimi në gjarpërin për të cilin dhash sqarime e analiza në fillim. Duhet përmendur edhe arkeologun nga Bosnja, Qiro Truhelka i cili poashtu mendon se emri ,,Ilir,, është emëri i gjarpërit që ka qëndruar në themel ose nën vatrën e shtëpisë, ka sjellur fat dhe ka mbrojtur shtëpinë nga të papriturat. Thash se edhe sot te shqiptarët mbretëron mendimi se nëse gjarpërin e gjen brënda shtëpisë ose në themel të sajë, nuk duhet prekur, sepse është gjarpër themeli, mbrojtës i shtëpisë, që është besim pagan, nuk ka lidhje as me krishterizmin e as me islamizmin dhe është ruajtur shekuj me rradhë.
Më kujtohet se në shtëpitë e vjetra tradicionale shqiptare, që ishin me vatër e oxhak, aty ku mbështeteshin drutë, qëndronte një lloj objekti nga hekuri me kokë gjarpëri, katër këmbë të shkurtëra dhe bisht të përdredhur, i cili objekt në Kërçovë e rethinë, quhet “Dromoxhak”, dhe vazhdimisht qëndronte tek oxhaku. (A.Stipçeviç, Simbolizimi ilir dhe simbolizmi shqiptarë,, në Iliria nr.5, 1976)
Simbolikën e gjarpërit tek shqiptarët e kuptova vitin e parë të studimeve, kur arkeologu arbëresh nga Zara, Aleksander Stipqeviç e pas tij edhe, Muzafer Kërkuti, i cili në vitin akademik 1973-74 kishte ardhur nga Tirana dhe na ligjeronte Arkeologji, na sqaruan se ilirët e jugut i kan besuar gjarpërit, sepse gjatë gërmimeve janë gjetur pllaka varri ku si simbol i besimit është i gedhendur gjarpëri.
Është e vërtetë, thotë Stipqeviç, se kulti i ilirëve në Ilirinë veriore ka qenë dielli, dhe këtë e vërtetojnë zbukurimet e gjetura që ilirët i kanë mbajtur në qafë ose në shtëpi. Por tek ilirët e jugut ka dominuar kulti i gjarpërit, dhe ai si kafshë toteme ka pasur rol qëndrorë në sistemin mitologjik e religjioz të tyre. (A.Stipçeviç, Simbolizimi ilir dhe simbolizmi shqiptarë,, në Iliria nr.5, 1976)
Gjarpëri është paraqitur si roje i vatrës së shtëpisë, symbol i frytshmërisë e plleshmërisë, dhe si simbol i fiseve ilire të jugut, që do tu bëjë ballë të gjitha fortunave dhe si që shihet nga ky zbulim i joni, eshtë ruajtur dhe ka arritur deri në ditët tona. Nga hulumtimet ne terren kam zbuluar edhe varre të krishtera por që mbi pllaken e varrit përveq kryqit eshte i gedhendur edhe simboli i diellit qe ka qene i perhapur te iliret e veriut. Pastaj dielli ilir eshte i vizatuar si vepër arti edhe ne muret e jashtme te xhamisë së Tetovës qe emrin e ka ,,Xhamia e larme,,
Diellin ilir e gjejmë të krijuar në mënyrë artistike, nga bakrri edhe në brendinë e xhamisë qendrore të Kërçovës, në pjesën e përparme aty ku eshtë vendi i hoxhës apo imamit, dmth udhëheqësit në lutjet fetare në xhami. Dielli qendron përpara, ne nje lartesi shume te madhe e qe nuk ka asnjifar lidhjeje me simbolet Islame.
__________________
Literatura:
Xhuzepe Katapano, „Thot-i Fliste Shqip“ Botimet enciklopedike, Tirane,2007
Eduard Schneider, Një racë e harruar. Pellazgët dhe pasardhësit e tyre, Paris, 1894.
Martin Bernal « Athina e zeze » Shtepia botuese 55, Tirane 2009
Spiro Konda, “Shqiptaret dhe problemi pellazgjik” ,UEGEN Tirane 2011
Marin Barleti «Rrethimi i Shkodrës » Shtëpia Botuese Naim Frashëri, Tiranë, 1982
Adem Demaçi: Filozofia e Jetes (II) “Kush eshte Zoti” – Pashtriku.org, 04. 02. 2013
Mehdi Frashëri “Historia e lashtë e Shqiperisë dhe e Shqipetarëve”, Plejad 2012
Dhimitër Pilika “Pellazgët origjina jonë e mohuar” Botimet enciklopedike , Tiranë 2005
Maksim Zotaj ,“Origjina dhe simbolet e flamurit shqiptar!”Metropol, 24-01- 2008
Shefki Ollomani “Maqedonët dhe Maqedonia Antike” www.ina-online.net
Jaho Brahaj „Flamuri i Kombit Shqipetar“, Tirane 2007
Marija Gimbutas “Il linguaggio della Dea” Venexia, Roma,2008
Prof.dr.Shaban Sinani “Si u bene Albanet – Shqipptare”,Tiranë, 02. 03.
Rasim Bedo, « Dodona Tempulli i lashte i Shqiperise » Tirane 2007
Mitologia greca e latina, Eos, Epafo, Epeo mitologia.dossier.net/eos.html
Georgez Dumézil “La religione romana arcaika Miti,leggende, realta”,BUR Saggi, 2011
Albert Hitoaliaj – Marrë nga sa-kra.ch MNVR | Shqiponja me dy kokë, simboli ynë, më i lashti i botëswww.mnvr.org ›
Marija Gimbutas “Il linguaggio della Dea” Venexia, Roma,2008
Aristidh Kola “Gjuha e Perendive” marre tek“Albanohellenica nr2” 2000-2001
Nicolas Grimal, Histoire de l’Égypte ancienne, p. 272 –Aton, wikipedia
A.Mayer,Die sprache der alten Ilyrier , Wien, 1959.
A.Stipçeviç, Simbolizimi ilir dhe simbolizmi shqiptarë,, në Iliria nr.5, 1976-Tiranë
Julio pokorny, Indogermaniche s Etymologisches, Worterbuch, 1959.
Johan Vilkes, Ilirët midis identitetit dhe integrimit, Genova, 1994.
_________
AUTORI I KUMTESËS
Dr.sc. Ilmi Veli Veliu, ka lindur më 20.05.1952, në Llapkidoll të Kërçovës. Shkollën fillore e kreu në Zajaz e Kërçovë, të mesmen-teologjike dhe Fakultetin Filozofik, dega Histori në Prishtinë. Studimet postdiplomike dhe doktoraturën në Shkup. Më 1 prill të vitit 1988, për shkak të aktiviteteve politike ilegale antijugosllave, në Prishtinë si student, në Amerikë e Kërçovë, burgoset dhe dënohet me 4 vjet burg.
ARSIMIMI
2009: Titulli: Doktor i Shkencave të Historisë
Tema: “Toleranca nderfetare ne Ballkan ne kohen e depertimit Osman, sh. XV-XVII, me theks te ve`ante te shqiptaret dhe ushtria e Skenderbeut”
Institucioni: Komisioni i Kualifikimit Shkencor i Institutit te Historise Nacionale pran Universitetit Kirili dhe Metodi ne Shkup me 30 qershor 2009.
2005-2007 Titulli: Magjistër i Shkencave te Historisë.
Tema: “Skenderbeu ne kronikat e historite Osmane e Bizantine”
Institucioni: Fakulteti Filozofik i Universitetit K. dhe Metodi, Shkup.
1974=1978 Titulli: Profesor i Historisë.
Tema: ,,Brigada e IV (VII) Shqiptare,,
Institucioni: Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtines.
Përvoja e punës
2008 – 2015. Drejtor i Muzeut të Kërçovës – Kërçovë.
1994- 2007. Profesor i Historisë pranë gjimnazit të Kërçovës.
1992- 1994 . Drejtor i Shkollës Mesme “DRITA”, Llapkidoll
1990- 1992. Drejtor i Teatrit “USKANA”, Kërçovë
1987- 1990. Kryemjeshtër në burgun e Idrizovës, ku qëndroi si i burgos politik dhe me sukses e kreu zanatin-Zdrukthëtar.
1981-1984. Qëndroi dhe veproi në Chicago, SHBA
1979-1980 Prof. i Historisë në Shf. “R.R. Zajazi”, Zajaz
1977-1978 Prof. i Historisë, në Xhevdet Doda, Prishtinë
Botimet: Ka shkruar e botuar vepra Historike po edhe fetare.
Fetare:
1. Mevludi ditëlindja e Muhammedit as.1997,1998, 2000.
2.Lutju Zotit Shqip. 2003, 2005, 2008. Kerçovë
3. Gjashte Mevludet në gjuhën shqipe, 2004, 2010. Kerçovë
Botime Historike
4.Autorët antikë dhe modernë që shkruan për Ilirët,1997, 2004. Kerçovë
5.Skënderbeu në 600 vjetorin e lindjes, 2005, Kerçovë
6.Të mesojmë Histori me harta e fotografi, 2005, Kërcovë.
7.Ku ishte kështjella e Skënderbeut, Svetigradi, 2005, Kërçovë
8.Lidhja e Prizrenit dhe kërçovarët që muarën pjesë në te. Kërçovë, 2006
9.Skënderbeu nuk ishte sllav,2006 Kërçovë
10.Islami erdhi në Ballkan para Osmanëve,2007 Kërçovë
11.Skënderbeu në Burimet Osmane e Bizantine, 2007, 2011, Shkup
12.Zajazi ndër Shekuj, 2009 Kërçovë
13.Luftëtarët e Zajazit, 2011, Kërçovë.
14. Skenderbeg vo Osmanskite Izvori, Skopje, 2011.
15.Uçestvoto na Albancite vo Ilindenskoto Vostanie, Skopje, 2012.
16.100 Burrat e Shqiptarisë në 100 Vjetorin e Pavarësisë, Kërçovë, 1912.
16.Sulltana Qafa dhe masakrat në Kërçovë në vitin 1913, Shkup, 2013
16.Shkolla e parë shqipe dhe mësuesit e parë të Kërçovës, Kërçovë.1913
17.Nga Uskana deri te Zajazi e Kërçova, Shkup, 2014
Për një kohë të gjatë hulumtoi në Arhivat e Stambollit ku zbuloi dokumente origjinale të shkruar në Osmanisht dhe iu kundervua propagandës sllavomaqedonase se Skënderbeu ishte shqiptarë e bir shqiptari dhe nuk kishte asnjëfarë lidhjeje me sllavët, dmth nuk ishte as serbë e as sllavomaqedonas, si që pretendonin disa pseudohistorianë sllavë. Ka të botuar numër të madh artikujsh në gazeta dhe revista të shumta por si më të veçanta mund të përmendim Albanica, Univerzitas, Gjurmime Albanologjike Prishtinë, Studime Historike Tiranë, Fakti, Koha, Lajmi, Zhurnal, etj.
Ka të gatshme për botim;
– Lufta kaçake e Sefer Zajazit dhe Kalosh Danit ne Kërçovë, 1900-1939
– Mefail Zajazi dhe luftërat e tij për mmbrojtjen e Kërçovës, 1940-1945
– Kërçovarët në Bukuresht dhe kontributi i tyre në ngritjen e flamurit në Vlorë.
– FUND –
***
– PJESA E PARË –
DR.SC.ILMI VELIU: SIMBOLET E BESIMIT PELLAZGO-ILIR MBI VARRET E SHQIPTARËVE TË KRISHTERË E MYSLIMANË (I)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=3414