Viti, 18. 01. 2015 – Ka një kohë të gjatë që flitet dhe shkruhet për formimin e një Gjykate Speciale, e cila do të merret me trajtimin e rasteve të supozuara të ndodhura në Kosovë gjatë luftës çlirimtare të udhëhequr nga UÇK, gjatë dhe pas saj. Formimin e kësaj Gjykate e kanë pranuar edhe organet shtetërore të Kosovës dhe e ka votuar edhe Kuvendi i Kosovës! Meqë nuk jam njohës i fushës dua me këtë rast të shpreh bindjet e mia, ose më mirë thënë, dyshimet për formimin e saj pas kaq vitesh nga përfundimi i luftës.
Dihet botërisht se bashkësia ndërkombëtare pati formuar Gjykatën e Hagës, i cili u mor dhe po merret me krimet e luftës në ish Jugosllavi, përfshirë edhe ato në Kosovë. Në proceset e kësaj Gjykate kanë kaluar edhe disa figura të UÇK-së. Dihet verdikti i Gjykatës për këta persona: të gjithë u shpallën të pafajshëm.
Me të drejtë lind dyshimi: mos vallë ideja për formimin e një Gjykate tani speciale, pas kaq vitesh, duke mos qenë e kënaqur me proceset e zhvilluara në Gjykatën e Hagës ndaj shqiptarëve, vjen nga qarqet e Serbisë? Nëse ky dyshim del se pikërisht e ka bazën aty (duket që aty e ka), atëherë dyshimi se Serbia gjithnjë ka tentuar ta barazojë fajësinë e saj me gjoja “krimet” e UÇK-së del të jetë i bazuar. Nëse Serbia nuk ka dorë për krijimin e kësaj Gjykate, gjë që vështirë është për t’u besuar, atëherë nuk duhet frikuar për rrjedhojat e Gjykatës special.
Gjykatë speciale e mbështetur mbi premisat e drejtësisë kundër dhe ndaj një popullsie nuk mund të prodhojë drejtësi.
Nëse janë të vërteta spekulimet se kjo Gjykatë do të merret ekskluzivisht, apo vetëm me rastet e krimeve të supozuara se janë kryer nga shqiptarët, atëherë si t’i besohet një drejtësie që do të dali nga kjo Gjykatë, kur veç paragjykohet përfundimi?
Në Kosovë ka pasur krime të shumta. Ato duhet të gjykohen, pavarësisht kush i ka bërë ato. Por paragjykimi se UÇK-ja paska kryer krime nuk mund të qëndrojë, sepse misioni i UÇK-së ka qenë çlirimi i Kosovës, e jo okupimimi i dikujt. Logjika e thotë, kurse praktika e vërteton se, krime mund të bëjnë pushtuesit e asesi çlirimtarët, sepse janë në pozita krejtësisht të pabarabarta dhe me misione diametralisht të kundërta si formacione ushtarake. Krejt diçka tjetër është nëse ndonjë ushtar i UÇK-së ka kryer ndonjë veprim në kundërshtim me “rregullat” e luftës. Ky rast mund të jetë i izoluar. Prandaj s’ka asnjë bazë ligjore, që mbështetet në faktet kokëforta të drejtësisë, ta barazojë një rast të mundshëm të izoluar me veprimet, me masakrat dhe me gjenocidin e dokumentuar botërisht të forcave serbe, jo vetëm në Kosovë.
Gjykatë speciale e mbështetur mbi premisat e drejtësisë kundër dhe ndaj një popullsie nuk mund të prodhojë drejtësi. Produkti i saj mund të jetë vetëm padrejtësia. Gjykata speciale selektive nuk mund të ndajë drejtësi, por vetëm diskriminim dhe padrejtësi.
Prandaj Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca e Kosovës duhet të jenë shumë syqelë në rastin kur do ta votojnë ligjin për formimin e kësaj Gjykate. Në të kundërtën veç sa do të amnistohet Serbia për krimet që i ka kryer në Kosovë kundër shqiptarëve.
Deputetët e Parlamentit të Kosovës me këmbngultësi duhet të kërkojnë që medoemos cak i akuzave që do të ngritë kjo Gjykatë të jenë patjetër, të gjitha palët gjatë luftës në Kosovës. Kur po them të gjitha palët, e kam fjalën për ata persona që dyshohen si kryes të mundshëm të ndonjë krimi nga pala shqiptare, ndërsa krimet serbe nuk ishin të personave të caktuar, port të shtetit të Serbisë.
Drejtësia ose është për të gjithë, ose nuk është drejtësi.
-Kontakti me autorin: [email protected].