Pashtriku.org, 14. 12. 2014 – Sot mbushen 16 vjet nga rënia heroike e komandantit të Brigadës 113 në Zonën Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi i njohur me emrin “Kapuçi”, dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij. Ata kanë rënë në një pritë të ushtrisë e policisë jugosllave në një përpjekje të armatosur për të kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar, i cili ishte barrikaduar nga forcat okupatore serbe. Në nëntor të vitit 1998, Mujë Krasniqi, miku dhe shoku i luftës, Beqë Gashi, vëllai Ali Krasniqi, pastaj Rifat Mëziu, profesor i fizikës nga fshati Marinë, Afrim Musliu nga Belinci, Rifat Mujota nga Mollapolci, Gani Elshani, profesor nga Drenica, Vesel Aruqi nga Rezalla, Lulëjetë Shala nga Krajkova si dhe shumë trimëresha e trima të tjerë nga zonat e luftimeve, depërtojnë me sukses në Shqipëri, për të marrë armatim dhe municion për nevojat e luftës në Kosovë. Mujë Krasniqi nga Shtabi i Përgjithshëm ishte caktuar komandant përgjegjës i formacionit luftarak, që kishte depërtuar me sukses në Shqipëri, meqë ai i kishte mësuar përmendsh ecejaket e lirisë nëpër bjeshkët e Pashtrikut, të Shkëlzenit dhe të Junikut.
Dimri dhe dëbora i kishte mbuluar malet e Pashtrikut. Rrugët ishin zënë, ndërsa në frontet e luftës ndihej mungesë e armatimit. Mujë Krasniqi ndiente thellë në shpirt përgjegjësinë që kishte për luftën, për bashkëluftëtarët që kishin mbetur pa municion përballë hordhive gjakatare serbe, të cilat, nga frika për të luftuar ballë për ballë luftëtarëve të lirisë, vrisnin e masakronin gra e fëmijë.
Ditën e 13 dhjetorit të dimrit të acartë të vitit 1998, Mujë Krasniqi kishte ndarë mendjen për të çarë kufirin dhe për t`u futur në Kosovë. Atë ditë, para bashkëluftëtarëve kishte mbajtur një fjalë rasti. Kishte kërkuar nga luftëtarët që të gjithë ata që mendonin se nuk do të mund ta përballonin futjen në Kosovë në rrethana të tilla, të mos niseshin, por të prisnin radhën tjetër. Kishte kërkuar nga ata që ishin sëmurë apo të plagosur të mos niseshin. Të njëjtat fjalë ua kishte përsëritur bashkëluftëtarëve edhe profesori luftëtar, Rifat Mëziu. Mirëpo trimat dhe trimëreshat e Kosovës, nuk ishin mëdyshur. Rrugën për të kaluar nëpër bjeshkët e larta 1700 metra të Pashtrikut, nëpër dëborën, që vende-vende arrinte deri në 2 metra, e kishin marrë 143 luftëtarë, të cilëve në ballë iu printe Mujë Krasniqi, apo komandant Kapuçi, siç e quanin bashkëluftëtarët. Disa nga bashkëluftëtarët kishin marrë informata se forcat serbe i kishin zënë shtigjet, ndërsa dëbora po ashtu kishte zënë disa shtigje të tjera, ku nuk arrinte këmba e armikut. Muja kishte vendosur. Kudo ku ta takojmë serbin, do të luftojmë, qoftë në kufi, qoftë brenda kufirit në frontet e luftës. Në luftë jemi dhe kthim prapa nuk ka. Fjala e tij ishte aprovuar nga të gjithë.
Në mëngjesin e acartë të dimrit në Pashtrik, në relacionin Likenet e Hasit-Gorozhup, me të rënë agu i parë mëngjesor, forcat serbe, të cilat paraprakisht kishin zënë pritë, godasin mu në mes të kolonës, me qëllim të krijimit të hutisë. Lufta nis nga të tri anët ku ishin pozicionuar forcat armike. Luftimet zhvillohen fyt për fyt me forcat ushtarake e policore serbe, thotë luftëtari Vesel Aruçi nga Rezalla, i cili ndodhej në radhët e para. Breshëria e armës armike kishte përshkuar trupin e Mujë Krasniqit, të Beqir Gashit, Ali Krasniqit, Rifat Mëziut dhe të 32 luftëtarëve të tjerë të lirisë. Disa prej tyre kishin mbetur në dëborë dhe ishin ngrirë. Disa të tjerë ishin plagosur. Nëntë prej tyre, shumica të plagosur dhe gati të ngrirë nga acari, ishin zënë robër nga forcat armike. Edhe forcat armike kishin pësuar humbje të konsiderueshme në njerëz.
Më 21 dhjetor të vitit 1998, trupat e 35 dëshmorëve, tok me Mujë Krasniqin, me nderime ushtarake, bashkëluftëtarët i varrosin në Polac të Drenicës. Nëntë të zënët robër serbët i dërgojnë në burgun e Nishit, të cilët më pas shkëmbehen me tetë oficerë serbë, që i kishin zënë rob luftëtarët e Zonës Operative të Shalës.
Rënia e Mujë Krasniqit dhe e disa trimave të tjerë të elitës luftarake të UÇK-së, më 14 dhjetor të vitit 1998, edhe pse ishte goditje e hidhur për luftën tonë çlirimtare, ajo nxiti edhe më tej pezmin dhe urrejtjen e çlirimtarëve kundër barbarisë serbe.
Një javë pas rënies, më 21 dhejtor 1998, me një vendim të SHP të UÇK-së, u varrosen në fshatin Polac të Drenicës, zonë kjo që mbahej nën kontroll të forcave të UÇK-së. Atë ditë janë varrosur: Mujë Krasniqi, Beqir Gashi, Gani Elshani, Rifat Mëziu, Ali Krasniqi, Lulëjetë Shala, Astrit Bytyçi, Enver Olluri, Hysen Bujupaj, Arben Hyseni, Isë Olluri, Xheladin Xheladini, Bashkim Krasniqi, Ramadan Elshani, Fatmir Ademaj, Qamil Olluri, Kadri Ademaj, Fadil Rushiti, Muhamet Dërvishi, Isa Morina, Gani Zogaj, Kadri Gashi, Qenë Qena, Naser Kelmendi, Mentor Ibriqi, Veli Ballazhi, e të tjerë. Kishin mbetur nën rrënojat e borës, për t u zbulura në ditët e para pas çlirimit trupat e dëshmorëve: Afrim Musliu, Selim Selimi dhe Besim Qarri.
Data e 14 dhjetorit e vitit 1998 shënon një faqe tjetër të ndritur të luftës së UÇK-së. Pavarësisht se kishin rënë shumë dëshmorë, luftës për liri iu bashkuan edhe qindra e mijëra luftëtarë të tjerë. Ata nuk e ndalen luftën deri në qershor të vitit 1999, kur forcat e UÇK-së, të ndihmuara nga aeroplanët e NATO-s përzunë përgjithmonë nga Kosova forcat vrastare, kriminale e fashiste serbe.
:::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::
HALIL KRASNIQI:”SHOKËT E ADEM JASHARIT NUK JANË TUE REALIZUE AMANETIN, TU NGA MAS BIZNESIT” !!!
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=46&shkrimi=3376