(Tiranë, 20. 06. 2012) – Zakonisht thuhet: “Your future is in the past”. Kështu shkruhet në librat e shenjtë, kështu thuhet në profecitë antike. Nëse doni të dini të ardhmen tuaj, shihni si ka qenë e shkuara juaj. Mirëpo letra e një miku të mirënjohur të Shqipërisë, emrin e të cilit hë për hë rezervohem ta përmend, më bëri të mendoj të kundërtën: “There is still much old-style thinking in Albania, especially among politicians. But their day is past. History is on the side of people like you who understand the future and are working to get there”. – “Ekziston një mënyrë të menduari e vjetër për Shqipërinë, sidomos prej politikanëve. Por ata i takojnë së shkuarës, dita e tyre ka mbaruar. Historia është në anën e njerëzve të rinj, që e kuptojnë të ardhmen dhe punojnë për ta arritur atë”.
Të jesh optimist në Shqipëri është e vështirë. Por nuk është e pamundur dhe nuk është as moralizuese. Gjatë një shekulli të shqiptarëve në shtetin e tyre tre protagonistë ka pasur. Dhe këta tre protagonistë janë larguar nga jeta politike kur ka dalë një brez i ri ose kur kanë ndodhur përmbysje të mëdha, lokale apo botërore. Në këtë qindvjetësh që Shqipëria e përkujton sivjet çfarë do të evokojë? Mbretin (Zog) me afro 15 vjet autokraci, E. Hoxhën me 45 vjet autokraci dhe një protagonist të vetëm të dy dekadave të fundme (Sali Berisha – Sh.B), me dominim vetjak. Të gjithë të tjerët kanë qenë persona kalimtarë dhe episodikë, pa ndonjë rol ndryshues në jetën e vendit. Dhe kjo do të thotë se kjo është një dukuri e së shkuarës. Dita e tyre është prapa. Koha e tyre është prapa. Bashkë me qindvjetëshin, ky vend do të gjejë atë që kërkon prej një shekulli: mendësinë europiane, që në thelbin e vet ka ndërrimin e përsëritshëm të elitave politike, promovimin e vijueshëm të brezave të rinj me zotësi qeverisëse; në fund të fundit shmangien e monarkive të pashpallura, me presidentë mbretër si Mubarak-u i Egjiptit; me kryetarë shteti kolonelë si Gadafi i Libisë; me princër sundimtarë që qeverisin për të zgjatur jetën e tyre.
Tre autokratët e Shqipërisë londineze të shekullit XX…!
_________________________________
Miku i njohur i shqiptarëve, i cili në letrën e tij më shkruan se këto mendime mund t’ua ofroj edhe publikut shqiptar, shkruan më tej: “Many of the journalists who interview me ask if, in view of all the political difficulties, I am optimistic or pessimistic about Albania’s future. I am optimistic. And the primary reason for my optimism is that young, dedicated people like you remain committed to your country and its betterment”. – “Mund të jesh optimist për Shqipërinë nëse sheh brezin e ri të vendit, që i është kushtuar popullit të vet dhe do ta bëjë vendin më të mirë”. Kjo është filozofia e të qenët optimist në Shqipëri. Jo duke vlerësuar atë eksperiencë që njohim, sepse ajo eksperiencë është neo-otomane, anadollake, krahinoriste, autokratike, monokratike, mund të përmendësh çfarëdo cilësimi që të duash.
Të mendojmë për një çast vetëm një situatë: atë para zgjedhjes së kryetarit të shtetit. Po të renditen emrat që u përmendën gjatë tre raundeve të dështuara, që të gjithë thuajse ishin ndërmjet lumit Kir dhe lumit Valbona. Kaq shumë u ngushtua këndi i përzgjedhjes sa zona e parë operative që qeverisi Shqipërinë gjatë periudhës totalitare të na dukej luks. Në fakt, shteti shqiptar dështoi tri herë në këtë proces. Vetëm mendjet tejet të lehta mund të mendojnë se problemi u zgjidh. Tri shanset për një zgjedhje cilësore humbën. Mbetën vetëm dy shanset e zgjidhjes formale. Kjo është Shqipëria e sotme. Një Shqipëri ku i vetmi pushtet që del me votë të drejtpërdrejtë nga populli është parlamenti. Dhe ku për fat të keq edhe parlamenti është thjesht një çështje sasie, çështje numrash; jo cilësore. Të gjitha pushtetet e tjerë dalin me votë indirekte: qeveria doemos, presidenti prej ndryshimeve të fundme kushtetuese, krerët e agjencive kryesore kombëtare, diplomacia. Për të mos thënë se edhe pushteti gjyqësor sot kontrollohet prej votës indirekte.
Ka edhe vende të tjera në botë që qytetarët nxjerrin me votë vetëm pushtetin parlamentar. Por këta qytetarë kanë një tjetër të drejtë magjike në dorë: referendumin, që qëndron mbi të gjitha pushtetet, mbi të gjitha institucionet, madje edhe mbi Kushtetutën, dhe verifikon e qorton gabimet e qeverisjes. Këtë kulturë shteti shqiptar nuk e njeh.
Atëherë si të jesh optimist në këtë vend? Natyrisht, optimizmi vjen prej lëvizjeve të reja, por lëvizjet e reja, ngjajnë më shumë me etnocentrizma anakronikë, që nuk mund të hapin horizonte mendimi dhe pritjeje. Po të flasim për lëvizje mendimi, kjo do të ishte një pretendim i madh. Atëherë si të besosh në të ardhmen? Besoj, sepse rruga e këtij vendi është pa kthim. Besoj, sepse shteti shqiptar është gjithnjë e më i kontrolluar jo prej kushteve dhe tutelës, por prej standardeve europiane. Besoj, sepse objektivisht Shqipëria nuk mund të mbetet peng. E ardhmja nuk u takon elitave të vjetra. Elitat e vjetra e kanë ngrënë vetveten. Tani nuk u ka mbetur gjë tjetër veçse të plaçkitin edhe ca vendin e tyre. Ata e dinë se fundi po vjen. Ata e dinë se shqiptarët, kur revoltohen, nuk dinë se çfarë bëjnë dhe nuk e njohin as sensin e marrëveshjes. Pritet së afërmi përplasja e krizës greke në Shqipëri. Sistemi bankar në Tiranë është i dominuar prej bankave greke. Vendi në udhëkryq mund të shkojë edhe drejt vendimit “Në Europë pa euron”. Atëherë çfarë do të ndodhë me kursimet modeste dhe të trishtueshme të shqiptarëve? A nuk do të sëmuren edhe kursimet e tyre bashkë me dhrahminë greke? Po nëse Greqia do ta prekë fundin a nuk do ta prekin edhe rreth një milion shqiptarë dhe familjet e tyre në Shqipëri? Për ta përfytyruar më qartë duhet menduar se efekti i shthurjes së euros në Greqi do të jetë më i rëndë se ai i piramidave në Shqipëri. Dhe goditja do ta ketë valën e saj edhe këndej kufirit. Kriza, që autoritetet e Shqipërisë e kanë përjashtuar si faktor objektiv, po i vjen rrotull vendit si një fantazmë. Dhe kjo fantazmë do të prodhojë edhe revoltë. Dhe revolta do të bëjë pastaj atë që vetëm revolta mund ta bëjë: hapjen e së ardhmes. Prandaj mund të jesh optimist: sepse qoftë objektivisht, qoftë subjektivisht, një brez i ri po përgatitet të marrë në duar fatet e braktisura të një vendi që meriton shumë më tepër.