ADNAN ABRASHI: DOMATET NUK JANË BOMBA, z. ZHBOGAR!

Prizren, 22. 06. 2012 – Diku ne veri të Kosovës dikush mund të gjuaj bomba, t’i vras e t’i plagos ushtarët e tyre, e z. Zhbogar me shokët e tij në Bruksel nuk tmerrohen, por ai dhe ata shumë tmerrohen kur dikush tjetër në Prishtinë gjuan me domate të prishura kuadrot europian që erdhën mbase të na mashtrojnë edhe këtë herë?!!
Diplomati jo aq karizmatik i BE-së, në cilësinë e ndërmjetësuesit (lehtësuesit) në bisedimet famëkëqija për Kosovën me Serbin, Robert Cooper, pasi së pari kishte shkuar për vizitë në kryeqendrën e shtetit më të respektueshëm për punëdhënësit e tij, Beograd, këtë të enjte erdhi edhe në Prishtinë. Erdhi në këtë kryeqendër të protektoratit të vetë, ku, për çdo propozim të tij politik rreth bisedimeve me Serbinë, nga politika vendore, si gjithnjë, merr përgjigjen e pritur “yes sir”. Pa marr parasysh se, z. Cooper, cilin model, e kishte përzgjedhur ta vej rreth qafe, nga koleksioni i tij i pasur i kollareve (kravate), gjatë këtij takimi në Prishtinë, një gjë ai sigurisht e dinte që më parë: krahasuar nga klima kundërshtuese e kushtëzuese të bashkëbiseduesve si në Beograd, në Prishtinë nuk do t’i zihej fryma fare, andaj as që do të ketë nevojë që shpesh ta liroj me dorë shtrëngesën e asaj pjese të gardërobës rreth qafe të quajtur kravatë.
Atë që, z. Cooper, nuk e ka pas aq dert të madh me kravatën e tij si në Beograd, kësaj here, këtu në Prishtinë, i doli punë me pastrim kimik të teshave. Disa të rinjë më të vetëdijësuar, më të guximshëm dhe me bindje politike shumë më ndryshe nga ata të dëgjueshmit brenda asaj ndërtese shumëkatëshe të quajtur “QEVERI” në qendër të Prishtinës, e pritën me protesta dhe domate të prishura. Prodhim vendor, pa dyshim!

_______________________________

Pas kësaj ngjarje jo aq të hijshme dhe të papritur për të, besoj se, z. Cooper nga Prishtina, me vete ka marr edhe porosinë politike të shkruar nëpër pankarta që mbanin në duar këta të rijnë gjatë proteste.
Ashtu sikur pritej në këto raste jo aq diplomatike, nga institucionet relevante formalisht duhet pasojnë reagimet të menjëhershme gjykuese të këtij veprimi. Së pari filli ia nisi nga krye/nikoqiri- Hashim Thaçi, për të vazhduar më pas nga tarafi i ndërkombëtarëve, e, në fund, sigurisht do të përmbyllet me analiza të porositur nëpër disa medie tona të disa analistëve kujdestar për këto raste që dikur pretendojnë të hyjnë në politikë. Në këtë lakoni të pritshme gjykimesh formale, nuk e kam të qartë se pse deri më sot ende nuk reagoj për mikun e vetë, z.Cooper, zëvendësministrja dhe kryenegociatores për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri?!
Pa dyshim se, nga vargu i këtyre gjykimeve zyrtare të aksionit simbolik të këtyre të rinjve të lëvizjes Vetëvendosje! me domate të prishura ndaj z. Cooper, ajo që më së shumti më sfidoj të reagoj në këso kurtuazie- reagime të pritura, ishte ai i përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Samuel Zhbogar.
“Unë vetëm mund të shpreh tmerrin dhe zhgënjimin tim për atë për që ka ndodhur në mëngjesin e sotëm. Gjuajtja me domate dhe britmat kundër delegacionit zyrtar të BE-së, qëllimi i të cilit është vetëm të lehtësojë raportet midis Prishtinës dhe Beogradit, është gjest i papranueshëm”, ka thënë Zhbogar.
Haj medet! Çfarë paradoksi hipokrit i qëndrimit të BE në raportet mes Kosovës dhe Serbisë?! Ama… ndoshta ata edhe nuk kanë faj në këtë drejtim. Sepse, më se 13 vite nuk janë mësuar që dikush nga ne atyre zyrtarisht t’ua prishi qejfin në tavolinën e bisedimeve, e lere më në rrugë, me pankarta, domate të prishura….prandaj edhe tmerrohen. Thjesht ata janë mësuar që për çdo propozim dhe ofertë të tyre politike, pa marrë parasysh interesin strategjik dhe nacional shtetëror, nga goja e politikanëve tanë në pushtet të dëgjojnë vetëm përgjigjen “yes sir” dhe asgjë tjetër.
Pa dashur që me këtë rast ta rikujtoj atë cirk të shkuar, quaja bisedime me Serbinë, dhe atë lojë groteske termesh në opinion: “teknike”, “jo teknike”, ‘politike”, “jo politike”…nga të cilat, duke e fituar kandidaturën për anëtarësim në BE, prej tyre përfitoi vetëm Serbia, sot vjen dikush nga sejmenët e mbretërisë së tyre nga Brukseli në Prishtinë dhe sërish kërkon prej nesh: “Hajde tash të bisedojmë për veriun?!!”
Edhe me këtë rast, përsëri ne duhet të jemi kooperues , a po?
Pa reaguar në asnjë formë edhe me këtë rast ne përsëri duhet të themi vetëm “yes sir”, a po?!
Përsëri edhe me këtë rast, nëse nuk pranojmë do të na kërcënoni, e nëse pranojmë, do të na premtoni ndonjë kredi me kushte të volitshme, ndonjë raport pozitiv për shtetin tonë, do të na inkurajoni se jemi në rrugë të mirë për plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave…etj, etj., a po?!
Diku ne veri të Kosovës dikush mund të gjuaj bomba, t’i vras e t’i plagos ushtarët e tyre, e z. Zhbogar me shokët e tij në Bruksel nuk tmerrohen, por ai dhe ata shumë tmerrohen kur dikush tjetër në Prishtinë gjuan me domate te prishura kuadrot evropian që erdhën mbase të na mashtrojnë edhe ketë herë?!!
Vërtet! Se çka po ju bëjnë serbët në veri, nuk është edhe aq për tu tmerruar por për tu lemerisur, z. Zhbogar! Të dirigjuar po nga ai Beograd të cilës ju reshtur ia bëni qejfin në dëm tonin, jo shumë larg se disa kilometra nga “Prishtina e domateve”, përkëdhelësit e juaj po ju gjuajnë me bomba dhe armë zjarri, duke ju skuqur jo vetëm fizikisht teshat dhe trupin, por edhe moralisht, duke ju shkërmoqur dinjitetin e forcës suaj më të fuqishme ushtarake – KFOR.
Duhet ta dini përfundimisht, miq tanë të dashur, se ka kohë që me këto politika tuaja të gjertanishme na keni shndërruar në ZOMBI, dhe, se, në këtë tokë të stërvuajtur, gjithnjë do të ketë dikush që nuk do të duroj më…?!!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

RUSIA DHE SERBIA

Njëra superfuqi e tjetra tifoze e verbër e sajë! Njëra mësuese e tjetra nxënëse! Njëra kundërshtare dhe oponencë…