Viti, 24. 01. 2015 – Deklarata e ministrit të Isahashimit (Jabllanoviçit) me të drejtë shkaktoi pakënaqësi dhe indinjatë te çdo shqiptar në Kosovë e më gjerë (në krejt Shqipërinë). Por, a duhet që kjo pakënaqësi dhe kjo indinjatë t’i mobilizojë dhjetra mijëra shqiptarë në protesta anembanë Kosovës me moton: “Të dorëhiqet ose të shkarkohet Jabllanoviçi”…! Ta zëmë se ky Jabllanoviçi, i cili nuk do të duhej të ishte fare pjesë e Qeverisë së Republikës, po jep dorëheqje ose po shkarkohet… Çfarë do të ndryshonte në marrëdhëniet tashmë të krijuara dhe të «kornizuara» midis Kosovës dhe Serbisë?! Largimi dhe zëvendësimi i Jabllanoviçit me një «viç» tjetër nuk e ndryshon fare gjendjen dhe nuk e përmirëson pozitën nënshtruese dhe poshtëruese të Kosovës.
Po dëgjojmë edhe thirrjet “Jabllanoviç jashtë…”, etj. Thelbi i problemit nuk është këtu vëllezër e motra shqiptare. Çështja është te ndryshimi i këtij raporti Kosovë-Serbi në favor tonin dhe në të mirë të sovranitetit dhe të pavarësisë së Republikës së Kosovës… Me kushtetutën e Ahtisarit (bisedimet e Vjenës) dhe, posaçërisht me bisedimet dhe marrëveshjet e Brukselit, Republika e Kosovës e ka ndarë sovranitetin dhe pavarësinë e saj me Serbinë…! Prania e Serbisë, ndërhyrja dhe ndikimi i saj në të gjitha çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës, qoftë përmes pakicës serbe, qoftë përmes Kishës ortodokse, qoftë përmes “Listës serbe” dhe qoftë përmes formave, ndërhyrjeve dhe kanaleve tjera, është fakt i pamohueshëm dhe i legalizuar me marrvëshje të ndryshme, me kushtetutën ahtisariane, me ligje dhe akte tjera, është fakt që bënë “muuu”! Çdo gjë që është në Kosovë, që i përket Kosovës dhe që lidhet me Kosovën po ndahet me Serbinë pushtuese në tavolinën e bisedimeve të shtruar nga “ndërkombëtarët”…!! Prania e Serbisë, interesat e saj, ndërhyrja dhe ndikimi në rregullimin e brendshëm të Republikës sonë po fuqizohet edhe më tej me mbështetjen edhe të miqve të saj (Serbisë) dhe të “miqve” tanë ndërkombëtarë…!
Ndarja e Mitrovicës dhe e Kosovës me vendosjen e kufirit te ura e Ibrit (sot “parku” i Ibrit!), pastaj përmes komunave “serbe” (10 komuna…!!), përmes “zonave të mbrojtura” dhe “eksterritorialitetit” të kishave të uzurpuara dhe të përvetësuara nga princat dhe krajlat e Serbisë pushtuese, është një fakt i pranuar dhe i “legjitimuar” edhe nga institucionet vazale-kuislinge të Kosovës…!! Me një fjalë, Serbia është ulur këmbëkryq në Republikën e Kosovës me lejen e institucioneve vazale të Prishtinës!! Kjo është ÇËSHTJA! Kjo është çështje mbi çështjet tjera (aktualisht)…!
Republikë (shtet) sovrane dhe të pavarur me Serbinë brenda nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrën e kurrës. Këtë duhet ta kuptojë çdo shqiptar që e do këtë vend dhe kombin shqiptar, që do Kosovën shqiptare e jo shqiptaro-serbe… Është e qartë si drita e diellit që Kosova po rrëshqet me shpejtësi drejt një republike me sovranitet dhe pavarësi të kufizuar dhe të kushtëzuar nga Serbia…!! Këtë projekt e ka mbështetur dhe sponzorizuar herë tërthorazi dhe herë drejtpërdrejt ajo që ne jemi mësuar ta quajmë “bashkësi ndërkombëtare”!
Me “pëlqimin” dhe “vullnetin” edhe të kësaj bashkësie ndërkombëtare Kosova është shndërruar në një karantinë të Evropës nga e cila mund të dilet në Evropë vetëm përmes Serbisë dhe rrugëve ilegale. A thua edhe ky është një projekt për shpërnguljen e shqiptarëve dhe për ta balancuar e stabilizuar, krejtë “paqësisht”, një Kosovë shqiptaro-serbe?! Klasa politike dhe institucionale e Kosovës, e korruptuar, e kapur, e paaftë, e shantazhuar…, është “përzgjedhur”, është mbështetur dhe po mbështetet edhe nga “bashkësia ndërkombetare” për ta mbajtur Kosovën tonë në gjunjë, të izoluar, të dëshpruar dhe në depresion…!
Sot, bashkëkombës të dashur, është më e qartë se kurrë që krejt qeveria dhe krejt Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk peshon sa “Lista serbe-Serbia”…! Pa pëlqimin e kësaj Liste-Serbisë nuk mund të merret asnjë vendim i rëndësishëm dhe me interes të përgjithshëm kombëtar…! Madje, edhe FSK-ja nuk mund të shndërrohet në Ushtri të Republikës pa pëlqimin e Listës-Serbisë…!! Shteti i Kosovës nuk ka të drejtë as të ketë forcën e duhur për t’u mbrojtur pa pëlqimin-lejen e “Listës serbe”-Serbisë…!
Me ligjin e fundit për ndërmarrjet shoqërore pakicës serbe-Serbisë iu njoh dhe iu legalizua edhe një e drejtë! Pa pëlqimin e komunave serbe nuk mund të bëhet asnjë privatizim apo ndryshim i statusit të ndonjë ndërmarrjeje shoqërore në publike, pra as i Trepçës…! Së shpejti pritet edhe krijimi i “zajednicës”-bashkësisë së komunave serbe, që do të thotë finalizimi i planit serb për Kosovën, i vitit 2004 (Lexojeni me vëmendje planin e miratuar nga Kuvendi i Serbisë…!)… Prandaj, populli shqiptar në Kosovë dhe partitë, shoqatatë, organizatatë, lëvizjet politike-atdhetare.. duhet të organizohen dhe të mobilizohen për largimin-dëbimin e Serbisë nga Republika e Kosovës, për ndarjen dhe pavarësimin e plotë të Kosovës nga Serbia… Kjo është ÇËSHTJA!
Protesta – demonstrata e sotme do të tregojë edhe se sa është i informuar dhe i vetëdijsuar populli shqiptar në Kosovë për pozitën e tij të vështirë… Jo vetëm sot por edhe në ditët në vijim secili nga ne ka për detyrim t’i njoftojë bashkëkombësit tanë dhe t’i mobilizojë ata rreth kërkesës, angazhimit dhe këmbënguljes për shkëputjen e plotë të Kosovës nga Serbia dhe ndikimi i saj… Janë këto çaste historike për fatet e Kosovës dhe të çështjes shqiptare në Iliri-Ballkan… Kjo çështje, shkëputja e plotë e Kosovës nga Serbia dhe ndikimi i saj duhet parë edhe si interes dhe si kusht i qëndrueshmërisë, i paqes dhe i fqinjësisë “normale” në siujdhesën (rajonin) tonë.
– Kontakti me autorin: [email protected]
***
SHTOJCË NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG
Me marrëveshjen e 19 prillit 2014 në Bruksel (Thaçi – Daçiq – Eshton)…, pritet të themelohet ‘Bashkësia e Komunave Serbe’, ndërkohë që Serbia tashmë është rikthyer në Kosovë përmes listës ‘Srbska’, në të cilën përfshihen të gjitha strukturat kriminale serbe! Dhe, dorëheqja e Jabllanoviçit duket se është problemi më i vogël! Pra, problem është bërë largimi i Serbisë nga Kosova! Atëkohë kur e largojmë Serbinë nga Kosova kemi larguar Jabllanoviçin dhe “viç’at” tjerë!
***
CILAT JANË 44 “MINISHTETET SERBE” NË KUSHTETUTËN E KOSOVËS!
(Ligjet për Zonat e veçanta të dala nga pakoja e Ahtisarit!!!)
HAPE: http://pashtriku.beepworld.de/files/Kosova_09/mars09/09/berisha_44_minshtete_serbe_10.3.09.h
***
Në vijim mund të lexoni të plotë, Ligjin Nr. 03/L-039 “Për Zonat e veçanta të mbrojtura”, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 20 shkurt 2008 dhe i nënshkruar nga kryetari i Kuvendit z.Jakup Krasniqi.
===================================
Republika e Kosovës
Republika Kosova-Republic of Kosovo
Kuvendi – Skupština – Assembly
Ligji Nr. 03/L-039
PËR ZONAT E VEÇANTA TË MBROJTURA
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me qëllim të vendosjes së rregullave ligjore për zonat e veçanta të mbrojtura,
Miraton këtë:
LIGJ PËR ZONAT E VEÇANTA TË MBROJTURA
Neni 1
Qëllimi i Ligjit
Ky ligj do të sigurojë mbrojtjen e Manastireve Ortodokse Serbe, Kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturorë të një rëndësie të veçantë për Komunitetin Serb si dhe për komunitetet e tjera në Republikën e Kosovës, nëpërmjet themelimit të Zonave të Veçanta të Mbrojtura.
Neni 2
Zonat e Veçanta të Mbrojtura
“Zonë e Veçantë e Mbrojtur” do të jetë një zonë e përcaktuar me hartë, ose me një zonë të përcaktuar që rrethon një monument, ndërtesë, grup ndërtesash, tërësi, fshat, ose qendër historike të qytetit që mbrohet nga çdo zhvillim apo aktivitet i cili mund të dëmtojë kontekstin e tij historik, kulturor, arkitektural apo arkeologjik, mjedisin natyror apo kuadrin vizual estetik.
Neni 3
Objektivat
Objektivat e Zonave të Veçanta të Mbrojtura janë:
a) të sigurojnë ekzistencën dhe funksionimin paqësor të vendeve që do të mbrohen dhe të ruajnë mënyrën monastike të jetesës së klerikëve;
b) të ruajnë karakterin dhe pamjen e vendeve që do të mbrohen, në veçanti, kontekstin historik, kulturor, arkitektural dhe arkeologjik, mjedisin natyror dhe kuadrin vizual estetik; dhe
c) të parandalojnë zhvillimet e pafavorshme rreth vendeve që duhet të mbrohen, ndërkohë që sigurojnë kushtet më të mira të mundshme për zhvillimin e harmonizuar dhe të qëndrueshëm të komuniteteve që banojnë në zonat rreth këtyre vendeve duke rregulluar zhvillimin dhe aktivitetet e tjera.
Neni 4
Këshilli Zbatues dhe Monitorues
Këshilli Zbatues dhe Monitorues (më poshtë i përmendur si “KZM”) do të themelohet, ndër të tjera, për të monitoruar dhe lehtësuar implementimin e këtij ligji. Detyrat relevante të KZM-së sipas këtij Ligji do të përfshijnë:
a) mbikëqyrjen e vijëzimit të Zonave të Veçanta të Mbrojtura në terren dhe implementimin e tyre;
b) rekomandimin e ndryshimeve të kufijve administrativë të Zonave të Veçanta të Mbrojtura, dhe kufizimet që do të aplikohen në to, nëse ashtu e kërkojnë rrethanat;
c) ndërmjetësimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes Kishës Ortodokse Serbe dhe autoriteteve qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës për sa i përket implementimit të dispozitave të këtij ligji; dhe
d) këshillimin e agjencive të zbatimit të ligjit dhe institucioneve të tjera relevante të Republikës së Kosovës mbi çështjet e lidhura me sigurinë që kanë ndikim mbi vendet e trashëgimisë fetare dhe kulturore.
Neni 5
Aktivitetet e Ndaluara brenda Zonave të Veçanta të Mbrojtura
Çdo aktivitet i ri në fushat e mëposhtme do të ndalohet:
a) ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve tranzite në zonat rurale; dhe
b) ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.
Neni 6
Aktivitetet e Kufizuara brenda Zonave të Veçanta të Mbrojtura
Çdo aktivitet i ri nga lista e mëposhtme e aktiviteteve mund të kufizohet nëse e kërkojnë rrethanat.Para se të kryhen aktivitete të tilla në fushat e mëposhtme, komuna përkatëse do të kërkojë marrëveshjen e Kishës Ortodokse Serbe. Nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje, palët do t’ia referojnë çështjen KZM-së për shqyrtim, në pajtueshmëri me pikën c të nenin 4 të këtij ligji:
a) ndërtimet apo zhvillimet komer-ciale të tilla si: strukturat ose godinat më të larta se manastiri/ kisha/monumenti kulturor që duhet të mbrohet; ndërtimi i rrugëve; ndërtimi i magazinave, punëtorive, shitoreve, restorant-teve, bareve, kafeterive, hotele-ve/moteleve, tezgave dhe kioskave ushqimore, stacioneve të furnizimit me karburant dhe riparimit të automjeteve, super-marketeve, klubeve të natës, apo ndonjë ndërtimi tjetër në shkallë më të gjerë në zonat rurale;
b) tubimet, argëtimi dhe zbavitja publike; dhe
c) urbanizimi i tokës bujqësore.
Neni 7
Klasifikimi i Zonave të Veçanta të Mbrojtura
7.1 Zonat e Veçanta të Mbrojtura do të definohen për vendet e mëposhtme, si në hartat e bashkangjitura:
a) Manastiri i Deçanit, Deçan : (Kjo Zonë e Veçantë e Mbrojtur është identike me “Zonën e Posaçme “ të krijuar më herët);
b) Patriarkana e Pejës, Pejë;
c) Manastiri i Graçanicës , Prishtinë;
d) Kisha e Shpalljes se Virgjëreshës, Lipjan;
e) Manastiri i Deviçit, Skënderaj;
f) Manastiri i Gorioçit, Istog;
g) Manastiri i Budisavcit, Klinë;
h) Manastiri i Sokolicës, Zveçan;
i) Manastiri i Draganacit, Gjilan;
j) Manastiri i i Arkangjelit të Shenjtë, Prizren;
k) Manastiri i Banjskës, Zveçan;
l) Manastiri i Zoqishtës, Zoqishtë, Rahovec;
m) Fshati Hoqë e Madhe, Hoqë e Madhe, Rahovec;
n) Manastiri Duboki Potok, Zubin Potok;
o) Kisha e Shën Gjergjit,Gornjasellë, Prizren;
p) Manastiri i Soçanicës, Leposaviq;
q) Kisha e Heremitëve, Uljaricë Klinë; dhe
r) Vetmia e Petrit të Shenjtë, Korishë, Prizren.
7.2 Zona e Veçantë e Mbrojtur për Manastirin e Sokolicës, Zveçan dhe Kompleksi Memorial i Isa Boletinit janë Zona të Veçanta të Mbrojtura si në hartën e bashkangjitur. Komuna përkatëse do të kërkojë marrëveshje nga Kisha Ortodokse Serbe dhe Administrata e Muzeut të Isa Boletinit përçdo aktivitet të ri ashtu si parashikohet nga neni 6 i këtij ligji.
7.3 Për Zonat e mëposhtme të Veçanta të Mbrojtura të përkufizuara në hartat e bashkangjitura në rastin e ndonjë aktiviteti të ri të përshkruar në nenin 6 të këtij ligji, komuna përkatëse do të konsultohet drejtpërsëdrejti me KZM-në:
a) Monumenti Memorial i Gazimestanit dhe Tyrbja e Bajraktarëve, Obiliq do të përfshihen në të njëjtën Zonë të Veçantë të Mbrojtur;
b) Kështjella Mesjetare e Zveçanit, Zveçan;
c) Qyteti Mesjetar i Novobërdës, Novobërdës; dhe
d) Ura Mesjetare/e Vjetër e Vojnoviqëve, Vushtrri.
7.4 Zonat e Veçanta të Mbrojtura për vendet e cekura më poshtë do të kufizohen me një hapësirë prej 100 metrash rreth perimetrit të tyre dhe do të identifikohen nga Agjensioni Kadastral i Republikës së Kosovës në bashkëpunim me komunat përkatëse në hartat që do t’i bashkëngjiten këtij Ligji të cilat do të formojnë një pjesë integrale të këtij ligji dhe do të miratohen para përfundimit të periudhës së tranzicionit:
a) Manastiri i Premtit të Shenjtë, Leposaviq;
b) Manastiri i Shëruesve të Shenjtë, Leposaviq;
c) Manastiri i Virgjëreshës së Shenjtë të Hvosnos, Istog ;
d) Manastiri i Markut të Shenjtë, Korishë, Prizren;
e) Manastiri i Treshit të Shenjtë, Mushtisht, Suharekë;
f) Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë, Sredskë, Prizren;
g) Manastiri i Uroshit të Shenjtë, Nerodime, Ferizaj; dhe
h) Manastiri i Binaçit, Buzovik, Viti.
7.5 Zonat e Veçanta të Mbrojtura për vendet e cekura më poshtë do të kufizohen me një hapsirë prej 50 metrash rreth perimetrit të tyre dhe do të identifikohen nga Agjencioni Kadastral i Republikës së Kosovës në bashkëpunim me komunat përkatëse në hartat që do t’i bashkëngjiten këtij Ligj, të cilat do të formojnë një pjesë integrale të këtij ligji dhe do të miratohen para përfundimit të periudhës së tranzicionit:
a) Manastiri i Dollcit, Klinë;
b) Kisha e Shën Nikollës, Gjurakoc, Istog;
c) Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë në Hodegetri, Mushtisht, Suharekë;
d) Kisha e Nikollës së Shenjtë, Shtërpcë;
e) Kisha e Teodorit të Shenjtë, Biti e Poshtme, Shtërpcë;
f) Kisha e Nikollës së Shenjtë, Gotovushë, Shtërpcë;
g) Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë, Gotovushë, Shtërpcë;
h) Kisha e Shën Gjergjit, Biti e Epërme, Shtërpcë;
i) Kisha e Nikollës së Shentjë, Mushnikovë, Prizren;
j) Kisha e Nikollës së Shentjë, Bogoshevc, Prizren;
l) Kisha e Nikollës së Shentjë, Drajçiq, Prizren;
m) Kisha e Nikollës së Shenjtë, Sredskë, Prizren;
n) Kisha e Apostujve të Shenjtë (ose Premtit të Shenjtë), Mushnikovë, Prizren; dhe
o) Kisha e Shën Gjergjit, Serdskë, Prizren.
Neni 8
Themelimi i Zonës së Veçantë të Mbrojtur për Qendrën Historike të Prizrenit
8.1 Zona e Veçantë e Mbrojtur për Qendrën Historike të Prizrenit do të themelohet nga organet komunale të Prizrenit në bashkëpunim me KZM dhe do të përfshijë objektet e Kishës Ortodokse, objektet otomane, katolike, laike dhe objektet e tjera të rëndësisë së veçantë historike dhe kulturore Objektet e më poshtme kulturore dhe fetare serbe do të përfshihen në Zonën e Veçantë të Mbrojtur:. Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë të Levishës; lagja e vjetër “Mëhalla Marash”; Kisha e Shpëtimtarit të Shenjtë; Shkolla Ortodokse për Priftërinj e Kirilit dhe Metodit të Shenjtë; dhe Kompleksi i Rezidencës Episkopike (që përfshin rezidencën e Peshkopit, Katedralen e Gjergjit të Shenjtë, Kishat e Gjergjit të Shenjtë (Runovic) dhe Nikollës së Shenjtë (Tutic).
8.2 Aplikimi i nenit 6 të këtij ligji për çdo aktivitet të ri në Zonën e Veçantë të Mbrojtur për Qendrën Historike të Prizrenit do të përcaktohet me një ligj.
Neni 9
Dispozitat e Veçanta për Fshatin Hoqa e Madhe
Fshati i Hoqës së Madhe, i përshkruar në pikën m) paragrafi 1 i nenit 7 të këtij ligji do të ketë të drejtën, në konsultim me komunën e Rahovecit, që të ushtrojë autoritet të kufizuar mbi aktivitetet nga fusha e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare, dhe nga fusha e planifikimit rural duke respektuar Zonën e saj të Veçantë të Mbrojtur, në përputhje me dispozitat relevante të legjislacionit mbi Vetë-Qeverisjen Lokale dhe parimet e Deklaratës Universale të UNESCO-s mbi Diversitetin Kulturor. KZM-ja do të lehtësojë konsultime të tilla.
9.2. Aplikimi i nenit 6 të këtij ligji për çdo aktivitet të ri në Zonën e Veçantë të Mbrojtur për fshatin e Hoqës së Madhe do të përcaktohet me një Ligj.
Neni 10
Planifikimi Hapësinor
10.1 Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të sigurojë që planet hapësinore për sipërfaqet brenda Zonave të Veçanta të Mbrojtura të jenë në pajtueshmëri me dispozitat e neneve 5 dhe 6 të këtij ligji dhe në pajtueshmëri me nenet 12, 13, 14 të Ligjit mbi Planifikimin Hapësinor.
10.2 Autoritetet lokale do t’i përmbahen plotësisht dispozitave të nenit 10.
Neni 11
Dispozitat Përfundimtare
11.1 Ky Ligj do të zëvendësojë çdo dispozitë të ligjeve në fuqi që nuk është në pajtueshmëri me të. Zonat e Veçanta të Mbrojtura gjithashtu gëzojnë plotësisht mbrojtjen e përcaktuar nga Ligji mbi Trashëgiminë kulturore dhe ndryshimet e tij të mëtutjeshme.
11.2 KZM bashkëpunon me Këshillin e Republikës së Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ashtu si parashikohet në paragrafin 8 të nenit 4 të ligjit mbi Trashëgiminë Kulturore mbi çdo çështje tjetër që ka lidhje me mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore në Republikën e Kosovës.
11.3 KZM do të punojë për së afërmi me Komisionin e Implementimit të Rindërtimit për Vendet Fetare Ortodokse në Republikën e Kosovës.
11.4 Dispozitat e këtij Ligji në asnjë mënyrë nuk do të paragjykojnë apo ndryshojnë ndonjë detyrim ekzistues të ndërmarrë në lidhje me ndonjë vend të përcaktuar nën Konventën e UNESCO-s që ka të bëjë me Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore.
11.5 Dispozitat e këtij Ligji nuk do të paragjykojë të drejtat e pronësisë mbi pronat e ndodhura brenda Zonave të Veçanta të Mbrojtura.
Neni 12
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe pas shpalljes së tij në gazetën zyrtare.
Miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës,
më 20 shkurt 2008
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës
Jakup KRASNIQI