Tetovë, 18. 12. 2104 – Lazim Rexhepi (1920-1983) është një ndër poetët më interesantë të letërsisë së shqiptarëve të Maqedonisë. Deri më tani ka qëndruar në një ekskomunikim më të thellë e më të errët në letrat tona. Prej tij, tash së fundi u botuan në revistën “Albanezul” (Shqiptari, 11 nëntor 1996), vetëm tre poezi: “Sikur të ishte jeta pranverë”, “Qindro trimneshë Kosova e mjerë” dhe “Si shqipe mali sillem vërdallë”, ndërsa në revistën Vlera (nr.5-6, 1996) u botua edhe një poezi tjetër: “Unë dhuroj jetën për lirine tuaj”.
Krahasuar me poetët tjerë paraardhës Lazim Rexhepi ka një individualitet krejt të veçantë, një frymëzim dhe figuracion tepër poetik, një natyrshmëri në rrjedhën e vargut dhe botë emocionale të ndjeshme. Ndryshe nga poetët e tjerë, në poezitë që njohim prej tij. “Uni poetik” është krejtësisht i identifikuar me autorin. Ai s’është as një fëmijë, as një hero i panjohur që mëshiron një ndjenjë apo çështje të përgjithshme, por është poeti vetë që vuan, që përjeton situata të veçanta emocionale. Në frymën e përgjithshme ai është i ngjashëm me heroin romantik që s’ndjehet mirë në realitetin e kohës, që ka vuajtje dhe trishtim në shpirtin e tij. Kështu, një lloj si romantikët e shqetësuar, edhe poeti ynë ndjehet i vetmuar, kërkon prehje dhe mirëkuptim nga të tjerët:
Se s’ma njeh kush dhimbjen,
Shpirtin s’madin.
Si shqipe mali sillem vërdallë,
Po t’më kuptosh ti je shpirtmadh
Nga dhimbja e saj duhet me u kallë,
A dro mos doni të harroj pa dashtë?
(Si shqipe mali sillem vërdallë)
Lazim Rexhepi (1920-1983)
Ashtu si heroi romantik që ëndërron një ditë apo një situatë më të bukur, edhe Lazim Rexhepi derdh në vargjet e poezisë së tij një ëndërr, një dëshirë: “sikur të ishte jeta pranverë/ do të isha në atdhe”. Poezitë e tij janë monostrofike. Ato kanë një ritëm të brendshëm të veçantë, që formohet nga kombinimet e theksave ritmike dhe të rrokjeve të karaktereve të ndryshme nga pesë deri në dhjetë rrokje). Kjo, “thyerje” rrokjesore i jep vargut një elegancë poetike që jo shumë shpesh e gjejmë te poetët e tjerë paraardhës. Metaforat “jeta pranverore”, “dridhet historia”, “premtimet e kohës”, apo hiperbolat “u shkriva i gjithë”, “zemra që digjen”, krahasimet e goditur “si shqipe mali”, simbolet “vullkanet e rrëmbyer fillojnë të vlojnë”, etj., krijojnë një atmosferë poetike, duke dëshmuar për një sens të vërtetë krijues:
Zemra mëmëdhetare,
Flas me vete,
Si një udhëtar në hapsina të largta
Premtimet e kohës vijnë larg e shkojnë
Mbi idetë e mia dridhet historia
Vullkanet e rrëmbyer fillojnë të vlojnë
Dyzet vjet me radhë lavën janë tue mbajtë.
(Qindro trimneshë Kosova e e mjerë!)
Kuptohet që motivi i poezisë së Rexhepit është ai patriotik. Dhimbja e poetit, trishtimi, vetmia, etj, nuk janë situata që i kalon një hero i dashuruar, por janë gjendje emocionale që lidhen me fatin e Kosovës, me dëshirën e poetit për të qenë në Shqipëri. Në tingëllimin e përgjithshëm, vargjet e poezisë së Lazim Rexhepit nuk janë të atij karakteri tradicional (në strofa, rima, rrokje, pra, në veçoritë e metrikës), siç janë poezitë e Sefer Selimit apo të Sadudin Gjurës, etj., ai gjithsesi tingëllon më modern, me përmasa të tjera të shtrirjes figurative. Kur në një poezi mbizotërojnë metafora, alegoria apo simboli, kjo është dëshmia më e qartë dhe më e sigurt për karakterin poetik të saj. Këtë lloj dëshmie e japin këto tri poezi, që, për fat të keq, i njohëm shumë vonë.
Nëse ndonjë autor tjetër që përmendet në letërsinë e shqiptarëve të Maqedonisë ka më së shumti vlerë dokumentare, poezia e Lazim Rexhepit zbulon një talent, një poet që ka ndjenjë dhe shije artistike, që sjell një varg poetik në poezinë e shqiptarëve të Rumanisë me prejardhje nga Maqedonia. Ndërsa poezia “Unë dhuroj jetën për lirinë tuaj”, monostrofike dhe me liri të dukshme rimore, ka në themel një konceptim disi më të veçantë nga poezitë tjera. Në aspektin e motiveve të brendshme të saj, mund të hetohen tri vatra kuptimore: dëshira për të parë mëmëdheun të lirë, rreziku i “klerit ballkanik” për Shqipërinë dhe dëshira e krijimit të poetit:
“për larine tuaj shumë here o tëvdes!”.
Në aspektin emocional mbizotëron fryma e poetit romantik që ëndërron të shohë shkrimtarët e “Tetovës plakë”, “Sharrin e lartë, krenar”, etj. Në aspektin stilistik e goditur vjen ndonjë figurë metaforike, si “theni zinxhirët të jetoni të lirë!”, por përgjithësisht nuk janë të shumta përfytyrimet poetike mbi bazën e figuracionit stilistik. Mbizotëron kryesisht shprehja e lirshme e mendimit dhe e ndjenjës së poetit, i cili duket se është rrëmbyer më tepër nga dëshira për të pohuar drejtpërdrejtë, për të porositur bashkëkohësit “mos harroni gjyshërit shqip që u kanë mësuar”, se sa të përpunojë në sistem metrik e stilistikor, që do t’i jepte më shumë ngarkesë emocionale poezisë. Sidoqoftë, kjo i bashkohet krijimeve të pakta poetike, për të kompletuar individualitetin e një poeti, mjaft interesant në sfondin e gjithë atyre krijuesve që prej vitesh janë të/dënuar/me/haresë.
Nga Lazim Rexhepi mbeti dorëshkrim edhe vepra “Romani i ditëve të mia”, të cilin e zbuloi Baki Ymeri në bibliotekën e familjes së tij. Ende i pabotuar, ai dëshmon edhe vlerat e një prozatori që ka stilin e vet të rrëfimit. E gjithë vepra është konceptuar mbi bazën e rrëfimit në vetën e parë, ku rolin e rrëfimtarit e luan vetë autori, pjesëmarrës në ngjarjet e veprës. Bie në sy se rrëfimtari synon të krijojë një komunikim të drejtpërdrejtë dhe të natyrshëm me lexuesin. Në ndonjë moment ai drejtohet: “Ndoshta s’do të besoni të dashur lexues: po për fatin tonë u shkri bora pranë do lisave të ahut dhe tash, kur frynte era, neve na mbulonte dëbora dhe na dukej se ishim të siguruar, ngase edhe gjurmët tona i kishte mbuluar dëbora e trazuar nga era…”.
Vepra e tij, herë-herë merr më shumë pamjen e një ditari, kur tonet epike dhe lirike, situatat dramatike e mjaft të vështira që kalon rrëfimtari, krijojnë skena, sa reale qa edhe prekëse. Në këtë vepër mbetet i diskutueshëm për t’u parë raporti midis elementit real dhe trillimit, në ç’përmasa është roli i njërit dhe i tjetrit. Rrëfimtari i përgjigjet një krijimi të mirëfilltë artistik apo është heroi real i një ditari që sjell kujtimet e një përndjekjeje në kohën e ish/Jugosllavisë. Njohja tërësore e dorëshkrimit do të krijojë mundësi për përcaktimin më të qartë të llojit që i përket vepra. Sido që të jetë, stili i rrjedhshëm, aftësia për të krijuar përfytyrime të gjalla te lexuesi, forma rrëfimtare interesante, krijojnë përshtypjen se kemi të bëjmë me një autor me vlera të veçanta që përfaqësojnë një zë të dallueshëm në letërsinë e shqiptarëve të Maqedonisë.
Lazim Rexhepi me familjen e tij.