Prishtinë, 15. 12. 2104 – Në një vend si Kosova, ku historia përjetohet e gjallë dhe pasionet e vjetra e të reja janë gjithnjë të ndezura, do të duhej që administratat komunale të jenë shumë herë më profesionale dhe më të përgjegjshme kur bëhet fjalë për emërimin e rrugëve.
Për më shumë, duke u nisur nga fakti se Kosova është në fazën e respektimit të direktivave dhe parimeve të Bashkimit Europian, edhe administratat komunale janë përgjegjëse për përkthimin dhe zbatimin e tyre gjatë menaxhimit në pushtetin lokal, pasiqë jo vetëm institucionet por edhe qytetarët e Kosovës, aspirojnë që vendi të integrohet sa më shpejtë në familjen e shteteve europiane. Sigurisht jo gjithçka është shkruar në mënyrë të detajuar se çfarë kritere duhet të plotësohen nga vendet që aspirojnë për anëtarësim. Natyrisht aty nuk theksohet edhe çështja e pagëzimit të shesheve dhe rrugëve të qyteteve, apo vendbanimeve të tjera, por kjo nuk do të thotë që drejtoritë komunale përgjegjëse, të mos i respektojnë kriteret për emërtimin e shesheve dhe rrugëve të tyre.
Ndonëse Kosova njihet si një shtet me legjislacion mjaft të avancuar, si dhe duke e pasur të miratuar Ligjin për Sistemimin e Adresave që nga viti 2011, administratat komunale duket ta kenë ende sfiduese zbatimin e kreut të dytë të po këtij ligji e që ka të bëjë specifikisht me “Kriteret për Emërtim”. Dhe ky fakt normalisht i shtyn qytetarët të venë në pikëpyetje profesionalizmin e drejtorive komunale përgjegjëse për llojet e emërtimeve që propozojnë në kuvendet komunale.
Sheshi Zahir Pajaziti me shtatoren e Heroit Kombëtar dhe fotografinë mbi 10 metra të Ibrahim Rugovës!
Deri më sot, emërtimi i rrugëve dhe shesheve, kryesisht është bërë pa ndonjë studim paraprak dhe pa kritere të mirëfillta. Dhe për habinë më të madhe, pagëzimi i tyre po kalon në një heshtje deri në injorim të faktit se ka neglizhencë sa i përket rëndësisë së emërtimeve. Nuk duhet harruar se jo vetëm shkollat, universitetet, qendrat spitalore, bibliotekat apo stadiumet jane bartese te trashegimise sone kulturore, por edhe në emërtimin e bulevardeve, shesheve dhe rrugëve, depozitohet kultura dhe identiteti i një vendi dhe një kombi.
Kur emërtohen sheshet pa ndonjë vlerësim profesional apo me kriterin e së mundshmes atëherë ndodh sikur me sheshin Zahir Pajaziti. Edhe pse aty është ngritur shtatorja e Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti, Drejtorisë komunale nuk i ka penguar që përbri shtatores të vendoset një fotografi mbi 10 metra e ish-presidentit Rugova. Një veprim i tillë, nuk mund të konsiderohet profesional, pasi shkakton konfuzion te qytetarët, kur jo më shumë se dyqind metra në të njetën vijë larg këtij sheshi është pagëzuar sheshi dhe është ngritur shtatorja e madhe e ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Si pasojë, një qytetar i Prishtinës, e sidomos një i huaj, mund të ç’orientohet, dhe mund të mos dijë se në cilin shesh ndodhet – në atë Ibrahim Rugova apo në sheshin Zahir Pajaziti.
Sheshi Edit Durham (edhe pse është një emër shumë i respektuar ndër shqiptarë) nuk do të duhej të pagëzohej me këtë emër, për një arsye të vetme sepse ai shesh mbartë në vetvete shumë dhimbje dhe heroizma. Aty, në po atë shesh, më 1968, në përleshje me forcat serbe, ka rënë Murat Mehmeti (Dëshmor i Kosovës). Kjo do të duhej që ta shtynte drejtorinë komunale të kryeqytetit që të rishikojë dhe rivlerësojë jo vetëm këtë fakt, por edhe atë të sheshit Zahir Pajaziti. Njejtë do duhej bërë nga disa drejtori të tjera komunale, të cilat jo rrallë herë kanë bërë emërtime që nuk i qëndrojnë kohës dhe shpesh mundë ti shohim të njejtat emërtime për rrugë të ndryshme – gjë që teknikisht është e papranueshme.
Opinioni publik e vlerson rëndësinë e toponimeve, ndaj edhe heshtja që shoqëron emërtimin e rrugëve dhe shesheve duhet thyer, dhe gabimet që mund të jenë lëshuar deri më tani duhen rishikuar në mënyrë që të evitohen pakënaqesitë e mëtejshme të qytetarëve. Pakënaqësia ndaj një papërgjegjësie të administratave komunale në tërë Kosovën, ka bërë që mllefi të rritet, dhe si rezultat qytetarët në shumë vendbanime i kanë fshirë shumë emërtime të rrugëve dhe shesheve, që jo rrallë herë janë emërtime edhe qesharake.
Së fundi, nuk duhet harruar se pagëzimet e rrugëve dhe shesheve nuk janë lojëra kungulleshkash me fëmijë e as karshillëqe. Përgjegjësia është e madhe se ka të bëjë me brezat e ardhshëm, të cilëve përveçse atdheut duhet t’u lëmë edhe një memorie kolektive të bazuar në vlera tona historike e kulturore.
– Kontakti me autorin: [email protected].